Xhevat MUSTAFA: Pagat e pensionet e ulta si përherë, çmimet në stratosferë!

Vetëm këtu ndodh që të trembesh kur vijnë FESTAT!

Ka vite që në Shqipëri ndodh krejt e kundërta e traditës shumëvjeçare në vendet e tjera, sidomos të Europës Perëndimore, në Kanada, SHBA, Zelandën e Re, Australi, Japoni, Korenë e Jugut…Fjala është për dukurinë apo  praktikën e përjetueshme edhe këto ditë. Në këto vende ka ulje të ndjeshme të çmimeve të shumicës së artikujve ushqimorë, të veshjeve, elektronikës, lojrave për fëmijë…Ndërsa tek ne, në një vend e një popull sui generis, paradoksalisht, absurdësisht, paligjshmërisht, pashpirtësisht…, ndodh e kundërta. Kushdo që ka shkuar këto ditë në supermarkete dhe dyqane të vegjël është befasuar dhe stresuar nga çmimet e çmendura. Le të marrim për argumentim disa prej tyre, për t’u bërë sa më konkret dhe i besueshëm. Sot, më 27 dhjetor 2021, prej muajsh e marrim 10-20 lekë më shtrenjtë bukën e grurit e të misrit, shoqëruar në disa furra buke e dyqane edhe me “ulje tinëzare” në peshë…1 kg mish qingji dhe keci kushton rreth 1.200 lekë, kur para një muaji kushtonte 800- 8.500 lekë; 1 kg mish viçi blihet në rreth 900-1.000 lekë; 1 kg mish i grirë viçi në 800-900 lekë; 1 kg pulë ose gjel deti “bio” apo “fushe” rreth 1.200- 1.500 lekë; 1 kg fileto pule, të cilës nuk i dihet cilësia, vjetërsia, skadenca…, kushton 500-650 lekë…1 kg peshk ton shitet me rreth 1.500 lekë…1 kg gjalp i patretur nga 700 lekë deri para 1 jave, sot kushton 800 lekë. Edhe djathërat nuk mund t’i shmangeshin kësaj tendence apo “politike” rritjeje marramendëse. 1 kg djathë i bardhë dele ose dhie nga 700-750 këto ditë blihet me rreth 800- 850 lekë kilogrami. Djathërat kaçkavall blihen nga 800-1.300 lekë kilogrami. Një kavanoz speca të kuqe, gogozhare apo me kastraveca turshi, 0.5 kg., nga rreth 70 lekë “një herë e një kohë”, tani shitet e blihet me 100-130 lekë…Mjalti, nga 1.000 lekë kg mund të blihet me 1.500-2.000 lekë litri.

NOA

1 kg sheqer rreth 90 lekë, ose rreth 20 lekë më shumë se 1 muaj më parë… Nuk mund të harrojmë vezët. Edhe çmimet e tyre janë rritur pas 25 prillit 2021, me fitoren e re të Rama-partisë. Vezët e vogla apo si të pëllumbave kushtojnë 12-13 lekë, ndërsa ato të mëdha në kutia 6, 8, 10, 20 copë në 18-25 lekë. Ndërsa ato të “fshatit” shkojnë në 30-35 lekë. Mund të vazhdojmë me ëmbëlsirat. 1 kg bakllava tek Pastiçeri me pretendime për cilësi të lartë( greke, turke, maqedonase), blihet me 1.000-1.500 lekë; 1 kg kadaif nga 200 lekë është bërë 300 lekë…Panetonet kushtojnë nga 600- 1.000- 1.500 lekë. 1 litër vaj lule dielli Olim, Floriol…,shitet në rreth 200-245 lekë…Rritje të ndjeshme kanë pësuar edhe arrat, bajamet, lajthitë, me lëvozhga apo të qëruara…Le të kalojmë tek pijet alkolike. Verërat e vendit, si dhe ato italiane, franceze, malazezë, maqedonase janë me çmime që fillojnë nga rreth 550 lekë dhe shkojnë në 1.000, 1.200, 1.500, 2.500 lekë. Rritje më të lehtë kanë birrat e vendit dhe ato Peja…Futesh përditë nëpër bare-kafe dhe, pas 25 prillit 2021, “fitorjes së fundit” të Rama-rilindjes, paguan me 10-20 lekë rritje kafenë, kakaon, çajin, salepin, tekën e rakisë, të konjakut apo të fërnetit… …! Po kështu janë rritur edhe shishet 0.5,1, 1.5.2 litërshe me ujë të pijshëm, benzina dhe nafta nëpër pikat e furnizimit me karburante; 1kg.gaz për sobat shtëpijake, që prej muajsh shitet me 160-170 lekë 1 kg….Nëqoftëse do t’u shtojmë këtyre edhe faturat që njohin vetëm rritje të energjisë elektrike, ujit, ilaçeve, shërbimeve mjekësore (me ryshvete të larta), internetit, telefonave…,bëhet plotësisht e qartë se rreth 1 milion familjarë e të punësuar shqiptarë, në punë të rëndomta

