Tregjet shqiptare mbështeten kryesisht në importet për ushqimet e përpunuara, por ulja e çmimeve të këtyre produkteve në vendet e origjinës nuk po pasqyrohet në çmimet e pakicës.
Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i çmimeve të importit për ushqimet e përpunuara dhe pijet joalkoolike ra me 1.8% në tremujorin e tretë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, çmimet në raftet e supermarketeve u rritën me 2-3% për të njëjtën periudhë, bazuar në të dhënat mbi inflacionin.
Përveç uljes së çmimeve, importuesit janë favorizuar edhe nga nënçmimi i euros gjatë viteve të fundit, sipas Monitor. Shumë distributorë kanë përfituar ndjeshëm nga kjo situatë, pasi euro është dobësuar nga momenti i nënshkrimit të kontratave deri në bërjen e pagesave, duke sjellë fitime shtesë. Shumica e importeve realizohen në këtë valutë.
Pavarësisht këtyre uljeve, ushqimet e importuara nuk pasqyrojnë në mënyrë të drejtë ndryshimet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare. Çmimet e importit mbeten përbërësi kryesor i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri, ku importet e ushqimeve janë ende tre herë më të larta se eksportet.
Disa produkte bazë të shportës, si drithërat dhe vajrat vegjetale, pësuan ulje të ndjeshme të çmimeve të importit, por tregu i brendshëm reagoi me rritje çmimesh. Kjo ulje e çmimeve të importit u ndikua nga dy faktorë kryesorë: rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nënçmimi i euros. Inflacioni në Eurozonë zbriti në 2% në tetor 2024 nga 5% në vitin 2023, ndërsa kursi i këmbimit të euros ishte mesatarisht 101.7 lekë në 9-mujorin e 2024 krahasuar me 108 lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Studime të thelluara tregojnë se në rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria, çmimet rriten më shumë se në tregjet ndërkombëtare, por nuk bien me të njëjtin ritëm. Fondi Monetar Ndërkombëtar vërejti në një studim të posaçëm se përçimi i çmimeve të ushqimeve nga tregjet ndërkombëtare në ato vendore është më i lartë për shkak të varësisë së madhe nga importet.
Kategoria kryesore e ushqimeve bazë, si drithërat dhe vajrat vegjetale, u goditën ndjeshëm nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke shënuar një rritje mesatare prej 9.4% në Ballkan gjatë vitit 2022, ndërsa në BE kjo rritje ishte vetëm 3.2%.
Ushqime me listë, shumë familje përballojnë vetëm gjysmën e muajit
Përtej bulevardit dhe zonës turistike në Lungomare, me qindra banorë të Vlorës vuajnë pamundësinë ekonomike edhe për të siguruar ushqimet e përditshme.Këtë fakt e vërtetojnë më së miri fletoret me listat e borxhlinjve në marketet e lagjeve. A2 ka intervistuar pronarët e dy dyqaneve në lagjet “Kushtimi” dhe “1 maji”, të qytetit të Vlorës, të cilat tregojnë gjendjen që kanë me personat që marrin ushqimet me lista.Jo vetëm në këto dy blloqe banimi, por edhe në lagje të tjera të qytetit është prezent fenomeni i marrjes së ushqimeve me listë. Përveç pensionistëve, ushqime me lista marrin edhe familjet që kanë persona të punësuar, por me pagat që marrin nuk arrijnë dot të plotësojnë as kërkesat për ushqim të familjeve të tyre.





















