Balip Greca: Kur Faik Konica pritej me 15 të shtëna topi në Çikago. Bashkatdhetarët dhe zgjimi i shpirtit Arbëror

295
Sigal

 

 

Nuk është ngjarje e stisur: kronikat sjellin dëshmitë nga shekulli i shkuar. Ishte vjeshta e dytë e vitit 1934, kur në Çikago u organizua një panair i madh botëror me të arriturat më të spikatura të shekujve, si në shkencë, ashtu dhe në ekonomi, ndërsa në rrugët e qytetit u organizuan parada, ku kombet kishin ditën e tyre, siç e patën dhe shqiptarët e çekosllovakët, dy nga kombet që ranë të parët nën okupimin e pushtuesve nazistë e fashistë në Luftën e Dytë Botërore. Faik Konica, Ministër i Mbretërisë shqiptare në Ëashington, i shoqëruar nga Gjenerali Horton, u pritën me ceremoni zyrtare; me nderime ushtarake dhe u shoqëruan me të shtëna topi.

 

Dita shqiptare në Çikago

 

Organizimi i Ditës Shqiptare në Panairin e Përbotshëm i takon kohës kur dega e Vatrës në Çikago drejtohej nga Chriss A. Lepon, i cili ka meritën kryesore të suksesit. Duke qenë personalitet publik i njohur në rrethet shoqërore dhe politike të Çikagos, Lepon që ishte diplomuar për shkencë në Depaul University, Çikago dhe kishte shërbyer në Forcat Navale amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore, kontaktoi me komisionin organizator dhe siguroi një ftesë zyrtare për Ministrin e Mbretërisë Shqiptare në Ëashington, shkëlqesinë e Tij Faik Konica dhe shoqëruesit e tij. Shpenzimet e Faikut i mori përsipër Christo Lepon me komisionin. Panairi kishte tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve jo vetëm në Amerikë, por edhe në kontinentet e tjerë. Në të do të ekspozoheshin kulturat, traditat, të arriturat e shkencës së përbotshme, jo vetëm të kohës kur organizohej kjo ekspozitë madhështore me përmasat e një panairi botëror. Për të kuptuar esencën e atij panairi të përbotshëm, do të mjaftonte të shfletonim gazetën Dielli, që përcillte kronikat e atij eventi. Dielli- Kronikë: -Ekspozita e organizuar në “Transportation Building” i tregon njeriut se si nisi zhvillimi dhe përsosja nga duart e njeriut, që në kohën e epokës së gurit, të cilin (gurin) e përdorte si thikë e sëpatë, dhe se si më vonë u zhvillua duke nisur të zbulohej hekuri, dhe dalëngadalë të tjera sende, tregon se si njeriu vuri në shërbim të vet sendet dhe kafshët, dhe se si sot, shërbëtori më i madh i tij është hekuri, avulli dhe elektriku.…Në “Hall of Science”… tregohet se vetëm në një pikë uji rrojnë me mijëra gjallesa, të cilat lëvrijnë dhe ne i shohim përmes mikroskopit… Në departmentin”Eugenie” vizitorit i tregohet gjithçka. Për shembull tregohet se ç’ndodh me vezët nga dita që i shtrohen pulës e deri në ditën e 21-të…..Gjithashtu tregohet edhe se si zhvillohet një foshnje, që në ngjizje deri në Lindje…Në departamentin e Mathematikës dhe Fizikës tregohen çpikje të kohës së re dhe ato të kohës së vjetër…Historia e erës dhe e furrave elektrike,është një jetë më vete.Po në këtë departament janë manifestuar e materializuar “The Fourth Demension” të teorisë së Einstein-it. Në “Court of States” tregohen pamjet natyrale si dhe zhvillimet industriale e kulturale.Në “sallën e Feve” ekspozohen artet dhe besimet e ndryshme. Kronika e Diellit ishte e gjatë dhe përcillte informocion të gjithanshëm e plot detaje për çdo seksion të panairit…

 Si ishte konceptuar Dita Shqiptare?

