-Intervista e fundit e Kryetarit të Komitetit Kombëtar të Veteranëve e Pasardhësve të Organizatës së LANÇ, “Nderi Kombit”, Odhise Porodini:
Nëse injorohet e kaluara nga ke ardhur, kurrë nuk mund të kesh një të ardhme dinjitoze
Intervistoi: Bashkim Koçi,
Odhise Porodini ka lindur më 20 gusht 1930 në fshatin Labovë e Vogël të krahinës së Rrëzës , por rritur në fshatin e nënës së vet në Karjan të krahinës së Lunxhërisë në Gjirokastër. Pas mbarimit të shkollës fillore shkon si puntor krahu në qytetin e Vlorës. Në Nëntor 1943, aktivizohet në Organizatën e Pionierëve Antifashistë “Debatik” dhe zgjidhet drejtues i saj duke kryer aktivitete të ndryshme në mbështetje të Luftës Nacionalçlirimtare. Në pranverën e 1944 vjen në Tiranë dhe merr pjesë në Grupin e Dytë Ushtarak të Pezës, duke kryer një seri aktivitetesh, veçanërisht në luftën për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit merr pjesë në aksionet e rinisë për rindërtimin e vendit. Për rreth 40 vjet kreu detyra të rëndësishme si jurist, fakultet që e mbaroi me rezultate shumë të mira në vitin 1962. Nga viti 2010 Odhise Porodini kryeu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Komitetin Kombëtar të Veteranëve të LANҪ-it, ndërsa së fundmi ishte zgjedhur në postin e lartë të kryetarit të Komitetit të Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ, “Nderi Kombit”. Për merita lufte dhe pune i janë akorduar 10 urdhëra e medalje. Mban titullin “Krenaria e Qarkur të Gjirokastrës” dhe “ Nderi i Organizatës së LANҪ-it, “Nderi i Kombit”. U nda nga jeta në moshën 92 vjeç më 30 Dhjetor 2022.
-Ju veteranët e LANÇ, pas dëshmorëve të Atdheut, mbeteni “skalioni i parë “ për kontributin që keni dhënë për Atdheun, Shqipërinë. Cili është motivi që mbetët përjetësisht idealist, të palëkundur për të mbrojtur vlerat dhe lavdinë e LANÇ?
-Populli Shqiptar ka luftuar në shekuj për lirinë e pavarësinë e vet. Por asnjëherë nuk e kish arritur dot atë për të cilën kish derdhur lumenj gjaku. Edhe pavarësia që u mundësia më 1912, shumë shpejt u fashit. Ishte LANÇ, kjo epope e lavdishme e cila grumbulloi rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar gjithë shtresat e e popullit, sidomos moshat e reja dhe arriti fitoren e shumëkërkuar pa asnjë ndihmë nga jashtë.
Pa këtë Luftë çlirimtare, e cila e radhiti vendin tonë në krahun e fitimtarëve, në Koalicionin e Madh Botëror Antifashist Anglo-Sovjeto-Amerikan, jo vetëm nuk mund të arrihej fitorja, por as nuk mund të sigurohej pavarësia e vendit tonë. Nëse vendi ynë do kish kaluar në drejtimin e gabuar, në krahun e humbësve, sikurse u bashkuan disa shtete me boshtin Romë-Berlin-Tokio, shtetet shoviniste ishin gati ta copëtonin Shqipërinë.
Prandaj Organizata e Veteranëve dhe e Padsardhësve, gjithë veteranët, Organizata e Familjeve të Dëshmorëve, vlerat dhe idealet e kësaj epopeje të lavdishme, të ushqyera e të motivuara nga atdhedashuria, nga ai gjak i derdhur dhe nga ato sakrificat e mëdha që bëri populli shqiptar, jemi të vendosur ti mbrojmë ato me të gjitha mundësitë dhe mjetet demokratike, për të mos u cënuar e denigruar, mohuar e falsifikuar sikurse bëhen përpjekje aktualisht nga subjekte e persona të caktuar për qëllime të mbrapshta antihistorike e antikombëtare.
