Zef Preçi: Të çlirojmë konkurrencën nga kapja përmes ligjeve klienteliste

270

Tipari më i dukshëm i përbashkët i kontratave të llojit PPP dhe “Shqipëria 1 Euro” është kontraktimi nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë i operatorëve ekonomikë, duke shmangur kështu konkurencën, që ishte, është dhe mbetet kudo në vendet e botës demokratike, motorri i zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror.

Sigal

Përtej faktit që Shqipëria prej tri dekadash është një vend i hapur dhe relativisht i integruar ekonomikisht me botën, përsëri një numër vendimmarrjesh ekonomike të qeverisë janë të krahasueshme me vitet e para të hapjes së vendit për investimet, tregtinë dhe liberalizimin e çmimeve.

Ndër këto vendimmarrje po veçoj vetëm dy prej tyre: pranimin e “ofertave të pakërkuara” dhe ofrimin e aseteve të ndryshme dhe pasurive të vendit në formën e programit të njohur si “Shqipëria 1 Euro”.

Është një fakt i njohur që përmes “ofertave të pakërkuara” është kanalizuar futja e kapitalit privat në infrastrukturën publike të trajtimit të mbetjeve urbane, komunikacionit, shëndetësisë, etj. Kjo është bërë kryesisht nën mbulesën e pamundësisë financiare të shtetit për të kryer investimet në këto sektorë, duke presupozuar që investitori privat zotëron përvojën e duhur, kapacitetet e nevojshme teknike dhe burimet e veta financiare dhe kështu, shërbimet publike përkatëse do të kushtonin më lirë dhe qytetarët do të shërbeheshin më mirë.

Në të vërtetë, kjo formë investimi, që gjatë dekadës së fundit ka marrë formën e një agresioni të vërtetë ndaj gjithçkaje publike, jo vetëm ka rezultuar financiarisht kundërproduktive (kostot e shërbimeve janë rritur), por është lehtësisht e verifikueshme që shumica e kompanive të përzgjedhura nga qeveria shqiptare për të ofruar këto shërbime janë kompani të krijuara posaçërisht për këtë qëllim; ato zotërohen nga kompani të tjera guacka, pronarë anonimë edhe/ose janë të regjistruara në zonat offshore, nuk kanë pasur përvoja të mëparëshme dhe as kapitalin e nevojshëm për të kryer investimin fillestar; kanë hartuar vetë projekte investimi të fryra, gjë që ka çuar në rritjen e kostove të shërbimit; janë pjesë e skemave gjigande të evazionit fiskal/mospagimit të TVSH-së; shpenzojnë shuma të konsiderueshme fondesh në shërbime konsulence fiktive, etj.

Nëse shumica prej tyre, në mos të gjitha, kanë lidhje të dukshme dhe të padukshme me politikanë të lartë edhe/ose me enturazhin e tyre, një numër kontratash të tilla padyshim që kanë mundësuar dhe po lehtësojnë edhe penetrimin në sektorin publik të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në fazën e sotme të zhvillimit të vendit, procesi i pastrimit të parave, përveç përfshirjes së njohur në prokurimet publik, në sektorin e ndërtimit, lojërave të fatit, etj, po i shndërron paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit edhe në borxh publik, mbasi investimet në kontratat e llojit PPP do të vazhdojnë të paguhen nga taksat e qytetarëve shqiptarë edhe për vitet dhe dekadat që vijnë. Nuk mbeten jashtë këtij trendi rrënues për ekonominë kombëtare edhe disa bashki të vendit, por nuk është ky objekti i këtij shkrimi.

Sa u takon investimeve të llojit “Shqipëria 1 Euro” dëshiroj të ndalem vetëm në pak aspekte, tek ato më të dukshmet për syrin e cilitdo qytetar, votues e taksa-pagues i vendit tonë. Kështu, përtej deklaratave për “perspektivën e zhvillimit të këtij apo të atij sektori përmes investitorëve të përzgjedhur nga qeveria”, të cilit ajo i dhuron gati falas asete të rëndësishme publike, shihet qartë se interesi i këtyre të fundit është vetëm toka apo trualli mbi të cilin ishte ngritur ndërmarrja apo institucioni i trashëguar nga periudha e regjimit komunist, ndërsa planet e “zhvillimit” vlejnë vetëm sa për një kronikë lajmesh televizive se në shumicën e rasteve harrohen që të nesërmen.

Edhe këto, ashtu si kontratat PPP jepen pa kurrëfarë konkurrence dhe madje shërbejnë kryesisht si shpërblim elektoral, d.m.th ju jepen oligarkëve dhe biznesmenëve klientë të qeverisë qendrore dhe të bashkive, kuptohet duke i përdorur këta të fundit si financues të fushatave zgjedhore apo edhe si pantronazhistë në vijimësi në sipërmarrjet private me numër të madh punëtorësh. Kjo është e dukshme, sidomos në sipërmarjet private me numër të madh punëtorësh. Këta të fundit punojnë në kushte shumë të këqija pune, janë të nënpaguar, të pambrojtur nga ndikimi i lëndëve të rrezikshme, që punojnë me orar të zgjatur të papaguar (p.sh shumica e sipërmarrjeve private, në kundërshtim me Kodin e Punës punojnë edhe ditën e shtunë). Shkurt, tipari më i dukshëm i përbashkët i kontratave të llojit PPP dhe “Shqipëria 1 Euro” është kontraktimi nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë i operatorëve ekonomikë (kryesisht oligarkë ose kompani të krijuara posaçërisht dhe klientë të saj) duke shmangur kështu konkurencën, që ishte, është dhe mbetet kudo në vendet e botës demokratike, motorri i zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror. Por a ka vendi ynë rregullime ligjore dhe institucionale që monitorojnë, kontrollojnë, por edhe rregullojnë e kufizojnë këtë veprimtari të qeverisë, e cila dëmton rëndë interesat e sotme dhe perspektive të vendit?