Shqiptarët kishin krijuar komisionin e tyre që udhëhiqej nga kryetari Christ Lepon dhe sekretar Ahmet Ramo. Përgatitjet kishin nisë 3 muaj para organizimit të panairit dhe paradës. Dita shqiptare ishte përcaktuar nga organizatorët të ishte me 14 tetor 1934. Qëllimi ishte që shqiptarët të mos mbeteshin pas kombeve të tjerë, por të paraqiteshin me dinjitet. Shqiptarët e Çikagos nuk kishin mbetur të vetmuar në përballimin e organizimit të Ditës Shqiptare, ndryshe do ta kishin të vështirë, sepse shpenzimet ishin të mëdha. Ata përmes gazetës Dielli u kishin bërë apel degëve të Vatrës dhe shqiptarëve nëpër koloni të shteteve të ndryshme të Amerikës të bëheshin pjesë e kontributeve. Disa nga degët u treguan të gatshme të kontribuonin.Dalloheshin shqiptarët dhe vatranët e Ëhiting-ut, ata të Gary-t-Indiana, të Argo-s-Illinois, të Milëaukee-t, St. Louis-it, Cleveland-it,Ëisconsit,  dhe Detroitit.Një koloni kishte përgatitë dy autobuzë të stolisur me ngjyra kombëtarë kuq e zi, për t’u bërë pjesë të Ditës Shqiptare. Shqiptarët synonin të prezantoheshin me veshje kombëtare nga të gjitha trevat, të Veriut dhe të Jugut; të ekspozonin para amerikanëve muzikë e këngë shqiptare, me flamuj kuq e zi e flamuj amerikan.

 

Arritja e Faik Konicës dhe Gjeneralit Horton. Përshëndetja me 15- të shtëna topi

Ekselenca e Tij Faik Konica arriti në Çikago të shtunën me 13 tetor 1934.

Të Dielën me 14 tetor shqiptarët u mblodhën në 14 th St.-Gate të Ëorld’s Fair-it dhe marshuan me bandën muzikore të ekspozitës drejt “Court of States”. Përveç Ministrit Faik Konica, Gjeneralit Ëilliam Horton dhe Nelo Drizari ishin ftuar edhe shumë nga zyrtarët e lartë të shtetit aty. Detajet i sjell Gazeta Dielli (Vol XXVI, 26th Years): … Kronikani shkruan: në orën 11 përpara drekës, dy automobila të ekspozitës, erdhën në hotelin ku ishin Ministri Konica dhe Gjenerali Horton, dhe së bashku me Komisionin e përgatitjes së Ditës Shqiptare, burra dhe gra e fëmijë, u drejtuan drejt Ekspozitës, ku do të bëhej parada shqiptare.

Kronikanit nuk i ka shpëtuar detaji i pritjes së Konicës: Në 14th St. Gate, ku ndodhej vendi i pritjeve të diplomatëve, ishte radhitur ushtria. Sapo zbriti Ministri Konica, e priti me ngrohtësi ish Ministri i parë Amerikan në Shqipëri, zoti U. Grand -Smith. Më pas u paraqit njëri prej oficerëve drejtues që i uroi mirëseardhjen, ndërkohë buçitën topat, në nder të Ministrit shqiptar u dëgjuan 15 të shtëna… Më pas Konica prezantohet para ushtrisë dhe publikut dhe vazhduan ceremonitë. Pasi ushtria përfundoi parakalimin para Konicës dhe vijoi ecjen me hap ushtarak, Ministri Konica u ftua në zyrën e Kryetarit të Ekspozitës së Përbotshme, zotit Rufus C. Daëes, ku u prit me protokoll zyrtar nga kryetari dhe të tjerë zyrtarë. Aty u mbajtën fjalime.

Nderimet vijuan me një shëtitje nëpër qytet, ku Konicës dhe Gjeneralit Horton, iu vunë në dispozicion automobilat e ekspozitës.Në nder të tyre u shtrua një drekë.

Kryetari i Panairit z. Rufus C. Daëes, i drejtoi një përshëndetje të veçantë Ministrit Shqiptar,duke e cilësuar nder të veçantë pjesmarrjen e tij. Ai foli me simpati për popullin shqiptar, për historinë e Kombit shqiptar me histori mbi 2 mijë vjeçare, i cili ka treguar në shekuj shpirt lirie, ka luftuar me trimëri, është një komb i lashtë me qytetrim të hershëm. Z. Rufus lëvdoi edhe shqiptarët e Çikagos për pjesmarrjen e tyre aktive në panairin e përbotshëm.Ai tha se dita Shqiptare shënonte një sukses të madh dhe i bënte mirë Shqipërisë,e bënë atë të njohur pasi atë ditë në panair ndodheshin më shumë se 250 mijë pjesëmarrës.