Mënyra e mjetet me të cilat Organizata e Veteranëve dhe e Pasardhësve të LANÇ janë veprimtaritë përkujtimore për ngjarje e data të lidhura në historinë e LANÇ, për të rënët, veprimtari këto që kryhen me solemnitet e me një pjesëmarrje të gjerë e në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin lokal. Botime me temë nga LANÇ, të cilat promovohen në mënyrë të organizuar, organizim bisedash, në shkolla e institucione, replika e ballafaqime me kundërshtarët tanë, botim i gazetës “Kushtrim brezash”, vizita në muze të LANÇ foto, ekspozita etj
-Ju kini qenë pjesëtar në formacionet partizane, por, meqë kanë kaluar më shumë se 78 vjet nga ajo Luftë, mendoj se për moshën që kini sot, atëherë kini qenë në një fare mënyre “Partizani i vogël Velo”. Ç’është regjistruar ne memorien tuaj nga ajo Luftë?
-Ashtu sikurse jetën edhe luftën e kam nisur shumë shpejt. Në moshën 11 vjeç për të nxjerrë bukën e gojës, u detyrova të punoj punëtor krahu në Vlorë, kur pushtuesit Italian po ndërtonin fushën e Aviacionit. Aty përjetova jo vetëm rropatjen, por edhe urrejtjen ndaj pushtuesit të huaj italian. Disa punëtorë të rinj që më mbanin afër, më kultivuan edhe më shumë këto ndjesi.
Në fshatin Karjan të Lunxhërisë Gjirokastër, kur unë u ktheva aty, gjeta një gjendje edhe më të rëndë. Kishte nisur LANÇ. Ishin këta faktorë që në nëntor 1943, në moshën 13 vjeç, kur erdhi i deleguari i qarkorit të Gjirokastrës Sofo Papajani dhe krijoi Organizatën e pionierit antifashist “Debatik”, u zgjodha drejtues i saj. Një varg veprimtarish kryenim bashkë me 6 shokë të tjerë pionierë debatikas. Mblidhnin informacione mbi lëvizjen e armikut, çonim letra nga një fshat në tjetrin, grumbullonim materiale për forcat partizane, i shpërndanim partizanët nëpër baza, e të tjera.
Por, duke gjykuar se lufta kërkonte kontribute edhe më të mëdha, në pranverën e vitit 1944 erdha në Tiranë. Këtu, nëpërmjet kushëririt të nënës Polo Vasi, u lidha me grupin e dytë ushtarak të Pezës, i drejtuar nga qarkori i Tiranës, i kryesuar ky grup nga Selaudin Imami. Duke qenë se ky grup vepronte brenda në qytetin e Tiranës e në Pezë, kishte disa baza si shtëpia e Bajram Hetës, e Spiro Kolxhionit etj, të cilat kanë qenë një mbështetje e fuqishme për gjithë veprimtarinë e grupit. Unë si më i riu, më ishin besuar detyra sa të thjeshta, aq dhe të rrezikshme. Lidhja pjesëtarët e grupit, riprodhoja e shpërndaja komunikata, grumbulloja armë e municione të cilat i nisnim për në Pezë, merrja kontakt me ushtarë italianë të mbetur pas kapitullimit, të cilët gjithashtu i nisnim për në Pezë.
Veprimtaria jonë si grup, kulmoi sidomos gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, ku do të veçoja katër ngjarje nga më të vështirat e të rrezikshmet: Në banesën e Llazo Pinës, pranë asaj të Bajram Hetës, kishim magazinën ku patëm të grumbulluar armë e municione, aparate telefonike, veshmbathje etj, të cilat herëmbashere i nisnim në Pezë. Një mbrëmje, në orët e vona, në rrugën “Bogdani” u ndie një zhurmë e madhe mjetesh të blinduara. Duke menduar se nazistët mund të na kishin zbuluar e po drejtoheshin te baza jonë, u larguam nga një deriçkë duke dalë në një baçe ngjitur. Ishim tre shokë. Me vete kishim dhe një ish ushtar italian. Mario quhej. Po nuk ndodhi asgjë, zhurma u largua dhe ne u kthyem sërish në bazë.
