Nuk mund t’i lëmë në harresë kontributin e shkëlqyer të elementit femëror që zinte një vënd të rëndësishëm në jetën ekonomiko-shoqërore dhe në zhvillimin e përparimin e shoqërisë në të gjitha sektorët e jetës.
Ndikimi i tyre lidhej me jetën shoqërore të prodhimit ,me atë materjale e shpirtërore, në arsimimin dhe ngritjen tekniko-profesionale, pjesmarrjen në rrevolucionin tekiko-shkencor dhe në sektorët jetik ku ato kontribonin.
Në ish uzinat kimike ”Gogo Nushi” në Fier( këtu flasim për tre uzina kimike Azotiku dhe dy Uretë që përbënin një nga kombinatet më të mëdha të kimisë dhe prodhimit të plehrave kimike në Shqipëri) ku elementi femër përfaqësohej prej 35% të fuqisë puntore dhe intelektuale. Një pjesë e madhe punonin në sallën e komandës në laboratorin kimik dhe atij të metaleve, në repartin e kipit, elektrikut, ofiçinës, repartet teknologjike, në administratë, etj.
Pjesëmarrja e tyre ishte mjaft e dukshme në zgjidhjen e problemeve të proçeseve teknologjike, në shpikje e novacione të reja në ecurinë dhe përmirësimin e proçeseve kimike .
Midis tyre veçojmë inxhinieren kimiste Heroina Hekurani. Ajo ishte ndër ”pioneret” e para që mori pjesë në lëshimin me sukses të uzinës moderne të Azotikut më 23 shkurt 1967.
Heroina Hekurani
Edukimi dhe shkollimi
U lind më 5 tetor 1949 nga një familje naftëtarësh të qytetit të Patosit
I ati , Sulo Hekurani gjatë lëvizjes antifashiste Naçl ishte përfshirë me të rinjtë antifashist të qarkut të Beratit . Në tetor 1943 u rreshtua në bataljonin partizan të ”Malit Bardhë”me komandant Sefe Velçani, dhe në 10 tetor 1944 u rreshtua në brigadën e 10 partizane që u krijua në Karbunarë të Lushnjes me komandant Njazi Çepani, ku mori pjesë në të gjitha luftimet, deri në çlirimin e Tiranës më 17 nëntor 1944 . Mbas çlirimit vazhdoi të ishte pjesë e komitetit të rinisë së Qarkut të Beratit ku drejtonte Dhimitër Brisku, Rako Kola , Safet Hatellari etj. Më pas kaloi si specialist në ndërmarrjet e naftës Patos-Marinëz, dhe në vitin 1948 u vendos familjarisht në qytetin e sapo ngritur të Patosit. Në atë mjedis naftëtarësh lindi, u rrit u edukua dhe mori mësimet e para Heroina. Nëpërmjet të atit ajo merrte informacion mbi zhvillimet , ngjarjet dhe aktet heroike të naftëtarëve në shpimin-kërkim të puseve të reja naftë-nxjerrëse e sidomos në shpërthimin befasisht të fontanës në pusin 547 në Marinëz të vitit 1957 kur ajo ishte në klasën e pare fillore . Aso kohe në Patos shteti kreu shumë investime në drejtim të zhvillimit të jetës artistike kulturore , të ngritjes së bibliotekës shkencore , të estradës , kinemasë etj, dhe për më tepër se aty kishin krijuar kushte edhe për strehimin e familjeve të specialistëve sovjetik. Ishin këto faktorët që ndikuan në formimin, edukimin kulturor e qytetar të brezave të kohës. Patosi, Marinza dhe rrethinat duke qënë në rajonin naftëmbajtës pothuajse nxënësve që përfundonin 7 vjeçare i dërgonin për të vazhduar studimet në Teknikumin e Naftës dhe në shkollën 2 vjeçare ”Q Stalin” sot Kuçovë për të dalë specialist të mesëm dhe puntor të kualifikuar për sektorin e naftës që për zhvillimin që po merrte industrializimi i vëndit ishin mjaft të domozdoshëm.
Pas përfundimit të arsimit 7 vjeçar Heroina përfitoi burs për të vazhduar Teknikumin e Naftës në Kuçovë , dega kimi industriale që hapej për herë të parë dhe në shtator të vitit 1963 shkoi për të vazhduar atë. Si degë e re u pëlqye së shumti nga të gjithë nxënësit ku Heroina dhe shokë të tjerë të klasës u shquan si nxënës të zellshëm për ta përfunduar me sukses. Atje ishin zgjedhur petagogët nga më të mirët të fushës së shkencës , të lëndëve ekzakte e ato profesionale, midis tyre: Sokrat Plaku, Dodona dhe Ali Hoxha,Viktor Mara, Spiro Cane, Bashkim Mullaj, Marika Boçi dhe Leonora Kadilli.
