Ali Progri një nga 3 muskutierët simbol të shkollës Harry-Fultz në 100 vite

424
  • Harry Fultz, Gjergj Canco dhe Ali Progri janë simbolet e kësaj shkolle gjatë këtyre 100 vjetëve,
  • Ali Progri – Nderi i Kombit një nga tre “musketjerët” e politeknikumit
  • Profesor Aliu, studenti ekselent i Universitetit Politeknik të Kievit
Sigal

Në edicionin mësimor 1921 – 1922 arsimit shqiptar iu shtua Shkolla Teknike në Tiranë, e cila vijoi në vitin 1946 me emrin Politeknikumi “7 Nëntori” dhe që nga viti 1991 me emrin Instituti “Harry Fultz”. Harry Fultz, Gjergj Canco dhe Ali Progri janë simbolet e kësaj shkolle gjatë këtyre 100 vjetëve, këta tre “musketjerë” njehsohen me këtë super shkollë. Nëse Fultzit dhe Cancos i’a njoh madhështinë nga të thënat e të lexuarit, Ali Progrit i’a kam parë e prekur personalisht fisnikërinë, mirësinë, madhështinë. Mund të jem i vetmi nxënës që është takuar me të vetëm disa minuta nga hyrja në këtë shkollë gjigande. Siç duket zoti donte që unë ta njihja sa më shpejt mirësinë, gjykimin e shëndoshë dhe zemrën e madhe të këtij gjigandi vlerash. E mora me luftë atë të drejtë studimi për në Politeknikum, biles degën më të preferuar për atë kohë, Radio – Televizor. Pushteti në Kuçovë ia dha këtë të drejtë studimi djalit të një ish funksionari të lartë me notë mesatare shumë më të ulët se imja dhe vetëm pas ankesave të mia këmbëngulëse, që për hir të së vërtetës isha me mesataren më të lartë në shkollë, u detyruan të ma jepnin mua.

Me dokumentin e Seksionit të Arsimit Berat paraqitem në sekretarinë e Politeknikumit për t’u regjistruar dhe aty u përballa me të papriturën e madhe  “- Nuk jeni në këtë shkollë” – më tha sekretarja pasi i thashë si quhesha. – A është Politeknkikumi ky ? Po ky dokument, a është nga seksioni i Arsimit ?- i thashë pa shqetësim sekretares duke i tundur para syve dokumentin në fjalë. – Po, ky është Politeknkikumi, por ti nuk je në listën e nxënësve që do studiojnë në këtë shkollë – më tha sekretarja dhe vijoi me nxënësin tjetër në radhë pas meje. Dola nga sekretaria i shqetësuar. Ato dhjetë sekonda që m’u deshën për të trokitur në zyrën e drejtorit, ngjitur me atë të sekretares, mendja më shkoi te babai i shokut tim, funksionar i lartë në Berat : “- Të ketë ndërhyrë edhe këtu, Ai ? Bën vaki që, siç tha sekretarja të thotë edhe drejtori? Dhe e gjitha të ketë qenë një endërr e bukur ?” Trokita në zyrën e drejtorit dhe hyra brenda saj pasi dëgjova një “Hyr!” të ëmbël, engjëllore. Ose së paku kështu m’u duk mua kur pashë ulur në tavolinë burrin më simpatik, njeriun që rrezatonte urtësi, mirësi, fisnikëri. Ishte Ali Progri, burri i madh, që kishte lënë firmën e tij kudo ku kishte shkuar e shkelur. “- Eja, si e ke punën, i shqetësuar më dukesh – më tha aq ëmbël e me buzën në gaz i miri Ali, saqë mendimet e këqija të para pak çasteve u zhdukën nga koka ime. Pasi i tregova situatën me sekretaren dhe i tregova dokumentin e Seksionit të Arsimit, Aliu shtyp një buton sinjalizues për sekretaren dhe më drejtohet mua : – Ti je nxenës i kësaj shkolle, sekretarja është keqkuptuar. Ty të mbetet vetëm të mësosh shumë e ta harrosh këtë shqetësim të pamerituar. Ndërkohë hyri në zyrë sekretarja që, kur më pa edhe mua aty, kuptoi gjithçka e një i kuq i lehtë i përshkoi fytyrën. – Merre këtë dokument dhe regjistroje këtë djalë – i tha sekretares i miri Ali, duke i treguar me sy dokumentin e seksionit të arsimit Berat.

