Bamirësia  heroike  e shkodranit Hasan Hoti për shpëtimin e izraelitëve nga nazistët 

266

Kanë mbetur të gdhendura në histori fjalët magjike “bukë e krypë e zemër”

Sigal

Pertefe Leka

Z.Shalon Adixhes me banim në Haifa ka thënë: ”Sa të jem gjallë do ta kujtoj dhe do t’ia lë amanet edhe pasardhësve, mikëpritjen dhe besën e popullit shqiptar. Jam strehue disa kohë në Shkodër, më vonë kam punuar si druvar në “Pyjet e Mamurrasit”.Të gjithë e dinin se ne na kërkojnë nazistët. Por nuk u gjend një shqiptar të na kallxojë, të na spiunojë.”( Marrë nga shkrimet e Refik Veselit).

Nuk ishte e thjeshtë që pas një periudhe 50 vjeçare të rilidhësh zemrat e atyre që u miqësuan në vatrat e ngrohta shqiptare, gjatë periudhës së Hollokaustit. Për t’i përjetësuar këto lidhje, në Tiranë Ishte ngritur “Shoqata Shqipëri -Izrael” e cila korrespondonte me të njejtën shoqatë të formuar në Izrael.

Koha e gjatë e ndarjes është e lidhur me kohën e shtypjes komuniste në Shqipëri, që ndikoi duke lënë stres në kujtesën e njerëzve. Kështu pas shumë përpjekjesh edhe familjet shkodrane i gjetën njerëzit që kishin strehuar në një kohë kur edhe ata nga Izraeli ishin vënë në lëvizje për të kërkuar “Shpëtimtarët e tyre”. Këto lidhje po vijnë duke u shtuar përditë për të plotësuar librin”The Jeës of Albania”ku do të ravijëzohet edhe kontributi I familjeve shkodrane në këtë sakrificë për dashuri njerëzore. Për këtë hedh dritë një letër e shkruar nga kryetari i degës së Shkodrës për Shoqatën “ “Shqipëri -Izrael” Z. Vehbi Hoti.

Me rastin e dhënies së dekoratës që i ishte akorduar babait të tij, Hasan Hoti,në fjalën e mbajtur ai theksoi: ”50 vjet më parë, ne strehuam dhe i ndihmuam izraelitët, jo me mendimin se këta të fundit do t’na e shpërblejnë një ditë, por sepse ndihma jonë ishte një pjesë e pandarë e traditës së mirëfilltë shqiptare.” Takimi ishte organizuar në Tiranë me 9 Maj 1995 me rastin e 50-Vjetorit të fitorës mbi nazizmin. Në këtë mbledhje solemne, këshilltarja e Ambasadës Izraelite në Romë, Miriam Ziv, dorëzoi dekoratat me titullin më të lartë për qytetarët e huaj akorduar nga Izraeli për familjet shqiptare: Bahrije Boriçi, Hasan Hoti, Nora Imami, Zyra Kasapi. Ky vlerësim për fisnikët kalonte nëpër filtrat e verifikimit që ata të merrnin satisfaksionin moral për veprën e lartë që ata kishin bërë në rrethana të vështira. Ja si e paraqet me shumë modesti Zoti V. Hoti këtë ndihmesë të familjes së tij.”Në ditët e tmerrshme të luftës, ku nazizmi gjerman po bënte kërdinë mbi popujt dhe veçanërisht mbi izraelitët, vjen në Shkodër, familja e Asher Asheroviq Kutjel nga Prishtina të shoqëruar nga Abdullah Podgorica. Nga katër vajzat e Asherit (në Shkodër e thërrisnim Ashim), Rashelen e strehuan në shtëpinë tonë dhe të gjithë ne e thërrisnim Shpresa. Vajzën më të madhe,Bukicën e dërguan në familjen e Dr. Bahri Koplikut. Prindërit me vajzën më të vogël, 14-15 vjeçare I strehuan në Krebe, fshat afër Shkodrës. Vajzën, me emrin Jafica e çuan në familjen e Hamdi Beg Bushatit dhe e thërrisnin Nexhmije.

Kjo ndarje e vajzave në disa familje, që numerikisht ishin familje të mëdha siguronte në të vërtetë jetën e tyre, por rrezikonte shumë jetë njerëzish, në se ata do të zbuloheshin.

E pra kjo sakrificë ishte pjesë e nderit të shqiptarit, ishte forcë e karakterit të tij, që mbronte dashurinë njerëzore pa dallim religjioni, race, apo etniteti.