(kamarier, banakier, pastrues..,) me pensione dhe paga në rreth 15.000-30.000 lekë, kryefamiljari apo edhe dyfish, burrë e grua, me 1-2 fëmijë, jetojnë në kushtet e varfërisë ekstreme apo mbijetojnë me mungesa të shumta e të përhershme në të gjitha drejtimet e jetesës allashqiptare. E pra, nëse kthehemi pas në kohë, të paktën 9 vjet, në dhjetor 2012, në kohën e atij “Saliut të keq” këto artikuj që përmendëm më lart shiteshin dhe bliheshin me çmime në rreth 30-50-100% më të lirë.

Shumica e këtyre artikujve të konsumit të përditshëm jetik tek ne janë me çmime në 30-50 % më të shtrenjtë edhe se në Gjermani, Itali, Francë…, edhe në këto muaj pandemie, që ka ndikuar për rritje të moderuara të çmimeve… Sipas mësimeve dhe përvojës së Enverit, Edi Rama përpiqet t’i mashtrojë shumicën e shqiptarëve me “argumentin” se rritja e çmimeve është dukuri botërore, si rrjedhojë e masave kufizuese të pandemisë. Por, qëllimisht, “harron” argumentet e tjerë. Se pagat, pensionet dhe mbështetja sociale në vendet e Perëndimit janë 5-10 herë më të larta se në Shqipëri. Se, në çdo fillim janari e gjatë këtyre dy viteve të pandemisë, shumica e vendeve të Perëndimit kanë bërë rimbursime për efekt të inflacionit deri në 5-10% dhe kanë dhënë nga 1-3 paga mujore shpërblim për person të punësuar dhe në rreth 50-75% të këtyre shumave për fëmijët nën 18 vjeç…,në kuadër të politikave të tyre sociale të vërteta e të përjetueshme e jo të gënjeshtra apo mashtruese, si tek ne!! Edi Rama dhe “avoketërit mbrojtës mediatikë” të tij apo “bojaxhinjtë” e tij me “punësim dhe paga vetëm nëpër bordero” në shumë miliona, mund të justifikohen me përrallën e vjetër se ne nuk jemi Gjermani, Francë, Danimarkë, Suedi, Finlandë, Norvegji, Britani e Madhe, Kanada, SHBA, Australi…Por, kush na e ka fajin që jemi një jetë apo një oqean larg tyre? Vetëm Enveri dhe Ramizi dhe mbretërimi rreth 77 vjeçar nga gjasme apo palo e majta e tyre!

Edhe sikur t’u heqim këtyre 77 vjetëve të pas 29 nëntorit 1944, 13 vitet e qeverisjes nga PD, mbeten 64 vjet mbretërim nga “e majta”. Edhe në këto 31 vjet të pas 1990- tës, na dalin 18 vjet qeverisje nga PS e 13 vjet nga PD. Siç shprehet dhe del nga çdo llogari e këndvështrim, fajtore e përgjegjëse që prej 77 vjetësh jemi të fundit në Europë për treguesit e zhvillimit e të mirëqenies, mbetet PKSH- PPSH- PSSH-Rilindja. Ky përfundim apo konkluzion nuk ndryshohet me asnjë mashtrim dhe makinacion, lustrim apo sajim, dredhje apo justifikim!

