Ahmet Shqarri: Emocion i rallë, finalet e Kupës së Kampionëve të Evropës në volejboll për femra, zhvilluar në Forli të Italisë në vitin 1989

55
Sigal

– “Dinamo” –ja, e Kreshnik Tartarit zuri vendin e tretë ndërmjet katër finalistëve, duke mundur ekipin frances “Rasing” të Parisit

– Çasti më i vështirë kur u përballëm me ekipin sovjetik “Uralçka”, gjë që ndodhte për herë të parë pas 30 vjet të prishjes së marrdhënieve

Ahmet Shqarri, “Mjeshtër i Madh”

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që kombëtaren ta shoqëronin kaq gazetarë sa atë ditë, kur po fluturonin për në kryeqytetin e Lituanisë. Situatat e reja politike pas viteve ’90, shkatërrim i perdes hermetike që ndante Shqipërinë nga bota, bënë që të lehtësohej së tepërmi kontakti edhe i gazetarëve tanë me ata të vendeve të tjera. Por mbi të gjitha ishte një faktor tjetër i rëndësishëm ai që bëri të mundur atë udhëtim të parë, por edhe të tjerët që erdhën më vonë të një grupi gazetarësh në drejtim të atij vendi aq të largët siç ishte Lituania. Federata Shqiptare e Futbollit nisi t’i bënte më mirë llogaritë e saj. Kështu që, në vend të prenotimit të biletave për linja të ndryshme të avionëve nga ku duhej të udhëtonin futbollistët e përfaqësueses sonë, që luanin nëpër vende të Evropës, angazhoi një avion charter, që i kushtonte më lirë. Dhe, në atë avion, si dhe në të tjerë më vonë, ku luante kombëtarja, vendet që mbeteshin bosh nga lojtarët dhe anëtarët të delegacionit, filluan të mbusheshin me gazetarë, të cilëve ky udhëtim ia kursente biletën. Kjo metodë është ndjekur disa herë, duke u rritur gjithnjë e më tepër numri i gazetarëve, që vazhdojnë ta shoqërojnë Kombëtaren madje nëpër këta avionë charter, shpesh kanë udhëtuar edhe mjaft tifozë shumica e të cilëve biznesmenë, të cilët kishin dhe kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e qëndrimit nëpër vendet ku luan Kombëtarja. Megjithatë, jo gjithmoinë avionët charter kanë qenë “goma e shpëtimit”, sepse disa herë udhëtimet për atje ku luante Kombëtarja janë bërë me linja të ndryshme ajrore, sipas interesave financiare të Federatës dhe kështu gazetarët janë detyruar të ndjekin linja të tjera, duke përballuar vetë shpenzimet e udhëtimit për në Gjermani, Bullgari, Maltë, Slloveni, e ndonjë vend tjetër. P.sh. kështu është vepruar, si në Greqi, kur Tërmeti i 1999-ës bëri që ndeshja atje të mos luhej dhe gazetarëve, bashkë me të tjerët që kishin ardhur të ndiqnin lojën e Kombëtares sonë, t’u shkonin dëm biletat e atij udhëtimi!… Sidoqoftë, këto udhëtime, kush më shumë e kush më pak, kanë lënë mbresa dhe emocione, të cilat janë kushtëzuar nga lojrat e Kombëtares sonë, nga niveli i paraqitur prej futbollistëve, profesionalizmI i të cilëve, për të qënë realist, nuk ka qënë gjithnjë i pëlqyeshëm. Megjithatë në këtë botim kam zgjedhur mbresat e disa prej këtyre udhëtimeve, që përmbajnë jo vetëm ekstratin e lojërave të Kombëtares sonë të futbollit, por edhe elementë të tjerë jetësorë, që i kam “vjel” nga ato pak ditë të qëndrimit tim nëpër vende të ndryshme të botës. Sepse ndryshe do të numëroja shumë të tjerë, sidomos me basketbollin, çiklizmin, peshëngritjen, por veçanërisht me volejbollin që kanë qënë edhe ato të mbushura me mjaft ngjarje të bukura dhe interesante. Sa për ilustrimin kujtoj finalet e Kupës së Kampionëve të Evropës në volejboll për femra, zhvilluar në Forli të Italisë në vitin 1989 dhe ku “Dinamo” –ja e Kreshnik Tartarit pat zënë vendin e tretë ndërmjet katër finalistëve, duke mundur ekipin frances “Rasing” të Parisit. E kujtoj atë ngjarje sepse ndeshjet e luajtura të skuadrës sonë i kam transmetuar drejtpërsëdrejti, duke u lidhur me Radio – Tiranën në çastet kur loja i afrohej fundit. Dhe çasti më i vështirë në atë transmetim ka qënë kur u përballëm me ekipin sovjetik ”Uralçka”, gjë që ndodhte për herë të parë pas 30 vjet të prishjes së marrdhënieve tona me BS. Them i vështirë, sepse para nisjes për në këto finale, kur dihej se merrte pjesë edhe një ekip rus, asnjëri nga drejtuesit e atëhershëm nuk na pat dhënë ndonjë porosi se si të vepronin?! Megjithatë sikur të mos ishte përfaqësuesja e një “shteti armik”, kronika e kësaj ndeshje që luajti “Dinamo” u dha pa asnjë ngjyrim emocional, aq më tepër se kundërshtari atë ditë na mundi me rezultat të thellë. Por po flisnim për atë se udhëtimet ku përfshihen ngjarjet, që zënë vend në këtë libër, kanë të bëjnë më shumë me futbollin, ku megjithatë jo gjithmonë ka qënë e pranishme ndonjë skuadër e jona ose transmetimi i një ndeshjeje. I kësaj natyre ka qënë p.sh. udhëtimi në Portugali në Vendon e quajtur si “Brazili i futbollit në Evropë”, apo udhëtimi në Austri dhe në Itali ku veç ndeshjeve finale të luajtura në kryeqytetet e tyre për Kupën e Kampionëve të Europës në futboll, përfshihen edhe mbresa nga ngjarje të tjera të mëdha sportive si garat e “Grand Prix” në atletikë të zhvilluara në Milano, apo kujtimet nga takimi me një ish kampion bote gjatë një turneu ndërkombëtar boksi në Venecia; për të kaluar pastaj përtej Oqeanit gjatë udhëtimit të parë të një ekipi shqiptar futbolli në SH.B.A, apo pjesmarrja nëpër Kongrese Botërore të Gazetarëve Sportiv si në Kanada e Spanjë, për të përfunduar po nëpërmjët sportit edhe në Kosovën tonë të lirë, udhëtimi nëpër të cilën dikur quhej si një tokë të huaj!?..

