Nga Vepror Hasani – Rrëfimi i Ylber Merdanit: Nënë pse qan e pyesja, por ajo s’më tregoi kurrë. Nuk po qaj, më thoshte!

Gazeta Telegraf/

Nënën e kisha parë të qante shpesh, por ajo sa herë më vinte re që unë po hyja në dhomë, fshinte lotët dhe përpiqej të dukej e gëzuar. Unë atëherë isha vetëm 5 vjeç, – nis të tregojë fatin e fisit të vet, poeti korçar Ylber Merdani. Kur nënën time, Fatimenë e gjeja ashtu, në atë gjendje, filloja të ndihesha keq. Nënë, përse qan? – e pyesja, por ajo nuk më tregonte kurrë. Jo, – më përgjigjej, – nuk po qaj, vetëm se më dhemb pak koka. Pasi më kthente si gjithnjë të njëjtën përgjigje, bënte të gjitha përpjekjet të dukej e gëzuar. Unë nuk kisha si ta besoja, por nuk arrija të kuptoja përse qante aq shpesh nëna ime…

Sigal

Fati im, i parashkruar

Një mëngjes ajo nuk mundi ta fshihte dot trishtimin e saj. Ishte herë e parë që nuk u mundua t’i fshinte lotët edhe kur unë hyra në dhomë. Nuk bëri asnjë përpjekje edhe kur erdhi babai. Lotët e saj s’kishin të pushuar. “Mirë, – i tha babai im, Fuat Merdani, – merr djalin dhe shko”. Mesa duket prindërit e mi e kishin biseduar gjithçka gjatë natës. “Shko”, – tha, babai, dhe vura re se edhe ai kishte një pikë loti tek cepi i syrit. Nëna u ngrit, më mori përdore dhe dolëm jashtë. Unë qëndroja i heshtur. Nuk e dija ku po më çonin, por nuk kisha guxim të pyesja nënën, sepse ajo edhe në rrugë i kishte sytë të lotuar. U ndalëm te porta e burgut, aty ku sot është Poliklinika. Nëna diçka bisedoi me një polic dhe paspak doli një burrë. E quanin Ajdin Kulla, ishte nga fshati Zëmblak i Korçë, nëna e kishte kushëri të parë. Ai kishte qenë kryetar i Ballit. Shumë më vonë mora vesh se Ajdin Kulla u pushkatua të nesërmen e takimit tonë. Nëna kishte shkuar për t’i dhënë lamtumirën e fundit, por mua prindërit nuk më kishin treguar asgjë, nuk donin të më trembnin. Nëna vazhdonte të qante edhe para syve të policit. Ajdini pyeti për të gjithë Merdanët, një nga një, i njihte të gjithë. Kur do të ndaheshim, më vuri dorën mbi flokë dhe më pyeti: “Po t’i nipçe, çfarë do të bëhesh kur të rritesh?” Unë ngrita sytë dhe jo pa krenari i thashë: “Unë do të bëhem komunist!” Mbaj mend që ai qeshi fort. Ndoshta nuk kishte qeshur aq shumë në gjithë jetën e tij. Nuk ndali së qeshuri as kur më ngriti në krahë dhe më puthi. “Mirë, shumë mirë, – ma ktheu, – por vetëm daja e di çfarë do të bëhesh ti kur të rritesh…”. Ishte viti 1945. Që atëherë kanë kaluar 76 vjet, por gjithnjë i kujtoj fjalët e tij.
“Vetëm daja e di çfarë do të bëhesh ti…!”
Arrestimi i xhaxhait