Më pas përshëndeti ish Ministri i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri zoti U. Grand-Smith, i cili pasi falenderoi Ministrin Konica, tregoi ngjarje kur ai vetë shërbente në Tiranë. Shërbimi i tij diplomatik ishte në kohë të turbullta, ku shteti shqiptar nuk kishte stabilitet, dhe ai i shoqëroi rrëfimet edhe me ngjarje që mbartnin humor.

Tek paraqiti Ministrin Konica, Z.Smith tha fjalë shumë të zgjedhura rreth cilësive të tij. Konica, tek e mori fjalën, falenderoi z. Daëes dhe Grand-Smith, përshkroi me zotësi të rrallë bukuritë e Ekspozitës së përbotshme, që paraqeste çudirat e kohës dhe shtoi se”Kjo Ekspozitë ka mundur t’i mbledhë aq mirë arritjet dhe çudirat e kohës sa syri i njeriut mund t’i shikojë në pak kohë…. është një vepër kjo e qytetit të Cikagos që prezanton një panair të tillë. Është një mësim për çdo Komb dhe lus Zotin që të shikoj dhe një tjetër si kjo në të ardhmen…”

Mbi 2500shqiptarë në ditën e paradës.

 

Në Ditën Shqiptare në Panairin e Përbotshëm ndodheshin 250 mijë pjesëmarrës-

Kronikat e Diellit të nënshkruara nga Ahmet Ramo informojnë se pjesëmarrësit në Ditën Shqiptare ishin më shumë se 2500 bashkatdhetarë dhe mbi 250 mijë pjesmarrës. Festimi nisi në orën 3 pasdreke, dhe vazhdoi deri më pesë. Komisioni kishte treguar kujdes që përfaqësuesit e kombit shqiptar në atë ekspozitë të paraqiteshin me dinjitet dhe të prezantonin veshjet kombëtare të Veriut dhe të Jugut, muzikën tradicionale dhe këngët nga krahinat e Shqipërisë. Grupi përbëhej prej12 burrave, prej të cilëve 6 ishin veshur me kostume kombëtare të Gegërisë dhe 6 të Toskërisë, po aq ishte dhe numri i grave, 12,- prej tyre 6 ishin stolisur me kostume gege dhe 6 toske; ndërkohë që ishin përzgjedhur edhe 12 djem dha vajza të moshës së vogël të veshur në të njëjtën mënyrë, gegë dhe toskë. Në krye të komisionit të kolonisë shqiptare ishte vënë James Koburi, ndërsa Chairman i Ditës Shqiptare z. Christ Lepon.

Siç shkruanin gazetat e Çikagos, shqiptarët ishin prezantuar bukur dhe hijshëm. Madje ata e kishin vazhduar parakalimin dinjitoz edhe në Indiana me 15 tetor, ku kishin ftuar ekselencën e Tij Ministrin e mbretërisë z. Faik Konica dhe Gjeneralin Horton, në nder të të cilëve kishin shtruar edhe një darkë ceremoniale. Shqiptarët parakaluan në rrugët e qytetit të udhëhequr nga banda muzikore e Kolegjit të qytetit. Majori i qytetit Ëhiting e ka pritur me Nderime Faik Konicën dhe Gjeneralin Horton. Korrespondenti shkruante se dita shqiptare, krahasuar me Ditën e Kombeve të tjerë, shkëlqente si drita e Diellit,ishte unike, si në veshjet e mrekullueshme, të shumëllojshme, plot ngjyra e shkëlqim, ashtu edhe me vallet e bukura, që shpalosën koloritin dhe shpirtin shpërthyes të arbërit; valltarët dridheshin në ajër dhe duartrokiteshin papushim; por dhe këngët e mrekullueshme ngrohën shpirtrat e mërgimtarëve shqiptarë që kishin mbushur sheshet dhe rrugët e qytetit. Shqiptarët ishin entuziastë. Fjalët e Ministrit Konica, ua kishin ngrohur zemrat shqiptarëve:”Për një Shqipëri të vogël dhe shqiptarë të pakët të Amerikës, vepra juaj e bukur është e meritueshme”, i kishte lëvduar Ai.