Rasti i dytë: I ngarkuar me një letër për ta kaluar nga zona e okupuar e Tiranës, në atë të çliruar, tek ish kafe “Bellavenecia” bri bulevardit të madh, tentova të kaloja në krahun tjetër tek “Bilardo Amerikane”. Sapo dola në qendër të këtij bvulevardi, më diktoi bunkeri i vendosur në qendër të sheshit të madh (sot sheshi Skënderbe), bunker ky me të cilin nazistët kontrollonin gjithë rrugët që dilnin në shesh. Ai shtiu kundër meje. Ndjeva predhat që më kaluan afër. Rashë përtokë për të krijuar përshtypje se u vrava dhe, kur bunkeri u kthye në krahun tjetër, u ngrita me shpejtësi dhe kalova matanë.
Ngjarja e tretë: Duke qenë te bazat në shtëpia e Spiro Kolxhionit në rrugën (sot Islam Alla), kur po dilja prej saj, u përballa me një patrullë gjermane SS. Ata sa më panë, hoqën automatikun nga krahu për të më qëlluar. Në këtë situatë unë ndërrova drejtimin. Ndjeva breshëri. Shtiva edhe unë me një beret që kisha me vete. Kthesa në rrugë më shpëtoi edhe nga kjo përballje me nazistët.
Ngjarja e fundit lidhet me faktin se në shtëpinë e kushërirës time Vasilika e martuar me Petro Çukën anëtarë të Grupit, pra në shtëpinë e Bajram Hetës ku ata banonin, shpesh bëheshin mbledhjet e grupi dhe unë aty kisha disa komunikata e shënime të mijat. Në mënyrë të papritur, në këtë shtëpi shkuan forca të ballit dhe nazistë, të cilët gjatë kontrollit gjetën këto material dhe pyetën se ku ndodhesha unë. Kushërira Vasilikë dhe i shoqi i saj u thanë se Odhisea është larguar prej disa ditësh dhe nuk dimë ku ndodhet. Ata i arrestuan të dy dhe i çuan në burgun e Tiranës. Por, meqenëse kushërira ishte shtatzënë e liruan, ndërsa të shoqin Petron e internuan në kampin e përqendrimi nazist në Prishtinë. Fati e deshi që ai pas çlirimit të kthehej i gjallë nga andej.
Me çlirimin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, u ktheva në fshatin tim në Karjan ku do të nisja betejat e tjera, në aksionet e rinisë për ndërtimin e hekurudhës e veprimtari të tjera me organizatën e rinisë. Më pas u zgjodha kryetar lokaliteti në krahinën time pastaj u inkuadrova në forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë pjesë në luftën kundër bandave që tentonin të rrëzonin pushtetin e popullit.
– Ka njerëz që jetojnë të vdekur, ka të vdekur që jetojnë neper breza. Këta të fundit besoj se janë dëshmorët, ata që dhanë jetën per çlirimin e Atdheut nga nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Mendimi juaj shoku Odhise për vlerësimin dhe mbajtjen lart të idealeve te tyre nga Organizata e Veteranëve dhe instancat shtetërore?
-Gjatë LANÇ që ju imponua popullit shqiptar nga pushtuesit e huaj nazifashist dhe bashkëpunëtorët e tyre, pati humbje të mëdha materiale, por sidomos humbje njerëzore. Ranë në fushën e betejës 28.000 mijë dëshmorë, 12650 mbetën invalid, 19.000 shqiptarë u internuan e u burgosën nga pushtuesit. Vetëm në betejën për çlirimin e Tiranës, ranë 311 dëshmorë. Ndërsa për çlirimin e vëllezërve tanë kosovarë ranë 6000 partizanë.
Akti që kryen partizanët e rënë dëshmorë, të cilët u flijuan në lule të rinisë, për një mision të lartë Atdhetar, sikurse ishte çlirimi i Atdheut nga pushtuesit e huaj, i ngriti ata në altarin e pavdekësisë, për të cilën populli shqiptar, brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë më pas, do t’u jenë atyre mirënjohës, duke u përkulur me respektin më të thellë para altarit të tyre.
