Artir Meçollari: Baza e Shëngjinit dhe skandali me ndërtimet Ish-Komandant i Flotës Detare

976
Sigal

Skandali me ndërtimet turistike në bazën e Shëngjinit. Rrëfehet ish kreu i Flotës Detare: ‘E firmosi pasardhësi im!’

Ish-kreu i Flotës Detare që u shkarkua pak kohë më pare, ka denoncuar krerët e ministrisë së Mbrotjtjes dhe ushtrisë, se kanë lejuar një firmë private të bëjë ndërtime në zemër të bazës detare të Shëngjinit. Kapiten Artir Meçollari, i cili ka qenë edhe pjesëtar i ekipit të negociatave për detin me Greqinë, akuzoi kreun aktual të Flotës Detare, gjeneralin Xhepaxhia, i cili sipas tij, ka firmosur tjetërsimin e pronës së Shëngjinit, e cila nga Presidenti i Republikës në vitin 2014 rezultonte si pronë e ushtrisë. Në postimin e tij Meçollari ka ngritur alarmin se po heshtet nga kupola e ushtrisë dhe e ministrisë në një largim të pronave që çdo ditë po i hiqet ushtrisë. Në një dokumentar të transmetuar të shtunën, në rubrikën “Gjurmë Shqiptare”, gazetari Marin Mema publikoi fakte të bujshme të grabitjes së pronave të ushtrisë shqiptare, për t’jua dhënë subjekteve private për troje turistike.

Postimi i Meçollarit: Si u copëtua Baza Detare e Shëngjinit nga ushtarakët, për të favorizuar privatët.

Përpara disa javësh denoncova një ndërtim të dyshimtë brenda Bazës Detare të Shëngjinit. Një firmë private sapo kishte filluar të ndërtonte një objekt brenda territorit të saj. Firma pretendon se ka hipotekë dhe leje ndërtimi, fakt i cili është i vërtetë. Sot, objekti ka arritur në katin e parë edhe pse baza ruhet me roje të armatosur. Askush nuk shqetësohet për të ndaluar këto veprime, heshtin. Po pse mosveprim? Kjo histori ka një mbrapavijë të herëshme, qysh nga viti 2016, jo vetëm për Bazën Detare të Shëngjinit, por për të gjitha bazat e Forcës Detare. Ata që sot drejtojnë Forcën Detare janë pikërisht ata që në vitin 2016 e nxorrën gjysmën sipërfaqes së Bazës së Shëngjinit nga Plani i Përhapjes dhe 70% të pronave të katër bazave të Forcës Detare. Në vitin 2014, Presidenti i Republikës ka miratuar listën e pronave në Planin e Përhapjes dhe Vendosjes së Forcës Detare, në të cilën prona nr. 974 “Baza ndihmuese Shëngjin, Lezhë” figuronte me me sipërfaqe 65.871 m2. Miratimi i listës nga Presidenti i Republikës bëhet jo nga pikëpamja formale, por miraton kapacitetet infrastrukturore operacionale. Lista ka të miratuar nr. pronës, emërtimin e saj, si dhe një koordinatë gjeografike. Por lista nuk ka sipërfaqen e pronës, pasi askujt nuk i ka shkuar në mend deri në vitin 2016 të ndryshojë sipërfaqen e pronave, pra nevojat operacionale, pa iu drejtuar më parë Presidentit të Republikës. Në datën 26 janar 2016, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Jeronim Bazo, nxjer një urdhër për rishikimin e pronave të Forcës Detare dhe për këtë qëllim ngre një komision, ku kryetar i tij ishte ish-Drejtori i Operacioneve dhe Stërvitjes së Shtabit të Përgjithshëm të FA, kolonel Ilir Xhepexhia, aktualisht gjeneral brigade dhe Komandant i Forcës Detare, anëtar Kapiten i Rangut të Parë Ferdinand Kreshpani, aktualisht zëvendëskomandant i Forcës Detare, si dhe oficerë të tjerë nga Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcës Detare. Në përfundim të punës së tij, grupi i punës ngritur me urdhër të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nr.78, datë 21.01.2016, ka propozuar ndarjen e pronës nr.974 “Baza Ndihmuese”, Shëngjin me sipërfaqe 65.871 m2 në 3 (tre) prona, nga të cilat njëra propozohet si një sipërfaqe e lirë me sipërfaqe të përgjithshme 38.631 m2. Më pas ky raport i grupit të punës u miratua nga ish-komandanti i Forcës Detare, iu kalua Shtabit të Përgjithshëm dhe tre pronat e ndara u miratuan edhe me VKM nr.220, datë 21.03.2017. Nxjerrja e një prone nga Plani i Përhapjes, nënkupton që ajo nuk është më e nevojshme për qëllime operacionale ushtarake dhe është e lirë për përdorim shtetëror ose privat. Pra humbet statusin e “interesit publik”. Nëse prona është në Planin e Përhapjes, pronarit i njihet e drejta, por kompesohet. Nga pikëpamja operacionale dëmi është edhe më i madh, pasi bëhet fjalë për akuariumin ku dikur qëndronin katrat silurues, sot i vetmi vend bregëzimi i mundshëm dhe i sigurtë për anijet e Forcës Detare. Pasi prona u nda dhe doli nga Plani i Përhapjes ka patur edhe kërkesa për të marrë akuariumin me qera për port jahtesh. I gjithë ky veprim është bërë nëpërmjet një truku ligjor duke shkelur dekretin e Presidentit. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me bazën e Shëngjinit, por edhe Kepin e Palit, Pashalimanin dhe Palermon. Për këtë arsye, në nëntor 2019 kam kërkuar zyrtarisht Shtabit të Përgjithshëm, futjen në Planin e Përhapjes së të gjitha pronave të FD të dala në vitin 2016. Ende nuk janë futur.