Muharrem Xhaferi: Hapja e minierës së Valiasit në 1971 dhe debatet me kinezët. Si u arratis elektriçisti dhe gjurmimi nga oficeri i Sigurimit

413
Sigal

Flet ish-Sekretari Organizativ dhe ish-Anëtari i Kryesisë të Partisë të Ballit Kombëtar, Muharrem Xhaferi

  • -Si u arratis elektriçisti Muhamet Islami dhe si na gjurmonte ne oficeri i Sigurimit
  • -Si u hap miniera e Valiasit në vitin 1971, debatet me inxhinirët kinezë
  • – Si realizova një skemë mikëse për një qendër interfonie për minierat
  • -Kjo përballonte pesë e më shumë abonentë në të njëjtën kohë
  • -Një telefon miniere blihej nga Polonia me 250.000 lek shqiptare të asaj kohe. Ndërsa kjo që po ndërtoja kushtoi 80 mijë lek
  • -Më propozuan për dekorim, por më nxorën si preteks se kisha babanë Ballist

Albert Z. ZHOLI

Muharrem Xhaferri është nga Picari i Gjirokastrës. Picari është një fshat interesant në Gjirokastër me histori dhe ngjarje të befasishme. Babai i tij u vra në Grihot në LDB, ndërsa disa pjesëtarë të familjes u lidhën me LNÇ. Motra e tij e madhe ishte martuar me Asim Alikon e famshëm, ish-oficer i Shërbimit Inteligjent shqiptar. Në kujtimet e tij Muharremi për fshatin tregon: Asnjë nga fshati ynë për interesa të tij, nuk shiti te armiku bashkëfshatarët e tij gjatë LDB. Dëshëroj që këto vlera të fshatarëve tanë, të njihen nga brezat që vijnë. Jo vetëm kaq, intelektualët, bij të këtij fshati të hulumtojnë mbi këtë temë. Të shfrytëzojnë arkivat e gjalla, të cilat sot janë nesër mund të mos jenë. Këta janë pleqtë e fshatit ata kanë shumë për të treguar.

Shikoni botën e kulturuar që për ccdo familje, lagje, fshat, krahinë e më gjërë i ruajnë vlerat e tyre, duke i përjetësuar me vërtetësi. Jeta kalon pa u vënë re. Një ditë e shohim veten të pamundur. Jeta që kalon njeriu nuk ka nevojë për zbukurime. Vlerat e saj janë në qoftë se e tregojmë ashtu si e kaluam.

-Si do ta cilësoje jetën politike shqiptare në monizëm dhe ccfarë ngjarjesh ke përjetuar që mbeten në memorien tënde?

Ngjarjet politike të asajë kohe nga izolimi me botën e jashtme krijuan edhe shumë vështirësi për furnizimin me pjesë këmbimi edhe për elektrikun në miniera. Për kapërcimin e këtyre pengesave herë mbas here bëheshin thirrje për shpikje e racionalizime në përdorimin e pajisjeve elektrike edhe në miniera.

Nga trajtimi dinjitoz që më bënte inxhinjeri Flamur Mullisi në Ibë, edhe unë u zotova se do të bëja diçka që e shihja të mundur në zëvëndësimin e telefonave në miniera. Kjo nga Inxhinier Flamuri u prit me kënaqësi. Kërkova në disa revista teknike të huaja skema të interfonisë. Sajova një skemë mikse për një qëndër interfonie. Kjo skemë ishte shumë fuksionale, përbëhej nga dy llampa radiosh, ÇN2 dhe EL86 , disa trasformatorë, kondesator,rezistenca, dioda atoparlantësh e të tjera.

Kjo përballonte pesë e më shumë abonentë në të njëjtën kohë. Për t’i dhënë kuptim vlerës materialë të kësaj po sjell një krahasim me vlerën e një telefoni miniere dhe asaj çfarë dëshiroja të bëja unë.  Një telefon miniere blihej nga Polonia me 250.000 lek shqiptare të asajë kohe. Ndërsa kjo që po ndërtoja unë dhe që zëvëndësonte pesë telefona  kushtont e gjitha 80 mijë lek. Fitimi ishte i madh.

Nga ana teknike qëndronte shumë më lart se telefonat e zakonshëm.  Punova tre muaj që e prodhova. Rezultatet ishin të shkëlqyeshme. Me urdhër të degës teknike u vendos të instalohej në minierën e Ibës. Fuksionoi shumë mirë deri në mbylljen e minierës. Me që u realizua nga unë u pa e arsyeshme nga sekretari i partisë Jani Meksi që kjo të mos publikohej dhe as të shkonte më tej.