Për këto arsye, Organizata e Veteranëve dhe e Pasardhësve të LANÇ si dhe Organizata e Dëshmorëve do t’i përkujtojnë në vazhdimësi të rënët, me organizimet e posaçme solemniteti, duke filluar nga 5 Maji e në vazhdim. Ndërkohë bëhen përpjekje të mëdha për rregullimin varrezave të dëshmorëve, të lapidarëve, të busteve e memorialëve, të cilat përjetojnë rënien e tyre. Gjithashtu në shtypin tonë periodik “Kushtrim brezash”, në revistën “Pavdekësia” apo në “Fjala e Invalidit”, si dhe në botime të shumta e të posaçme, sikurse janë 20 vëllime “Yje të Pashuar”, apo vëllimet “Ballëndriturit”, u bëhet jehonë veprës së tyre të pavdekëshme.
Por, gjatë periudhës së tranzicionit nga forcat ekstremiste të djathta neofashiste, shumë nga veprat që përjetojnë dëshmorët e heronjtë janë dëmtuar e shkatërruar, janë hequr emrat e tyre nga shumë rrugë, shkolla e institucione të tjera, duke vendosur emra kriminelësh e bashkëpunëtorësh të okupatorëve. U hoq shpërblimi simbolik që u jepej familjeve të tyre, e për më tepër bëhen përpjekje për të baltosur figurën e tyre të ndritur. Kish të drejtë poeti i shquar Jorgo Bllaci, vëllai i dëshmorit Thimio Bllacit, ku ndër të tjera i shkruante: “ Sot s’kam ardhur të të qaj vëlla, një brengë e kam që s’di me kë ta ndaj, se s’më shkonte mendja kurrë, të arrinte marrëzia gjer këtu, që me buqeta lulesh e flamur, të rivarroseshin vrasësit e tu”.
Lidhur me këto veprime antihistorike e antikombëtare dhe antiligjore, që kanë ndodhur, organizatat tona kanë luftuar e luftojnë me forcë, jo vetëm duke i demaskuar ato, por dhe duke ndërhyrë në Qeveri dhe në organet e pushtetit lokal, sa për rregullimin e dëmtimeve, aq dhe për të korigjuar ato veprime armiqësore ndaj të rënëve. Kemi kërkuar gjithashtu që si varrezat, ashtu edhe simbolet e LANÇ të merren në mbrojtje nga shteti, duke i trajtuar sikurse monumentet e tjera me vlera historike e kombëtare. Por kërkesat tona gjer tani thuajse kanë rënë në vesh të shurdhët. Vetëm në disa rrethe ka interesime e rregullime të këtyre simboleve të LANÇ si në Berat, Fier, Shkodër, Sarandë, Skrapar, Vlorë, Kuçovë, Gjirokastër, Kukës etj. Ndërsa individë patriot apo pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, me shpenzimet e tyre kanë bërë disa rregullime.
Me një keqdashje të qëllimshme është hedhur për diskutim se gjoja numri prej 28 mijë dëshmorë nuk është i vërtetë. Në të vërtetë ky është një abuzim, sepse numri prej 28.000 është konfirmuar qysh prej vitit 1946 në Konferencën e Paqes në Paris.
– Gjatë sistemit të kaluar socialist u shkruan shumë vepra për të përjetësuar heroizmin partizan, u xhiruan me dhjetëra filma me tematikën e Luftës, u realizuan me dhjetëra piktura e skulptura për të përjetësuar atë Epope të lavdishme. Si i përjetoni ju veteranët e LANÇ-it këto vite të tranzicionit ku nuk kemi pare e dëgjuar të trajtohen tema e LANÇ-it?
-Po bëhet 30 vjet që po përjetojmë një tranzicion tepër të vështirë. Kjo periudhë, ashtu si shumë shqiptarë na zhgënjeu së tepërmi edhe ne veteranët e LANÇ-it. Prisnim që gjatë kësaj periudhe ato vlera e krijimtari, të cilat i përkisnin epopesë së lavdishme të LANÇ-it, jo vetëm të ruheshin si një pasuri kombëtare, si pjesë e historisë së vendit tonë, por si të tillë ato të popullarizoheshin e të propagandoheshin. Përkundrazi ato, në një farë mënyre, janë “burgosur”. Qeveritë e djathta edhe mund të justifikohen, sepse ata siç kanë treguar me veprimtarinë e tyre, ju shërbejnë atyre forcave që dje bashkëpunuan me pushtuesit. Por fatkeqësisht, qëndrime të tilla të një shkujdesje, mungesë vlerësimi e neglizhence, apo dhe mungesë kurajoje, për t’i ngritur e vënë në vend këto dukuri që bien ndesh me të vërtetat historike, i gjejmë edhe te qeveritarët e politikanët e të majtës shqiptare.
