Bashkim Koçi: Në Therepel të Skraparit – Aty ku dëgjohen ende “URRA-të” e Brigadës së XVI Sulmuese

120
Sigal

-Brigada XVI ngriti në altarin e lirisë 56 vajza e djem të bukur e trima, shumica e të cilëve ranë dëshmorë në lulen e rinisë.-

Brigada e XVI Sulmuese u formua me partizanë të ardhur nga batalioni “Myzeqeja” me komandant Rrahman Uruçin, batalionin e Kurveleshit të komanduar nga Kadri Aliu,, ai i Skraparit  me komandat Petref Therepelin dhe batalioni i katërt i Mallakastrës me komandant Lumo Sadikun. Pra në Therepel, në këtë 80 vjetor të përkujtimit të Brigadës së XVI Sulmuese, përballesh me myzeqarë, mallakastriotë, lebër nga Kurveleshi dhe skraparas vendalinj dhe nga ata të shpërndarë nëpër Shqipëri..

Therepeli i Skraparit më 20 gusht u zgjua si asnjëherë tjetër, ashtu si të zgjon meraku për të pritur e nderuar miqtë, që vijnë nga larg për të festuar 80 vjetorin e formimit të Brigadës së XVI Sulmuese Partizane. Janë dhjetra bij e bija ish luftëtarësh të cilët kanë marrë rrugën të vijnë në Therepelin mikpritës për të mbajtur amanetin e nënave e baballarëve të tyre se përkujtimi i formimit të këtij formacioni luftarak është si një betim i bërë ditën që u formua Brigada, atëherë kur 520 djem e vajza 15-30 vjeçarë, të mbledhur bashkë, do të luftonin deri në fund, deri sa të shporrej edhe gjermani i fundit nga trojet shqiptare.
Lapidari që qëndron në atë shesh të bukur si roje i Lirisë, sot duket të jetë më kryelartë, duket sikur frymon e gëzon ngaqë aty kanë ardhur gjaku i atyre që derdhën gjak në luftën çlirimtare, e cila mbetet të jetë epopeja më e lavdishme e populli tonë liridashës. Tek ai Lapidar, i cili më duket si një dhëndër i veshur bukur në mes të sheshit, gumëzhin zëri i të ardhurve nga larg, të cilët kanë marrë rrugën deri në Therepel, jo vetëm për të nderuar ata që në zjarrin e luftës guxuan të formonin këtë Brigadë partizane, por edhe për të thënë se janë e do të qëndrojnë ashtu si ata, të gatshëm e të përbetuar për të mbrojtur Lirinë, atë që u fitua  me jetë djemsh e vajzash në moshën më të bukur të rinisë.
Mikpritësit janë autoritetet e OVP të LANÇ dhe ata të OKDA të Bashkisë të Skraparit. Kryetari i Komitetit të OVP, shoku Enver Naska, Sekretari Taip Çela, kryetarja e degës të OKDA, Gështenja Omeri, zv. Kryetarja e Bashkisë, Xhanina Kushova etj. Për të nderuar këtë ngjarje sa historike e po aq heroike, kishin ardhur edhe përfaqësues nga Komiteti Kombëtar i OVP të LANÇ, “Nderi i Kombit”, anëtari i Kryesisë të këtij  Komiteti shoku Servet Agalliu shoqëruar me një autobus mbushur plot me pasardhës veterani dhe bij e bija partizanësh të këtij formacioni luftarak, që i printe sekretari i Komitetit të OVP të Kryeqytetit, Ilir Curri. Për të festuar së bashku kishin ardhur edhe dhjetra të tjerë nga Kuçova, Lushnja e Berfati si dhe nga fshatrat e zonës së Vëndreshës etj. Në fjalën që mbajti Sekretari i Komitetit të OVP të LANÇ, bashkia Skrapar, shoku Taip Çela, shpalosi të gjithë veprimtarinë luftarake të Br.XVI.S, duke qëndruar në aksionet e saja më të mëdha, veçanërisht në pritat që u organizuan për të shpartalluar armikun në trekëndëshin Berat-Lushnje-Fier.

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe shoku Servet Agalliu, i cili e konsideroi ditën e formimit të Br.XVI Sulmuese si një nga momentet më të rëndësishme të luftës ANÇ, kur armiku pushtues do të merrte goditje shpartalluese e që do të sillte më në fund çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai falënderoi edhe mikpritësit skraparas, shokët drejtues të OVP të LANÇ dhe ata të OKDA, dega e Skraparit, për punën serioze e me shumë përgjegjësi për të pritur e festuar ngjarjet historike të ndodhura në këtë trevë, e për më tepër, për ta pritur 80 vjetorin e Çlirimit me krenari e dinjitet.