Emërohet si teknike e mesme kimiste në Azotikun e Fierit.
Ishte prag lëshimi kur Heroina përfundoi vitin e katërt ku u titullua teknike e mesme kimiste dhe u emërua të punonte në uzinën e re kimike të Azotikut, një vepër nga më modernet në vënd.
Po atë kohë u emëruan edhe një pjesë e mirë e kursit të saj ’degës kimi-industriale’ si: Arqile Plaku, Tatjana Mali, Trifon Duka, Agur Isufi, Dallandyshe Meçaj, Leonora Rredhi, Xhezmije Kozaj, Ilir Bregu, Flora Zeneli, Pranvera Abazi, të cilët u angazhuan si teknolog dhe përgjegjësa turni. Ndërsa Heroinës iu dha detyra e përgjegjëses së turnit në repartin e prodhimit të nitrat –amonit. Duke qënë mjaft e kujdesshme në përvetësimin e proçeseve teknologjike, ajo pati mundësi të studiojë dhe përfitoi shumë nga qënia e specialistëve italjan të Kombinatit Kimiko-Metalurgjik të Montegatinit , Milano –Itali dhe specialistëve kinez, dhe së bashku me drejtuesit ing-teknik të repartit mundën të zgjidhnin mjaftë defekte teknike që lindën gjatë lëshimit të repartit. Veç të tjerash u shfaq midis vajzave për shkathësinë , inteligjencën , për bukurinë femrore , për sjelljen , edukatën dhe pjesmarrjen në diskutime , analiza e mbledhje ku shumë shpejt fitoi respektin e kolektivit të uzinës duke qënë edhe në listën e të rejave me perspektivë.
Krahës punës që ishte tre turnëshe, Heroina u aktivizua si koferenciere dhe aktore pranë teatrit amator të uzinës që udhëhiqëj nga mjeshtri dhe regjizori i talentuaar Agim Dollani ku shpalosi edhe talentin prej artisteje në interpretimin e mjaft roleve të spikatura . Me artin e vazhdoi gjatë deri në transferimin e saj në Tiranë. Si veprimtare e shquar e specialiste me të ardhme , në maj të vitit 1972 dërgohet në përbërje të një grupi prej 15 vetësh të turistëve shqiptar ku shkuan në Rep Pop të Kinës për vizitë disa ditore me përgjegjës grupi Todi Kokoneshi. Si uzinë me kërkesa të larta teknike, kërkonte edhe përgatitjen e mëtejshme të nivelit tekniko-shkencor specialistëve të saj. Në shërbim të tyre shteti i kohës hapi në Fier Filialin e Universitetit Shtetëror (Fakultetin e Kimisë –Industriale ) ku Heroina dhe mjaft të tjerë filluan studimet pa shkëputje nga puna , gjithashtu u ngritën edhe degë të shkollës së mesme teknologjike; ajo elektrike e mekanike. Qëllimi ishte të arrihej sa më shpejt niveli i specialistëve në nivelin e kategorisë së vëndit të punës , për të qënë zot i drejtimit me mjeshtëri të uzinës.
Ndërkohë u krijuan edhe byroja teknologjike dhe ajo teknike të kompletuar me inxhinierë nga më të përgatitur. Krijimi i bibliotekës shkencore me literturë të shkencëtarëve të huaj për kiminë industriale, hapi mjaf hapsira për të studjuar rreth mundësive të mëtejshme për përmirësimin e proçeseve teknologjike, por edhe për të kryer mjaft studime me synim për krijimin e linjave të reja, aq të domosdoshme për ekonominë, industrinë dhe shëndetësinë.
Kalon si specialiste pranë byrosë teknologjike të Azotikut dhe angazhohet në studime shkencore. Si një vajzë me vizion dhe përgatitje shkencore angazhohet me studime novative e shkencore pranë byrosë teknologjike të Azotikut, e cila do të mbante peshën e zgjidhjeve të mjaft problemeve teknologjike , studimin , projektimin e linjave të reja të domozdoshme për industrinë edhe shëndetësinë e vëndit.