 

E falënderova të mirin Ali dhe dola edhe unë pas sekretares, e cila tashmë ishte një tjetër njeri, shembëlltyrë e nënpunësit korrekt e dashamir. Aliu e kishte vitin e pestë si drejtor në Politeknikum në atë shtator të 72-shit kur unë pata kontaktin e parë me Të, por emrin e madh që gëzonte mes stafit pedagogjiko-administrativ, por edhe mes mijëra nxënësve gjatë këtyre viteve, Ai nuk e krijoi aty. Ai erdhi i madh, erdhi me histori nga pas. Dhe historia e Ali Progrit fillon me genin e tij, në ADN-në e të cilit ishin skalitur patriotizmi dhe dashuria për atdheun, burrëria dhe karakteri i fortë, mirësia dhe fisnikëria. Aliu luftoi pēr çlirim dhe shkëlqeu pas tij, ndërkohë që i vëllai i tij, Demiri, nuk e ndoqi dot pas…mbeti në kohë për të mos u harruar kurrë, gjaku i tij vaditi lirinë e kësaj toke. Profesor Aliu, studenti ekselent i Universitetit Politeknik të Kievit, me kthimin në atdhe në përfundim të studimeve në vitin 1953, spikat për dije e profesionalizëm të lartë dhe bëhet njëri prej themeluesve të Universitetit të Tiranës. Për disa kohë edhe zv/dekan i Fakultetit të Inxhinjerisë. Por nuk përfundon kētu, duke parë vlerat dhe arritjet e tij, Ali Progri emërohet drejtor i Arsimit të Mesëm Profesional në Këshillin e Ministrave dhe më pas K/Inxhinjer i Uzinës Traktori, për të përfunduar në Shtator 1967 si drejtor në Politeknikumin “7 Nëntori”. Kjo është shkurtimisht “pasaporta” identifikuese e Ali Progrit ose historia, që i vinte nga pas. Ishte kjo pasaportë a histori që e bënte Ali Progrin: Autoritet të padiskutueshëm, institucion vlerash e virtytesh, pikë referimi për të përkryerën. Gjithë sa them më sipër nuk i mësova ditën e parë të shkollës kur Aliu m’u shfaq si një engjëll i dërguar nga perëndia për të vënë drejtësinë në vend, por avash avash. e nga dita në ditë po, mësova vet, aksiomatikisht e intuitivisht se i madhi Ali Progri ishte vet mesia në atë miniqytet me rreth 3.000 banorë në moshën më të bukur. Sigurisht që në ato vite nuk dija e nuk mësova genin e Aliut, nuk dija nga ç’familje vinte dhe ç’histori kishte, por ama, tani që i kam mësuar nuk habitem…një fisnik si Ali Progri sigurisht që do të lindte nga një familje fisnikësh. Për Aliun profesionist, profesor e drejtues, “votojnë” mijëra e mijëra për t’i dhënë çmimin ‘Dituria’, ndërsa për Aliun ‘Njeri me zemër të madhe’ venë duart në zjarr ata që halli i ka çuar te Ai e te të cilët bëj pjesë edhe unë. Nuk mjafton “boja” e kompjuterit për të përshkruar besnikërisht të madhin Ali, sado të shkruash për Të përsëri shumë do mbeten pa u thënë, ndaj edhe unë po e mbyll këtë dedikim zemre e shpirti me diçka të fundit : E drejta e studimit në Politeknikum m’u dha me gjysëm bursë, 820 lekë në muaj. Semestrin e parë bëra si bëra, në të dytin isha gati ta lija shkollën. Ishte drejtor Aliu Ai që mundësoi vijimin e shkollës pa pare nga ana ime duke më akorduar bursë të plotë. Mendoja se isha i vetmi fatlum që përfitoi nga shpirtmadhësia e të madhit Ali, por jo…vetëm pak ditë më parë një tjetër ish politeknikumas i ngrinte “lapidar” të madhit Ali, njeriut që i mundësoi përfundimin e shkollës e që pa të cilin nuk do të ndodhte kurrë. Ali Progri u njehsua me Politeknikumin, Ai dhe Politeknikumi ishin rritur aq shumë saqë ziliqarëve po u vriteshin sytë nga madhështia e tyre, ndaj edhe vendosën ta ndanin përgjysëm, në Mekanike dhe Elektronike + Elektrike, gjë që Aliut i dhëmbi shumë dhe kërkoi të largohej nga Politeknikumi. Gjysmën e dytë të viteve ’80 e deri në ’91-shin Aliu kontribuoi si Profesor në Universitet, ku edhe doli në pension. U nda nga jeta, për të mos vdekur kurrë, më 24 mars të 2009-ës, në moshën 80 vjeçare