Nis procesi i plotësimit të formularit për kompensimin e pronave

511
Sigal

Pronarët, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale, dhe kanë një vendim nga Këshilli i Ministave për të marrë kompensimin, duhet të plotësojnë formularin TIP dhe ta dorëzojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Procesi filloi ditën e djeshme, 1 prill, dhe do të ketë një kohëzgjatje pa afat kohor. “Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet informale, gjeneralitetet dhe të dhënat e të cilëve janë sipas VKM Nr.125, datë 13.03.2019.

ATP fton të gjithë subjektet e interesuara, të paraqiten pranë zyrave të saj, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës”, thuhet në njoftimin e ATP. Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

– Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

– Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

– Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.

– Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

– Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

– Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

– Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën dymijë lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë
shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.