Zgjim i shpirtit Arbëror

Vizita e Faik Konicës zgjoi shpirtin kombëtar të mërgimtarëve në Çikago, Indiana, Ëisconsi etj. Shqiptarët e Çikagos me rrethina, ata të Ëhiting-ut, Gary-t, Ind, Argo-s-Ill, morën urimet e vatranëve dhe të lexuesve të Diellit, që për një kohë të gjatë shkruanin për suksesin e Ditës Shqiptare. Qëllimi i Ditës shqiptare nuk ishte reklamim biznesi, siç ishte për shumë prej kombeve pjesëmarrës, por kishte një mision të shenjtë: Të prezantonin me dinjitet kombin shqiptar, kulturën kombëtare dhe, ia arritën qëllimit.

Një vatran nga Ëhitng-u i shkruante Diellit se jehona e Ditës Shqiptare në Çikago, i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët edhe në shtetet e tjerë përreth. Eshtë zgjuar shpirti i Arbërit.Vatrani kishte mbyllë në zarf një copëz gazetë të atij qyteti, ku shkruhej për mrekullinë shqiptare. Në gazetën e qytetit përshkruhej me detaje çudia shqiptare në Çikago dhe parakalimi në qytetin e Ëhiting-ut. Gazeta e përshkruan si privilegj të qytetit vizitën e Ministrit Konica, ndër më të shquarit diplomatë në Ëashington D.C. Në kronikë jepen detaje rreth darkës, që u shtrua në nderim të Ministrit dhe Gjeneralit Horton, një darkë madhështore me protokoll zyrtar. Aty përshkruhet edhe parada e shqiptarëve të Ëhiting-ut në rrugët e qytetit, duke patur në krye bandën muzikore të Shkollës së Lartë të atij qyteti. Gazeta shënon se Mayor-i i qytetit,z. Thomas S. Boyle, i shoqëruar nga Prokurori Harry E. Paëers, Gjykatësi Perel, si dhe shumë zyrtarë të tjerë, e kanë pritur me protokoll zyrtar Ministrin shqiptar. Gjatë darkës u shpalos historia shqiptare dhe kultura e lashtë arbërore. Ministri Faik Konica u jepte shumë rëndësi rasteve kur i jepej mundësia të ekspozonte lashtësinë e Kombit shqiptar, historinë e tij, kulturën dhe trashëgiminë e rrallë…Në vizitën e tij në Ëhiting, Konica shoqërohej nga Gjenerali Horton, zonja Cushing, zonja Evanthi Prifti, zonja Theofana Stefan me të bijën Olga, Nelo Drizari,Christ Lepon,Hysen Haxhi, Ahmed Mezhgorani, Ahmet Ramo dhe Sofokli Stefan.

Me 16 tetor, në nder të Ministrit shqiptar, u dha një drekë nga avokati i njohur amerikan në Cikago z.Louis Mack, ku morën pjesë dhe personalitete të shquara të Cikagos. Veprimtaritë u mbyllën me një drekë të shtruar nga Ministri Faik Konica me 17 tetor 1934.

 

Cilët ishin bashkatdhetarët që i dhanë frymë shqiptarie paradës në Çikago?

 

“Dita Shqiptare” pas 3 muaj përgatitje i dha frytet e saj. I vetmi shqetësim i shqiptarëve kishte qenë dilema nëse do të ishte ditë me diell, me qëllim që të mos krijoheshin vështirësi për valltarët e këngëtarët dhe të kishte shumë pjesëmarrës, apo do të ndodhte e kundërta. Zoti e bëri diell atë ditë dhe grupin përgatitor nuk e mbante vendi nga gëzimi. Grumbullimi i shqiptarëve kishte nisë që në orën 12 të mesditës të së Dielës, 14 tetor. Deri në orën 2 pasdite, vendgrumbullimi në 14th St ishte mbushur plot, aq sa organizatorët nuk po u besonin syve- një komunitet i vogël kishte sfiduar komunitetet e shteteve të mëdha.Kishin ardhë nga shtete e qarqe të ndryshme më shumë se 2500 shqiptarë, shënonin kronikat e gazetave dhe radiove lokale, ndërkohë që në panair ndodheshin rreth 250 mijë pjesmarrës që ndoqën bukurinë dhe madhështinë shqiptare. Kronikani i Diellit përmendëte emrat e vatranëve Muhamet Zagari dhe Shuap Duka me të bijën Asijen, që kishin ardhë nga Detroiti, por dhe shumë të tjerë nga Michigani, Indiana, Çikago, Milëaukee etj.