Ndër të tjera Zoti Hoti shkruante se kur ata kishin strehuar Rashelen, oborri i shtëpisë tyre ishte i mbushur me automjete gjermane dhe oficerë të lartë, të cilët kishin me vete dhe shumë ushtarë italianë të zënë rob. Në këto rrethana, babai ishte i detyruar t’i largonte vajzat, motrën dhe Rashelen te halla, e cila jetonte vetëm, pasi kishte martuar dy vajzat e saj. Edhe pse shtëpia ku ata u trehuan nuk ishte shumë larg nga shtëpia e Hasan Hotit, por kishte pozicion më të mirë për të siguruar fshehtësinë. Zoti Vehbi mban mend një moment, kur Rashela kërkoi të vizitonte motrën e vet në shtëpinë e Hamdi Beg Bushatit. Megjithëse ajo përdorte çarçaf, kur delte jashtë shtëpisë, gjatë rrugës dalloi hipur mbi kalë oficerin gjerman që i kishte bastisur shtëpinë në Prishtinë. Ajo me një frikë të madhe kishte shtangur në vend dhe nuk mundi të arrinte në destinacion. Si në ekran i kaluan në mendje torturat e SSit që i detyronte ato të kallxonin ku e kishin floririn. Ditët kalonin dhe Rashela ambjentohej në familjen e re. Ajo gatuante lloj lloj bukësh, bënte punë dore, qepte me mjeshtëri pantofla me shoje të trasha që i përdornin për të fshehur paratë. Ajo komunikonte me njerëzit, pasi njihte gjuhë të huaja. Ky adaptim i shpejtë u krijonte mundësinë atyre që të lidheshin shpirtërisht dhe të jetonin si në një familje. Pas këtyre lidhjeve të ngrohta, dita e ndarjes që pritej në çdo çast, nuk ishte e lehtë për të dy palët.

9 maji I 1945 në Shkodër u shoqërua me të shtëna pushkësh dhe me thirrjet, kapitulloi Gjermania. Njerëzit ishin mpirë nga lufta dhe nuk e dinin akoma se çfarë po i priste nga diktatura e re. Kështu gëzonin për ditën e fitores mbi nazizmin. Kjo fitore gjallëroi të gjithë ata që ishin strehuar gjatë luftës për të vazhduar rrugën deri në destinacion. Të grumbulluar të gjithë në oborrin e gjimnazit u përcollën nga familjarët, ku ata ishin strehuar dhe morën udhën drejt Maqedonisë. Ndarjet qenë shumë emocionuese, sepse strehimi i tyre në Shkodër nga bukëdhënësit e qytetit të lashtë, shpëtuan jetë njerëzore. Mirënjohja dhe admirimi i izraelitëve ndaj shpëtimtarëve, ishte pa kufi, prandaj përqafimet e fundit u shoqëruan me lot në sy dhe me dashuri në zemër nga të dyja palët. Koha e gjatë e izolimit Komunist i errësoi shpresat e komunikimit: Fjala e urtë popullore se mali me malin nuk takohen, por njerëzit takohen një ditë, u bë realitet. Vetëm me fitoren e demokracisë në Shqipëri Rashela, (nënë dhe gjyshe), fill pas ngjarjeve të përmbysjes së komunizmit, dërgoi mesazhe të përzemërta familjes së Hasan Hotit, veçanërisht vajzave të shtëpisë, që atëhere ishin si motra, mikesha e shoqe të ngushta, të cilat i dhanë gaz asaj, kur vdekja e ndiqte pas.

Si e realizoi kontaktin, zonja e moshuar?

Fotografitë ishin dokumenti më identifikues për të bërë rilidhjen. Foton që dërgoi Rashela tek Z.Veseli,( kryetari i shoqatës Shqipëri -Izrael, shqiptari i parë që vendosi flamurin kuq e zi në Jadvashen, pasi kishte strehuar e shpëtuar 7 izraelitë, në familjen e tij në Krujë) ku ajo i kërkonte të gjëndet në Shkodër familja me emrin” Hasan”, sepse kishte harruar mbiemrin (Hoti). Për të realizuar kërkesën e Zonjës izraelite u ngarkue mësuesi A.Parruca, i cili me fotografinë në dorë duhet të gjente në Shkodër familjen e kërkuar prej saj. Së pari Z. Agim Parruca njofton Radio- Shkodrën dhe gazetën lokale “Shkodra”. Me kërkesën e zonjës në fjalë, Ai realizonte nëpërmjet këtij publikimi edhe më shumë; të nxirrte në pah fisnikërinë e familjeve shkodrane, mikpritjen e përzemërt të tyre jo vetëm në situata të vështira lufte, por edhe në kohë paqeje. Kanë mbetur të gdhendura në histori fjalët magjike “bukë e krypë e zemër” ( shënim: shkodranët, që shpëtuan njerëzit e pafajshëm nga gjenocidi më i egër në historinë botërore, nuk i shpëtuan gjenocidit komunist. Në kohën e diktaturës, po të strehonin dhe të shpëtonin njerëzit e pafajshëm të familjeve të tyre, që mendonin ndryshe nga komunistët, i pushkatonin së bashku me të strehuarit. Po edhe në atë terror, ata e vazhduan traditën, pranuan të flijohen, për të dashurit e tyre. Nëpërmjet gazetës Z. Hoti e gjeti shumë të kërkuarën, Rashela edhe pse e moshuar, ajo e hapi kutinë e memorjes dhe çfarë kishte ruajtur në zemër, për të shprehur mirënjohjen, admirimin, respektin dhe dashurinë për atë familje të fisme me tradita bamirësie dhe mbi të gjitha të Besës.

Për këtë miqësi Zoti Vehbi Hoti, përpara përfaqësueses izraelite, në respekt të mirënjohjes së tyre improvizoi vargjet:

Pa e ditë se çfarë po ndodh!

Pa e ditë se vjen kjo ditë,

prindërit tanë me zemër në dorë

kanë strehuar izraelitë.

Atje larg në Jadvashen!

Atje larg në tokë ranore!

Janë shkruar prind’t e mi,

në një shkëmb me shkronja dore.