Abdurrahim Ashiku: Veprat ujore, monument i madh i popullit dibran

269
  • – Vjeshta e viti 1952 dhe pastaj viti 1953 janë momente të një entuziazmi të madh për ndërtimin e veprave ujore nw Dibwr
  • – Si u futën nën ujë 1318 hektarë tokë, pak më shumë se sa ishin futur gjatë pesë vjetëve të fundit.
  • – Puna vetmohuese për hapjen e kanalit Çaj-Vilë-Draj Reç 65 kilometër i gjatë, kanal i cili ujiti për herë të parë 400 hektarë tokë në rrethet Kukës-Dibër.
  • Shënime nga  “Fletë të zverdhura ‘80”
Sigal

Dhe një pyetje për dibranë:


A DO TA LINI QË GJITHË KËTË DJERSË TË NJË BREZI TË TËRË TA ZHYSIN E TA MBYSIN NË HURDHËN E SKAVICËS?

Dibra ka një monument të madh. Përmasat e tij kanë përmasat e rrethit, shtrihen nga mali i Korabit në malin e Dejës, nga liqenet e Valikardhës  në liqenet e Lurës. Monumenti është vepër e krijimtarisë dhe e djersës së popullit dibran. Një bisedë, qoftë kjo e ilustruar më së mirë flet pak  për madhështinë e vërtetë të këtij monumenti, Veprave Ujore të Dibrës.
Duhet të kesh qenë në Setë, të kesh kaluar nëpër Gjalicat e Lurës, në atë kanion ku bukuria e natyrës është e rrallë, e papërsëritshme, në atë sokak malesh ku vështirësitë e kalimit gjithashtu të rralla janë, nuk i gjen gjëkundi. Duhet të kesh qenë tek liqenet e Shtrungës në Selishtë, tek liqenet e Valikardhës e të Lurës, duhet të kesh pirë ujë në burimet në prehër të Korabit e të kesh ndjekë rrjedhën shkumëborë të Veleshicës, duhet të njohësh në kohë e hapësirë që të ndjesh bukurinë dhe madhështie e kësaj vepre, heroizmin masiv popullor në ngritjen e saj.
Sikur ti bashkoje në një të gjithë kanalet kryesore ujitës të Dibrës dhe të udhëtoje trasesë së tyre me një makinë me shpejtësi 40 kilometra në orë, një ditë e një natë udhëtim pa pushuar nuk do të mjaftonte. Kanalet kryesorë ujitës në Dibër sot maten me gjatësinë e kufirit shtetëror të Shqipërisë.
Mundësitë për të udhëtuar e për ta parë këtë vepër madhështore, vepër arti me autor popullin e Dibrës, nuk janë. Një bisedë e ilustruar me fotografi dhe pas saj një film i pjesshëm mendoj se do të na e japë paksa afër bukurinë dhe madhështinë e saj.
Por përpara se të shkruajmë për kanalet, ujëmbledhësit, liqenet, stacionet e pompimit, etj., etj., ka vend të hedhim një vështrim mbi Dibrën, trevën ku hodhi themele dhe u rrit kjo vepër e bukur e saj.

 