Dukej sikur nënës time nuk do t’i thaheshin lotët kurrë, ndaj rrija dhe e përgjoja nëse ajo vazhdonte të lotonte si më parë ose jo. Edhe për shumë ditë pas pushkatimit të Ajdin Kullës, nënën e pashë të dëshpëruar, iu desh mjaft kohë ta merrte veten. Një mëngjes nëna u zgjua përsëri me lotë në sy. Kishin arrestuar vëllanë e babait, Qemal Merdanin (babanë e këngëtarit të mirënjohur Sherf Merdani). Ishte viti 1951. Babai përpiqej ta mbante veten, por dëshpërimi ishte i dukshëm. Unë nuk kuptoja dot çfarë po ndodhte me fisin tonë. Ajdin Kullën e kishin pushkatuar 5 vjet më parë, kurse tani kishin marrë në burg edhe xhaxhanë tim. Ne nuk kishim qenë komunistë. Sa herë shihja nënën që qante, pyesja veten me mijëra herë: “Përse prindërit e mi nuk ishin bërë komunistë?” Në atë kohë po të ishe komunist bëheshe ministër, professor, kryetar, drejtor, shef, gjithçka që dëshiroje, mund të merrje shtëpitë më të bukura të të tjerëve, pasi të zotët e shtëpive i internonin, i burgosnin, ose i pushkatonin. Përsëri dëshpërim

Në familjen tonë përsëri pati dëshpërim. Papritur arrestuan bashkëshorten e Qemalit, Ylime Merdanin, (nënën e këngëtarit Sherif Merdani). Ylimeja, veç Sherifit, kishte edhe një fëmijë dy-tre muajshe, Meleqin, por askush nuk e mori parasysh këtë gjë. Njerëzit e sigurimit ia hoqën djalin nga gjiri dhe e morën me vete. Kërkonin të dinin në ç’vend e kishin fshehur floririn njerëzit e fisit Merdani. Sherif Merdani dhe vëllai i tij, Meleqi, mbetën jetim. Babai dhe nëna e tyre ishin në burg. Vëllai i Sherifit që ishte 2-3 muajsh kishte nevojë për gji, ndaj që nga arrestimi i nënës së tij, ai vetëm qante… Askush nuk ishte në gjendje ta pushonte. U mendua çfarë mund të bëhej me këtë fëmijë. Në mëngjes, nëna më tha mua dhe Sherifit të merrnim fëmijën e vogël dhe ta çonim në burg që Ylemeja t’i jepte për të pirë. Ashtu bëmë. Meleqin e çonim në burg tri herë në ditë, ku nëna e Sherifit i jepte gji fëmijës. Për shumë kohë Meleqi (foshnja) u bë vizitor i rregullt i burgut, deri sa një ditë, doktor Selaudin Bekteshi u tha: “Ose lironi gruan, ose çoni dhe fëmijën dymuajshe në burg, sepse në të kundërt fëmija mund të vdesë”. Fatmirësisht Ylemeja u kthye në shtëpi, ndërsa vazhdonte të mbahej në burg i shoqi.

Na nxorën nga shtëpia

Nuk ishte e thënë që nëna ime të shihte një ditë të bardhë, përsëri lot në sytë e saj. Në vitin 1957 në shtëpinë tonë erdhën disa njerëz të qeverisë dhe na thanë të delnim nga shtëpia. Partia na kishte gjetur një vendstrehim tjetër. Në shtëpinë tonë do të strehohej komandanti i burgut dhe komandantë të tjerë. Nëna ime nuk donte të dilte, por njerëzit e sigurimit e zunë për krahu dhe e nxorën jashtë. Të njëjtën gjë bënë edhe me babanë tim. Ndryshe nga nëna, babai rezistoi fort, por ata nisën ta godisnin. Njëri prej tyre e zuri për gryke dhe deshi ta mbyste, mbeta i tmerruar, u hodha edhe unë sipër policit për t’i ardhur në ndihmë babait, por ai më shtyu edhe mua, e pashë veten të rrëzuar mes rrugës. Tashmë familja gjendej mes katër rrugëve. Nëna nuk reshtte së lotuari. Na çuan në një shtëpi të vjetër, e cila ishte thjesht një gërrmadhë. Nëna bëri gjithçka mundi për ta rregulluar disi.

Baba, pse na nxorën nga shtëpia?

