80 vjet nga gjyqi fashist, kundër heroit Qemal Stafa

778
Sigal

“E vjetra po shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon gërmadhash!”

Vitet ecin në rrjedhë të pa kthyeshme, dhe brezat shfletojnë faqe të panumërta historie nga e kaluara e brezave, nga e kaluara që ka bazë një të ardhme, nga e kaluara, për të cilën asnjë shqiptar i ndershëm dhe atdhedashës, ka pse të jetë krenar, ka përse të flasë, ka se çfarë të tregojë nga gjeneratat paraardhëse të tij. Viti 2019 përmbush një moshë të pjekur po t’i referohemi moshës njerëzore 75 vjeçare, ndërsa për një vend të çliruar, për një truall të lashtë, është një moshë fare e re, sepse lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të mbarë të vendit, i urojmë veçse përjetësi. Në këtë vit që shënon vitin e 75 të çlirimit të vendit nga pushtuesit, njëherazi nëpërmenden ata që ishin protagonistët vetëmohues të asaj epoke që bëri histori, të epokës së epokës së lavdisë kombëtare. Asnjëherë, asnjë sukses apo fitore nuk vjen nga asgjëja, nga hiçi apo nga mungesa e dëshirës, vullnetit dhe përkushtimit. Aq më tepër kur bëhet fjalë për periudha kritike të historisë, kur kombit hap pas hapi dhe kthesë pas kthese, i kanoset rreziku i copëtimit, ndoshta deri në zhdukje. Sipërmarrësit e këtyre sakrificave, në të tilla çaste, kur ngjarjet dhe tragjeditë bëhen sunduese të egra, marrin meritën më të lartë dhe vlerësimin më të madh që një popull apo komb, mund të shprehë për heronjtë e tij.
Simboli më domethënës në faqet e historisë sonë, sa i përket frymës idealiste të rinisë së pas viteve 1935 dhe gjatë LANÇ, është pa dyshim Heroi i Popullit Qemal Stafa. I lindur në Elbasan, dhe i rritur në qytetin e Shkodrës, Qemali përthithi më të mirat e këtyre dy qyteteve me tradita të thella kulturore. Tek ai u brumos që herët karakteri i idealizmit, duke parë dita ditës regjimin ekonomik dhe politik të kohës që jetonte. Nga Sami Baholli përmendim: “Unë e njoha Qemal Stafën nga mesi i viteve tridhjetë, në ditë kur vendi dhe populli ynë vuanin keq nën regjimin satrap të Zogut…Në errësirën e regjimeve të kohës, në të cilën jetoi dhe punoi, Qemal Stafa shihte qartë të ardhmen…Dhe ai e shihte jo si një soditës nga larg, por si një luftëtar që me guxim përleshet me vështirësitë e armiqtë, për të arritur cakun e fitores…Nga jeta dhe vepra e Qemalit mund dhe duhet të mësojnë shumë të gjithë, e veçanërisht rinia. E gjithë jeta e Qemalit është një shembull i shkëlqyer i nënshtrimit të çdo interesi vetjak ndaj interesit të përgjithshëm…”
Për idealizmin, bindjen dhe këmbënguljen e tij në atë që besonte që ishte e drejtë dhe rruga e vetme për fitoren, edhe pse kjo ishte kryekëput kundër politikës dhe rendit shoqëror të viteve që ai jetoi, sollën edhe arrestimin e tij. Arrestimi u bë në Tiranë në korrik të vitit 1938. Bashkë me shokë të tjerë të arrestuar, ai kaloi nën një hetuesi të imët dhe intensive. Edhe pse presioni ishte shumë i lartë, “Qemali jo vetëm nuk pranoi asnjë akuzë dhe përballoi me guxim e urtësi të gjitha kurthet që i kishin ngritur xhandarët e Zogut, por me mbrojtjen që bëri i hutoi fare hetuesit, të cilët nuk kishin në dorë asnjë provë bindëse ku të bazonin akuzat e tyre. Njëkohësisht, duke u ballafaquar me shokët që kalonin provën e parë ai, me qëndrimin e tij burrëror, u jepte atyre guxim… Ditët që qëndroi në burgun e Elbasanit, Qemali e shfrytëzoi jo vetëm për të inkurajimin e shokëve, por edhe për të futur tërthorazi idetë revolucionare tek të burgosurit e tjerë, bile edhe tek ndonjë xhandar, që tregohej i sjellshëm. Me pjekurinë, thjeshtësinë dhe karakterin e tij të çelur dhe optimist, ai fitoi zemrën e të gjithëve. Fotografia që ka dalë Qemali i burgosur midis xhandarëve zë armatosur është një dokument i gjallë i moralit të tij të lartë në burgun e Elbasanit… Në nëntor – dhjetor 1938, qeveria e zogut shpërtheu një valë të madhe arrestimesh… Kështu arrestuan ne Elbasan: Riza Tolën dhe më vonë Jani Todrin (DA), Subi Dedein, Ymer (DA), Mehmet, Sali e Abdyl Myzyri (DA), Enver Palluqin, Dhimitër Lalën (DA), Todi Anastasin, Jorgji Shuteriqin, Sadik Sadedinin dhe Shyqyri Selitën. Këta…edhe Qemal Stafa, Vasil Shanto (Hero i Popullit), Sadik Bekteshi, Nazmi Rushiti (Hero i Popullit), Kristo Themelko e të tjerë, kaluan në gjyqin e madh të Tiranës…që u hap më 2 shkurt 1939, në godinën e Bashkisë së Tiranës… Në vendimin e gjyqit që u shpall më 11 shkurt, Qemal Stafa radhitet ndër ata që mbajnë përgjegjësinë kryesore, “sepse kanë organizuar shoqata komuniste, kanë përhapur ide subversive e kanë përkthyer broshura të ndaluara kundër rregullit shoqëror dhe ekonomik” Gjykata e dënon Qemalin me 6 vite burg, por meqenëse i pandehuri nuk kish mbushur akoma 18 vjeç, në bazë të kodit penal, afati i burgimit zbritej me 3 vjet. “Menjëherë pas shpalljes së vendimit, komunistët e dënuar kënduan “Internacionalen”, duke bërë të dridhej salla e gjyqit mbretëror nga tingujt himnit proletar…të shtrënguar njëri pas tjetrit, e duke pasur në mes Qemalin, dolën nga salla dhe zbritën shkallët e baskisë duke kënduar.”
Duhet theksuar se gjatë hetuesisë, Qemali dhe të tjerët të arrestuar, janë përballur veç dhunës psikologjike, edhe me tortura të egra, të cilave u rezistuan dhe i përballuan me sukses.
Pikërisht ky muaj shënon edhe 80 vjetorin e këtij gjyqi, i cili në qendër të tij kishte idealistin dhe intelektualin e parimeve të pathyeshme, duke përkrahur rrymën më të madhe të kohës që vinte nga jashtë vendit në forma të ndryshme literature. Tashmë brezi që po krijohej, kishte nisur të marrë edhe bekimin dhe mbështetjen popullore, e cila po rriste besimin tek kjo rini e qëndresës, tek simboli dhe udhëheqësi shpirtëror dhe mendor, siç është Qemal Stafa. “E vjetra po shembet, një jetë e re po lulëzon gërmadhash!”