Dibra ka një sipërfaqe prej 1569 kilometra katrorë. Në lindje kufizohet me Jugosllavinë në një vijë kufiri shtetëror 90 kilometra. Në veri kufizohet me Kukësin në një vijë kufiri të brendshëm 70 kilometra, në veri-perëndim me Mirditën në 13 kilometra, në perëndim me Matin 60 kilometra dhe në jug me Librazhdin 33 kilometra.
Dibra është  një ndër rrethet më të mëdhenj në sipërfaqe, i katërti në shkallë Republike. Është një rreth me përmasa të mëdha, 271 kilometra në perimetër dhe 140 kilometra në diametër (nga Llanga në kufi me Librazhdin në Draj – Reç në kufi me Kukësin). Për numrin e fshatrave të veçantë, 192, zë vendin e parë në Republikë. Sipërfaqja nën kulturë duke përfshirë edhe bimët drufrutore zë 19 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të rrethit. Tokat nën kulturë shtrihen nga 350 në 1800 metra mbi nivelin e detit. Madhësia e ngastrës është nga disa hektarë në luginën e Drinit në disa metra katrore në fshatrat malorë. Dominojnë tokat me pjerrësi 15 deri 25 për qind, 11.750 hektarë, tokat me pjerrësi 5 për qind zënë 9.500 hektarë, kurse ato me pjerrësi 50-100 për qind 3.800 hektarë.
Dibra ka një rrjet hidrografik të gjerë. Ka Drinin e Zi me degët e tij të shumta, ka liqenet me origjinë tektonike akullnajore që shtrihen në lartësi 1600-1700 metra mbi nivelin e detit, ka burime natyrore të shumta.
Drini i Zi me degëzimet e tij përbën bazën e rrjetit ujitës në rrethin e Dibrës. Drini, brenda Dibrës ka një pellg ujëmbledhës prej 5817 kilometra katrore dhe një gjatësi prej 57 kilometër. Drini, për shkak se ndodhet në fund të luginës, nën nivelin e tokave të kultivuara, nuk shfrytëzohet për ujitje me rrjedhje të lirë. Pas viti 1975, me ngritjen e disa stacioneve të pompimit në Maranica të Maqellarës, në Luzni, Pasmarë të NB-së etj., ujitja e tokave me ujërat e Drinit zë rreth 3-4 për qind të tokave nën ujë.
Me interes për ujitjen e tokave në Dibër janë degët e Drinit të Zi, Zalli i Okshtunit, Zali iZeqanit, Murra, Seta, Veleshica, Malla e Lurës, përroi i Gramës, Peshkopisë, Maqellarës etj.,etj.

Zalli i Okshtunit: Ka një gjatësi 34 kilometra. Buron në malet e Prodanit, Kryesorë për të janë burimet e Borovës të cilat në verë japin 600 litra ujë në sekondë. Ushqen disa kanale të vegjël që përdoren për ujitjen e tokave të zonave Klenjë, Strikçan, Okshtun, Gjoricë. Prej tij në ujitje shfrytëzohen 1200 litra në sekondë.

Zalli i Bulqizës: Është 23 kilometra i gjatë. Merr ujërat e Liqenit të Zi të Valikardhës si dhe burimet e malit të Duriçit, të Dushajt etj. Është shfrytëzuar mjaft mirë për ujitjen e tokave të Bulqizës, Zerqanit, Strikçanit, Shupenzës etj. Nga Zalli i Bulqizës ujiten mbi 1600 hektarë tokë.

Murra: Ka nj gjatësi prej 19 kilometra. Mbushet me ujë nga rrjedhjet e liqeneve të Kacnisë dhe burimet e Qafë-Murrës. Ujit tokat e Selishtës dhe Muhurrit. Me ndërtimin e sifonit Muhurr-Kodra e Gjarajcës është bërë e mundur të futen nën ujë blloqet frutore të Zdojanit të Ndërmarrjes Bujqësore dhe tokat e kooperativave Qendër e Kastriot.

Seta: Është 13 kilometra e gjatë. Buron nga Kurora e Lurës, nga liqenet e bukur të saj. Rrugës merr me vete  burime të shumta midis të cilëve edhe burimin ujëplotë të Setës prej ku nis edhe vepra ujore me të njëjtin emër. Seta ka një prurje në korrik-gusht prej 1.6 metër kub në sekondë. Ujit me rrjedhje të lirë tokat e Çidhnës, Dardhës e Reçit dhe me sifon tokat e Sinës, Fushë-Çidhnës, Kastriotit deri në Vakuf.