Theksoj se në krye të këtyre byrove u vendosën inxhinierë, që shquheshin për nivelin e lartë arsimor e shkencor, studjues të zellshëm dhe novator të zot si; Safa Kumbaro,Thanas Mërkuri,Theodhori Papajorgji, Vangjush Orgocka, Kosta Gjoka, Nako Leskaj, Halo Begatoraj, Petrit Zajmi, etj. Ndër ta në atë byro u përzgjodh edhe Heroina duke parë përpjekjet dhe pjesmarrjen e saj në studime kërkimore –shkencore në interes të prodhimit , në debate e diskutime për persosje të mëtejshme të cilësisë së prodhimit dhe të tjera novacione. Fati i saj ishte se, në krye të byrosë teknologjike ishte ngarkuar njëri prej inxhinierave më të zot që njihej për vizionin e tij shkencor , për vullnetin dhe këmbënguljen për të projektuar në kushtet e uzinës linja të reja të teknologjisë, pasi kushtet dhe mbështetja nga drejtori ing Bahri Hazizi , k/ing Thanas Mërkuri ua lehtësonin së tepërmi punën kërkimore-shkencore. Në qershor të vitit 1975 Heroina ishte në përfundim të fakultetit të kimisë industriale , ku ajo ishte në pritje të tezës së dipllomës që do dërgohej nga Katedra e Kimisë e fakultetit, e cila ngarkoi ing Vangjush Orgockën si udhëheqës i mbrojtjes së tezës:- “Përfitimi i oksidit nitror nga dekompozimi i nitrt –amonit dhe përfitimin e narkozës (N2O)për nevoja të mjeksisë” që do mbrohej nga studentja e filjalit të Fierit, dega kimi industriale, Heroina Hekurani që njëherësh ishte dhe specialiste pranë byrosë teknologjike. Ishte një temë mjaft e bukur , por e parealizuar ndonjëherë në vëndin tonë.
Pas përkthimit të literaturës nga anglishtja dhe rusishtja që disponohej në bibliotekën kombëtare dhe ajo e Azotikut u kalua në skicimin dhe projektimin e zgjidhjes në rrugë laboratorike, që i përmbushte laboratori i Azotikut. Pas 6 muaj prova dhe eksperimente të vështira laboratorike kujton Heroina u arrit të përfitohej gazi i Narkozës që ishte një sukses i merituar. Më pas ajo dhe udhëheqësi i tezës së diplomës inxhinier Vangjush Orgockës, vazhduan punën për kalimin në fazën e dytë , skicimin, projektimin dhe ndërtimin e një impjanti të vogël gjysëm pilot. Pas shumë përpjekjesh prova dhe dështime u arrit që të përfitohej për herë të parë gazi i lëngshëm i narkozës së dëshiruar në Azotik dhe në Shqipëri.”Për të siguruar cilsinë e gazit , kujton Vangjushi kampjonin e tij e sigurova në një bombul dhe e çova në laboratorin e Fakultetit të Mjeksisë. Atje në praninë time dhe të profesor Petrit Gaçe dhe anstezistit Tritan Shehut kryen me sukses operacionin tek një Qen, ku rezultoi me sukses. Rezultatin të firmosur nga doktorët ja çova drejtorit të uzinës”. Ky ishte një studim shkencor me shumë rëndësi dhe një fitore e shkëlqyer, që do t’i shërbente shëndetësisë tonë shqiptare , por edhe një fitore për ing e re, e cila mbrojti dipllomën me sukses .
Ndërkohë Heroina do të vazhdonte më tej në studimin e një projekti të ri për prodhimin e një linje të re të acidit nitrik 68 % që do të gjente përdorim në laboratoret e uzinave të vëndit, të spitaleve, në nitrifikimin e kampjoneve organike dhe toulenit, fenolit, në përfitimin e ngjyrave dhe barnave, në preparatet farmaceutike, fotografike dhe mjet i fortë oksidues i shumicës së metaleve. Për realizimin e këtij projekti ajo bashkpunoi me ing Halo Begatoraj , një studjues skrupuloz dhe një novator i zoti dhe miratuar nga kryetari i byrosë teknologjike Vangjush Orgocka dhe krye /ing Thanas Mërkuri . Skicimi dhe projektimi i këtij impjanti pilot u krye pranë repartit të acidit nitrik pasi do të shfrytëzoheshin një linjë e acidit nitrik 53% dhe gazi nitroz që do merrej nga reaktori katalitik. Pas një pune të kujdesshme impjanti u ngrit me sukses duke dhënë prodhimin e parë sipas projektit me një kapacitet prodhimi prej 40-45 litra në orë , i cili ”jetoi” deri në vitin 1994, periudhë që ”ndaloi frymëmarrjen” e fundit Azotiku .
Këto ishin disa nga veprat dhe suksesi të kësaj ing të re, e vullnetshme e talentuar dhe me një vizion të ri në fushën e novacionit e tekniko-shkencore duke lënë gjurma në historinë e re të zhvillimit e përparimit në fushën e industrisë kimike të vendit.
Pas vitit 1998 krijoi familje me Mihallaq Palukën dhe u vendos me banim në Tiranë ku banon edhe sot.