Ngricat dhe i ftohti mbërthejnë vendin, ISHP: Lexoni rregullat e sigurisë para se të dilni

66
Sigal

Teksa vendi është përfshirë nga temperaturat nën zero, Instituti i Shëndetit Publik u bën apel qytetarëve të kenë kujdes, të vishen trashë, të pastrojnë zonat ku ka ngricë duke, hedhur rërë ose kripë si dhe të dalin të shoqëruar në ambiente të jashtme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ISHP-ja ka dhënë disa këshilla për të gjithë në këto ditë acari, për të mbrojtur veten nga të ftohtët.

“Përdorni veshje të ngrohta, pulovra të trasha, xhupa rezistentë ndaj erës dhe shiut, kapele, doreza, këpucë kundër ujit. Hidhni rërë ose materiale të tjera të rekomanduara në zonat ku ka ngricë.

Lexoni rregullat e sigurisë për ambientet e jashtme. Lëvizni ngadalë kur kryeni punë dhe detyra në ambiente të jashtme. Dilni të shoqëruar dhe merrni një kuti të ndihmës së shpejtë kur merrni pjesë në aktivitete të jashtme. Mos harroni të merrni celularin”.

Java u mbyll me temperatura ekstreme që shkuan deri në minus 16 gradë. Ndonëse të parashikuara, ditët e acarit mbërthyen keq vendin, duke krijuar vështirësi në fshatra relativisht të thella, si dhe ndërprerjen e përkohshme të ujit dhe energjisë elektrike në disa zona.