Duke shmangur komentin mbi rolin kushtetues të Kuvendit te Shqipërisë, dëshiroj të referoj vetëm rolin e Autoritetit të Konkurencës ose ndryshe agjensisë anti-monopol, tek e cila  kam pasur fatin të kontribuoj personalisht në fillimet e saj. Ndër funksionet bazë të këtij institucioni është parashikuar në ligj që:

“Me kërkesën e komisioneve të Kuvendit, jep vlerësime për çështje që lidhen me   konkurencën dhe legjislacionin në këtë fushë”

“U jep vlerësime dhe rekomandime organeve të administratës qendrore e vendore dhe institucioneve të tjera publike, shoqatave tregtare, sindikatave, shoqatave të konsumatorit, dhomave të tregtisë dhe të industrisë, për çështjet që lidhen me konkurencën” (pikat ë) dhe f) te Neni 24 – Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit te Konkurrencës).

E përmenda këtë referencë ligjore për të thënë se me asistencën e BE-së, vendi ynë ka përshtatur dukshëm kuadrin e vet ligjor, por zbatimi në praktikë i këtij kuadri, për fat të keq, po ecën në kahjen e kundërt. Le ta konkretizojmë këtë konstatim me një rast vendim-marrjeje të tillë.

Siç dihet, qeveria shqiptare ka shpallur që Porti i Durrësit do të jetë Dubai i Mesdheut, që ky port do të jetë më i madhi në Mesdhe dhe sipas kryeministrit, njerëzit më të pasur në botë do të ankorojnë jahtet e tyre në Durrës e për shkak të kësaj, ata do të kërkojnë edhe shërbime luksi. Çfarë e pengon Kuvendin e Shqipwrisë të ushtrojë detyrën e vet kushtetuese për të kërkuar vlerësime institucionale të rregullatorit në lidhje me konkurencën (sepse bëhet fjalë për një kontratë shtetërore, që do ta kishte lakmi cilido monark në vendet më të prapambetura të botës)? Nuk po them që qeveria dhe pushteti vendor duhet të kenë përgjegjshmërinë kushtetuese dhe ligjore qe të konsultojnë rregullatorin përkatës sektoral dhe vetë Autoritetin e Konkurrencës sa herë që vendimet e tyre cënojnë apo vlerësohet se cënojnë në të ardhmen konkurencën, ashtu  sikurse dhe ky i fundit  mund dhe duhet të jetë aktiv për të kontribuar që ekonomia jonë kombëtare të çlirohet nga skllavëria e vendim-marrjeve të tilla klienteliste të qeverisë, madje edhe me dyshim të bazuar për favoritizëm.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendimmarrjen qeveritare për investime të tjera me ndjeshmëri të lartë publike, si në infrastrukturën publike, energjitike, etj., që ishin dhe mbeten thjesht vendime politike, ekonomikisht të paargumentuara, domethënë favore për lobet dhe kompanitë guacka offshore apo për kompani që thjesht gëzojnë mbështetje politike qoftë kjo edhe ndërkombëtare, por që veprimaria e tyre nuk përputhet me interesin e qytetarëve shqiptarë aktualisht dhe në perspektivë.

Duke marrë shkas nga këto zhvillime po rendis disa sugjerime modeste për elitën politike në pushtet dhe në opozitë:

Të ndalohen për një periudhw kohe, të paktën për 10 vjet, pjesëmarrja e kompanive offshore dhe të gjitha “propozimet e pakërkuara” në prokurimet publike dhe në çfarëdo forme të kontratave publike në territorin e vendit.

Të ndalohet përgjithmone vazhdimi i programit “Shqipëria 1 Euro”.

Avokati i Shtetit, mbi bazën e raporteve specifike të performancës, të rekomandimeve të KLSH, të analizave të riskut nga Open Data Albania apo të denoncimeve të mas-medias të rishikojë dhe të kërkojë pezullimin e kontratave të llojit PPP, të atyre që janë të dyshuara për korrupsion dhe eventualisht të amendojë kontratat e tjera që janë në zbatim e sipër, në të cilat ka dyshim të bazuar se nuk është respektuar pariteti i palëve dhe është cënuar interesi publik.

Autoriteti i Konkurencës të raportojë çdo tre muaj për një periudhë prej dy vitesh në vijim në Kuvendin e Shqipërisë mbi shqyrtimin dhe vlerësimin e legjislacionit aktualisht në fuqi që prek konkurencën duke formuluar dhe bërë publike edhe rekomandimet përkatëse për institucionet shtetërore përgjegjëse.

Qeveria qëndrore dhe vendore si dhe institucionet rregullatore të tregjeve të konsultojnë paraprakisht në mënyrë të detyrueshme çdo akt që kufizon apo cënon konkurencën dhe rekomandimet përkatëse të përfshihen në tërësinë e dokumenteve të detyrueshme për një procedurë të caktuar, si dhe të jenë të hapura për publikun e gjerë, mas-median dhe palët e tjera të interesuara.