Jusuf Buxhovi: Gjeneza e një lufte të sukseshme të shqiptarëve në Maqedoni që u kthye në një kompromis të padobishëm politik

231
Sigal

 

NGA MARRËVESHJA E PRIZRENIT DERI TE AJO E OHRIT

 

Rruga e bisedimeve “ndërmjetëse” midis subjekteve politike maqedonase që kishin përfaqësuar institucionet shtetërore dhe ato parlamentare dhe liderëve ushtarakë të UÇK-së, që kishin folur në emër të “Shtabit të Përgjithshëm”, kishte kaluar nëpër një marrëveshje politike që ishte arritur në Prizren. Me këtë marrë-veshje, UÇK-ja do të bëhet pjesë e procesit politik, për ç’gjë ishin angazhuar faktorët meritorë ndërkombëtarë. Por, duhet thënë se përfshirjen e UÇK-së në procesin politik, ndonëse me naze,e kishin dëshiruar edhe maqedonasit, të cilët e dinin se ishte shtabi i Tetovës ai që duhej ta thoshte fjalën e fundit, fjalë kjo që sipas Komunikatës 6 të marsit, ku mbrohej integriteti territorial dhe ai shtetëror i Maqedonisë dhe Projekt-Planit të Paqes së UÇK-së të 14 qershorit, në kuadër të reformave kushtetuese kërkohej shteti multietnik, për maqedonasit ishte e mirëseardhur, ngaqë me anën e tyre, edhe më tutje do t’i ruanin pozitat dominuese në institucionet e vendit. Ndërsa pozita e shqiptarëve, paçka se kishin luftuar, mund të ndryshohej paksa, por jo që të arrinin te limitet, ngaqë vetë karakteri i demokracisë me fuqinë e shumicës,e pengon këtë.

Sidoqoftë, marrëveshja e Prizrenit, duhej t’ia hapte rrugën një zgjidhje politike për të cilën ishin pajtuar që të gjithë, që do të arrihej me palën shqiptare me anën e një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive (luftës). Meqë këtë punë kishte marrë përsipër qeveria e koalicionit e zgjedhur më 15 maj, Trajkovski kishte kërkuar nga ndërmjetësuesi Robert Froëick, i emëruar i veçantë i OSBE-së për Maqedoninë, një “fushatë” për ndërprerjen e luftimeve të armatosura, që duhej të shkonte nëpërmes një marrëveshjeje të faktorëve politikë shqiptarë në rajon – në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me çka Maqedonia fitonte garanci “gjithëshqiptare” për opsionin e multietnicitetit në Maqedoni, që përjashtonte atë më të rrezikshmin për Shkupin – shtetin dy-kombesh, siç ishte kërkuar fillimisht nga UÇK-ja.

Marrëveshja e faktorëve politikë shqiptarë në rajon, atyre në Maqedoni dhe Shqipëri, për Froëickun si iniciues të saj dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi nuk duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Edhe pse faktorët politikë shqiptarë vinin nga tri realitete të ndryshme politike dhe shtetërore dhe përkatësi të ndryshme intelektuale, megjithatë, pjesa më e madhe e tyre (ata nga Kosova dhe Maqedonia) kishin të përbashkët veprimtarinë në rrethanat e shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe angazhimin për çështjen e Kosovës në kuadër të rezistencës institucionale dhe të asaj të armatosur në radhët e luftës së UÇK-së, veprimtari kjo që në vitet e fundit (1989-1999), në shumë aspekte ishte zhvilluar në Shqipëri dhe e gjitha kishte kaluar nëpër një emancipim të përbashkët politik rreth asaj që shfaqej si interes i përbashkët shqiptar në rrethanat e reja, e ku shteti maqedonas, edhe si interes i shqiptarëve, kishte mbështetje unanime.

