Taksa e re mbi pronën do të rëndojë tek qytetarët më të varfër

36
Sigal

 

 

Të ardhurat e mbledhura nga taksa e pasurisë derdhen për llogari të Bashkive. Pronat do të ndahen në kategori dhe vlerë, sipas ligjit. Taksimi do të bëhet jo vetëm për ndërtesat, por edhe për parcelat dhe sipas planit taksa për kategorinë e parë nis nga viti 2026 ndërkohë për të dytën nga viti tatimor 2028.

 Qeveria ka përgatitur një projektligj “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” që do të ndikojë tek të gjithë qytetarët kanë në pronësi banesa.

Të përjashtuarit e vetëm nga kjo taksë janë familjet me ndihmë ekonomike, institucionet fetare, por edhe kompanitë dhe individët që kanë në pronësi hotele me 4 dhe 5 yje.

Neni 4 i projektligjit përcakton se “taksa e pasurisë llogaritet si shumëzim i vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme me shkallën e zbatueshme të taksës”.

Të ardhurat e mbledhura nga taksa e pasurisë derdhen për llogari të Bashkive.

Pronat do të ndahen në kategori dhe vlerë, sipas ligjit. Taksimi do të bëhet jo vetëm për ndërtesat, por edhe për parcelat dhe sipas planit taksa për kategorinë e parë nis nga viti 2026 ndërkohë për të dytën nga viti tatimor 2028.

Sa i përket shkallëve të taksës, në nenin 12 thuhet se Këshilli Bashkiak i çdo Bashkie cakton shkallët e taksës për të gjitha kategoritë e pronave.

Ekspertët ngrenë një sërë shqetësimesh, duke argumentuar se barra më e madhe do të rëndojë tek qytetarët më të varfër, kjo si pasojë edhe e mungesës së vlerësimeve reale të gjendjes së banesave, për të cilat aplikohet vetëm çmimi i referencës.

“Taksa e pronës do të prekë shtresat e ulëta”

“Këto shtresa kanë të ardhura më të ulëta dhe e kanë më të vështirë për ta përballuar. Për atë pjesë të shoqërisë që nuk ka të ardhura të mjaftueshme për nevojat elementare çdo kosto e shtuar është e tepërt”, -shprehet ekonomisti Klajdi Bregu.

Ai argumenton se të gjitha familjet që kanë më shumë se një banesë në pronësi do të preken shumë nga kjo taksë, pasi për banesën e dytë ata paguajnë taksën e plotë, ndërsa për banesën e parë ka ulje me 50%.

Profesor i Ekonomisë Elvin Meka, shprehet se ky projektligj do të ketë një ndikim jo të vogël financiar ne buxhetet e qeverive lokale “por sigurisht një ndikim negativ në xhepat e qytetarëve shqiptarë ,pasi do dalin në shtesë ta taksës që paguajnë deri më sot”.

Meka thekson se aspekti më i rëndësishëm në këtë projektligj është fakti që ai nuk bën dallim në aplikimin e tatimit mbi rezidencë primare apo mbi shtëpitë e dyta ose të treta.

“Në pamje të parë duket sikur taksimi do rëndojë mbi të pasurit, por duhet të kihet parasysh fakti që taksimi edhe për shtëpitë e para do të jetë në përqindje mbi vlerën e tregut të këtyre pasurive, dhe jo mbi vlerat e çmimeve referencë që janë përdorur deri më sot nga qeveria”, -tha Meka.

Ekspertët ngrenë një sërë shqetësimesh, duke argumentuar se barra më e madhe do të rëndojë tek qytetarët më të varfër, kjo si pasojë edhe e mungesës së vlerësimeve reale të gjendjes së banesave, për të cilat aplikohet vetëm çmimi i referencës.

Për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi ky është një projektligj që i shërben monopoleve.

“Taksa e re e pronës në thelb shërben për të mbushur arkën e buxhetit por duke varfëruar më tej qytetarët dhe është e palidhur me investimet në infrastrukturë, mirëmbajtjen e infrastrukturës së përbashkët”,- tha Preçi.

Llogaritja e vlerës së pronave është një shqetësim sipas ekspertëve, pasi sipas tyre duhet një ekspertizë dhe të dhëna të sakta të pronave në çdo bashki.

“Prandaj nëse taksimi do të bëhet pa vlerësim direkt të çdo prone kjo taksë do të rëndojë më shumë mbi të varfrit”,- tha Bregu.

