Alketa Luari: Puthja e Judës

672
Sigal

Kjo godinë është shndërruar në Teatrin e Shtetit  më vonë,  Teatri Popullor,  Teatri  Kombëtar dhe në fund i shkatërruar.

Puthja e Judës

Qeveritë që ia linin vendin me zor njëra- tjetrës, luanin gjithmonë kumar me fatin e TEATRIT KOMBËTAR

ALKETA LUARI,  HISTORIANE

Puthjet janë një simbol i dashurisë, i paqes. Por mund të jenë edhe simbol i tradhëtisë. Juda puthi Jezusin në faqe si shenjë “ Dashurie”, duke ua dorëzuar farisenjve dhe ata e kryqëzuan. Te gjithë jemi pak “Judenj”, të gjithë puthim, të gjithë buzëqeshim, premtojmë, betohemi në të ashtuquajturin kod i Besës së Shqiptarit, Kanuni i Lek Dukagjinit, por…ka dhe një por,  pra bie gjithshka çfarë është shkruar më sipër…të  gjitha puthjet tradhëtohen! Dje në orët e para të mëngjesit ndodhi një tradhëti, një pabesi. U vra pabesisht një copëz historie, fadromat e hekurta e goditën ndërsa në heshtje qëndronte si një plak  81 –vjeçar, i rrudhur nga kohërat që ka përjetuar përgjatë këtyre dekadave. Kjo copëz historie mban shumë art, shumë ndjenjë, shumë luftra të heshtura, që janë luajtur si një tragjedi eskiliane, komedi ku e qeshura grindej me dhimbjen, kur kostumet bënin paradë mbi një dysheme  druri. Eh, ajo dysheme! Ajo dysheme në gjuhën e artit quhej SKENË! Ndërsa në gjuhën e perëndive  quhej TEMPULL! Ky tempull bashkëkohor u lind dhe u ngrit nga një forcë e zezë, por që pa e ditur, kjo forcë e zezë me emrin fashizëm, kishte krijuar një godinë ku në të ardhmen do të çimentoheshin tragji-komeditë e klasicizmit botëror në një shtet të vuajtur, kur ideologjia e një rendi të vjetër nuk donte të shkulej nga sarajet ku kishte hedhur rrënjë prej shumë shekujsh. Ishte viti 1945, ku ajo godinë e ndërtuar vetëm para 6 vitesh, do të pagëzohej me një emër të shenjtë: TEATRI SHTETEROR! Teatri që në kohët e lashta gjithmonë ka qenë  arti që përçonte kulturë, ku shoqëritë e reja në Greqinë e  baballarëve të artit dhe dijes, Aristofanit, Eskilit, Sokratit po qendërzonin në sheshet e Athinës këtë risi, fjalën e sjellë jo vetëm në podiumet,  ku dijetarët shpalosnin dijet e tyre, por diçka të panjohur. Fjala donte një ngjyrim, donte një zë të kumbonte si një jehonë, për të përçuar dramën e jetës, dhimbjen, por dhe gëzimet, dhe të ngelej  në memoriet e njerëzve si një dhuratë. Teatri që vazhdoi dhe në shekujt e mëvonshëm duke marrë përmasat e një hapësire globale, do të trokiste edhe në brigjet e një vendi të vogël me emrin Shqipëri. Nëse do të shkëpusnim copëza dokumentare të historisë së teatrit shqiptar, dhe vëniet në skenë të shfaqjeve mund të përmendim, shek.19  ku Shoqëria e Jezuitëve themeloi shoqëritë teatrore në bashkëpunim me Kolegjin Saverian dhe seminaristët, herë pas here vinin pjesë të shkëputura nga literatura botërore teatrale, si Shekspir etj. Ky ishte një hap shumë guximtar në  Shqipërinë e dominuar prej 4 shekujsh nga pushtimi otoman. Fillim shek.XX –të do të sillte risi të reja, pasi disa nga ngjarjet historike që ndodhën, si shpallja e Pavarësisë, Lufta e I Botërore, edhe pse nuk u bë një fushëbetejë qendrore siç ndodhi me vendet e tjera, pësoi një kolaps total në çdo aspekt të jetës. Në vitin 1920 me shpalljen e Tiranës kryeqytet, nga vendimet e Kongresit të Lushnjes, bashkë me themelet që do të hidheshin në formëzimin e Tiranës si kryeqytet, do të inicioheshin edhe ndryshimet që duheshin bërë në jetën socio-politike. Vitet e ’30 do të sillnin dimensione të reja në jetën shoqërore ku spikat ligji për arsimin (1933), ku shkollat që u përfshinë nga ky ligj do të mbartnin një program të pasur në fushën arsimore, ku do të përfshihej edhe teatri. Instituti femëror “Nëna Mbretëreshë”, organizonte herë pas here shfaqje teatrale nga nxënëset e tij, dhe kjo spikati akoma më shumë në prag të pushtimit fashist, në ditët e para të prillit, ku me shfaqjet e tyre, si drama “ Vilhelm Tel”, nxisnin frymën patriotike te masat popullore. Në vitin 1938, Mbreti Zog do të nënshkruante një marrëveshje mbi projektin e një rrethi kulturor mes Italisë & Shqipërisë.