Vegëza politike e liderëve shqiptarë në trekëndëshin Tiranë-Prishtinë-Shkup, në raport me Maqedoninë dhe rolin e shqiptarëve në arritjen e marrëveshjes paqësore atje duhej t’ua kthente “kohezionin e brendshëm”, siç kishte ndodhur edhe gjatë bisedimeve të Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, gjithsesi shfaqej Veton Surroi.

Surroi kishte pranuar të ndërmjetësonte me kusht që bisedimet të mos çonin te ndarja e Maqedonisë, meqë kjo ishte kundër bindjeve të tij.

Por, ky kusht as që i duhej, ngaqë, UÇK-ja, qysh në Komunikatën numër 6, kishte theksuar mbrojtjen e integritetit territorial si dhe sovranitetin shtetëror të Maqedonisë dhe gjithnjë e më shpesh theksonte reformat kushtetuese me anën e të cilave në shtetin multietnik realizohej barazia e plotë e të gjithëve.

Ideja për t’u takuar në Prizren nuk ishte e rastësishme. Kishte arsyet praktike-teknike (Ali Ahmeti mund të lëvizte lirisht nga shtabi i tij afër Tetovës për në Prizren, nëpër brezin deri te kufiri me Kosovën ngaqë e mbikëqyrnin forcat e tij) edhe, pse ajo pjesë mbikëqyrje nga KFOR-i amerikan dhe britanik, por kishte edhe simbolikë historike, meqë Prizreni ishte qendra politike e nacionalizmit shqiptar, që kishte ushqyer të gjitha lëvizjet shqiptare për liri dhe pavarësi, që si e tillë nga shumëkush shihej edhe lufta e UÇK-së në Maqedoni. Andaj, marrëveshja shqiptare në Prizren, pos pajtimit të brendshëm, dërgonte edhe mesazhe bashkimi jashtë, të cilat edhe në këto rrethana kishin rëndësi të veçantë, që gjërave që quheshin “historike”, paçka se nuk ishin të tilla, t’ua jepte grimin e duhur “patriotik”.

Siç pritej, Ali Ahmeti kishte disa kërkesa, të cilat duheshin plotësuar për t’u filluar procesi politik. Ndër to ishte prania si dhe vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni, ngaqë shqiptarët kishin humbur besimin në demokracinë e njëanshme dhe të shpërdorur si dhe në aparatin policor dhe ushtarak të shtetit maqedonas, i cili kishte qenë në shërbim të represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve, siç ishte parë edhe gjatë konfliktit të fundit, kur pas dështimeve në vijat e fronteve, në shenjë hakmarrje, kishin sulmuar vendbanimet e shqiptarëve. Ndër këto kushte ishin edhe ato, që lidheshin me demilitarizimin e Maqedonisë, amnistimin e pjesëtarëve të UÇK-së si dhe disa të tjera të natyrës teknike.

Mbas takimit të parë me Ali Ahmetin në Prizren, Surroi kishte nxituar të takohej me Froëickun në Shkup për ta njoftuar rreth kërkesave të UÇK-së.

Në bisedën e dytë në Prizren, Surroi ia kishte përcjellë Ali Ahmetit qëndrimet e Froëickut, duke ia bërë me dije se dy prej tri objektivave mund të arrihen:filimi i procesit politik, me kërkesat e ndërtuara edhe të UÇK-së si dhe ky proces të ndërlidhet me atë të amnestisë së ushtarëve të UÇK-së dhe të demilitarizimit të UÇK-së. Ajo çfarë duke se nuk mund të arrihet ishte vendosja e trupave të NATO-s në Maqedoni si forcë sigurie, pas së cilës do të fillonte procesi negociator, ngaqë dihej se një vendim i tillë, së pari kërkonte qëndrimin unanim të Asamblesë Veriatlantike, gjë që vështirë të arrihej, dhe së dyti, kërkonte edhe mandatin e KS të OKB-së, që varej nga qëndrimi i Rusisë dhe Kinës aty.