Edhe Preçi nënvizon se kjo po ndodh në kushtet kur nuk është kryer regjistrimi i plotë i pasurive të patundshme. “Dhe e dyta mendoj që mungon politika sociale për të mbrojtur shtresat në nevojë”, shton ai.

Nga ana tjetër, ekspertët vënë në dukje rritjen e çmimit të referencës. Qeveria i ka paraprirë rritjes së vlerës së pronës, duke aprovuar çmimet e reja të referencës së vlerave të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të cilat janë rishikuar me rritje.

“Për me tepër, projektligji ashtu siç është paraqitur mund të zbatohet abuzivisht nga pushteti vendor, pasi taksa nuk është në vlerë fikse, por si interval, gjë që mund të shfrytëzohet nga pushteti vendor për të rritur ngarkesën tatimore në kurriz të qytetarëve”,- deklaron Meka.

Sipas ekonomistit Klajdi Bregu, kjo rritje e taksave mbi pronën duhet vendosur në kontekstin e duhur.

“Kjo vjen si pasojë direkte e keq menaxhimit (korrupsionit dhe mbi punësimit kryesisht) të buxheteve të bashkive në të gjithë vendin. Prandaj do të ishte e drejtë që si fillim fokusi të ishte tek përdorimi efiçent i taksave që mblidhen tani para se të bëhej një rritje e taksës”,- tha Bregu.

Keqpërdorimi i taksave nga ana e bashkisë nuk është një logjikë e pa faktuar më herët.

Open Data Albania ka hulumtuar përdorimin e taksës së infrastrukturës në Bashkinë Tiranë, ku është matur devijimi nga dy taksa. ODA doli në përfundimin se nëse Bashkia Tiranë do të kishte përdorur siç duhet taksën e infrastrukturës, atëherë në 4 vite duhet t’i shërbente qytetarëve me 13 miliardë lekë më shumë. Sipas analizës rezultoi se 26% e taksës së infrastrukturës nuk ishte përdorur për rrugë, kanalizime apo godina publike.

Edhe ekspertët e konfirmojnë rrezikun e keq menaxhimit të kësaj takse.

“Tarifat duhen parë me kujdes, sepse po humbet karakteri qëllimor i të ardhurave që sigurohen. Dmth mbledh Bashkia e Tiranës shuma të mëdha parash por nuk ka argument se ku përfundon kjo taksë. Nuk shkon për infrastrukturë apo për mirëmbajtje, apo qëllime të tjera të lidhura me burimin e krijimit, sepse këto janë taksa qëllimore pra kanë destinacion qëllimor. Përdoren në favor të sektorit ku krijohen”, -argumenton Preçi.

Profesori Elvin Meka sheh po ashtu mundësi korrupsioni tek përdorimi i taksës nga pushteti vendor.

“Taksa nuk është në vlerë fikse por si interval, gjë që mund të shfrytëzohet nga pushteti vendor për të rritur ngarkesën tatimore në kurriz të qytetarëve”, u shpreh Meka.

Dhoma Amerikane kundër nismës: “Rëndon qytetarët”

Ligji për taksën e pronës është pritur me kritika nga Dhoma Amerikanë e Tregtisë, e cila i ka dërguar një letër ministrisë së Financave. Sipas Dhomës Amerikanë ka nevojë për ndërhyrje serioze në ligj, ku fokus të jetë vlerësimi i saktë i pronës, siguria dhe zhvillimi i saj.

“Konstatojmë se tarifat e reja janë shumë të larta krahasuar me ato ekzistuese. Në relacion flitet për rritje të të ardhurave nga taksa e pasurisë, por rritja duhet të vijë nga mirë administrimi dhe jo nga katërfishimi i normës tatimore”, -thuhet në letrën dërguar ministrisë.

Rishikimi i çmimit të referencës e rrit taksën deri në katërfishim. Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin për këtë.

Më tej në letër përmendin problematikat aktuale që ka me pronat në Shqipëri, duke theksuar se “mungesa e një baze të saktë të të dhënave për taksën e pasurisë së paluajtshme si dhe përcaktimi dhe zbatimi i metodologjisë efektive janë sfidat kryesore për suksesin e këtij projektligji”.

Dhoma Amerikane këmbëngul që të ketë vetëm një normë tatimore për taksën e pasurisë dhe bashkia të ketë të drejtë ta ulë, nëse vendos kështu.