Të gjitha këto mbresa e kujtime që përbëjnë një histori më vete jam përpjekur t’i rradhis në faqet e këtij libri, ndërkohë që “udhëtimi” me Kombëtaren ka edhe fletë të vjetra “ të pashkruara” për ngjarje të tilla tronditëse, siç kanë qënë ato në 7 shtatorin e vitit 1990, kur do të luhej ndeshja me Greqinë për eliminatoret e kampionatit Europian të Futbollit. Atë ditë tërmeti i tmerrshëm që goditi Athinën duke shkatërruar tragjedi në kryeqytetin grek bëri që ndeshja të nesërmen të mos zhvillohej. Por me këtë rast megjithatë nuk kam se si të mos kujtoj paradoksin e asaj dite kur ndeshja e skuadrave “Shpresa” sidoqoftë u zhvillua! Kështu në Stadiumin “Karaiskaqis” të Pireut, edhe pse nën dridhjen e vazhdueshme të tërmetit që nuk pushonte, kemi ndjekur gjithë atë lojë që tanët e humbën 5-2, ndërkohë që futbollistët e Kombëtares sonë, duke ju trembur lëkundjeve të tërmetit, në panik braktisën dhomat komode të Hotel-Chandris ku ishin akomoduar dhe preferuan barin e lulishteve aty pranë për të kaluar jashtë në natyrë atë natë të frikëshme e plot makth. Le ta vazhdojmë udhëtimin tonë nëpër meridian të ndryshëm dhe mes yjeve të shndritshëm.