15-vjetori i vizitës së Xhorxh W. Bush në Tiranë

583
Sigal

Ish-Kreu i Shtëpisë së Bardhë Xhorxh W. Bush është Presidenti i parë në detyrë i SHBA-ve që vizitoi më 10 qershor 2007, Shqipërinë. Agjenda 8 orëshe në vendin e shqiponjave, ceremonia me 24 të shtëna topash, ndikimi në pranimin në NATO dhe dekorimet

Presidenti Xhorxh W. Bush është presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara, i cili më 10 qershor 2007 vizitoi Shqipërinë.

Ai nuk mund të priste një mikëpritje më entuziaste. As vetë nuk e mendonte një pritje të tillë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar në atë kohë, Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi. Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu. Presidenti shqiptar Moisiu i dha zotit Bush dekoratën më të lartë “Urdhrin e Flamurit” për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare. Presidenti amerikan në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha, vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së. Presidenti po ashtu tha, se beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së Martti Ahtisaari, për pavarësi të mbikqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën. Ai tha se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë. Bush tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri. “Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë (në NATO), unë jam përkrahës i kësaj dëshire,”- tha presidenti amerikan. Gjatë qëndrimit në Tiranë, zoti Bush ka folur para trupave ushtarake shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak. “U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë,” -tha zoti Bush. Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO. “Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, duke lënë mënjanë ndryshimet politike,” -tha ai. Gjatë vizitës së zotit Bush në Tiranë janë në fuqi masa të rrepta sigurie. Zoti Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financiare nga agjenci amerikane zhvillimi. Pas takimit, zoti Bush doli, jashtë protokollit në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë. Presidenti amerikan George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.

Orë pas ore edhe vizita e Laura Bush. Shoqërohet nga vajza e Moisiut dhe Liri Berisha. Dreka te “Sofra e Ariut”

Agjenda, 8 orët e Bushit në Shqipëri

“Air Force One” nuk ulet në Rinas. Vjen me dy avionë të vegjël

Vizita e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, në Tiranë do të shoqërohet nga një numër i madh aktivitetesh, dekorata, takim me kryeministrat e vendeve të kartës Adriatik 3 dhe në fund një takim “gju më gju” me qytetarë të Fushë-Krujës.

