Gëzim Zilja: Kjo nuk është fushatë elektorale në dobi të popullit të thjeshtë

187
Sigal

Shikoj e ndjek me vëmendje fushatën elektorale. Trishtim i madh. Vazhdojnë gënjeshtrat, pabesia dhe sidomos urrejtja ndaj atyre të tjerëve, që nuk mendojnë si ty. Është një taktikë e strategji ustallarësh, që kultivohet nga liderët e partive sistematikisht që ky popull të urrehet midis vedit e ata liderët e partive të vazhdojnë të sundojnë si Enver Hoxha, duke përjashtuar e cilësuar armiq ata që nuk janë dakord me ta. Gjithë fushata është një tragjikomedi e madhe ku shqiptarët shahen e urrehen, kërcejnë e këndojnë, betohen e stërbetohen, duke mos kuptuar që liderët janë armiqtë e tyre të vërtetë, që shesin, blejnë e nxjerrin në pazar Shqipërinë vetëm që të sundojnë. Kjo urrejtje dhe ndarje midis shqiptarëve u shpik dhe u kultivua qysh me sundimin turk, mori hov në kohën e diktaturës me ndarjen në klasa dhe vazhdon sot në forma më të moderuara por që në thelb shpreh të njëjtën gjë.

Po citoj një këngë të vjetër ndoshta 200 vjeçare ndodhur në fshatin Tërbaç të Vlorës. Njerëz të ndershëm, por të paditur, skllevër të zakonit të hakmarrjes, ku vrasësit i thurrej këngë e lëvdohej në të dy rastet. Jemi në shtëpinë e të vrarit, për hakmarrje ku e motra qan vëllanë e vrarë.

Labika: Latif Breshan hijebeu

zemrën hasmi s’ta dëfteu!

Erdhi brenda të gënjeu,

u bë qen dhe gërth dheu.

Armëergjëndat t’i mëshehu.

Ndërkohë një grua nga fshati Brataj, nga ishte ai që vrau Latif Breshanin në çast ngre në qiell vlerat e hakmarrësit dhe vazhdon vajtimin-këngë, apo këngë-vajtimin:

Gruaja: Latif Breshan bojëdrita

mos mba vesh se ç’thotë Labika!

Hasmi kish zëmrën me çika

pa erth të grisi me thika.

I kish armët e ergjënda

pa erth e të vrau Brenda.

Ndoshta krahasimi nuk është fort i goditur, por shoh të njëjtin rreth vicioz, pa rrugëdalje, të njejtën urrejtje, ndarje e mburrje edhe sot: njëra palë mburr e i thurr këngë trimit Edvin Rama e pala tjetër trimit Sali Berisha. Me këto lloj fushatash e ndarjesh, ku asnjë nuk jep llogari, por vetëm shajnë e telendisin njëri-tjetrin Shqipëria do të jetë për shumë kohë e varfër dhe larg kombeve të qytetërura.