Një mbrëmje teksa rrinim të gjithë të heshtur, pyeta: “Baba pse na nxorën nga shtëpia?” “Ata kërkojnë t’u japim floririn dhe gjthçka tjetër që kemi”. “Jepjauni, u thashë, përse nuk ua jepni?!” Babai më hodhi një vështrim të lodhur dhe më tha: “Ua dhamë të gjitha bir, tani nuk na ka mbetur asgjë, nuk kemi çfarë t’u japim më”. “Po babain e Sherifit, – e pyeta, – përse e arrestuan?” “Për të njëjtën gjë, – më tha babai, – edhe ai nuk kishte çfarë t’u jepte më.” Pas përgjigjeve që mora nga im’at, nisa të vrisja mendjen: “Si ishte e mundur që komunistët të internonin dhe të fusnin në burg, kur njerëzit nuk kishin çfarë të jepnin më?!” Befas, vështrova nga nëna dhe pyeta: “Komunistët janë të mirë apo të këqinj?” Im at më vështroi, deshi të fliste, por u mendua një çast: “Kur të rritesh, – më tha, – do ta kuptosh çfarë janë komunistët”!

Takimi me Genc Lekën

Nëna ime gjithnjë kishte qarë me lotë të hidhur, por kur i thanë, që biri yt Ylber Merdani do të shkojë në shkollë për të vazhduar studimet për mësues, pashë që nga sytë e saj trishtimi iu largua si me magji, nuk ishin si pak më parë të mbushur me dhimbje, edhe pse i kishte me lot, qante prej gëzimit. Studimet i përfundova në vitin 1959. Gjatë studimeve në shkollën Pedagogjike u njoha me një vajzë nga Suli i Devollit, Shpresa Ballollin. Me përfundimin e shkollës shkuam të dy mësues në fshatrat e Librazhdit. Aty u njohëm dhe me Genc Lekën. Flisnim për poezinë sepse aso kohë edhe unë shkruaja poezi. Qëndruam në Librazhd deri në vitin 1966. Internimi

Por më kot babai kishte menduar se fisi i Merdanëve ishte harruar nga komunistët. Mosdorëzimi i floririt doli përsëri në skenë. (E vërteta ishte se ne nuk kishim flori tjetër). Në familjen tonë mbërriti urdhri i internimit. Më kujtohest si sot: një makinë ushtarake tip “Zis”, e mbuluar me mushama të errët, u ndal para shtëipsë tonë me një zhurmë të frikshme. Ne ishim lajmëruar që në mbrëmje për internimin tonë dhe gjithë natën nuk fjetëm asnjë çast. Edhe pse nuk donim të bindeshim, plaçkat i bëmë gati. Me t’u ndalur makina, prej saj dolën policë dhe disa hamej që i kishin sjellë për të ngarkuar plaçkat tona. Ndodhi e njëjta skenë si atë ditë kur na nxorën nga shtëpia. Babai nuk dontë të bindej, ndërsa nëna si gjithnjë s’e mbante dot veten. Babai pyeste: “Po të paktën na thoni përse internohemi, çfarë kam bërë?!” Askush nuk jepte përgjigje. Na morën për krahu dhe na hipën në makinë. Mbyllën me mushama pjesën e pasme të karrocerisë dhe u nisëm. Kishim mbërritur në fshatin Pulahë të Oparit. Na lanë aty dhe ikën. U rregulluam në një shtëpi të vjetër, që kishtë shërbyer si haur bagëtish. Ishte nëna ajo që nisi të regullonte me çka mundej shtëpinë tonë të re. Tashmë e ndihmonte edhe motra, Jadigjari që ne e thërrisnin shkurt Jadi.

Arrestimi im

Vetëm pas disa ditësh konstatova me tmerr se prindërit e mi ishin plakur shumë. Nëna ishte thinjur mjaft. Ajo që po shihja atë çast, më la të tmerruar. Që të gjithë kishim mbetur të shokuar, por trishtim si atë të nënës nuk kisha parë kurrë. Vetëm kur ra mbrëmja, mora një letër dhe nisa të shkruaj atë çka ndieja për nënën time: “Të shohësh lotët e nënës plakë, / Të shohësh të dridhen ato thinj, / Të shohesh shtëpinë në flakë, / Kur nuk ke as forcë, as ndihmë, / Është tmerr, kur duartë t’i kanë lidhur, / Shtërngon grushtet, sytë gjithë lot, / S’mbahet më breng’ e hidhur, / Do të flasësh, por nuk flet dot…”. Të tilla poezi nisa të shkruaja ato ditë të internimit, atje në Pulahë të Oparit, ku pula hante gurë. Ishim më të varfër se kurrë ndonjëherë. Përveç internimit nuk kishim asnjë pasuri tjetër. Ditëlindjen e motrës, Jadit, e festuam me ç’na u ndodh, ndërsa unë i shkruajta një poezi: “Ne nuk kemi gota të kristalta, / Tavolinës endet varfëria, / Përtypim ujë dhe ajër mali,/ Në zemrat tona fle liria…” Në Pulahë kishte dhe të internuar të tjerë, kuptohet tek ata kishim më shumë besim. Poezitë që shkruaja ia tregoja edhe një të internuari që e konsideroja mik të mirë, por që nuk kishte qenë ashtu. Ai me të marrë vesh çfarë thuhej në vjershat e mia, e mbajti frymën në Degën e Punëve të Brendshme. Unë nuk e dija, por një ditë pranë këmbëve të mia, u ndal gazi i degës. Më arrestuan në emër të popullit. Ishte 9 qershor i vitit 1969.