Ndryshe nga interesimi i madh i shumë njerëzve për të parë nga afër avionin personal të presidenti Bush “Air Force 1”, përmasat e pistës sonë kanë bërë që stafi i tij të ndryshojnë axhendë dhe të mos përdorin këtë avion për mbërritjen në Tiranë, por dy avionë të vegjël, të cilët i përshtaten pistës së Rinasit. Në orën 09:30 minuta të mëngjesit do të mbërrijnë në Tiranë presidenti Bush, bashkëshortja e tij Laura dhe një prej vajzave. Ndërkohë për të treguar se e gjithë klasa politike është e bashkuar në raste të tilla, në delegacionin që do presë presidentin do jenë ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi. Menjëherë pas zhvillimit të ceremonisë së rastit në Rinas, eskorta e përforcuar e presidentit do t’i drejtohet Pallatit të Brigadave, aty ku presidenti do të pritet me të shtënat e 24 topave. Presidenti Bush do të marrë nga presidenti Moisiu medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërkohë që në këtë ceremoni do të jenë edhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ambasadori ynë në Uashington, Aleksandër Sallabanda. Pas zhvillimit të kësaj ceremonie, bashkëshortja e presidentit do të pritet nga vajza e presidentit Moisiu, Mirela. Pas kësaj ceremonie presidenti Bush do të zhvillojë një takim për rreth 30 minuta me presidentin Moisiu. Më pas, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të takojë 24 ushtarë shqiptarë, të cilët kanë qenë pjesë e operacioneve të kryesuara nga SHBA-ja në Irak. Në mesditë, rreth orës 12:00, presidenti Bush do t’i drejtohet zyrës së Këshillit të Ministrave, ku pas ceremonive të rastit do të zhvillojë një takim rreth 45 minuta me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Pas kësaj bisede, presidenti Bush dhe kryeministri Berisha do t’i drejtohen mediave për një konferencë të përbashkët për shtyp, ku sipas hartuesve të axhendës do të jenë gjithsej katër pyetje, dy për presidentin Bush dhe dy për kryeministrin Berisha. Pas daljes para mediave, kryeministri Berisha dhe presidenti i SHBA-ve do t’i drejtohen zonës së ish-Bllokut, aty ku në vilën 30, ose siç njihet ndryshe vila e ish-kryeministrit, Mehmet Shehu, do të shtrohet një drekë në kuadër të kartës Adriatik 3, ku të ftuar do të jenë edhe kryeministri i Kroacisë dhe ai i Maqedonisë. Edhe në këtë pritje, organizatorët e axhendës kanë bërë kujdes që delegacioni shqiptar të jetë sa më i plotë dhe i ftuar nga opozita do të jetë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi. Pas kësaj dreke pune, e cila pritet të zgjasë rreth 90 minuta, presidenti Bush do t’i drejtohet Fushë- Krujës, aty ku organizatorët shprehen se, shefi i Shtëpisë së Bardhë do të zhvillojë një takim “gju më gju” me qytetarët vendas. Nga ana tjetër bashkëshortja e presidentit së bashku me vajzën, do të jenë të shoqëruara në shumicën e kohës nga bashkëshortja e kryeministrit Berisha, Liri Berisha ku do të zhvillojnë një takim në një prej jetimoreve të kryeqytetit dhe më pas në maternitetin “Geraldinë”. Më pas dy zonjat dhe zonjusha Bush do t’i drejtohen daljes në Tiranës, ku do të drekojnë së bashku në restorantin “Sofra e Ariut”. Ndërsa presidenti Bush, pas vizitës në Fushë-Krujë, do të drejtohet për në Rinas aty, ku së bashku me bashkëshorten dhe vajzën do të takohen me familjarët e zyrtarëve që janë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Pas këtij takimi rreth orës 17:00, familja Bush do t’i drejtohet Bullgarisë, duke lënë mbrapa një vend për të cilin këto 8 orë ishin më shumë se sa historike në këto 95 vjet histori të shtetit shqiptar.

Agjenda e presidentit Bush në Tiranë

Ora 09:30
Dy avionë të vegjël do ulen në pistën e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas në të cilin do të jenë Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush së bashku me bashkëshorten Laura dhe njërën prej vajzave. Në delegacionin që do të presë presidentin do të jenë ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi.

Ora 10:15
Pritja e Presidentit Bush në Pallatin e Brigadave nga presidenti i vendit Alfred Moisiu ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Aleksandër Sallabanda. Në momentin e mbërritjes së Bush në Pallatin e Brigadave do të shtien 24 topa. Presidenti Moisiu do t’i akordojë presidentit Bush medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Takimi me presidentin Moisiu do të zgjasë 30 minuta.

Ora 11:45
Ceremoni me 24 ushtarë shqiptarë, që kanë qenë në Irak, ku do të marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ora 12:10
Takimi i presidentit Bush me kryeministrin Berisha ku pas ceremonisë zyrtare do të ketë një takim mes tyre, që pritet të zgjasë rreth 45 minuta.

Ora 13:00
Presidenti Bush dhe kryeministri Berisha do të dalin para mediave për një konferencë për shtyp. Konferenca do të zgjasë rreth 30 minuta.

Ora 14:00
Kryeministri Berisha do të shtrojë një drekë në vilën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu ku do të jenë të ftuar edhe kryeministri i Kroacisë dhe ai i Maqedonisë. Si përfaqësues i opozitës do të jetë nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi. Dreka pritet të zgjasë rreth 90 minuta.

Ora 15:30
Presidenti Bush do të niset për në Fushë-Krujë ku është parashikuar të zhvillojë takime me banorët e këtij qyteti. Aktiviteti pritet zgjasë rreth 60 minuta.

