Ambasadori i Kinës Zhou Ding: Gatimet tradicionale, shkëmbim i kulturave dhe pikë lidhëse e dy popujve

564
Sigal

Ambasadori i Kinës Zhou Ding: Shkëmbimi i kulturave ushqimore, pikë lidhëse midis dy popujve

 

Festivali i ushqimit të Provincës Sichuan sjell gatimet tradicionale kineze në Shqipëri!

 

Festivali i ushqimit të Provincës Sichuan solli në Shqipëri gatimet tradicionale dhe të njohura të kuzhinës Sichuan, e cila ka një histori të hershme dhe të veçantë, duke qenë një prej gatimeve më të preferuara, në Kinë dhe gjithë botën. Në kuadër të këtij eventi, të organizuar nga Ambasada e Republikës Popullore të Kinës, Ambasadori i ri i emëruar kinez, Zhou Ding zhvilloi një takim me gazetarë, politikanë e biznesmenë ku krahas promovimit dhe shijimit të ushqimit Sichuan u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta midis Kinës dhe Shqipërisë. Në ceremoninë e zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e ambasadës së Kinës ambasadori Ding theksoi veçantinë e ushqimit dhe rakisë së Sichuan duke u shprehur se tradita ushqimore shërben si një pikë lidhëse e fortë mes kulturave të dy popujve.

 

“Shkëmbimi i kulturave ushqimore, pikë lidhëse midis dy popujve”

Fjalimi i Ambasadorit Zhou Ding në Festivalin e Ushqimit të Sichuan-it në Shqipëri

 

I nderuar  Z. Fino, i nderuar Z. Kamenica, i nderuar Z. Wen Su, të nderuar të ftuarit, mirëmbrëma.

Sot jemi mbledhur këtu për të kremtuar Festivalin e Ushqimit Sichuan në Shqipëri. Së pari, në emër të Ambasadës Kineze në Shqipëri, dua t’ju shpreh mirëseardhjen e ngrohtë delegacionit të

Provincës Sichuan dhe të gjithë të ftuarve. Provinca Sichuan, vlerësuar si Vendi Qiellor, është plotë me peizazhe të bukura dhe njerëz të talentuar. Kultura e lashtë Bashu (Kultura Chongqing-Sichuan) është përfaqësuesi i shquar i kulturës kineze. Sot, delegacioni i Sichuan-it na ka sjellë raki dhe ushqim të tyre, që janë të famshëm brenda dhe jashtë vendit. Në Kinë kemi një shprehje, “Ushqimi është nevojë parësore për njerëzit”. Në Shqipëri ka edhe shprehjen “Dashuria vjen nga stomaku”. Të dyja shprehjet tregojnë rëndësinë e ushqimit në jetë. Kuzhina e Sichuan-it ka historinë e hershme e të pasur, si dhe shijen e veçantë, e cila preferohet nga populli kinez dhe popujt e botës. Rakia e Sichuan-it është gjithashtu e njohur për shijen e pasur dhe aromatike. Shpresoj që ju, përmes shijimit të kuzhinës dhe rakisë së Sichuan-it, të njihni më mirë Kinën dhe Sichuan-in, të forcohet lidhja midis dy popujve tanë, duke sjellë më shumë shkëmbimin e kulturave ushqimore dhe bashkëpunimin turistik mes Kinës dhe Shqipërisë.

Përveç kuzhinës dhe rakisë, delegacioni i Sichuan-it na ka sjellë edhe shfaqjen e mrekullueshme të Operës Sichuan, dhe mjekësinë tradicionale kineze, e cila është si xhevahiri i kombit kinez. Sot paradite në Institutin e Konfucit, ky delegacion ka zhvilluar një prezantim të mjekësisë tradicionale kineze dhe mjekim vullnetar, dhe ishte mirëpritur nga miqtë shqiptarë. Ambasada kineze është e gatshme që, bashkë me miqtë shqiptare të qarqeve të ndryshme, të nxisin shkëmbim dhe bashkëpunim në fushën e mjekësisë tradicionale kineze, në mënyrë që më shumë shtetas shqiptarë të gëzojnë kujdesin dhe trajtim të mjekësisë tradicionale kineze.

Të dashur miq, vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë zhvilluar bashkëpunime të frytshme praktike në kuadër të Iniciativës “Një Brez, Një Rrugë” dhe “Bashkëpunimit 16+1”. Pala kineze ka investuar në total më shumë se 800 milionë dollarë amerikanë në Shqipëri në fushat e infrastrukturës së transportit, energjisë, ujitjes etj.. Kompanitë kineze janë taksapaguesit e mëdhenj dhe kanë krijuar shumë vende pune në Shqipëri. Më datën 11 prill, në Dubrovnik të Kroacisë, Kryeministri Li Keqiang dhe Kryeministri Edi Rama zhvilluan një takim dypalësh gjatë Samitit të 8-të të Kinës dhe të Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe kanë arritur konsensus të rëndësishëm mbi ngritjen e mëtejshme të nivelit të bashkëpunimit dypalësh.

Të dashur miq, sivjet është 70 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë, është rasti i mirë i ngritjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe kino-shqiptare. Pala kineze, bashkë me partnerët e tjerë të Bashkëpunimit 16+1, do të mbështesin palën shqiptare për themelimin në Tiranë të Qendrës së Zhvillimit Rinor të Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe për organizimin e Forumit të 4-të të Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve të Kinës dhe Vendeve të EQL-së. Aktualisht, autoritetet përkatëse kinezë dhe shqiptarë po shpejtojnë shqyrtimin e eksportit të produkteve cilësore bujqësore nga Shqipëria në tregun kinez. Produktet si mjalti, bulmeti, vaji ulliri, vera shqiptare do të vendosen së shpejti mbi tavolina të kinezëve. Ekonomia kineze dhe ajo shqiptare janë komplementare, me potencial të madhe të bashkëpunimit në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë, turizmit etj.. Ne do të inkurajojmë vazhdimisht kompani kineze të investojnë në Shqipëri, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik shqiptar, për të ngritur miqësinë tradicionale dhe bashkëpunimin kino-shqiptar në një lartësi të re.

Dje u mbajt në Pekin Forumi i 2-të për Bashkëpunimin Ndërkombëtar mbi “Një brez, një rrugë”, tema e të cilit është “Ndërtimi me cilësi të lartë i ‘Një brez, një rrugë’, krijimi i një të ardhmeje më të mirë”. Aktualisht, mbi 150 vende dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Shqipërinë, kanë nënshkruar me Kinën dokumentet e bashkëpunimit për ndërtimin e “Një brez, një rrugë”. “Një brez, një rrugë” ka krijuar hapësirë të reja për rritjen ekonomike botërore, dhe ka vënë platformën e re për tregtinë dhe investimin ndërkombëtar, duke u bërë rruga e përbashkët e mundësive, të begatisë për vendet e ndryshme. Kina shpreson që, së bashku me Shqipëri dhe partnerët e tjerë, të shfrytëzojë sa më plotë mekanizmat e “Një brez, një rrugë”, për të kontribuar më shumë për paqen dhe begatinë botërore.

Të dashur miq, ardhja e delegacionit të Sichuan-it në Shqipëri ka pasuruar përmbajtjet e kremtimit të 70 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Uroj sukses të plotë këtij aktivitet dhe një mbrëmje të këndshme Ju të gjithëve. Faleminderit!