Në dokumentet  zyrtare të shtetit shqiptar

“ Në dokumentet  zyrtare të shtetit shqiptar flitet për projektin e themelimit të rrethit italo-shqiptar  “ Skandërbeg”, si nismë e qeverisë shqiptare të mbretit Zog, në vitin 1938.Vendimi në fjalë nënkuptontë bashkëpunimin kulturor, artistik, shkencor midis dy vendeve.”

Aurel Plasari, -intervistë- Emisioni “Opinion”, 20 maj 2020

Në shtator të 1939-s, me fillimin e Luftës së II Botërore bota do të ndryshonte rrjedhën e saj. Megjithatë, arti nuk do të ngelej pasiv. Do të luftonte me mjetet e tij në ndërgjegjësimin e masave kundër boshtit të së keqes. Kjo situatë  do të ndikonte edhe në Shqipëri.

“ Jemi në gjendje të konstatojmë dhe të bëjmë lidhjen që me ndryshimin politik dhe historik në Shqipëri pushtimin e Italisë fashiste projekti nuk ndryshoi, dhe puna për ndërtimin e tij vazhdoi.” Për të vazhduar në analizën e mësipërme që prof. Aurel Plasari, shtron me të drejtë, bazuar në dokumentacion arkivor dhe historik të asaj kohe, kjo godinë do të konceptohej në planin dy seksionesh, pra në dy ndërtesat:

“Në seksionin A, përfshiheshin kinemaja, teatri dhe muzika dhe u quajt Kinoteatër “Savoia”. Seksioni B, do të ishte seksioni shkencor. Në seksionin shkencor u vendos Instituti i Studimeve Shqiptare. Instituti në fjalë është themelimi i Institutit të Studimeve Albanologjike më 1946 edhe nga institutet që u krijuan nga regjimi tjetër”. Nga fotot arkivore të nxjerra nga Instituto Luce i gjithë kompleksi duke përfshirë dhe çdo ambient të brendshëm, dhe në veçanti sallën kryesore, ishte brenda të gjitha parametrave të një salleje moderne bashkëkohore. Inaugurimi përfundimtar u bë në 8 gusht 1939! “E gjitha kjo kronologji, kjo histori, është regjistruar në burimet dokumentare juridike”.

Në vitin 1944, ndërtesa e parë ka vijuar si kinoteatër, ku janë shfaqur filmat e parë amerikanë, më vonë ata jugosllavë dhe rusë. Ndërsa grupi teatror i Tiranës është organizuar dhe ka dhënë shfaqjet e para që në vitet ‘30. Ky është grupi që mandej, është shndërruar në Teatrin e Shtetit, me vonë në Teatrin Popullor dhe në fund në atë Kombëtar. “ Grupi i Tiranës ishte grup që në një farë mënyre kishte një traditë të viteve ’30, kryesisht në teatrin “Gloria”, me një grup aktorësh të njohur si, Mihal Popi, Xhevat Serezi…”

“ Aty dha shfaqjet e veta dhe grupi Filodramatik i Radio –Tiranës siç quhej “ Strazivari”, Peshku në det”  etj. dhe të tjera figura që do t’i jepnin sharm Teatrit të ardhshëm Kombëtar”.