 

Veleshica: Ka një gjatësi 15 kilometra. Ujërat i merr nga burimet e shumta të Korabit. Kur shkrin bora përcjell 10 metra kub ujë në sekondë ndërsa gjatë verë 600 litra ujë në sekondë. Shfrytëzohet plotësisht për ujitjen e tokave të zonës Kala e Dodës, Sllovë dhe Sllatinë në rrethin e Dibrës dhe në disa kooperativa bujqësore në rrethin e Kukësit. Mbi bazën e burimeve të pastra e të ftohta të Korabit është ndërtuar ujësjellësi i Peshkopisë dhe i 18 fshatrave me një prurje prej 121 litra ujë në sekondë.
Për ujiten e tokave në Dibër me interes janë edhe disa përrenj malorë si ai i Ostrenit, Radoveshit, Llixhave, Gramës, Maqellarës etj., përrenj të cilët bartin ujërat e dëborës dhe venë nën ujë qindra hektarë tokë. Me nikoqirllëk janë shfrytëzuar burimet si ato të Vleshës, Kovashicës, Zerqanit, Boroës etj. të cilët llogariten të kenë një prurje prej 200-600 litra në sekondë, si dhe shumë burime të tjerë me një prurje nën 100 litra ujë në sekondë.
Dibra ka shumë liqene malorë me origjinë tektonike akullnajore. Liqenet e Lurës janë të njohur për bukurinë e tyre që të mahnit. Por po kaq të bukur janë edhe liqenet e Kacnisë, liqenet e Tërnovës, të Bulqizës etj. Dora e kujdesshme e dibranit bukurisë së tyre i shtoi edhe begatinë.
Këto burime përbëjnë një pasuri të madhe për bujqësinë në rrethin e Dibrës, përbëjnë një pasuri të madhe edhe për energjetikën. Nga hidrocentralet e vegjël lokalë në Dibër, hidrocentrale të ndërtuar kryesisht mbikanale ujitës, sot sigurohen mbi 15 milionë kilovatorë energji elektrike në vit dhe është në zbatim studimi për të ndërtuar në kaskadat e kanaleve e kanaleve malorë edhe disa hidrocentrale të tjerë të vegjël që do të sigurojnë rreth 35-40 milionë kilovatorë energji elektrike. Vlerat e kësaj energjie rriten për faktin se ajo merret në përgjithësi pa cënuar ujitjen e tokave, merret gjatë verës kur prodhimi nga hidrocentralet bie për shkak të thatësirës.

 


