Shtylla e universiteteve është kërkimi shkencor, por fondet që universitetet kanë ndarë për këtë zë mund të konsiderohen lëmoshë. Për vitin akademik 2022-2023 universitetet publike shpenzuan një shumë minimale prej vetëm 79 mijë Euro për studime dhe kërkime shkencore nga 42 milion euro që harxhuan në total. Paratë që si rregull duhet të shkojnë për kërkimin shkencor, që është misioni i universiteteve, ironikisht kanë kaluar për arredimin e universiteteve, që merr pjesën e luanit. Kështu Universiteti i Tiranës shpenzoi një total prej 380 mijë euro për blerjen e mobiljeve dhe orendive, ndërsa Politekniku shpenzoi 221 000 Euro për rinovimin e sallës “Silvano Pedrollo” në brendësi të Rektoratit, sallë e cila ishte në gjendje të mirë infrastrukturore. Politekniku po ashtu shpenzoi 60 mijë euro për shtylla të përkulshme me sensorë ere.“Në këtë moment kur u marrin tarifën, u marrin edhe para për shërbime të tjera dhe nuk u ofrojmë shërbime cilësore, patjetër që nuk do të emigrojnë vetëm për profesionin, por do të emigrojnë edhe për të studiuar. Më Mynih ta zëmë tarifa e studimit është 84 euro në vit, përveç kostos së jetesës dhe ushqimit”, -u shpreh Rigels Xhemollari, Qëndresa Qytetare.



