Takimi i përbashkët i Surroit me Ali Ahmetin dhe Arben Xhaferin ishte mbajtur në furrën e Prizrenit, aty ku kishin filluar takimet e para. Surroi thekson se “qëllimi i takimit ishte unifikimi i qëndrimeve ndërmjet Aliut dhe Arbenit për të përgatitur një platformë për negociata për përfundimin e luftës me realizimin e kërkesave të shqiptarëve, mapë-kornizë, që do të shprehte qëndrimet e UÇK-së dhe do të ishte konsensual për UÇK-në dhe partitë politike, dhe njëkohësisht një proces që do ta nxjerrë UÇK-në prej pozitës së tanishme të pamundshme për negociatat, të një ‘organizate terroriste’ drejt një pozicionimi të legjitimitetit politik.

Në takim u sollën edhe këto konkluzione:

-Shlyerja e preambulës së Kushtetutës;

-Përdorimi i pakufizuar i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni;

-Përfaqësimi përpjesëtimor etnik në institucionet e shtetit;

-Zgjerimi i kompetencave të komunave;

-Shekullarizimi i plotë i Kushtetutës së shtetit;

-Vendosja e demokracisë konsensuale në fushat që kanë të bëjnë me të drejtat etnike; do me thënë, pengimi i mbivotimit mazhoritar në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të drejtat etnike.

U vendos që vëmendje t’i kushtohet edhe amnistisë së përgjithshme për të gjithë të përfshirit në konfliktin e armatosur si dhe çështja e shërbimit ushtarak në ARM brenda territorit të komunës së vendlindjes.

Kërkesat që kishin dalë nga takimi i përbashkët midis Ali Ahmetit dhe Arben Xhaferit me Surroin, që do t’i dorëzohen në Shkup Froëikcukt, nuk ishin të reja e as të panjohura. Si të tilla ato tashmë ishin shfaqur në Kumtesën numër 6 të UÇK-së, në Memorandumin e Ali Ahmetit drejtuar faktorit ndërkombëtar si dhe në prononcimet e ngjashme, që vinin nga Shtabi i UÇK-së.

Në këtë pako, e re ishte vetëm kërkesa rreth përfshirjes së plotë të NATO-s në procesin e implementimit të paqes, që nënkuptonte edhe demilitarizimin e Maqedonisë, kërkesë kjo që ishte jo reale, megjithatë mund të përdorej për koordinata të tjera.

Froëick kërkoi nga UÇK-ja që me shkrim të operacionalizohen pikat e përmbajtjes, duke bërë me dije se me to mund të shkojë te Trajkovski për të filluar procesin e paqes dhe pajtohen që të kenë një tekst të shkurtër sapo ai të ketë biseduar me Trajkoskin.

Më 21 maj, Surroi ia dorëzon Froëickut, ofertat e shkruara nga lidershipi i UÇK-së të përmbledhura në shtatë pika:

  1. Shpallja e përfundimit të operacioneve luftarake të UÇK-së dhe fillimi i dialogut në nivel politik përmes institucioneve të shtetit me lehtësim ndërkombëtar, të përcjellë me deklarata të ngjashme nga autoritetet maqedonase;
  2. Shpallja e amnistisë (me afat përfundimtar prej një muaji) nga autoritetet maqedonase, me përjashtim të të dyshuarve dhe kryerësve të krimeve dhe të krimeve kundër njerëzimit;
  3. Vendosja e menjëhershme e vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së (opsioni: të armatosur me revole) në rajonin kritik të Kumanovës (opsioni B: të gjitha zonat ku është luftuar, duke përfshirë edhe Tetovën);
  4. Vendosjen e pranisë së paarmatosur institucionale të shtetit maqedonas (prefekti i Likovës, institucionet shëndetësore etj.) në kohëzgjatje prej dy muajve, në mënyrë identike me qëndrimin e vëzhguesve të OSBE-së);
  5. Dorëzimin e armëve të UÇK-së para komisionit të udhëhequr nga pushteti lokal i Likovës dhe OSBE-së, dhe më pas dorëzimin nga ana e OSBE-së deri te strukturat maqedonase të sigurisë;
  6. Shpallja e deklaratës së përbashkët të liderëve politikë shqiptarë për qëllime të përbashkëta, të cilat duhet të arrihen me procesin reformues. Deklaratë e nënshkruar edhe nga AliAhmeti dhe
  7. Shpallja nga ana e kryetarit Trajkovski të datës së fillimit të negociatave për reformimin e Maqedonisë.

Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë, nga Froëicku do të revidohen dukshëm duke i zbërthyer në njëfarë plani aksional thuajse njëanshëm, me të cilin do të merrej kryesisht qeveria maqedonase, ndërsa pala shqiptare, ndonëse pjesëmarrëse e konfliktit, mbeti jashtë ndikimit. Kjo u pa edhe me refuzimin kategorik që Ali Ahmetit t’i përmendet emri në konkluzione si dhe pjesëmarrja e luftëtarëve në bisedime.Sipas Froëickut, luftëtarët shqiptarë mund të merrnin pjesë në bisedime, në kuadër të ndonjërit nga subjektet politike (PDSH ose PPD), vetëm pa-si që UÇK-ja të pushojë me veprimet dhe të rehabilitohet, gjë që e gjitha lente përshtypjen e një marrëveshjeje për kapitullim.

Edhe sa u përket çështjeve të tjera, sidomos atyre që kanë të bëjë me reformat, Froëick, thuajse anashkalohet esenca e problemit, pra ndryshimi i preambulës së kushtetutës, me të cilën duhet të ndryshohet koncepti shteti-komb në shtet të barabartë qytetar. Me këtë rast, Froëick insiston që në vend të ndryshimit të kushtetutës, siç kërkojnë shqiptarët të ketë reforma kushtetuese, dhe ato të shkojnë në drejtim të barabarësisë së të drejtave individuale dhe qytetare dhe barabarësisë së përgjegjësive individuale qytetare, si mundësi për mënjanimin e jostabiltetit kronik për shkak të refuzimit shqiptar, që të pranohet Kushtetuta e vitit 1991.

Edhe formulimi “jostabilitet kronik”, i parë nga këndvështrimi i “refuzimit të shqiptarëve që të pranohet Kushtetuta” nxjerr në pah “fajësinë” e shqiptarëve dhe jo shkaktarin kryesor – Kushtetutën që ata i diskriminon dhe rolin e hartuesve dhe miratuesve të saj – klasës së gjithëmbarshme politike maqedonase.

Përkundër përpjekjeve të Frovickut që bisedimet e Prizrenit me ndërmjetësimin e Surroit si dhe qëndrimet nga aty të “zbuteshin” sa më shumë, nuk do të pëlqehen nga pala maqedonase, e cila bisedimet e ardhshme i kushtëzonte me ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve nga ana e UÇK-së si dhe dorëzimin e armë-ve. Kryetari Trajkovski ishte thuajse kategorik në kërkesën e tij që të mos hiqet cilësimi “terroristë” për luftëtarët e UÇK-së si dhe të përjashtohet çfarëdo pjesëmarrje e Ali Ahmetit në bisedimet e ardhshme. Trajkovski, po ashtu, kërkonte nga Froëicku që UÇK-së t’i jepej një afat prej disa ditësh t’i pranojë kërkesat (ultimative), ose t’i nënshtrohet sulmeve ushtarake, me ç’rast kërcënohej me një ofensivë të përgjithshme deri në shkatërrim.

Por, Froëick, që e dinte takatin e forcave policore dhe ushtarake maqedonase si dhe gatishmërinë e UÇK-së që të përparojë edhe në zona të tjera, pasi që e kishte më se të qartë se nga do të silleshin shqiptarët dhe deri ku mund të shkonin me kompromise, siç e kishte të qartë edhe pozicionin e qeveritarëve maqedonas, gjithnjë duke u mbështetur edhe në ato që kishte marrë nga Surroi dhe nga tabori maqedonas, doli me një plan operativ prej tri fazash, që duhej t’u shërbente palëve në konflikt si platformë për ndërprerjen e konflikteve si dhe bisedimet e paqes, që duhej të fillonin menjëherë.