Me çlirimin e vendit godina vazhdonte ende të luante funksionin e saj të mëparshëm dhe pse emërtimi kishte ndryshuar, pra nga i ashtuquajturi Kompleksi “Skëndërbeg” u quajt  “Kosova”, edhe pse përkohësisht. Përpos filmave që shfaqeshin, filluan edhe shfaqjet e para teatrore, që në fillesë u emërtua: “Teatri i Tiranës”, ndërsa më vonë, Teatri Profesionist i Shtetit, në 24 maj 1945. Këtu nuk mund të përjashtojmë që u shtuan edhe elementet që vinin nga grupet teatrore partizane me të rinjtë, që më vonë do të bëheshin korifenjtë e këtij teatri, dhe jo vetëm në skenë, por edhe në kinematografi si,  Kadri Roshi, Naim Frashëri, Drita Pelinku. Kjo e fundit, do të ishte e para femër që theu tabutë e një mentaliteti arkaik në çështjen figurës së femrës, figurë e cila as që mund të imagjinohej të lëvronte fushën e artit skenik teatror. Në shfaqjet e para nuk do të ishin thjesht vetëm pjesët e të ashquajturve autorë të realizmit socialist, por edhe ata të huaj. “ Nuk qe fjala rëndom për pjesët e Maksim Gorkit, por edhe për drama të Ibsenit, “ Zonja Ingra e Ostrotit”, “ Armiku i Popullit”, deri edhe të amerikanit bashkëkohor Eugene O’Neill, “ Përtej horizontit” , “Topazi” të dramaturgut francez Marcel Pagnol.

Ishte pikërisht drama “Topazi”, shfaqja e parë e trupës në fjalë që ngriti siparin e shfaqjeve deri para 2 vitesh. Kjo godinë do të bëhej pak vite më vonë dhe shkolla e artit dramatik nga ku do të diplomoheshin edhe studentët e parë, që më vonë do të afirmoheshin në skenat e teatrove e tjerë. Ishte pikërisht kjo ndërtesë, që u bë streha e filarmonisë së parë të  shtetit, ku u ngjit në skenë opera e parë në vitin 1953, me sopranon e famshme Jorgjia Truja. Me kalimin e viteve në këtë ndërtesë do të performonin me sukses shfaqjet e teatrove të ndryshme të vendit, por edhe festivalet teatrore, por edhe aktivitete të tjera në fushën e artit. “Kanë treguar  sa e sa edhe të tjerët, madje mundet që u teprua duke përmendur kaq fakte, kaq emra, kaq ngjarje, kaq vepra, kaq histori me një peshë që çudi sesi ai kompleks e mban përmbi! Me ndryshimin e sistemit politik në fillim vitet ’90 do të binte edhe sipari i epokës socialiste. Kushtet e reja të krijuara në vend do të sillnin edhe në teatrin shqiptar një botëkuptim krejt të ndryshëm nga ai i mëparshmi, dhe ndryshimi duhej të fillonte që nga godina. Me kalimin e viteve, ajo duhej t’i nënshtrohej një rikonstruktimi total në të gjitha parametrat bashkëkohorë dhe kjo me plot të drejtë. Ngjarjet e dhimbshme që ndodhën gjatë dekadës se parë nuk lanë hapësirë veprimi në çështjen e parashtruara. Qeveritë që ia linin vendin me zor njëra -tjetrës, luanin gjithmonë kumar me fatin e TEATRIT KOMBËTAR, gjë që për fatkeqësinë tonë vazhdon ende. “Jo një teatër i ri: dhjetëra teatro të rinj i duhen Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Për artistët po që po, por më së pari për publikun, i cili ka nevojë për ta. Kërkesa për një të tillë teatër në Tiranë, nuk është gjë e re… Edhe sikur atë ta kishte hedhur përtokë  një bombardim nga aviacioni armik ai do të duhej ringritur në këmbë, sikurse i ringriti Varshava e rrënuar nga lufta ngrehinat e veta historike gjithë përkushtim ndaj kujtesës së kryeqytetit”.

Puthja e Judës u dha! Vdekja erdhi nga kjo puthje!!!