Gëzim Zilja: U votua për kryetarët, jo për demokracinë

275
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Qysh pas vdekjes së Skënderbeut, ajka e fisnikërisë shqiptare shkoi nën shpatën e turkut ose emigroi. 450 vjet nën errësirën e Turqisë, u ndalua shkrimi e libri shqip. Shto 15 vjet mbretëri dhe 45 vjet diktaturë, në mungesë të plotë të lirisë, ishin një dëm i pallogaritshëm në mendjen e shpirtin e shqiptarëve. Frika, servilizmi, mungesa e vlerësimit për vetveten zunë vend te njeriu i varfër për hir të mbijetesës dhe deformuan dalëngadalë zemrën e shpirtin e tij, sepse instikti i vazhdimësisë së jetës, është më i fortë se çdo instikt tjetër, arsye ose parim. Popujt e varfër e të paditur mësohen shpejt me zgjedhën, si qetë e parmendës. Edhe sot në demokraci, vazhdojmë të jemi hipokritë, të themi e të bëjmë diçka të ndryshme nga ajo që mendojmë në të vërtetë. Vazhdojmë t’u shërbejmë me zell zotërinjve të rinj e të vjetër, të mos e duam e respektojmë njëri-tjetrin, të urrehemi e të zihemi si qentë e rrugëve, të mos kërkojmë falje, të mos jemi kokëulur e të përgjegjshëm. E kemi humbur me kohë udhën e zotit e të dashurisë njerëzore. Jemi në mëshirën e kryetarëve të partive, që kanë zëvendësuar edhe Zotin vetë. Mos prit gjë o shqiptar, kudo ndodhesh e punon nga ata, që pasurohen në mënyrë të padrejtë, që shembin teatrot, stadiumet, kinematë, bibliotekat e muzetë, shkatërrojnë pyjet, lumenjtë, liqenet, për të ngritur pallate e vila, që shesin e japin me qera detin, portet e tokat të atdheut, pa lejen e sovranit, sepse kanë si qëllim të vetëm, -pasurimin.

Një kandidate grua, që ndërron tridhjetë herë, në tridhjetë ditë fustanet, xhaketat e çantat gjatë fushatës elektorale, një kandidat, që kërkon votën e fukarait me njëqind halle e me fëmijën e sëmurë, në këmbim të parave, një pushtetar ose ish pushtetar, (nuk flas për sipërmarrësit e tregëtarët), që jetojnë në vilë miliona dollarëshe, janë hajdutë, të pandershëm, mizorë dhe kriminelë. Prandaj qofsh i kuq, blu a mavi, o njeri, njësoj je i mashtruar dhe jeta jote nuk do të ndryshojë, kushdo parti të fitojë. Ti prapë do të ndihesh i fyer, i mënjanuar, i përbuzur dhe i varfër. Mitat Frashëri më kot ulërinte me thënien e tij të famshme: “Nëpunësit dhe të zgjedhurit duhet të jenë shërbestarë të popullit.” Ne nuk kemi dhe as kemi për të pasur nëpunës e të zgjedhur shërbestarë, por do të kemi si deri tani nëpunësa grabitqarë, të pafytyrë, që i shërbejnë vetes dhe kryetarit të partisë. Kjo ndodh se në Shqipëri, nuk kemi drejtues partish, por sundimtarë e pronarë të partive. Edhe në këto zgjedhje, kandidatët për deputetë u shpallën ditën e fundit, pasi dolën nga listat e xhepit të kryetarëve të partive e jo nga votuesit e thjeshtë. Të zgjedhurit, me pak përjashtime, janë njerëz të besuar apo të afërt të sundimtarëve të partive dhe nuk meritojnë votën e popullit. Ndjenja e urrejtjes që vjen nga lart poshtë, është e qëllimshme dhe ushqehet sistematikisht nga politikanët. I patë ata që u përgjakën egërsisht në qendrën e votimit në Tiranë? Nuk janë milionerë, as miliarderë. U ndeshën  si armiq dhe donin ta hanin të gjallë njëri-tjetrin. U qëlluan me karrige e ç’të mundnin në prani të policisë dhe po të kishin armë, jam i sigurt se do t’i shkrehnin mbi kundërshtarin politik. Kryetarët vazhdojnë të ushqejnë urrejtjen midis këtyre fukarenjve, që nuk kuptojnë se nuk po përpiqen për ruajtjen e votës së popullit, por për sundimin e pasurimin e kryetarëve, servilëve, hajdutëve e oligarkëve. Mos prisni asgjë nga kjo apo ajo klasë e sotme politike e grup deputetësh! Ata sërish do të grinden si qentë në parlament, do të hyjnë e do të dalin nga parlamenti, do të kalojnë nga një grup parlamentar te tjetri si pa të keq, në këmbim të favoreve e parave.

Kurrë nuk do të ngrihet një shtet i së drejtës, derisa vota shitet e blihet si send në Pazar dhe këtë popullit, ia mësuan politikanët. Kurrë nuk do të ketë drejtësi, derisa kryetarët e partive do të emërojnë e ç’emërojnë sipas qejfit, kur brenda partive nuk do të votohet e nuk do të ketë fjalë të lirë. Nëse brenda partive nuk ka demokraci, nuk ka fjalë e zgjedhje të lira, mos prit o shqiptar kudo të jesh e të ndodhesh, demokratizim të jetës në Albani. Para tridhjetë vitesh, kur partitë shqiptare sapo kishin lindur, gjëmonte thirrja: “një anëtar, një votë” madje u kërkua, që në parti të lejohej, mendimi ndryshe. Por me kalimin e viteve, gjithë kryetarët e partive, të rinjë e të vjetër, rritur e edukuar me ideologjinë e zhvatjes, u kthyen në autokratë e sundimtarë. Zgjodhën e rekrutuan rreth vetes servilë, mashtrues, hajdutë, jo rrallë kriminelë dhe mbytën zërat e lirë. Guxoni ju pushtetarë, ministra, deputetë e shefa të shpreheni ndryshe nga kryetari i partisë ose kryeministri; kërkoni që në partitë tuaja, pozitë e opozitë, të votohet! Do të shpalleni armik e do të flakeni si dikur, kundërshtarët e Enver Hoxhës. Vetëm se nuk nuk do t’ju fusin dot në burg sepse  “neni 55” është shfuqizuar.

170 vjet më pare, poeti i madh gjerman Hajnrih Hajne (1797-1856), do të shpjegonte në tetë vargje në mënyrë therrëse, thelbin e një shoqërie të padrejtë dhe do të jepte mesazhin e fuqishëm: nëse nuk lufton për një jetë më të mirë, as të jetosh nuk ke të drejtë sepse jeta jote nuk ka asnjë vlerë:

Kush ka shumë, ai më shumë
Do të marrë mbi të tjerë
Kush ka pak, atij më pak
Do t’i lënë përngaherë

Po kush gjë prej gjëje s’ka,
Drejt te varri le të shkojë.
Se kush s’ka o rreckaman,
S’ka të drejtë as të jetojë.

Vetëm zgjimi i etjes për dituri, për vlerat e vërteta, respekti për pronën e familjen, dashuria për njeriun e atdheun mund ta rimëkëmbë një popull si ky yni, (është bërë për gjynah), mund ta bëjë të jetë në gjendje të zgjedhë vetë drejtuesit e duhur, sepse ai kurrë nuk ka zgjedhur, por ka votuar, atë që i ka caktuar kryetari i partisë dhe besnikëve të tij.