Se besoja që Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, të shkasë në një lloj bullizmi akademik
Nuk e përdor fejsbukun, por një kolege pati mirësinë të më bënte me dije këtë status nga një studiues jo fort i ri i letrave shqipe, doktor në shkencat filologjike:
Ja nje shembull aspak dinjitoz i “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, nje veper me mungesa e keqkuptime dramatike te historise dhe e kultures shqiptare qe ka per kryeredaktor Emil Lafen. Nje njesi enciklopedike nga Vell. 3. Tirane, 2009, f. 2315. Zeri rezulton i shkruar nga Jup Kastrati i cili per hir te se vertetes po t’a kishte ditur do te pendohej rende (ngaqe ka botuar te dhena shume me te plota per Guzeten dhe Seminarin). Eshte i qarte gabimi dhe pamjaftueshmeria e informacionit (mjafto te thuhet se seminari u çel 4 vjet me vone), por ne kete rast turpin e ha me buke redaktori Emil Lafeja dhe ata qe sot vegjetojne ne institutet e Akademise Albanologjike ne Tirane dhe per ironi jane pjese e stafit te Qendres se Arberesheve per Diasporen. Mjerim, e turpshme dhe e pafalshem qe zerat per boten arbereshe i kane marre persiper dhe i kane shkruar amatore te ketille.
Pra çështja është se te data e themelimit të Seminarit Arbëresh të Palermos, jo 1730, siç e ka Fjalori enciklopedik, por katër vjet më vonë (do të kishte qenë më i rëndë gabimi i kundërt, d.m.th. data e themelimit të jepej katër vjet më vonë se e vërteta). Për dijeninë e lexuesve, Seminari i Palermos, ku përgatiteshin klerikë për kishat e ritit bizantin në fshatrat arbëreshe, cilësohet në Fjalorin enciklopedik si “Qendër arsimi, edukimi dhe kulture, vatër e ruajtjes së gjuhës shqipe dhe e traditave arbëreshe në Sicili, … ku u formuan një varg intelektualësh arbëreshë, shkrimtarësh e poetësh të shquar.” Përsëri për dijeninë e lexuesve duhet të shtoj seredaksia e fushës së Arsimit, së cilës i ka takuar hartimi, diskutimi dhe redaktimi i zëritnë fjalë, e ka marrë tekstin tërësisht nga botimi i parë i “Fjalorit enciklopedik” (1985, d.m.th. para 35 vjetësh), duke e quajtur të mirëqenë. Zëri ka qenë hartuar nga prof. Jup Kastrati (1924–2003), studiues i rysur e mirënjohur i Botës Arbëreshe. Nuk mund ta dimë ku është mbështetur ai për të dhënë atë datë me katër vjet ndryshim nga e vërteta, siç po del, për themelimin e Seminarit, dhe as nuk arrijmë të kuptojmë se si, po ta kishte ditur i ndjeri autor i këtij zëri, do të pendohej rëndëpër gabimin e kësaj date. Ndoshta ky kritik i vrullshëm ka dashur të thotë se po të kishte qenë gjallë prof. Kastrati, do ta kishte ndrequr vetë datën e gabuar të themelimit të Seminarit (natyrisht duke e ngrënë turpin me bukë për gabimin te botimi i parë, bashkë me redaktorët e atij botimi).
Hartuesit e fjalorëve në përgjithësi, duke përfshirë edhe fjalorët enciklopedikë, janë të vetëdijshëm se në këto vepra, ku paraqitet gjithë gjuha, gjithë bota, gjithë jeta e renditur sipas alfabetit, pra në vepra të tilla komplekse mund të jenë përvjedhur gabime, pasaktësi e të meta të tjera, prandaj u luten lexuesve t’ua bëjnë me dije, me qëllim që të përmirësohen në botimet e ardhshme. Kolegu im i vyer prof. Ferdinand Leka, prej të cilit kam mësuar mjaft sende të dobishme, jo vetëm nga gjuhësia, po edhe nga njerëzia intelektuale, thotë se çdo përdorues i vëmendshëm i një fjalori të paktën një gjë do ta dijë më saktë a më drejt, nga përvoja e vet jetësore, sesa hartuesit e fjalorit, dhe se do të ishte ideale që hartuesit të merrnin dijeni për të gjitha vërejtjet e përdoruesve.
