Xhevat Mustafa: Popull për t’u krenuar apo për t’u turpëruar?

104
Sigal

Nëse si popull do ta shikonim vetveten si në pasqyrë…

Kanë thënë e shkruar, personalitete të huaj, por edhe ca burra të mëdhenj e të mençur shqiptarë, jo si Enveri dhe plot politikanë e pushtetarë të sotëm vetëm me shkolla të mesme dhe diploma të blera, se “populli i lashtë, trim, i pamposhtur, i panënshtrueshëm, besëmadh shqiptar”, e ka çarë rrugën e historisë me…pallë në dorë, edhe pse në rreth 2.200 vjet ka jetuar më shumë nën pushtime sesa në liri…! Se i ka marrë dhe merr gjak në vetull çdo armiku të huaj…, edhe pse u ka shërbyer me besnikëri dhe devotshmëri, duke u shpërblyer jo vetëm me kocka, por edhe me thela të majme nderimesh dhe pushteti…! Por, gjithashtu, se u ka bërë gjokset dhe kurrizet shoshë më shumë shqiptarëve se sa armiqve të huaj…! Dhe më shumë, jo në përleshje burrë me burrë, dhëmb për dhëmb e në duele me shpata e pisqolla si p.sh: francezët, rusët e etj, por nga prita pas ferrave e gardheve, arave me misër e grurë, pas drurëve, mureve, shkëmbinjve për një fjalë goje, për sherre fëmijësh a grash, për grindje në dasma dhe lokale, për 1 metër tokë, 1 avlli, 1 dritare, për një prishje krushqie, ujdie, pazari, për të rrëmbyer një post, për një përfitim tjetër të pandershëm ose të turpshëm…Po kështu, gjatë mbi 78 viteve, pra pa i ndarë në 65 vjet dhe 13 vjet, ky “popull heroik deri në legjendar” ka treguar nënshtrim stoik, lumturim masiv duke spiunuar për të përplasur burgjeve edhe miq e shokë, edhe njerëz fare të afërt të familjeve, duke u shkatërruar jetët dhe familjet!?

 

Njëherazi, duke shprehur dhe treguar durim përtej njerëzor ndaj PKSH- PPSH- PSSH me kryetarë, pra, personalisht ndaj Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Edi Ramës…, edhe pse i lanë dhe vazhdojnë t’i mbajnë të fundit në Evropë për zhvillim, paga, pensione, mirëqenie, demokraci, shtet ligjor dhe social funksional, apo më SHQIP, edhe pse u nxinë jetën dhe Shqipërinë, duke i bërë e lënë në mes të Evropës krahasueshëm me popujt më të varfër të Afrikës! Por, edhe duke vrarë, burgosur dhe internuar shqiptarë më shumë sesa pushtuesit italianë dhe gjermanë bashkë, për 5 vjet…për më tepër, për periudha të gjata kohore e kemi treguar dhe turpëruar vetveten edhe si popull, që i ngre dhe mban diktatorët mbi trupin e vet, që i do edhe më shumë se veten, që u puth duart me gjak shqiptarësh dhe u thur këngë, kur meritonin mallkime zemrash dhe plumbin në lule të ballit!!! Jo pa të drejtë, plot shqiptarë mund të mendojnë e përpiqen me u justifiku me gjeografinë dhe fatin se kemi ndoshta fqinjët dhe armiqtë më të këqinj në botë, serbët dhe grekët e pas tyre, Rusinë, Francën, Anglinë…! Por, nuk mund të “harrohet” se edhe grekët dhe serbët, nëpërmjet ca shqiptarëve “kuaj apo pela Troje e Athine” apo “kuajsh dhe pelash Beogradi dhe Serbie…”, kanë gjetur në këtë “vend shqiponjash” shesh e kanë bërë përshesh!? Të tjerë shqiptarë, që kanë rezerva dhe dëshirë për debat, po me të drejtë mund të thonë se nuk mund të futet i gjithë populli në një thes, apo fuçi. Por, për mirë a keq, (me humor) popujt nuk ndahen me pjesë apo copa si shalqini, pjepri, molla, dardha, ftoi! Pra, në këtë thes futen edhe të këqinjtë, edhe të mirët; edhe elitat edhe mediokrit; edhe unë si autor i kësaj, edhe lexuesit e saj e plot të tjerë, që bëjnë pjesë në emërtimin dhe në ushtrinë relale apo në institucionin jetësor, juridik dhe historik popull! Gjithashtu, kam opinionin subjektiv se ne si popull kemi karakteristikë jo vetëm inferioritetin dhe nënshtrimin ndaj më të fuqishmëve dhe më të pushteshmëve, por edhe dëshirën, maninë, vesin…për t’u vetëmburrur apo fryrë, me rrahje gjoksesh ose thurje të shpejta këngësh, edhe për vepra të zakonshme e krejt njerëzore, në raste situatash lufte apo vëshirësish mbijetese ose të sfidave të natyrave të ndryshme krejt njerëzore. Ndoshta, prandaj kemi lindur ose sajuar fare lehtë, si kolosë të pavërtetë, apo edhe liliputë për vlera njerëzore, për vepra të mirëqena!? Këto raste janë rrjedhojë e mbingarkesës së pasaktë apo të padrejtë me heroizma dhe sakrifica, më shumë të fantazuara, të stërzmadhuara, të hiperbolizuara….për lavdi, merita, nderime, dekorata, buste… personale, familjare. fshatareske, krahinore. Për të konkretizuar dhe shtuar fuqinë bindëse të kësaj eseje ndihmojnë ndjeshëm edhe këto thënie të mençura dhe aktuale edhe pas rreth 115-120 vitesh të kolosit në shqiptari, letërsi dhe diplomaci, Faik Konica, padyshim një nga njohësit dhe karakterizuesit më të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të kohës së vet, sa qe gjallë  apo edhe të shqiptarëve të sotëm.

– Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

– “Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.

– “Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi dhe krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!”

Ehu, sa shumë kanë thënë e shkruar për heroizmat, traditat, veset, çudirat, marrëzirat, turpet….e popullit shqiptar në vend e në botë!? A mund të jetë vërtetë kështu??? Nëse është krejt tamam apo thuajse tamam kështu, a kemi më shumë të drejtë apo arsye të ndjehemi krenarë, sa të bëjmë gjokset gropa apo të turpëruar, edhe para vetes dhe fëmijëve? Jemi për t’u mëshiruar apo për t’u vajtuar për së gjalli???

P.S: Natyrisht, ky është opinion subjektiv e për debat! Qëllimi apo mesazhi kryesor është i lehtëkuptueshëm: jemi shumë të vonuar dhe është urgjente të rishikohet dhe rishkruhet historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, katranosur me duar e këmbë, serbo- rusisht, nga Enver Hoxha dhe gjasëm historianët e tij!