Na duket i pajustifikuar qëndrimi i deputetëve të votuar nga populli e organizatat tona, nga veteranë e pasardhës, nga familjet e dëshmorëve e bazat e LANÇ, që të mos flitet aq sa duhet për LANÇ, për vlerat e saj, për idealet e gjakun e derdhur. Mirëpo, nëse injorohet e kaluara nga ke ardhur, nuk mund të kesh një të ardhme dinjitoze. Bota e qytetëruar ku kërkojmë të shkojmë, i ka të shenjta këto vlera.
– Dëgjojmë jo pak zëra që ulërasin për të rishkruar historinë e Luftës. Cilët janë ata që e kërkojnë dhe për ç’qëllime e bëjnë këtë?
-Historia e LANÇ është e shkruar me gjakun e atyre që ranë në beteja për çlirimin e Shqipërisë që gëzojmë sot. Këtë histori, populli shqiptar dhe ne veteranët e LANÇ që e kemi përjetuar, është konsoliduar e u konfirmuar gjatë më se 78 e kusur viteve. Madje edhe nga studiues e historianë, nga institucione prestigjoze shkencore, por dhe nga studiues të huaj, dashamirës të Shqipërisë. Rrjedhimisht, çdo përpjekje për ta ndryshuar atë është e destinuar të dështojë. Kështu do të dështojnë dhe ato pak teza që kërkojnë për ta ndryshuar historinë e LANÇ. Tezat e hedhura prej tyre se, LANÇ paska qenë luftë civile, se këtë luftë ia imponoi jugu-veriut e të tjera brroçkulla si këto, ju ka dalë boja. për fallcitetin e tyre. Kjo edhe për faktin se ata që përpiqen për një gjë të tillë, ju përkasin bijve a nipave të kolaboracionistëve të djeshëm, baballarët e të cilëve bashkëpunuan me pushtuesin kundër popullit. Ndërsa të tjerë pseudohistorianë, janë vënë në shërbim të së keqes për interesa të vockla e meskine. Por nuk do të mundin kurrë t’u qesh buza. Shpifjet që ata fabrikojnë për të ulur vlerat e LANҪ janë si ata grushtat e xhuxhmaxhuxhit mbi trupin e gjigantit.
–Dëgjoja një dite një veteran të Luftës teksa i thoshte nipit të tij: Lufta
biri im, është mallkim për Botën. Mendimi juaj, shoku Odhise, per luftërat që bëhen sot në Botë dhe si do t’i drejtoheshit ju brezit të ri, i cili nuk ka përjetuar luftëra si ajo e Luftës së Dytë Botërore?
-Luftërat janë shkatërruese për njerëzimin. Këtë e tregoi bilançi tragjik që solli Lufta e Dytë Botërore: 55 milionë njerëz u vranë, 35 milion u plagosën e mbetën invalidë, 3 milion të tjerë humbën pa nam e nishan. Ja këtë gjëmë solli lufta.
Por lufta kur është e drejt, siç ishte ajo kundër murtajës naziste, e cila bashkoi të gjithë popujt e Botes, nuk u shmangesh dot. Nuk u shmangesh dot as pasojave që ajo sjell në humbjen e jetëve të njerëzve apo shkatërrimit ekonomik. E tillë ishte lufta jonë Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Fatkeqësisht edhe sot zhvillohen në zona të ndryshme të Botës këto dy lloj luftërash, pra të drejta e të padrejta. Një shembull i gjallë e që po e përjetojmë të gjithë është lufta që po bën Rusia për të pushtuar Ukrahinën.. Në këto kushte shtrohet si një nevojë e domosdoshme që popujt përparimtarë të mos gjenden të papërgatitur përpara forcave regresiste, të çdo shfaqje neofazhismi. Më vjen mirë të citoj një thënie të Napolon Banoparit: “Ekzistojnë vetëm dy fuqi në botë: shpata dhe mendja. Në afat të gjatë, shpata gjithmonë është e mposhtur nga mendja.” Jam i mendimit që në këtë botë të zhvilluar mendja dhe ajo do të dalë fitimtare mbi luftën.