Për të përkujtuar e festuar 80 vjetorin e Brigadës së XVI Sulmuese shikojmë bij dhe bija partizanësh, por dhe nga brezi i tretë, nipër e mbesa. Fiqiri Kalluçi vinte nga Durrësi bashkë me të birin, Dashamirin. Ata kanë ardhur enkas për njeriun e tyre, babanë dhe gjyshin, Mytar Kalljçi, i cili ishte partizan në këtë formacion luftarak. Kujtimet janë pafund, por disa nga ata të emocionojnë, por edhe të rrisin krenarinë dhe njëkohësisht detyrimin për t’i përcjellë me ndershmëri e vërtetësi nga brezi në brez.

Kujtime që vijnë nga larg …

Kujtojmë që Brigada e XVI Sulmuese u formua me partizanë të ardhur nga batalioni “Myzeqeja” me komandant Rrahman Uruçin, batalionin e Kurveleshit të komanduar nga Kadri Aliu,, ai i Skraparit  me komandant Petref Therepelin dhe batalioni i katërt i Mallakastrës me komandant Lumo Sadikun. Pra në Therepel, në këtë 80 vjetor të përkujtimit të Brigadës së XVI Sulmuese, përballesh me myzeqarë, mallakastriotë, lebër nga Kurveleshi dhe skraparas vendalinj dhe nga ata të shpërndarë nëpër Shqipëri.

Mes atyre njerëzve, që gëzojnë e festojnë gjejmë bij e bija partizanësh e dëshmorësh, por edhe pasardhës veteranësh, nga ta që luftojnë përditë për të mbrojtur e ruajtur vlerat e patjetërsueshme të LANÇ. Tek i dëgjon, ata të krijojnë ndjesinë sikur përjeton ato ditë të nxehta gushti të vitit 1944, pikërisht kur është krijuar ai formacion i lavdishëm partizan. Madje të duket sikur gjëmojnë ende “urra-të” e luftëtarëve, si ditën kur u bë betimi përpara flamurit nga komandanti i porsa emëruar, Rrahman Uruçi në prezencë të të dërguarit nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, komandanti Spiro Moisiu. Mes bisedave e kujtimeve që tregonin aty manifestuesit, dëgjova edhe një ndodhi, e cila brenda rrëfimit kishte edhe humor. Komandanti Rrahman Uruçi, përpara se t’i dorëzohej flamuri i Brigadës, sipas rregullit ushtarak, duhet të jepte komandën: “Brigada, gatitu! Pranë këmbës, armë!”. Por ai, si i papërvojë, u mjaftua vetëm me komandën “Gatitu!”. Situata solli më shumë humor, kur Rrahmani mori flamurin në dorëzim dhe harroi të jepte komandën tjetër “Qetësohu! Sido që ndodhi nuk u muar seriozisht, sepse partizanët, djem e vajza, ishin fare të rinj dhe shumica vinin nga zona fshatare dhe nuk dinin apo të kishin dëgjuar rregulla protokollare kur formohej një formacion partizan.

Një gjë ishte e sigurt e që nuk tolerohej në asnjë rast: Rregulli dhe disiplina. Për rreptësinë e zbatimit të urdhrave nuk të falte kush. Aty dëgjova të sillej një shembull për të treguar se sa të kujdesshëm ishn partizanët, qoftë dhe për gjëra që në dukje ishin të parëndësishme. Partizani më i vogël i Brigadës, Pasho Uruçi, i biri i Rrahmanit, komandantit të Brigadës, i ishte lutur komandantit të batalionit të Mallakastrës, Luto Sadikut, për ta marrë në batalionin e tij. “Dakord jam unë,- i kish thënë Lutoja-por më duhet të pyes komandantin e Brigadës, shokun Rrahman”. Të duket çudi se si duhej të kërkoje leje, kur bëhej fjalë për plotësimin e një dëshire të djalit të komandantit. Lutoja kishte marrë leje për të mbajtur partizanin e Pasho në batalionin e tij, por komandant Rrahmani i kishte dhënë edhe një këshillë:- ma ki kujdës Pashon se është i vogël, është fëmijë!

Pjesmarrësit në këtë 80 vjetor të Brigadës së XVI Sulmuese Partizane, pasi festuan e gëzuan, pasi kujtuan e nderuan Luftëtarët e Lirisë, u larguan duke marrë me vete jo vetëm emocione të jashtzakonshëm, por edhe ndjesinë që të japin ngjarje të tilla, përbetimin për t’u kthyer e përkujtuar çdo vit. Sepse kujtohen ata që na sollën Lirinë, më të çmuarën që e kemi dhuratë nga gjaku i tyre, të “blerë” e të shkruajtur me shkronja gjaku.

Gjyshi, babai .

