Votimet, 50% e të rinjve nuk besojnë tek bashkitë

504
Sigal

Sondazhi/ Rinia e pashpresë dhe e zhgënjyer nuk beson dhe refuzon politikën aktuale. Pa punë dhe pa të ardhme, gjysma e të rinjve nuk do të votojnë, por duan të largohen nga Shqipëria. Diplomat e universiteteve pa vlera. Ja sondazhi kombëtar

Rinia  e pashpresë edhe e zhgënjyer  nuk e beson dhe e “refuzon” politikën

Pa punë, pa të ardhme, gjysma e të rinjve nuk duan të votojnë

Gjatë 4 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar mbi 400.000 shqiptarë, për të kërkuar një shpresë dhe mundësi mbijetese në një vend tjetër të botës. Ndërsa 80 % e të rinjve  shprehen se duan të largohen përgjithmonë nga Shqipëria. Shumica e të mërguarve nga Shqipëria, në këtë eksod të madh e të dytë, pas viteve 1991 janë të rinjtë, të grupmoshës 26 – 35 vjeç, madje edhe të arsimuar, të kualifikuar e të diplomuar, sepse ën Shqipëri nuk kanë më shpresë as për të punuar, as për karrierë profesionale.

Papunësia dhe Varfëria – shqetësimi kryesor i të rinjve shqiptarë

Të rinjtë shqiptarë shohin papunësinë dhe varfërinë si shqetësimet kryesore të tyre, por gjysma e tyre d.m.th., 50 për qind mendojnë se problemet e tyre nuk adresohen në qarkun ku ata jetojnë, 40 % mendojnë disi dhe vetëm 4% mendojnë se po. Ata nuk kanë besim as se politika, (për të cilën pjesa më e madhe mendon se është e papërgjegjshme)  do t’i adresojë shqetësimet e tyre çka si formë e heshtur proteste i mban larg kutive të votimit gjysmën e tyre, së bashku me dëshirën për të emigruar. Këto janë rezultatet kryesore të një sondazhi të kryer nga Rrjeti Kombëtar Për të Rinjtë në Shqipëri dhe Qendra për të drejtat e fëmijëve (ANYN, CRCA/ECPAT). Qëllimi i sondazhit me mbi 1200 të rinj ishte të evidentojë problemet e të rinjve në të 12 qarqet e vendit, duke u fokusuar si në çështjet vendore, ashtu dhe ato kombëtare, përfshirë edhe rolin e partive politike në zgjedhje.

Diplomat e universiteteve, të pavlera

Në Shqipëri një diplomë universiteti mund ta blesh, pa shkuar asnjë ditë në auditoret e universitetit. Gradën shkencore mund ta blesh, pa dhënë asnjë kontribut shkencor. Në Shqipëri mund të punësohesh, jo vetëm në administratën publike, por edhe mund të fitosh një post shumë të lartë në shtet, pa pasur asnjë meritë, edhe me një cv të bardhë, mjafton që të gjesh sekserin e duhur dhe të kesh shkruar mbi një cek të bardhë shumën e kërkuar nga ata që të “premtojnë” punësim.  Madje, një ditë edhe mund të emërohesh ministër, zëvendës ministër, drejtor i Përgjithshëm i një institucioni shtetëror dhe kushtetues, edhe kur nuk të njeh askush tek pallati ku jeton… Në Shqipëri mund të bëhesh edhe deputet, edhe kryetar i Bashkisë, edhe pse mund të kesh në cv dënime penale për prostitucion dhe trafikim ndërkombëtar të drogave… Në Shqipëri mund të arrish që të marrësh koncesione  shtetërore dhjetëra miliona euro, edhe me kompani të ndërtuara mbi falsifikime, sepse ata zyrtarët e lartë të ministrisë janë kaq analfabetë, sa mezi shkruajnë emrin e tyre në bordero… Ndërkohë, që studentët akoma protestojnë në auditore dhe në rrugë për tarifat e larta në universitetet tona publike dhe për 1001 arsye e shkaqe të tjera.  Ndërkohë, që të gjithë fëmijët e zyrtarëve të lartë të qeverisë, të deputetëve, politikanëve studiojnë në universitetet më të mira të botës, sepse tarifat e shtrenjta – bursa i paguajnë taksapaguesit shqiptarë.

 Rezultati i Sondazhit

  • 57% e të anketuarve u përgjigjën se nuk mendojnë se bashkia në qytetin e tyre ka punuar mjaftueshëm për të rinjtë dhe 32% përgjigjen disi, ndërsa po thonë vetëm 8%.
  • 49% mendojnë se buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur problemet e të rinjve në Shqipëri dhe vetëm 7% thonë po (pjesa tjetër përgjigjen aspak ose disi).
  • 35% e të rinjve mendojnë se partitë politike konsultohen me ta vetëm kur kanë zgjedhje, ndërsa vetëm 8% përgjigjen po (pjesa tjetër jo, ndonjëherë, asnjëherë).
  • Vetëm 4% mendojnë se partitë politike janë të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve.
  • Vetëm 11% i shohin partitë politike si të përgjegjshme për zgjidhjen e problemeve të të rinjve.

Mungesa e besimit te partitë politike dhe te Bashkitë bën që të rinjtë të jenë ngurrues t’u japin votën. Të pyetur për zgjedhjet vendore, vetëm 50% thanë se do të dalin të votojnë, 24% ishin të pavendosur dhe 22% nuk do të votojnë dhe 45 u përgjigjën nuk e di.

Shkaku kryesor që të rinjtë japin pse nuk duan të votojnë është se nuk kanë besim te asnjë parti politike dhe dy arsyet e tjera janë “Politika nuk më ngjall më shpresë se gjërat do ndryshojnë” si dhe “Dua të largohem nga Shqipëria”.

  • 62% mendojnë se asnjë parti politike nuk është e hapur për të trajtuar problemet dhe për të bashkëpunuar me të rinjtë,
  • 21% mendojnë se këtë e bëjnë partitë e majta,
  • 12% partitë e djathta (diferenca janë partitë e vogla, nacionaliste, të qendrës, me bazë fetare).