Hetimet

Poezitë që kisha shkruar i mbaja në vendet më të fshehta që të mos i gjente askush, por kur u gjenda përballë hetuesit ai më vuri përpara një tufë letrash njësoj sikur të ishin granta që do të shpërthenin nga çasti në çast. “Të tuat janë këto?” – më pyeti. “Të mijat janë”, – iu përgjigja hetuesit. “Kur do t’i botoni?”, – pyeti ai, jo pa ironi. “Kur t’i vijë koha”, iu përgjigja, sepse nuk kisha çfarë të humbisja dhe çfarë të fitoja. E dija që vendi im tashmë e tutje do të ishte burgu. Fati ynë ishte i parathënë. M’u kujtuan fjalët e Ajdin Kullës, i cili një ditë para pushkatimit më tha: “Vetëm daja e di çfarë do të bëhesh ti…” Dhe ai kishte patur të drejtë. Unë nuk mundesha të bëhesha komunist, brumi ynë ishte gatuar ndryshe. Hetuesi më shkëputi sërish nga ato çfarë mendoja.

Je njohur me Genc Lekën?

“Po Genc Lekën e ke takuar në Librazhd?” – ishte pyetja e radhës. “Sigurisht, iu përgjigja, ne ishim mësues atje, kemi bërë dhe foto”. “Edhe ai poet si ty është?” – më pyeti. “Është poet i mirë”, – i thashë. “Vjershat tënde i ka parë Genci?” “Jo, – iu përgjigja, këto i kam shkruar në Pulahë të Oparit”. “Po ai t’i tregonte vjershat e tij?” “Jo, – ia ktheva, – përgjithësisht flisnim për nxënësit.” “Hm, për nxënësit, e çfarë u thoshit nxënësve?” “Që është tmerr kur i ke duart e lidhura, që është tmerr kur kërkon të flasësh dhe nuk flet dot?” Pas kësaj nisën torturat, kalova ditë tmerri. Më pyesnin për poezitë dhe Genc Lekën. Gjithçka mori fund kur dola në sallën e gjyqit dhe mora dënimin me 8 vjet burg. Më dërguan në burgun e Spaçit. U dënova për dorëshkrimet e mia. Në Spaç qëndrova 8 vjet me radhë. Atje u bëra edhe pjestar i Revoltës së Spaçit. (21-23 maj 1973). Në qershor të vitit 1973 sollën edhe Sherif Merdanin, djalin e xhaxhait. E pritën të gjithë me respekt, gjithkush përpiqej t’ia lehtësonte sa më shumë dhimbjen.
Në burg organizuam festivalin e këngës