Veçori e burimeve ujore në Dibër e rrjetit të kanaleve ujitëse është se ata japin bukë dhe dritë, dy gjera për të cilat populli ka aspiruar në shekuj, gjëra të cilat koha i nxori nga kufiri i legjendave për ti vendos në çdo vatër.
Burimet ujore që përshkruam janë shekullorë. Edhe Drini, edhe degët e tij, edhe liqenet e Lurës e të Tërnovës kanë rrjedhë e rrjedhin vazhdimisht drejt detit. Vargjeve të Nolit:
“Pranë detit i palarë
Pranë dritës i paparë
Pranë sofrës i pangrënë
Pranë dijes i pan nxënë” …
ka vend për ti shtuar edhe:
“Pranë ujit, buzëçarë
Pranë lumit, tokë tharë”.
Popullit nuk i mungoi imagjinata, as dëshira e guximi për të çarë malet e për të sjellë ujin në arat e thara, ku siç shpreheshin në Çidhën misrin me rrënjë një laraskë me sqep e ngrinte.
Kërkesë së Çidhnakëve për të marrë ujin e Setës, një inxhinier i një vendi që më vonë do të aspironte për tu bërë perandor do ti përgjigjen se “kjo është një ëndërr e marrë” dhe se “edhe sikur Zogu ti kishte sarajet këtu dhe të derdhte gjithë floririn e tij, kjo gjë nuk mund të bëhej”.
Letrave të pleqnisë së Radoveshit që kërkonin “50 kuintal çimento” për të bërë “një shtresë me çimento në vendet ku rrjedh ujët e vijës”, gjë e cila “kishte me i sigurue gjithë katundit bukën e nevojshme”, letrës së kryepleqësisë së katundeve Homesh, Boçevë e Shupenzë të cilët kërkonin “një sasi qyngjesh hekuri ose çimentoje” për të rregulluar “200 metra gjatësi” të një vije që ishte “këputun nga shinat e tepërta që kanë ra”, regjimi anadollak i Zogut do ti përgjigjej me heshtje…
Xha Ganiu, Gani Tuçepi (Koçi), inxhinieri i talentuar popullor i ndërtimit të veprave ujore, njeriu që për tetëdhjetë e ca vjet nuk iu nda ujit dhe ujitjes në Dibër e në rreth të tjerë, tregonte shumë raste kur paria dhe aparati feudo borgjez në fuqi, me forcën e armëve dhe të intrigës i la shumë kanale në piket. Ai ruante si shumë të çmuar takimin e parë me shokun Enver Hoxha në vitet e para pas Çlirimit dhe porosinë inkurajuese të tij se “edhe sikur kanali ujitës të kalojë mes fabrikës- të bëhet”.
U krijua trualli i shëndetshëm ku veprat ujore mbinë dhe u rritën si gruri, u ngjitën, çanë malet atje ku s’ta pret mendja.
Ndërtimet ujore në Dibër janë vepra arti. Ato janë pjesë e pandarë e kulturës së bujkut dibran, e punës së tij me tokën dhe bimën. Është e njohur kultura e bujkut dibran për brezarimin e tokave, për punimin rrafsh të tyre, për ujitjen në tokat e rrafshëta dhe në ato me pjerrësi të madhe, për drenimin me mjete rrethanore etj.
Pranë çdo çezme, sadopak ujë të kishte, bujku hapte një hurdhë me të cilën ujiste disa dhjetëra e qindra metra katrore, e në raste të veçanta disa dynymë. Përpjekjet individuale për ujitjen e tokës bashkoheshin herë-herë në përpjekje në shkallë lagjeje e fshati dhe në raste të veçanta edhe disa fshatra së bashku. Toka, më parë se të thithte ujin kishte thithur djersën e dibranit, edhe gjakun e tij. Janë të shumta rastet kur vëllavrasjet apo vrasjet nga paria kishin si burim ujin dhe ujitjen e tokave.
Ndërtimi i veprave ujore në Dibër është bërë me shpërthim, me hop, me aksion masiv të njerëzve në të gjitha fshatrat e zonës, në shkallë fshati, të disa fshatrave bashkë, në shkallë zone e rrethi. Kur është hedhë fjala për ujin dhe ujitjen në Dibër është ngritë në këmbë i madh e i vogël. Është ky një element i psikologjisë shoqërore për ndihmë njeri tjetrit që nga viti në vit është rritur duke u ngjitur në shkallët më të larta.