Plani kishte tri faza.

E para parashihte vendosjen e paqes, kohë kjo që parashihej që luftëtarët e UÇK-së t’i dorëzonin të gjitha armët dhe uniformat vëzhguesve të OSBE-së.Luftëtarët, pasi t’i dorëzojnë armët mund t’i kthehen jetës së përditshme dhe pu-nëve që kishin. Qeveria do të shpallë amnisti.

Faza e dytë, parashihet si kohë mirëbesimi, për t’u përforcuar dialogu.Në këtë fazë parashihet hapja e universitetit të Shtulit dhe lëshimi i kanali të tretë televiziv për pakicat.

Në fazën e tretë do të negociohej për çështjet me rëndësi të veçantë, si ndryshimi i preambulës së kushtetutës, për përdorimin e gjuhës shqipe e të tjera.

Ndihmësi Foley, bën të ditur se qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare për ndryshimin e preambulës së Kushtetutës është i prerë:

“Krejt do të shkojë në konceptin qytetar, gjegjësisht definimi i Maqedonisë si shtet i të gjithë qytetarëve, e jo si shtet i popullit maqedonas dhe shqiptar, siç kërkojnë shqiptarët.”

Foley, po ashtu pranon se tri fazat e pakos së paqes, mund të mbeteshin në letër, po qe se nuk arrihet një marrëveshje për çarmatosjen e UÇK-së, me të cilën ajo do të pajtohej, që nënkuptonte edhe pranimin e kushteve që parashtronte ajo.

Krahasuar me gjuhën përjashtuese, që vinte nga zyrtarët maqedonas, Foley ishte më e matur dhe pranë realitetit, ngaqë e dinte se ndërprerja e konfliktit, siç kërkohej nga faktori ndërkombëtar, nuk mund të arrihej me trysni të njëanshme (ndaj luftëtarëve shqiptarë), por me kompromise nga të dyja palët, rreth një marrëveshje të re midis dy popujve për shtetin e përbashkët mbi konceptim e barazisë qytetare, pra shtetit-multietnik, që ishe opsion edhe i bashkësisë ndërkombëtare. Marrëveshja e re, pa marrë parasysh si do të quhej, kushtëzohej nga marrëveshja paraprake për ndërprerjen e konflikteve, pra të luftës, e cila, po ashtu, nuk mund të ishte as e njëanshme, siç kërkonin maqedonasit, e as pa implementimin e kushteve të luftëtarëve shqiptarë. Si e tillë, kjo marrëveshje, nëse nënkuptonte çarmatosjen e UÇK-së, ajo duhej t’u jepte përgjigje edhe shumë çështjeve të tjera që lidheshin me këtë proces (nga amnistia, rehabilitimi, punësimi, pakoja sociale e të tjera veprime) dhe assesi “falje” ose “lirim nga përgjegjësia” për një vepër penale!

Dhe, do të jetë pikërisht çështja e arritjes së armëpushimit e me të edhe e implementimit të paqes, pika thyese e gjithë çështjes, që do të varej jo nga fjalët e mëdha dhe “kërcënimet” që vinin nga kryetari Trajkovski dhe ushtarakët e tij, që nuk ishin në gjendje të arrinin asgjë me ofensivat që ditë për ditë i shpallnin në shtyp, por nga qëndrimi i faktorit ndërkombëtar, konkretisht SHBA-ve dhe NATO-s si duhej lidhur kryet konfliktit, gjithnjë duke pasur parasysh që e gjitha të përfshihet në një pako për marrëveshje dhe assesi ultimatum drejtuar shqiptarëve për kapitullim.