Në dhjetor të vitit 1974, kur në Tiranë zhvillohej festivali këngës, të burgosurit e Spaçit, në zonën e dytë, kur ishim në turnin e tretë, improvizuam një festival aty në mal, sepse në Spaç kishte dhe këngëtarë të tjerë të burgosur. Çmimin e parë “e fitoi” Sherif Merdani, policia e vlerësoi me 30 ditë birucë dimërore. Sherifi ishte dënuar me 10 vjet burg për motive politike, më pas e dënuan edhe me 10 vjet të tjera. U lirua në vitin 1977. Atë vit u lirova edhe unë. Ndërkohë familja ime e kishte përfunduar internimin në fshatin Pulahë, por me një urdhër tjetër internimi më 1975, i çuan në fshatin Shtyllë. Nga qyteti i Korçës ishin internuar 60 familje, kurse Merdanët i kishin internuan si fis. U nisa për në fshatin Shtyllë. Atje ishte internuar edhe familja e Shpresa Ballollit, të dashurës time. Kur mbërrita në fshat, përveç familjes, më priste edhe ajo. Filimisht u takova me nënën dhe babanë, pashë se ata ishin plakur shumë. Ishin krejtësisht të drobitur. Iu hodhëm në qafë njeri-tjetrit dhe mbetëm një çast ashtu. Kishim 8 vjet pa u takuar. Të njëjtin mall provova edhe kur ndieva dorën e Shpresës. “Erdhe, – më pyeti ajo, – të kam pritur…”. Unë i shtrëngova dorën, shtrëngimi i duarve fliste shumë. “Babai iu pret për darkë”, – më tha Shpresa. Pas dy muajve bëmë martesën, u martuam atje, në fshatin e internimit, në Shtyllë. Aty gjeta edhe Reshat Merdanin, vëllain e madh të babait. Ai kishte qenë student i shkëlqyer, kishte studio për financë në Francë, por tashmë do të ishte veçse një i internuar dhe asgjë më shumë.

Nuk na pranonin as në varre

Nga martesa me Shpresën kemi dy fëmijë, Fatbardhën dhe Ermalin. Shpresa, ime shoqe më tregoi se babai i saj, Veli Ballolli ishte dënuar me pushaktim, si i implikuar me grupin e deputetëve, por së fundi i lanë një dënim me 14 vjet burg. Ai vdiq në Shtyllë në fshatin e internimit. Banorët e fshatit s’donin ta pranonin në varrezat e tyre. As të vdekurit nuk mund të preheshin bashkë me një person me biografi të keqe. Regjimi vendoste edhe për botën e përtejme. E varrosën në një vend të veçuar nga fshati. Që nga ajo ditë ai varr u thirr “Varri i kulakut”. Edhe sot e kësaj dite mban të njëjtin emër. Eshtrat e tij nuk janë më atje, sepse familja i çoi në vendlindje, por “Varri i kulakut” atje është… Në vitin 1980 vdiqën në Shtyllë babai, Fuati dhe xhaxhai im Reshati, ndërsa nëna u nda nga jeta në vitn 1989, që të gjithë mbetën atje në shtyllë. Ishim 9 familje. Në atë fshat mbylli sytë dhe nëna e bashkëshortes time. Nuk pata fat t’i shoh qoftë edhe një çast të vetëm pa lotë në sy.

Merdanët

Merdanët vendosur në Korçë këtu e 300 vjet më parë. Ishin tregëtarët më të dëgjuar të qytetit të Korçës. Rexhepi, daja i Ylber Merdani ishte një nga tregtarët më të njohur të Korçës. Në vitin 1919 formuan firmën tregtare “Magazia Drejtësia – Rexhep Merdani Ko”, ku ishin bashkëpronarë Fuati, babai im, Qemali dhe Reshati dhe dy xhaxhallarët e mi. Tashmë është e dokumentuar, njerëzit e fisit Merdani ishin bamirës të njohur të qytetit të Korçës. Paguanin prikat e vajzave të varfëra, ndihmonin fëmijët jetim, u bënin dhurata familjeve të varfëra, ndihmonin shkollat, spitalin, jetimoren; jepnin fonde për ndërtimin e rrugëve, ndihmonin kolegët për hapjen e dyqaneve, jepnin mall pa pagesë, të cilat mund t’i shlyenin kur ta kishin shitur mallin, ose kur të ishin forcuar ekonomikisht. Këtu e përfundoi tregimin e vet Ylber Merdani, autori i shumë librave me poezi, nismëtar i krijimit të Shoqatës të të Përndjekurve Politik, ku merr pjesë dhe bashkëshortja e tij Shpresa, anëtar i grevës së urisë në Korçë, e cila përfundoi në shtator të vitit 1991. Ylber Merdanin e zgjodhën kryetar Nderi i Shoqatës të të Përndjekurve Politikë, por edhe sot pas kaq vitesh nuk i harron dot lotët e nënës së tij.
Tashmë Ylber Merdani nuk jeton më.