 

Skema e aparatit interfonik

 

Kryeinxhinjeri i asaj kohe Servet Dajlani u shpreh se kjo arritje meritonte deri për çmim Republike.

-A të dhanë dekoratë?

Jo! Për këtë dhe për dhënien mua titullin mjeshtër në drejtorinë e ndërmarrjes ka patur shumë debate pro dhe sekretari i partisë Jani Meksi kundër. Sigurisht që partia fitonte.

Gjatë kësaj kohe ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme për kohën.

 -Konkretish çfarë ngjarje?

-Ngjarje që në njëfarë mënyre më implikoi edhe mua. Një elektriçisti që punonte me ne i vdes dajua i babait të vet. Kështu që kërkoi  leje te drejtori i kantierit për të marrë pjesë në varrimin e të ndjerit në vendlindje. Për koiçidencë  në atë kohë ishte i planizuar me leje një elektriçist tjetër Halil Çika. U desh ndërhyrja e drejtorisë që t’i shtyhej leja Halilit për 15 ditë. Elektriçisti Muhamet Islami iku, por nuk po kthehej në kohën e duhur. Drejtoria e kantierit na thotë: mua dhe Halilit që të interesoheshim për ta gjetur. Unë në atë kohë përdorja një motorçikletë “Bjanki 250”.

Së bashku me Halilin me atë motor e kërkuam te të afërtit e tij në Tiranë edhe në Durrës. Ne gjatë gjithë kohës qënkeshim survejuar në lëvizjet tona nga sigurimi i shtetit.

Të nesërmen e asaj të diele që kërkuam për të gjetur Muhametin, kur në kantier, në prani të shefit të kantierit Dushan Koçiut më thërret operativi i sigurimit të asajë zone.

Ai më thotë:

Ju kini kryer një veprim që ju rrezikonte, keni shkuar për të kërkuar Muhamet Islamin. Gjatë gjithë kohës së lëvizjes ju keni qënë të survejuar. Po mbasi u verifikua se ishit të dërguar nga ndërmarja për ta gjetur u çliruat nga mendimi se mund të ishit bashkëpunëtorë me të. Ai vazhdoi të na thotë se Muhamet Islami si armik që ishte është arratisur jashtë vendit tonë. Kjo na tronditi mbasi ne e konsideronim si një shok të besueshëm në punën tonë tepër të vështirë. Elektriku kishte të bënte drejt për së drejti me jetën e atyre që punonin nëntokë. Viti 1971 do të shënonte një eveniment të ri në mënyrën ndryshe në ndërtimin dhe hapjen e vendburimeve minerare qymyrgurore të reja.

Pse?

Sepse në këtë kohë filloi miniera e qymyr-gurit në Valias.

Miniera do ndërtohej nën drejtimin teknik nga inxhinjerë dhe speçialisët kinezë. Ne shqiptarët duhet të ishin specialistë të kategorive të larta dhe me eksperiencë pune në miniera. Mua si shumë të tjerë nga gjithë vëndi më caktuan të shkoja për të punuar atje.

Me një urdhër nga drejtoria e ndërmarrjes duhet të mbaja përgjegjësi edhe për kantierin në Ibë. Pra brënda një muaji duhet të shkoja të paktën dy ditë për të kontrolluar gjëndjen e paisjeve elektrike, dhe për të bërë shërbimin teknik të nevojshëm.

Nga viti 1972 dhe deri në vitin 1979 do të punoja në Valias, përveç sektorit të Ibës, do dërgohesha me shërbime edhe në miniera të ndryshme të Vendit, si:

-Në Golaj të Kukësit.

-Në Kalimash po në Kukës.

-Në minierën në Memaliaj.

-Në Gerdec.

-Në Mëngaj të Kavajës.

-Në Selenicë të Vlorës.

-Në Bezhan të Kolonjës.

-Në Bitinckë të Bilishtit.

-Në Bulqizë .

-Në Batër të Martaneshit.

-Kudo që kishte miniera.

Sigurisht që nuk  isha unë i vetmi, por edhe shumë shokë të tjerë. Disa nga shërbimet ishin të shkurtëra sa për të eleminuar difektet.

Vlen për t’u përmëndur puna e palodhur dhe me plot pasion të inxhinjerit, energjitiku i ndërmarjes Flamur  Mullisit.. Ai nuk na ndahej kudo që shkonim. Nuk kishte besim apo ishte përgjegjës dhe i ndershëm për pasojat e gabimeve në punë?

