19 vjet nga tragjedia e Karaburunit, vazhdon heshtja ndaj ish-ministrit Toska

250
Sigal

Mbushen 19 vjet nga tragjedia e Karaburunit, por heshtja vazhdon

18 burra e tre gra gjenden të pajetë 7 rezultojnë të zhdukur

Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Çdo emigrant pagoi 1500 euro për udhëtimin me gomonen e cila u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. 28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon 19 vite më parë. Këta banorë, kryesisht të qarkut Shkodër, ishin të moshës nga 15 deri në 33 vjeç. Pra u dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u rregullonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.
Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane. Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare. Pasojat? 18 burra e tre gra gjenden të pajetë në agimin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane. 7 rezultojnë të zhdukur edhe pas 19 vjetësh. Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët. Ngjarja u përjetua nga të gjithë shqiptarët, nga telefonata për ndihmë drejtuar një televizioni privat e deri në përcjelljen mortore të shqiptarëve që bënë atë që bënin shumica në atë kohë, të zgjidhnin të ishin klandestinë.

Familjarët e tragjedisë së “9 Janarit” kërkojnë hetim nga SPAK për dy ish-ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko

 Familjarë të viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 kanë paraqitur vjet në SPAK të dytën kërkesë për hetimin e kësaj çështje. Kërkesa për SPAK është e qartë: Hedhja dritë mbi 9 janarin dhe vënia e përgjegjegjësve para drejtësisë.“Ne kërkojmë nga SPAK zbardhjen e çështjes, vënien para përgjegjësisë të kriminelëve që na kanë vrarë fëmijët. Kanë vrarë 30 veta, i kanë lënë 17 orë 3 km afër bregut, nuk kanë shkuar me i marrë që të fundosen. Ne kemi 8 veta të zhdukur, ata kërkojnë varret e tyre…”, kanë shkruar familjarët.

Tragjedia nuk është zbardhur plotësisht.

Vetëm pas 13 vitesh u arrit ekstradimi për në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafilit, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin.

Çfarë kanë treguar për ngjarjen…

Ushtaraku i Flotës

Një nga ushtarakët e Flotës Detare të asaj periudhe Bektash Petoshati, është thirrur në prokurorinë e Vlorës, duke dhënë sqarime lidhur me tragjedinë e rëndë, që i mori jetën 28 personave. Përballë prokurorëve Petoshati ka rrëfyer: “Nuk janë zbatuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe nga kuadrot komandues të Bazës Ushtarake Detare Vlorë, konventa e Hamburgut e ratifikuar dhe nga shteti shqiptar. Forcat detare nuk kishin plane të gatshme, as qendrat, as nënqendrat, megjithëse duhet të kishte qenë në koordinim të plotë. Një nga pikat që ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e detyrës është mungesa e karburantit, problem tjetër me të cilin është abuzuar është gjendja e detit, ku ditën e ngjarjes deti ka qenë me forcë 3 ballë dhe jo 6 ballë siç është deklaruar nga komanda e Flotës Detare. Nuk është zbatuar marrëveshja e përbashkët midis dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe të Rendit për operacionet e përbashkëta në det. Nga komanda e Forcës Detare nuk është dhënë alarmi i menjëhershëm për ngjarjen që përfshihet në fazën operacionale që quhet “Faza e fatkeqësisë”. Anijet që kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit kanë humbur 5 orë vetëm nga mosdhënia në kohë të kushtrimit”

Pretendimet e familjarëve

Në prokurori janë marrë në pyetje dhe dhjetëra familjarë të viktimave dhe personave që mundën të mbijetojnë si dhe këta të fundit janë ftuar për të dëshmuar. Në dëshminë e tyre ka pretendime për strukturat shtetërore, lidhur kjo më tepër me mënyrën sesi arritën të veprojnë personat që organizuan kalimin e klandestinëve në Itali pa u pikasur nga këto struktura. Madje prej tyre supozohet se mund të ketë dhe bashkëpunim midis tyre, por këto pretendime nisen vetëm nga premtimet e ndërmjetësve të trafikut, për një kalim të qetë e pa probleme në Itali.

Mirëpo sipas prokurorisë së Vlorës e cila në datën 14 shtator 2011 ka vendosur të pushojë hetimet për këtë ngjarje, thuhet se nga hetimi nuk paraqitet ndonjë rrethanë apo fakt konkret që krijon dyshime për strukturat shtetërore, përfshirë rendin dhe mbrojtjen. Ka pretendime për mosdhënie të ndihmës apo për mosreagimin në kohë nga ana e strukturave detare dhe policisë, por sërish sipas prokurorisë këto pretendime bazohen vetëm në kohëzgjatjen e gjetjes së gomones dhe pasojën.

Justifikimi i ushtarakëve

Në dëshminë që kanë dhënë disa prej specialistëve të Flotës Detare, ata kanë pohuar se nuk kanë arritur të zbulojnë gomonen për një sërë shkaqesh, duke u sjellë vërdallë në det. Sipas tyre arsyet se pse ka dështuar operacioni i flotës për gjetjen e gomones me klandestinë, kanë qenë: Paaftësia e gomones për t’u shfaqur, pasi drejtuesit e këtij mjeti lundrues për të mos u zbuluar nga policia kufitare shqiptare apo italiane, gjatë transportimit të njerëzve, kanë hequr shiritat fluoreshente në bordin e gomones. Nuk janë përdorur fishekzjarrë ose mënyra të tjera të improvizuara sinjalizimi, distanca e vrojtimit shumë e kufizuar pasi për shkak të rrethanave të motit në datën e ngjarjes, distanca e vrojtimit ka qenë jo më shumë se 20 metra për shkak të errësirës, shiut dhe detit të egërsuar ku dallgët atë natë kanë qenë 4 deri në 5 metra të larta. Sipas ushtarakëve të Flotës Detare që u pyetën në prokurori në rastet e operacioneve të kërkim-shpëtimit të aplikuara sipas sistemit SAR, teorikisht kur distance e vrojtimit është 925 metra, probabiliteti i zbulimit është 20 për qind. Në rastin konkret sipas tyre vrojtimi ka qenë 20 metra dhe probabiliteti për të zbuluar gomonen në këto kushte ishte 40 herë më i vogël.

 

Ishte koha

Ishte koha e skafeve të famshme, një rrugë trafiku që zhvillohej nën dritën e hënës, por që mundej dhe në dritën e diellit. Ishte një “industri ikjesh” që kish nisur vrullshëm në 1998 e që zgjati deri në 2004. Mirëpo, si në tragjedinë e 9 janarit, e si për çdo lajm a reportazh mbi ikjet njerëzore me skafe a gomone, askush nuk fliste për “ikje shqiptarësh” si sot. I gjithë 9 janari e më pas, u pasua nga komente mbi gjithçka; trafiku, ku investoheshin të ardhurat prej tij, kush qëndronte pas skafit të mbytur, a mos bartte ajo dhe drogë, pazotësia e Rojeve Bregdetare për shpëtim etj., por assesi se shqiptarët po iknin, ndonëse, me një përllogaritje, mund të ishin po aq sa sot.

Eshtë ky një shembull se si, ndryshimi sot i konteksteve komunikative, për shkak të një “97”-te mediatike prej rrjeteve sociale dhe portalizimit të psiqikës njerëzore, problematika apo çështje që kanë ekzistuar në çdo kohë në të djeshmen, na shfaqen sot si të ndodhura për herë të parë.