AmbasadorjaYuri Kim takon kreun e ri të SPAK: Askush nuk është mbi ligjin!

123
Sigal

Ambasada amerikane në Tiranë ka zbuluar detaje nga vizita e ambasadores Yuri Kim këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në rrjetet sociale, përmes një njoftimi zyrtar, Ambasada Amerikane bën me dije se ambasadorja Kim u takua me kreun e SPAK, Altin Dumani për ta uruar në lidhje me postin e ri drejtues. Kim ritheksoi në takim mbështetjen e SHBA-ve ndaj prokurorëve për zbatimin e reformës në drejtësi, duke përmendur sërish porosinë e presidenti amerikane Joe Biden në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

“Ambasadorja Yuri Kim u takua  me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin,”-shkruhet në njoftimin e Ambasadës.

Takimi u zhvillua me Dumanin dhe prokurorët e tjerë të SPAK, e zgjati për rreth 50 minuta. Më pas, diplomatja amerikane ka dalë nga ndërtesa e SPAK, por nuk ka preferuar që të japë asnjë detaj për mediat.