Në krye të kuadratit të madh shqiptar printe banda muzikore, pas saj ecte me hap të shtrirë marshalli shqiptar z. Ferit Ismaili, dhe dy flamurtarët që mbanin Flamurin kuq e zi të Skënderbeut dhe flamurin amerikan- Kristo Kolçe dhe Naqo Iskal. Pas tyre ecte Komisioni i paradës shqiptare, dhe pas komisionit Shoqëria e grave”Voisava” dhe shoqëritë Qytezare dhe Sinicare, shumica prej këtyre të fundit kishin ardhë nga Ohio.

Në orën 2 e 30 minuta parada u zhvendos në Court of States, një vend i posaçëm, enkas për ngjarje të tilla, në të cilin ishin vendosur më shumë se 4 mijë ulëse, por që nuk mjaftuan për të pranishmit, kështu që shumica qëndruan në këmbë. Skena ku ishin parakaluesit, këngëtarët dhe valltarët, shkëlqente nga kostumet shumëngjyrëshe, toskë e gegë. Të gjithë mbanin plisin gegë e qeleshen toske mbi krye. Sazexhinjtë luanin në instrumentet e tyre melodi nga veriu në Jugë, ndërkohë që valltarët e këngëtarët, tërhiqnin vëmendjen e publikut entuziast që i duartrokiste papushim. Binin në sy artistët amatorë Sotir Treslo, Koçi Karakosta, Alqiviadh Treslo, Koçi Sutter, James Miller, Kristo Kolçe dhe Naqo Iskal.

Zonjat shqiptare shkëlqenin si nga bukuria ashtu edhe nga kostumet e bukura të krahinave të Shqipërisë Gege e asaj Toske. Ato ishin: Evanthi Prifti,Theofana Stefan, Magdalini Anton, Evangjeli Baze, Limiadha Papas, Theofana Peters, Evanthi Dimashi, Urania Nikolla, Marigo Tromara. Po ata që tërhoqën më shumë vëmendjen e fotoreporterëve ishin të vegjlit, që kishin krijuar minikuadrat brenda kuadratit të madh të shqiptarëve dhe që udhëhiqeshin nga zonjusha Viki Thoma-instruktorja që i kishte përgatitë. Ato lëviznin si valë deti dhe nën ritmin e valleve, vala ngrihej dhe ulej. Shkëlqenin: Sofi Shkurti, Olga Stefana, Trisa Peters, Julia Johns, Sofia Papas, Kristina Nikolla, Helen Iskali, Helenë Shkurti dhe djemtë: Piro Thoma, Gust Shomo,Ethel Shkurti, Krist Totoni,Anton Lazar,George Peters etj.

Sjellim për kërshëri të lexuesit edhe pjesë nga programi artistik të këngëve dhe valleve, të cilin e morëm nga kronikat e Diellit dhe nga libri i Agron Alibalit “Dritëhijet e një diplomati” f 121: “Ç’u mbush Oda me bandillë”, “Në bahçen tënde këndon bilbili”, Valle burrash-Devolliçja, “Trëndafili”, Valle grash-beratçe, “e hequr” dhe “e qarë”, valle burrash-kasapçe, valle vajzash arbatka, kënga e burrave”Mahmudije”,valle fëmijësh, kënga”bilbili”. Gjatë programit folën Nelo Drizari, Julia Peters, që kishte fituar kurorën e Miss Albania në një konkurim vendas dhe Thelma Marek Cushing, muzikologe, që sapo ishet kthyer nga Shqipëria.