Ora 16:30
Presidenti Bush do të jetë në Rinas ku do të takohet me familjarët e zyrtarëve që punojnë në ambasadën e SHBA-së në Tiranë.

Ora 17:00
Presidenti Bush do të lërë Tiranën për t’u drejtuar drejt Bullgarisë.

Verifikimi për vatra rreziku përgjatë dy ditëve

Vizita e Bush, helikopterët amerikanë kontroll me rreze infra mbi Tiranë

TIRANE – Helikopterët specialë amerikanë kanë zhvilluar përgjatë dy ditëve patrullime mbi kryeqytetin shqiptar në kuadër të operacionit për masat e sigurisë gjatë vizitës së pritshme të presidentit amerikan, Bush, në Shqipëri. Helikopterët specialë “Black Haëk” kanë patrulluar për orë të tëra mbi Tiranë pas lejes së dhënë nga Parlamenti shqiptar për veprim në territorin e vendit tonë. Sipas burimeve qeveritare, mësohet se helikopterët, që kanë patrulluar përgjatë dy ditëve në Tiranë janë të pajisur me mekanizma specialë vrojtimi lidhur me pajisjet dhe armatimet, si dhe me lëndët plasëse. Duke fluturuar në një lartësi deri 500-1 mijë metra nga sipërfaqja e tokës, helikopterët “Black Haëk” përmes rrezeve infra zbulojnë dhe përcaktojnë vendndodhjen e çdo sasie armatimi dhe mekanizmash të tjerë luftarakë si lëndë shpërthyese. Burime të njëjta thanë se nga verifikimet e helikopterëve amerikanë në pjesën më të madhe të hapësirës së kryeqytetit, Tirana ka rezultuar e pastër nga objektet e dyshimta. Helikopterët specialë “Black Hawk” janë pajisje fluturimi të strukturave të specializuara amerikane, që kujdesen në fushën e sigurisë dhe parandalimit të rreziqeve. Përmes pajisjeve teknologjike të sofistikuara helikopterët specialë arrijnë të identifikojnë plotësisht çdo vatër rreziku, duke përcaktuar edhe vendndodhjen e saj. Pas patrullimit të Tiranës nga helikopterët specialë amerikanë mësohet se hapësira ajrore shqiptare do të jetë tërësisht në monitorim nga mekanizma të instaluar në Rinas, si dhe nga një skuadër avionësh luftarakë gjuajtës, F16.

 

Sondazhi: Rreth 74% mendojnë se ardhja e Bush ndikon për në NATO

“SHBA, avokate e Shqipërisë”

1/3 e shqiptarëve do e ndjekin nga rruga vizitën e Bush

Shumica e shqiptarëve mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë avokati më i mirë i interesave të vendit tonë.

Në të njëjtën kohë shqiptarët mendojnë se vizita e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, në Tiranë më 10 qershor, do të ndikojë fuqishëm në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në prag të vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në kryeqytetin shqiptar, zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve bën publike rezultatet e një sondazhi të kryer në katër qytete të vendit. Kështu, 1300 qytetarë nga Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Vlora kanë dhënë vlerësimet e tyre në lidhje me vizitën e Bush në Tiranë. Nëpërmjet këtij sondazhi, zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka mundur të grupojë dhe analizojë një sërë perceptimesh dhe opinionesh të ndryshme, të cilat hedhin dritë mbi frymën politike apo tendencat kombëtare të shqiptarëve për disa nga çështjet më të rëndësishme politike, por në veçanti mbi qëndrimin popullor mbi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. 61% e qytetarëve të intervistuar mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë avokati më i mirë interesave tona, ndërsa pas tyre vjen Italia me 10%. Përsa i përket synimeve të Shqipërisë dhe mundësisë për të marrë ftesën në samitin e ardhshëm të Bukureshtit për anëtarësim në NATO, 74% e qytetarëve vlerësojnë se vizita e presidentit Bush do të ndikojë fuqimisht që Shqipëria të anëtarësohet në këtë aleancë dhe 8.8% nuk besojnë që kjo vizitë do ndikojë. Të pyetur se ku do të preferonin ta ndiqnin vizitën e presidentit të SHBA-ve në Tiranë, 30% e qytetarëve, ose 1/3 e atyre të intervistuar, do të dëshironin ta ndiqnin atë në rrugë apo në sheshe, ndërkohë që 56% e tyre thonë se do ta ndjekin nga mediat.

