/Telegraf.al/ Brigada e Pestë Sulmuese “Heroinë e Popullit” është formacioni më i madh luftarak i UNÇSH në qarkun e Vlorës, formuar mbi bazën e dy batalioneve partizane “Ismail Qemali” dhe “Halim Xhelo”, si dhe vullnetarëve të rinj që plotësonin radhët. Br.V S është një nga 27 brigadat e Ushtrisë së lavdishme NÇL. Vlen të theksojmë se efektivi i saj përbëhet nga bijtë e bijat më të mira të Vlorës e të Labërisë, luftëtarë të vjetër, ish-partizanë të Çetës “Plakë” të Vlorës, e të shumë njësive të tjera. Fillimisht kishte 3 batalione, me një efektiv të përgjithshëm prej 960 partizanësh. Me një organizim të tillë, Br.V S ishte formuar që më 28 nëntor 1943 në Gumenicë, madje ishte angazhuar në luftime për përballimin e operacionit nazist “Bergkessel” në luginën e Lumit të Vlorës, në dhjetor 1943, ku ra dhe komandanti i parë i Brigadës, Heroi i Popullit Abaz Shehu. Ajo u përurua më 20 janar 1944 në fushën e Bramyshnjës së Tërbaçit dhe përbënte një ngjarje me rëndësi të madhe politike-ushtarake. Më 20 janar 1944, Brigada u plotësua me 5 batalione me mbi 1200 partizanë, fillimisht secili me nga 3 kompani. Efektivi i përgjithshëm i Brigadës nga 1200 partizanë në Bramyshnjë, kur po nisej nga Novipazari më 15 mars 1945 numri efektiv i Brigadës arrin 3000 luftëtarë. Brigada kishte 5 batalione me nga 200-400 partizanë dhe në çdo batalion kishte 4 kompani me nga 40-80 vetë. Karakterizohej nga thellësia e veprimeve luftarake në drejtim 2300 km, me temp minimal e maksimal të marshimeve: 20-50 km në ditë, si dhe vazhdueshmëri të marshimeve të sforcuara 3-5 ditë.
Rruga luftarake e Br. V S, e betejave të saj të lavdishme, duket nga vetë luftimet e ashpra e të pandërprera që ajo zhvilloi prej skajeve jugperëndimore të Atdheut deri tek ato verilindore në Kukës e në Tropojë, në Gjakovë, në Prizren e në Drenicë të Kosovës, madje edhe përtej tyre, deri në Sanxhak e në Bosnjën Jugore. Lufimet e saj, si ato për thyerjen e operacioneve naziste në dimrin e viteve 1943-’44 në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër, ato të Sevasterit, të Kuçit e të Borshit në mars e në prill të vitit 1944, të Çarshovës e Biovizhdës së Përmetit në maj, të Qafës së Gjarpërit e të Gurit të Prerë gjatë thyerjes së Mësymjes armike të Qershorit 1944; kalimi i Shkumbinit dhe luftimet në Shupal të Tiranës, në Macukull e Klos të Matit, në Sinë e Korab të Dibrës, në Lumë të Kukësit, në Gjakovë e Prizren dhe në malet me borë të Sanxhakut, do të kujtohen gjithnjë si beteja, ku është derdhur shumë gjak trimash të kësaj njësie partizane kundër një armiku të madh, të egër, të fuqishëm dhe të armatosur gjer në dhëmbë.
Nga Br. V, Br. VI dhe njësi të tjera partizane, që përbënin dy divizione të plota, me luftën heroike e gjakun e derdhur nga bijtë dhe bijat më të mirë e të devotshëm, u çliruan Kosova dhe krahina në Mal të zi e Maqedoninë e Veriut. Brigada ndoqi me luftë pushtuesit gjermanë deri në thellësitë e Malit të Zi e në territoret e Sanxhakut të Bosnjës. Është legjendare mësymja në pllajën e Sanxhakut e Brigadës V, duke qenë në vijën e parë të Divizionit V S (në të cilin bënin pjesë dhe Br. III dhe XXV S) dhe të Br. VII të UNÇ. Mësymja nisi më 21 dhjetor 1944 kundër mbrojtjes së fortifikuar të forcave naziste e çetnike, në kushtet e një terreni të vështirë me dimër të ashpër. Pas 23 ditë luftimesh, ato çliruan qytetet Senicë, Priepolje e Preboi dhe më 12.01.1945 dolën në kufijtë e Bosnjës jugore.