 

Fotografia si shkas

Ky shkrim pati si shkak një fotografi. Në një nga albumet në arkivin e Vatrës më tërhoqi vëmendje fotografia e Komisionit Drejtues të Degës 33 në Detroit, Michigan për vitet 1949-1950. I lexova me radhë emrat: nga e majta në të djathtë: Orhan Ali, Banush Chaush Qyteza,Suria Mehmet-sekretari i degës -Christ A. Lepon, Kryetari i degës : Jashar Petrusha, -arkëtar dhe Muhamet Zagari e Lame Hysen Slatina-Kontrollorë.

U ndala tek emri i kryetarit : Christ A. Lepon. Nuk kisha informacion rreth tij. Fillova investigimin, që nga Detroiti për të kaluar në Çikago. Pas dy vitesh gjeta të dhëna të mjaftueshme për  kryetarin e degës nr. 33 në Detroit, që më parë kishte drejtuar degën e Vatrës nr 30 në Çikago?

Christ Anton Dhimitri Lepon, ishte lindë në fshatin Bradvicë në qarkun e Korçës me 23 Prill 1892. Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një grup bashkrahinarësh në Vjeshtën e Dytë të vitit 1907,ku nuk kishte mbushë ende 15 vjec. Krahas punës së përditshme, Lepon i kushtoi vëmendje arsimimit të tij. Me këmbëngulje dhe vullnet përfundoi arsimimin e mesëm dhe më pas studio në Depaul University, Çikago, Illinois. Është pikërisht Universiteti ku sot është hapur Katedra e Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqipe, që mban emrin e filantropit shqiptar-Hidai Eddie Bregu, sponsor i saj. I ndjeri Hidai Bregu i mbante lidhjet me Vatrën përmes gazetës Dielli dhe ishte kontributor në 100 vjetorin e themelimit të Federatës VATRA, Prill 2012. Filantropi ndërroi jetë në gusht 2014. Emrin e tij mban Katedra që drejtohet nga Gazmend Kapllani, një bashkatdhetar i njohur në fushën e letrave, por edhe në atë të mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Pikërisht në këtë universitet studio dhe mori Diplomën Bachellor Of Science Christ Lepon.

Në Luftën e Parë Botërore Lepon shërbeu në Forcat Navale ajrore të Amerikës. Rastësia e shpëtoi nga tragjedia: Me 30 Maj, 1918, ditën që arriti në Brest, Francë, vapori me të cilin udhëtonte, u silurua nga një nëndetëse Gjermane, por lumturisht vapori nuk pësoi dëme, përkundrazi Torpedot i mbytën dy nëndetëset gjermane që e siluruan.

Zoti Lepon ishte në kohën e tij i anëtarësuar dhe kontributor në disa prej shoqatave amerikane të kohës: American Legion, American Veterans of Foreign Ëars, Disabled American veterans, si dhe në Shoqërinë Masonike.

Përpara se të shpërngulej në Michigan, Christ Lepon ishte ndër veprimtarët me emër në të gjithë shtetin e Illinoisit. Ai e drejtoi degën e Vatrës që nga viti 1930 deri në vitin 1934. Emri i tij doli në pah veçanërisht në organizimin e ekspozitës së përbotshme (Century of Progress) që u organizua në Çikago në tetor të vitit 1934, ku Shqipëria kishte Ditën e saj të prezantimit me pavionin e saj. Ai mori përgëzimet e Ministrit të Mbretërisë shqiptare Z. Faik Konica, por edhe të Gjeneralit amerikan Horton, mik i shqiptarëve, një nga kryesuesit e Komisionit të miqve të Shqipërisë në Amerikë.

  1. Christ Lepon organizoi dhe shërbeu si Chairman i Albanian Liberation Committee, Çikago, me anë të të cilit protestuan kundër krimeve greke në Toskëri. Me këtë rast kishte marrë pjesë edhe zoti Charles Hart, Kryetari i Shoqërisë FRIENDS OF ALBANIA.

Christ Lepons ishte një humanist i spikatur, ai udhëhoqi dy fushata në Çikago për ndihmën e Kryqit të Kuq Shqiptar. Po ashtu organizoi dhe shërbeu si kryetar i parë i “One Forty One Club of  Van Buren Post, American Legion, Çikago, IL”, ndërkohë që u zgjodh tre vjet me radhë chairman për Memorial Civil Ëar Veterans Association of Cook County, Illinois.Jetëshkrimi dhe veprimtaria e tij u publikuan në librin për njerëz të njohur”Ëho’s Ëho in Illinois.”