Edhe te botimi i ri i “Fjalorit enciklopedik” shënohet se Akademia e Shkencave e Shqipërisë mirëpret vërejtjet e sugjerimet e lexuesve, që do të shërbejnë për përmirësimin e kësaj vepre në ribotimet e ardhshme.” Nuk mbaj mend ta kem takuar ndonjëherë këtë kritik 35 vjet të vonuar të zërit “Seminari arbëresh i Palermos” në “Fjalorin enciklopedik shqiptar”,që ka zgjedhur fejsbukun për të shfaqur vlerësimet e tij për veprën dhe për mua si redaktor i saj. Dhe është pikërisht koha për t’u kushtuar vëmendje këtyre vlerësimeve, sepse Akademia e Shkencave e Shqipërisë po nis një punë të re në fushën e enciklopedisë. Ata që do të merren me ngritjen e strukturave shkencore për këtë vepër, le të kenë parasysh se redaktori që do të caktohet për “Enciklopedinë shqiptare”, duhet të jetë i tillë që të dijë të kapë e të ndreqë gabimet e mundshme në datat e themelimit të institucioneve të ndryshme si rasti i Seminarit të Palermos, të dijë mirë datat e ngjarjeve historike, kulturore etj., vitet e botimit të kësaj ose asaj vepre, të dijë me përpikërilartësitë e maleve, thellësitë e deteve e të liqeneve, gjatësinë e lumenjve etj.etj., dhe të ndreqë të gjitha lajthimet e hartuesve, se ndryshe do të detyrohet ta hajë turpin me bukë!
Por nuk është çështja vetëm te gabimi në datën e themelimit të Seminarit të Palermos. Krtiku në fjalë shprehet me një revoltë emfatike: Mjerim, e turpshme dhe e pafalshem qe zerat per boten arbereshe i kane marre persiper dhe i kane shkruar amatore te ketille. Po cilët janë ata që i kanë marrë përsipër dhe i kanë shkruar zërat për Botën Arbëreshe? Janë (alfabetikisht): Agron Xhagolli, Ahmet Kondo, Ali Xhiku, Andrea Varfi, Dhimitër Shuteriqi, Ferid Hudhri, Françesko Altimari, Gjovalin Shkurtaj, Hamit Boriçi, Jorgo Panajoti, Jup Kastrati, Klara Kodra, Koço Bozhori, Koli Xoxe, Emil Lafe, Matteo Mandalà, Nasho Jorgaqi, Nuri Abdiu, Petraq Xoxa, Petro Lati, Qemal Haxhihasani, Riza T. Drishti, Shaban Demiraj, Vehbi Bala. Tani mbetet të dihet se cili tjetër bashkë me mua hyn në grupin e “amatorëve të këtillë”, në mos të gjithë.
Kohët e fundit pata rastin të shfletoj Buletinin e Universitetit të Shkodrës (2017, nr. 67), ku më tërhoqi vëmendjen përmendja e “Fjalorit enciklopedik” dhe emrit tim te artikulli “Vincenzo Basile SJ (1811–1882)” (misionar italian i Urdhrit të Jezuitëve, autor shkrimesh e librash shqip). Në këtë artikull mund të lexohet edhe se: “Fjalori enciklopedik shqiptar” (2008–2009) është “pjellë e suksesit të shpëlarjes së trurit”, ndërsa botimi i parë i këtij fjalori (1985) është “pjesë përbërëse e shpëlarjes së trurit” dhe se “në kohën tonë të të ashtuquajturit tranzicion kulturor shqiptar, në bordet drejtuese dhe redaksitë përgjegjëse të veprave enciklopedike me rëndësi kombëtare gjëllijnë ende pjella hibride të atij orientimi intelektual-ideologjik dështak. Andaj nuk kemi përse bëjmë sot aspak çudi që „Zoja e Shkodrës‟ dhe „Fugura‟ e saj nuk figurojnë si zëra të veçantë sado minorë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, qoftë në botimin e parë (Tiranë 1985), por sidomos në ribotimin e tij në tri vëllime (Tiranë 2008/9)”.
Duket si e habitshme që revista shkencore e një Universiteti shtetëror me traditë mbi 60-vjeçare, siç është Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, të shkasë në një lloj bullizmi akademik dhe të ketë vlerësime e fjalë të tilla për një vepër kolektive të Akademisë së Shqipërisë dhe për akademikët e saj, se pjesën më të madhe e më të rëndësishme të “Fjalorit enciklopedik” ata e kanë hartuar ose e kanë kaluar nëpër duar dhe e kanë miratuar për botim. Dhe janë këta akademikë me tru të shpëlarë, që i kanë dhënë titullin e profesorit autorit të kësaj kritike! E në këtë mes nuk duhet lënë mënjanë kontributi i studiuesve të shumtë nga Universiteti i Shkodrës në atë vepër, ndër të cilët edhe anëtarë të redaksisë së Buletinit që boton verbërisht vlerësime të tilla.
Sidoqoftë, kur është fjala për të përmirësuar diçka, kritikat, sido që të bëhen, sjellin një shërbim të dobishëm dhe meritojnë falënderime. Krahas kësaj, dobia tjetër është se në to pasqyrohet e zbulohet edhe personaliteti njerëzor i autorëve të kritikave, që shkallëzohetnë diapazonin e gjerë moral që nga fisnikëria e dashamirësia intelektuale deri te të kundërtat e tyre të mjerueshme e të dhimbshme.