Presidenti Bush, “Dekoratë Mirënjohjeje” 25 ushtarakëve shqiptarë

Tiranë – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Ë. Bush, gjatë vizitës së tij në Shqipëri të dielën, do të dekorojë 25 ushtarakë shqiptarë.
Lajmi u bë i ditur nga burime të sigurta të “Albania”-s pranë Komandës së Stërvitjes së Trupave Ushtarake në Regjimenti Komando të Zall-Herrit.
Duke iu referuar këtyre burimeve, bëhet e ditur se presidenti amerikan, gjatë vizitës 6-orëshe në shtetin shqiptar, do të dekorojë ata ushtarakë që kanë kontribuar në Misionet Paqeruajtëse “Liria e Irakut”, që kryhen nën komandën e forcave amerikane.

Përzgjedhja
Burimet e mësipërme pohuan se përzgjedhja e kontingjentit të “fatlumëve” që do të dekorohen nga presidenti Bush nuk ishte aspak e rastësishme. Ajo është kryer nga ushtarakë të lartë amerikanë, të këshilluar nga homologët e tyre shqiptarë.
Pak ditë më parë, këta funksionarë kanë organizuar një mbledhje udhëzuese me efektivët specialë të kontingjentit Komando. Fillimisht funksionarët e lartë amerikanë u kanë kërkuar ushtarakëve të përzgjedhur paraprakisht të mbushnin disa formularë. Në këto formularë përfshiheshin të dhëna personale të çdo ushtaraku në mënyrë të hollësishme.
Përveç identitetit të tyre, në këto formularë kërkoheshin të dhëna jetësorë në mënyrë të detajuar, si: trajnimet, kualifikimet, eksperiencat në ushtri dhe deri te emrat e bashkëshorteve apo emrat e familjarëve të tyre.
Por kjo nuk ishte e mjaftueshme. “Edhe pse ju i plotësuat të gjithë formularët, jo të gjithë do ta keni fatin të takoni Presidentin e Shteteve të Bashkuara”, – janë shprehur funksionarët amerikanë para ushtarakëve shqiptarë.

Sekreti
25 njerëzit me uniformë, që presin dekorimin nga presidenti Bush, do t’i përkasin efektivave të tanishëm të forcave Regjimentit Komando në Zall-Herr, si dhe atyre në Batalionin Special të Farkës, apo të quajtur ndryshe “beretat e kuqe”.
Burimet e “Albania”-s saktësojnë se një ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes do të jetë angazhimi i këtyre ushtarëve në misionet e kryera nga Ushtria Shqiptare në Irak dhe në Afganistan.
Në të njëjtën kohë, këto burime bëjnë më dije se, për arsye sigurie, nuk dihet akoma se në çfarë ambientesh do të bëhet dekorimi. Gjithashtu, nuk dihet se kush do të jenë ushtarakët e lartë shqiptarë që do të asistojnë në këtë ngjarje.
Forcat e kontingjentit Komando do të jenë primarë në sigurinë e vizitës së presidentit Bush në Shqipëri.
Të specializuar në ruajtjen e personaliteteve, detyrë që kanë pasur në të shumtën e kohës gjatë misioneve të tyre në Irak, këto forca do të jenë së bashku me ushtarakët dhe agjentët amerikanë, duke treguar vigjilencën e tyre të plotë në ruajtjen fizike të presidentit amerikan Bush.