Gjatë veprimtarisë së saj luftarake Br. V, nga 28 nëntori 1943 deri më 7 dhjetor 1945, që zgjati 752 ditë, i shkaktoi armikut humbje të ndjeshme në forca të gjalla e teknikë luftarake, mijëra të vrarë, të plagosur e robër. Nga radhët e saj ranë në fushën e luftës 370 dëshmorë, midis tyre 9 Heronj të Popullit Abaz Shehu, Hysen Çino, Zonja Çurre, Zaho Koka, Dervish Hekali, Llambro Andoni, Nimete Progonati, Laze Nuro Ferraj dhe Kastriot Muço.
Rol të rëndësishëm në kryerjen me lavdi të detyrave të saj luajtën kuadrot që e udhëhoqën Brigadën në rrugën e gjatë luftarake prej 2900 km, në mbi 40 luftime, qysh nga Operacioni Nazist i Dimrit 1943, deri në çlirimin e krahinës së Sanxhakut më 12 Janar 1945 e marshimin nga data 7-15 mars 1945 për t’u kthyer përsëri në Kosovë, ku qëndroi deri në fund të vitit 1945.
Sipas historikut të parë të Brigadës “Rruga luftarake e Brigadës V Sulmuese”, Tiranë; “Naim Frashëri”, 1968, f. 46, Kuadri që udhëhoqi forcat e Brigadës V gjatë Ofensivës së Dimirit ishte ky: Komanda e Brigadës: Komandant i Brigadës Shefqet Peçi, Komisar politik Hysni Kapo, Zëvendëskomandant Dervish Hekali, Zëvendëskomisar Manush Myftiu, Intendent Kadri Brahimi, Sektori i Shëndetsisë Dr. Ibrahim Dervishi, Sektori i Agjitacionit dhe Propagandës Andrea Varfi, Dhimitër Mandro. Seksioni Politik: Përgjegjës i Seksionit Politik Hito Çako, anëtarë Bilbil Klosi, Veis Pipa, Ramize Gjebrea. Brigada botonte organin e saj luftarak revistën “Buçitja”. Brigada V S është dekoruar me titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe njihej e nderohej në popull si “Brigadë e flakës, e zjarrit dhe e sulmit”.
Brigadë e zjarrit, e flakës
Këngë labe për 80-vjetorin e Brigadës V S “Hero i Popullit”
Këndon grupi folklorik “10 Shqiponjat e Tërbaçit” – “Naim Frashëri”
Marrëse: Antoneta Goxho Mehmetaj, Liljana Rrapi Kapo
kthyese: Liri Gaçe Shkurtaj
hedhëse: Hava Çelaj Muçaj
teksti: Albert Habazaj
Në Bramyshnje kemi ardhë
pasardhës e veteranë.
Bëjmë nderim, se kemi festë
80-vjet Brigad’ e Pestë.
Ata heronj e dëshmorë,
si yje të kuq mbi borë.
Shefqet Peçi dhe Besniku,
legjenda ballë çdo rreziku.
Partizane, partizanë,
orteku në tramundanë.
Brigadë e sulmit e luftës,
furtuna në sy të pushkës.
Ajo qe zjarri dhe flaka,
për pushtuesin mandata.
Për lirin’ prapë do të jetë
Shqiponjë që çan mbi retë…
Bramyshnjë, Tërbaç, e shtunë, 20.01.2024
Dafina e lirisë
Poezi për Brigadën V S – Heroinë e Popullit
Në vatrën me dritë në Bramyshnjë të Tërbaçit
vezulluan yjet më të bukur të Idealit;
s’ ua hodhi dot halldupi hallkat e haraçit,
yjet shokë kanë vetëm shqiponjat e malit.
U mbushën me zjarr Atdheu e morën malet:
pika të ndritshme në horizont të historisë,
si furtunë lirie e vrullshme që nuk ndalet
madhështojnë ata Panteonin e Lavdisë.
Brigada e Pestë Sulmuese Heroinë –
uragan i sulmit me rrufe dhe i flakës,
nga Sanxhaku, dhe sot, jehona fitoresh vinë:
të pesë batalionet si ballë i shtërngatës!
U nisën nga Bramyshnja jo si trupa qiellorë,
por si trima që në sy e prisnin rrezikun!
Treqind e shtatëdhjetë u kthyen meteorë,
e Brigada legjendë me Tërmetin e Besnikun.
Partizanët e dëshmorët, ata, shqiponjat e malit
vizionin e Ëndrrës e kishin LIRINË,
Parajsën e Dëshirës dhe Perëndeshën e Idealit
dhe Brigadën e Pestë Kombi e ka Dafinë.