Vitet e para pas Çlirimit të vendit, janë viteve të ndërtimit të veprave ujore masive në numër, janë vite të një pranvere luleshumë. Gazetat e kohës e në veçanti gazeta “Bashkimi” në vitet 1945-1946 flet për “iniciativën e aksioneve popullore” në ndërtimin jo vetëm të kanaleve të vegjël si ai i Zerqanit, Rreth-Kales etj. që ujitnin nga 5 deri 10 hektarë tokë por edhe për kanale të tillë të mëdhenj si Shulla – Zall – Kalis 17 kilometra i gjatë që vinte nën ujë 500 hektarë tokë, Radomirë Kalis 20 kilometra i gjatë që ujiste 200 hektarë tokë etj. Vitet 1949-1951, janë vite të një guximi popullor për ndërtimin e veprave ujore të gjata, vepra ujore që vadisin zona të tëra. Njeriu si një qenie shoqërore, i ndërgjegjshëm për atë që bën, me organizim e disiplinë, me talentin e vet që buronte nga përvoja e popullit, me forcën e krahut dhe të mendjes arrin të bëjë vepra që kur i mat sot me mundësitë e kohës çuditesh. Zgjidhja që iu bë veprës ujore Korab-Sllatinë duke prerë pishat, duke u gërryer atyre zemrën me sqepar e sëpatë e duke sajuar pastaj me to njërin sifon pas tjetrit, në kilometra të tëra, përbën një vepër arti që nuk ia gjen shoqen. Në ato vite kur Shqipëria hidhte hapat e parë duke i ngjitur ngadalë por me themel shkallët e jetës ishte e pamundur të gjeje tuba çeliku për sifone, çimento për betonime e pllaka betoni, rrugë për ti ngjitur ato në Korab. Vjeshta e viti 1952 dhe pastaj viti 1953 janë momente të një entuziazmi të madh për ndërtimin e veprave ujore. Futen nën ujë 1318 hektarë tokë, pak më shumë se sa ishin futur gjatë pesë vjetëve të fundit. Hapet njeri ndër kanalet më të gjatë, kanali Çaj-Vilë-Draj Reç 65 kilometër i gjatë, kanal i cili ujiti për herë të parë 400 hektarë tokë në rrethet Kukës-Dibër. Kanali Tërnovë-Strikçan 35 kilometër i gjatë, kanalet Çernjevë-Sllovë e Vleshë-Shumbat, përkatësisht 17 dhe 14 kilometër të gjatë  që ujitnin përkatësisht 152, 300 dhe 150 hektarë shprehje e dashurisë së popullit të Dibrës për të ecur me hap të shpejtë përpara, për të bërë punë të mëdha.
Më 31 maj dhe 1 e 2 qershor të vitit 1960 Enver Hoxha ishte përsëri midis dibranëve. Pemët e mbjella në blloqe atë vit kishin çelë lulet e para, kishin lidhë frutat e para, kishin zgjuar gjelbërimin në kodrat e Zdojanit, Kubenit, Kastriotit. Enveri midis filizave të rinj të mollëve të Zdojanit e Kastriotit, në bisedat e paharrueshme në Brezhdan-Zdojan, Peshkopi, Dovolan, Zerqan etj. jepporosinë “Mos lini kodër pa mbjellë me pemë frutore…Brenda 4-5 vjetësh të gjitha kodrat e bukura të rrethit tuaj ti mbushni me pemë frutore”
Blloqet e bukur frutorë, plantacionet e mëdhenj me mollë, kumbulla, qershi, vishnje etj., etj. në Dibër përbëjnë një monument tjetër madhështorë të dorës punëtore të dibranit. Për këtë moment ka vend për të folur gjatë, për të sotmen dhe perspektivën…
Në përmasat e zhvillimit të pemëtarisë në Dibër po mjaftohemi këtë radhë me një kuriozitet: Sikur pemët frutore të mbjella në blloqe në Dibër ti vinim në radhë në distancat e mbjella në fakt, me to do të formohej gjatë tërë perimetrit të Shqipërisë një kurorë me lule në pranverë, me gjelbërim e fruta në verë e vjeshtë prej 8-9 radhësh…
Vitet ‘60-të janë vite të një pune sulmuese në të dy monumentet, në të dy veprat e artit, në atë për ujitjen e Dibrës dhe për shndërrimin e kodrave në blloqe të bukur me pemë frutore. Aksioni njeh ngjitjen në lartësi. Kanali i Setës, çarja e Gjallicës së famshme të Lurës, përbën një kthesë në ndërtim. Bëhet realitet një ëndërr e madhe: ujërat e Setës i ngjiten Çidhnës, rrjedhin drejt Dardhës e Reçit, zbresin e ngjiten drejt Sinës, zbresin e me sifon ngjiten në anën tjetër të Drinit; në Fushë-Çidhën, Kastriot e Vakuf…

VIJON-