Jo, ishte shumë kërkues. Për ilustrim po përmend këtë rast:

Në Golaj të Hasit në minierë nga dimëri shumë i ashpër ishte ndërprerë energjia elektrike. Kontrolli i ispektoriatit për nën/stacionet elektrike, për këtë zonë në nën/stacion kishte konstatuar një difekt që pa u riparuar ai e kishin ndaluar rreptësisht lëshimin e korentit.

Më thirrën në drejtorinë e ndërmarjes dhe më urdhëruan që të nisesha menjëherë në Golaj. Koha nuk priste. Dimëri ishte shumë i ashpër, rruga nga Qafa e Malit e deri në Golaj më të shumtën ishte e bllokuar nga bora e madhe, që vazhdonte të binte. Nga magazina e ndërmarrjes mora disa materiale që mendoja se do të duheshin për punën atje. Kur po ngarkoheshin këto materiale, erdhi aty inxhinjer Flamuri, i cili më tha se ishte bërë gati të vinte edhe ai me mua. I them se ishte kohë shumë e ashper për të udhëtuar. Ai vendimin e kishte marrë. Kishte kaluar ora dymbëdhjetë. Në kushte normale ajo rrugë shkonte 8 deri më 10 orë me makinën Zisë që do të udhëtonim. U nisëm. Me vështirësi nga dëbora arritëm në Qafë të Malit. Aty ndaluam për të ngrënë bukë. Nisemi për në Kukës. Rruga vënde-vënde bllokohesh nga dëbora, që binte pa pushim. Në pikat ku rruga bllokohej punonin buldoziera për ta hapur. Të ftohtit ishte tepër i madh, shpejtonim të arrinim me kohë për të gjetur hotel në Kukës. Kur arritëm në Kukës kishte rënë nata. Vënde në hotele nuk gjetëm. Nuk na ngelej tjetër veç të vazhdonim rrugën për në Has. U nisëm pa vonesë. Mbas shumë peripecish aty nga ora 11 e 30 e natës, mbërritëm në të vetmin hotel në qytetin e Hasit. Gjetëm vetëm rojen. Ai lajmëroj përgjegjësen. Ajo erdhi, por na tha se nuk kishte absolutisht ngrohje.

Përveç nesh s’kishte asnjë klient tjetër. Ajo na pruri disa batanie. Ishte një nga netët më të ftohta që kam përjetuar. Të nesërmen sa u hap dita, u nisëm për në Golaj. Në dhomën ku flinte inxhinjer Halili, (një djalë i mrekullueshëm ) u ngrohëm në një fërnellë gjigante elektrike.

Shkuam dhe kontrolluam gjendjen e linjës dhe nën/stacionit. Linja ishte dëmtuar. Materialet shkuam e i morëm në Kam të Tropojës. I veshtirë ishte punimi brënda në nën/stacion. Duhej të punohej 60 cm. afër tensionit 6000 V. Distancë kjo që po të afrohesh më afër merrje goditje elektrike.

Unë vendosa të punoja. Inxhinjer Flamuri nuk desh të më lejonte. Por për të pritur ardhjen e ispektorit nga Fushë Arrëzi mund të kalonte edhe një javë. Kjo pritje në kushtet tona ishte e pamundur. Flamuri pranoi që unë të punoja, por gjithmonë në kontrollin e tij. Punuam së bashku gjithë ditën. E përfunduam me sukses defektin. Ishte në muzgun e darkës. Dritë bëmë me anën e dy fenerëve.

Hipa në shtyllë për të lidhur telat e tensionit të lartë. Na ndodhi një episod shumë interesant, që për momentin na shokoi. Një shpend shumë i madh vjen për të ndaluar mbi mua.

Sigurisht që u befasova, por  instiktivisht e gjuaj me pincat që kisha në dorë. Me sa duket nga goditja që mori  u rrëzua mbi Inxinier Flamurin, që ishte në fund të shtyllës. Po ashtu edhe atë e gjen të papërgatitur. Duke e vlerësuar nga madhësia duhet të ketë qenë shqiponjë. Kjo ngjarje na bëri që atë natë së bashku me inxhinjer Halilin ta kalojmë me humor. Humorin e asaj nate na e shtoi edhe një lepur i pjekur që na e dhuroi një nga gjahtarët e zonës. Edhe rakia bëri punën e saj: na çlodhi e na largoi stresin e  atyre ditëve.