Në biografinë e tij jetësore shënohet dhe një fakt tjetër: Zoti Christ Lepon shërbeu si Chairman i shqiptarëve të Çikagos në fushatën e United States Ëar Bonds, si dhe anëtar i komisionit të American Red Cross(kryqit të Kuq Amerikan), Çikago, IL.

 

Christ Lepon dhe shtatorja e Skënderbeut në Çikago

 

Christ A. Lepon është trajtuar edhe në librin voluminoz ”Dritëhijet e një diplomati” të autorit Agron Alibali. Në 3 faqe e gjysëm të librit, nën titullin”A duhet busti i Skënderbeut në Çikago”, Alibali gjen rastin të informojë edhe për Panairin Botëror të Çikagos. Shkas bëhen dy letra që Konica mori prej Christ A. Lepon, përgjigjen e të cilave e kthen me 28 Shkurt 1935. Lepon i kërkonte mendim Ministrit të Mbretit rreth vendosjes së statujës së bronztë të Skënderbeut në Çikago. Letër-përgjigja është interesante dhe ia vlen që ta risjellim në kontekst”:

Me 18 të Shkurtit 1935;

I dashur Zoti Lepon

Letrën Tuaj të Janarit 27 si dhe atë të Shkurtit 23 i mora. Më vjen keq që nuk munda t’ju përgjigjem më parë. Shkaku i vonimit është se as dëshiroj t’ju kundërshtoj as mund t’ju përkrah, dhe ashtu kam mbetur i pavendosur.

Mendimi që t’i ngrihet Skënderbeut një shtat prej bronzi, veçan në daltë nga dora e një artisti me vlerë të vërtetë, është një mendim aq i lartë dhe i bukur, sa s’gjej dot fjalët e duhura që ta lëvdoj. Po pyetja që më pengon është kjo: Ç’punë ka Skënderbeu në Çikago? Amerikanët nuk interesohen në historinë e shkuar të kombeve të vegjël të Evropës, nga ana tjetër, në Çikago, rron një shumicë shqehësh (sllavësh), që janë armiqtë e palodhur të Kombit shqiptar:Ashtu që plani juaj do të pengohet nga moskuptimi i Amerikanëve dhe nga fryma armike e shqehëve.

Po të ish se nisnit një lëvizje që t’i ngreni Skënderbeut një shtat në një qytet të Shqipërisë: Në Tiranë, në Krujë, në Shkodër, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, a kudo qoftë-puna do të ishte ndryshe.Ajo do të ishte një dhuratë fisnike Shqipërisë nga bijtë e saj të ndodhur jashtë, edhe në sytë e botës do të bënte më tepër bujë  se sa një shtat i ngritur në Çikago.

Këto janë mendimet e mia.”…

Studiuesi Alibali  shkruan se: Fati i Shtatores së Gjergj Kastriotit në Çikago ndofta përfundoi me këtë letër, mirëpo Christ Lepon nuk reshti së punuari për lidhjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për shpëtimin e Shqipërisë. Pas pushtimit Italian ai u vu në krye të një grupi shqiptarësh e miqsh amerikanë dhe themeloi Komitetin e Çlirimit të Shqipërisë. Në vitin 1944 ai botoi, madje bleu”Shqipëria e Pamposhtur”, një përmbledhje me shkrime dhe ese prej veprimtarësh të ndryshëm e miq të Shqipërisë, ku përfshihet dhe një polemikë e fuqishme e ish-Ministrit Amerikan Charles Hart kundër pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe parashtrohet një interpretim korrekt i historisë dhe vizion i qartë i së ardhmes së Shqipërisë.

Christ A.Lepon u nda nga jeta në nëntor 1978, kishte lindë me 23 prill 1892.

 

Burimet: 1- Gazeta Dielli nr. 5371, 5372, 5373, 5374, 5375, 5376, 5377, 5378, 5379.

2-Boletini i Vatrës 1949-1950

3- Agron Alibali”Dritëhijet e një Diplomati”…