Pengesa e vetme ishte Enver Hoxha, vasaliteti, vëllazëria…e tij me jugosllavët, sovjetikët, kinezët, koreano- veriorët, kubanezët…Shprehur edhe më shqip: orientimi i tij nga Lindja e Kuqe, nga sistemi komunisto- socialist. Kjo zgjedhje apo vendimmarrje autoritariste e tij ia bëri të pavlefshme Shqipërisë resurset dhe pasuritë natyrore dhe klimatike, turizmin gjithëvjetor në dy detet e në malet me borë për rreth gjysmë viti. Kështu, përzgjedhja e orientimit, rrugës dhe e sistemit prej tij i dogji Shqipërisë shanset, potencialet, mundësitë, në mos për t’u bërë Zvicër e dytë, për të mos qenë rreth 1 shekull larg saj!

Në mbyllje: uroj që shumica e “popullit të majtë” të heqë dorë nga tradita apo e keqja 77 vjeçare e mbështetjes pa asnjë rezervë, vërejtje, kundërshtim, reagim…ndaj partisë dhe kryetarit të zemrës. Nga 29 nëntori 1944 deri më pranverë 1948 shkuat pas Enver Hoxhës drejt…Beogradit, edhe pse ishte kuptuar me kohë se ai po e bënte Shqipërinë republikë të 7- të të Jugosllavisë! Më 1961 shkuat pas Enver Hoxhës, pse Hrushovi u lidh me AMERIKËN, që sot e për pak mote, e mbani si “mike të madhe”. Më 1976 e ndoqët si “tufë delesh apo lepujsh” Enver Hoxhën pse ai u prish me Kinën e Mao Ce Dunit, po për të njëjtën arësye, pse  Kina u lidh me AMERIKËN…, “aleaten më të madhe”, sa nuk ka shpallur non grata edhe Edi Ramën me disa si vetja…Më 20 dhjetor 2021 nuk shkuat në protestë kundër Vuçiçit dhe “Ballkanit të hapur” Vuçiç- Rama- Soros…, sepse këtë protestë e kishte thirur Sali Berisha, duke “harruar” se para tij dhe Ramës vlejnë shumë më tepër Shqipëria dhe KOMBI! …Po, për ngritjen e çmendur apo stratosferike të çmimeve, ndërsa pagat dhe pensionet, edhe të juaja, kanë pasur “rritje liliputike”, a do të kujtoheni të protestoni??? Nëse nuk bëni asgjë, por vetëm shkriheni duke e parë nëpër televizione, duke iu mashtruar, tallur, fyer, turpëruar…Edi Ramën, atëherë kemi të drejtë të themi: mirë që “keni harruar” të jeni me vepra SHQIPTARË, po QYTETARË a nuk do të kujtoheni të bëheni??? Apo, meqenëse në këta 77 vjet keni qenë masivisht më të përkëdhelur me soi e sorrollop mendoni: a jemi mirë ne vetë, me fëmijë, nipër e mbesa, nuse e dhëndurë, vëllezër e motra, me punëra të mira e rroga të larta në zyra shtetërore, biznesi, ambasadash, agjensishë, OJQ- shë….???? Po!!! Atëherë: u dalshin flakët dhe tymi shtëpive të komshinjve, të tjerët le të vuajnë për punë mbijetese dhe për bukën e gojës!!!

Atëherë na mbetet të përfundojmë me thënien: koka bën, koka pëson! Shumë shqiptarë, që deshën dhe votuan për Rama- Rilindjen, kanë dy alternativa. E para, ose t’i zënë rrugën për në kryeministri dhe t’i bëjnë dush me pështyma apo me djersët e tij! E dyta, ose ta puthin edhe aty ku e ka puthur e ëma e tij e ndjerë, kur ai ishte fëmijë! Dhe të kthehen nëpër shtëpi për të pritur me tavolina më të varfëra se çdo vit tjetër Vitin e Ri! Ne anti-Rilindje- qeveri na mbetet t’i lutemi ZOTIT të na ndihmojë për të krijuar një opozitë të vërtetë e të sinqertë, që t’ia shkurtojë jetën politike dhe qeverisëse Ramës me çetë!