Për të përkujtuar e festuar 80 vjetorin e Brigadës së XVI Sulmuese shikojmë bij dhe bija partizanësh, por dhe nga brezi i tretë, nipër e mbesa. Fiqiri Kalluçi vinte nga Durrësi bashkë me të birin, Dashamirin. Ata kanë ardhur enkas për njeriun e tyre, babanë dhe gjyshin, Mytar Kalljçi, i cili ishte partizan në këtë formacion luftarak. Në bisedë, aty mes miqsh, Dashamiri thotë se emrin ja ka vënë gjyshi dhe, edhe për këtë fakt ai do ta mbajë në zemër gjithë jetën. Në lokalin ku punon një nga djemtë e partizanit Myftar Kalluçi, në Berat, Shyqyriu, në sfond ka vendosur një fotografi të zmadhuar të babait. Ndërkohë familja ka realizuar botimin e një libri me kujtime të lëna nga gjyshi për Luftën ANÇ, për Brigadën e XVI Sulmuese e madje edhe një këngë kushtuar atij.
Në veprimtarinë që u zhvillua në shesh, pranë lapidari. e morën fjalën “pa protokoll” njerëz të thjeshtë, por që sollën kujtime mbresëlënëse për pjesëmarrësit. Veli Dranga nga Imshta e Lushnjes tregoi diçka që lidhej me Heroinën e Popullit Liri Gero, partizane në këtë brigadë. Liria, tha ai, qëndroi në shtëpinë tonë dhe, gjatë asaj kohe të paktë, u miqësua me nënën aq shumë sa edhe iu lut të dilte partizane, gjë që ajo nuk mund ta bënte dot për shkak të punëve të shumta që përballonte në familje. Ashtu si Veliu nga Imshta foli edhe Latif Dervishi nga Karbunara, Maksim Çorraj, babai i të cilit, Ziguri, kishte qënë komandant Kompanie, ndërsa Reiz Shuhu nga Sevasteri i Vlorës ishte i pranishëm në këtë 80 vjetor të Br XVIS për xhaxhanë e tij dëshmor, Azis Shehun, i cili ra në luftë me armikun në moshën 25 vjeçare.
Kujtimet janë pafund, por disa nga ata të emocionojnë, por edhe të rrisin krenarinë dhe njëkohësisht detyrimin për t’i përciellë me ndershmëri e vërtetësi nga brezi në brez. Fjala vjen, momenti i rënies në përleshje me armikun pushtues të Z/komandantit të Batalionit, dëshmorit të Atdheut Sadush Myftari dhe pionieres, vovëlushes, Feride Akimi. nuk ka penë që ta përshkruajë. Këto dhe të tjera ngjarje, të cilat vijnë nga thellësia e viteve. ai shesh i veshur me flamuj kuqezi e me Lapidarin si dëshmitar në këtë gëzim të ligjshëm, mund dhe duhet të jetë i tillë, ashtu si në këtë ditë të 80 vjetorit, edhe dhjetra e qindra vite më pas.
Mbresëlënës do të mbetet në festën e këtij 80 vjetori aktiviteti letraro-artistik që kishte përgatitur grupi i fëmijëve i shkollës 9-vjeçare “20 Gushti” e fshatit Therepel. Nën drejtimin dhe punës plot pasion të mësuesit Astrit Dosti, ata nxënës krijuan atë mjedis të bukur dhe që i dhanë sheshit ngjyrat dhe karakter të theksuar festiv, me recitime e këngë patriotike, aqsa pjesmarrësit thanë me plot gojën: ja, kjo ishte festa!

Nuk  ishin përralla

Kujtimet që vijnë aty, dhe që bëhen pjesa më e rëndësishme e festës, janë ngjarje të përcjella nga ata që ishin pjesë aktive e atij formacioni partizan apo të batalioneve e kompanive që funksiononin nën komandën e kuadrove të vendosur në krye të tyre. Ishte mesi i shtatorit,- thotë një nga të pranishmit, i cili, mesa duket, babai i tij kishte qenë i inkuadruar në Batalionin e Skraparit. Data dhe dita nuk me kujtohet, por di të them se bëhej fjalë për një aksion në fshatin Kallm të Fierit. Të paktën kështu më kishte thënë im atë. Shtabi i batalionit të II thirri në komandë, komandantin e kompanisë dhe i ngarkoi këtë detyrë: “Për ta eliminuar një qendër armatimi dhe largimin e përhershëm të gjermanëve nga kjo zonë, kompania duhet të shkonte në Ardenicë, sepse gjermanët po pengonin sigurimin e rrugës Fier-Lushnje”. Babai ma ka treguar të plotë atë që kishte ndodhur, por mua më ka mbetur në mendje se në atë përpjekje ishin vrarë 6 gjermanë. Na duken si përralla,- vijoi folësi, por gjithçka që na kanë treguar ata që morën pjesë në luftë, janë të vërteta.

Pjesmarrësit në këtë 80 vjetor të Brigadës së XVI Sulmuese Partizane, pasi festuan e gëzuan, pasi kujtuan e nderuan Luftëtarët e Lirisë, u larguan duke marrë me vete jo vetëm emocione të jashtëzakonshme, por edhe ndjesinë që të japin ngjarje të tilla, përbetimin për t’u kthyer e përkujtuar çdo vit. Sepse kujtohen ata që na sollën Lirinë, më të çmuarën që e kemi dhuratë nga gjaku i tyre, të “blerë” e të shkruajtur me shkronja gjaku.