Tre P-të e fushatës së Ramës: Pemë, Poster dhe Presion!

256
Sigal

Në vend të posterave dhe fletushkave propaganduese, qeveria e Ramës do të bënte fushatë me pemë. Vetë kreu i qeverisë i dërgoi letër të gjithë drejtuesve të bashkive, për të përcaktuar vendet se ku ata do të mbillnin pemët e fushatës së tyre.

Ndonëse mbjellja e pemëve ka vazhduar, një për çdo takim elektoral, nuk kanë ndaluar posterat. Fletushka të vogla letra nuk ka më, por pothuajse të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe sidomos në Tiranë janë mbushur me billbordet e Ramës (edhe pse ai nuk kandidon gjëkundi).

Ashtu si e pranoi vetë edhe kandidati i socialistëve për Tiranën, reklamat në mediat online ka qenë fokusi i tyre, por edhe ato audiovizive, shifrat për të cilat i kalojnë ato me 5 zero.

Gjithsesi nuk ka asnjë shifër publike se sa ka harxhuar PS për mjetet e lartpërmendura, por me një llogari shumë të thjeshtë bie poshtë ajo çfarë ai shprehu në fillim të fushatës; paratë nga KQZ nuk përdoren për pemë.

Përpos kostove të kësaj fushate duhet të ndalemi pak edhe në narrativën e saj. Ndonëse majtistët njihen për gjuhën e tyre agresive në politikë, në situatën makro të Shqipërisë duket si karta e fundit.

Nisur nga videot/ posterat e bëra nga qeveria Rama dhe kandidatët e tij, të cilat shoqërohen gjithmonë me dyshen Berisha-Meta tregojnë se kryeministrit i duhet herë pas herë të bindë votuesit se kundërshtarët e tij janë negativë, më shumë nga se mund të tregojë se ai vetë është personazhi i mirë (siç supozohet të funksionojë në një fushatë).  Shumë ironike kur rikujtojmë se vetë Rama thotë se ai nuk i njeh ata dy, nuk i njeh nongrata-t, por i shënjestron ata dy si kërcënimi kryesor i pushtetit të tij.

Kjo qasje është transmetuar dhe tek vartësit e tij. Së fundmi, në një rast të denoncuar në emisionin investigativ “Piranjat”, kryebashkiakja e Roskovecit kërcënon sanitaren e punësuar atje, pasi kjo e fundit kishte marrë pjesë në një miting të aleancës “Bashkë Fitojmë” me Sali Berishën. Ajo e quante këtë sjellje “mungesë respekti” ndaj saj që i jepte një pagë në fund të muajit.

Në fillim të muajit maj, një rast dhune u denoncua nga një punonjës i komunales në Patos, pasi nuk i kishte siguruar drejtorit të tij 10 emra që do të votonin për PS-në më 14 Maj.

Një e moshuar i tregoi live kandidatit demokrat për Tiranën, Belind Këlliçit, se si njerëz të tjerë i kishin kërkuar asaj votën në këmbim të parave.

Fatkeqësisht, shit-blerja e votës dhe veprimet e tjera lidhur me të nuk janë më tabu, por agresiviteti i fushatës socialiste këtë herë tregon se ata nuk janë dhe aq të sigurt për fitoren. Në rastin më të mirë…Në rastin më të keq, kjo është fytyra e tyre e vërtetë!