Skandali në Korçë/ Policia Gjyqësore dhe Prokuroria e Korçës, falsifikojnë orën e ndodhjes së aksidentit për të favorizuar kompaninë e huaj nga mospagesa e dëmshpërblimit për personin që humbi jetën në orar pune

2726
Sigal

Një tragjedi me pasojë vdekjen, qëllimisht ende e pa hetuar nga prokuroria e Korçës

 

Falsifikohet ora e ndodhjes së aksidentit automobilistik për të favorizuar kompanitë e huaja nga mospagesa e dëmshpërblimit

 

-Përpjekje për të evituar penalizmin financiar të kompanisë TAP “Spiecapag” Albania

-Ndonëse në darën e vetingut, prokurorët Edmond Shytko, Kolë Hysenaj dhe Olger Eminaj nuk i ndalin shkeljet ligjore. Po kështu edhe Oficerët e Policisë Gjyqësore Pavli Prifti dhe Piro Note dhe Laert Civici.

-Është në dijeni edhe kryeprokurorja Arta Marku, por gjërat ende s’po lëvizin sipas ligjit.

-Është e turpshme, një jetë e humbur, një shkelje më shumë ligjore për të mos sqaruar

-Nga dy të huaj në aksident, evidentohet njëri dhe që të dy nuk ndalohen, shkelje kjo flagrante e ligjit procedural penal, nga personat që janë marrë me hetimet e kësaj çështjeje

Me datë 3 maj 2017, rreth orës 17.15, në segmentin rrugor Korçë-Ersekë, pranë fshatit Dvoran, ndodhi një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e shtetasit Besar Bozhanaj, i lindur në Durrës me datë 30 tetor 1992. Autovetura me targë AA 302 JV, e drejtuar nga i riu Besar Bozhanaj, është përplasur me automjetin e markës Ford, tip ATP me targë AA 774 OK, që drejtohej nga shtetasi francez Jean-Maurice Lecerf. Dëmtimi ishte fatal për Besar Bozhanajn dhe aspak i tillë për francezin Lecerf. Dhe këtu fillon odiseja juridike e trajtimit të këtij aksidenti, ku shkelja luhet edhe në rrugë edhe në shpërfytyrimin e ligjeve të shtetit haptazi në mënyrën më flagrante. Bozhanaj dhe Lecerf, janë punonjës të punësuar me kontratë pune të rregullt, sipas legjislacionit shqiptar tek kompania TAP “Spiecapag” Albania, me zyra Kampi nr.2 Floq–Korçë.

Pse ndryshoi ora e aksidentit?

E turpshme dhe poshtëruese, është qëndrimi i policisë gjyqësore dhe prokurorisë së Korçës, që në bashkëpunimin njëra me tjetrën, ndryshojnë pa iu dridhur qerpiku, orën e ndodhjes së aksidentit. Këtu duhet të veprojë vettingu ligjor, për të matur dhe parë shkallën e lartë të papërgjegjshmërisë të detyrës, si dhe vettingu shpirtëror, për të testuar deri ku shkon shpirtligësia e uniformave zyrtare të shtetit. Kjo që ka ndodhur dhe po ndodh në aksidentin me pasojë vdekjen e të riut durrsak Besar Bozhanaj që, sipas babait të tij, është prova më domethënëse e brejtjes nga krimbi i korrupsionit, duke mos kursyer edhe organet e mbrojtjes së ligjit. Gjaku dhe jeta shkëmbehen me lekë, duke hyrë në mëkate të reja ndaj viktimës, familjes së tij dhe shoqërisë shqiptare, që aq shumë e ëndërron drejtësinë dhe gjykimet e ndershme.

Në kohën kur ndodhi aksidenti, përfaqësuesi i policisë gjyqësore në policinë e Korçës Pavli Prifti, në skicën e hartuar në vend, ka shënuar si kohë të përplasjes së dy mjeteve orën 17.30. Ndërsa në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, ku e vendos orën e re 18.00 dhe pas “konsultimeve” me prokurorët e çështjes në prokurorinë e Korçës, ora e aksidentit spostohet në 18.15 dhe fiksohet në 18.30. Disponohen të plota të gjitha veprimet dokumentare, të këtyre faqezinjve ligjorë në policinë dhe prokurorinë e Korçës, tek aktet që kanë përpiluar në dosjen hetimore.

Po kështu edhe veprimet e ekspertëve ligjorë shqiptare të lënë për të dyshuar, se janë bërë në bashkëpunim dhe nën presionin korruptiv monetar, të përfaqësuesve të kompanisë TAP “Spiecapag”, të cilët kanë regjistruar artificialisht nëpërmjet sistemit të monitorimit “IVMS GEOTAB” orën 18:13:19. Kjo kohë është shfaqur, në automjetin e francezit Sebastian Jean-Maurice Lecerf, që ka qenë i pajisur me këtë sistem monitorimi.

Të tria palët, policia gjyqësore, prokuroria Korçë dhe kompania TAP ”Spiecapag”, janë në unison njëra me tjetrën për të falsifikuar orën e aksidentit nga 17.30 kur edhe ka ndodhur në realitet, në 18.30. E gjitha kjo me të vetmin qëllim, për ta konfirmuar aksidentin jo në kohën e orarit të punës (18.00), por pas kësaj. Vetëm duke vepruar kështu, kompania e huaj TAP “Spiecapag”, do t’i shpëtonte detyrimeve të konsiderueshme financiare, që ligjërisht i detyrohet familjes të Besar Bozhanaj, që e vranë në aksident automobilistik dy të huaj të kësaj kompanie.

Ndryshimi i orës së ndodhjes së aksidentit, në aktet procedurale të hartuar nga organi i procedimit, janë të falsifikuara qëllimisht nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore Korçë që janë Piro Note, Pavli Prifti dhe Laert Civici dhe prokurorët e çështjes Edmond Shytko, Kolë Hysenaj dhe Olgert Eminaj që janë marrë më hetimin e kësaj çështje, falsifikime këto që sipas mendimit të babait të viktimës janë bërë me qëllim për të favorizuar kompaninë, pasi kësaj i interesonte që aksidenti të kishte ndodhur pas orës 18:00, pra jashtë orarit të punës që ishte deri në orën 18:00.

Njëanshmëri e dukshme dhe skandaloze e hetimeve

Pas falsifikimit të orarit të aksidentit, palët e hetimit nuk janë ndalur për të bërë veprime të tjera skandaloze e anti ligjore, duke përdhosur dukshëm, uniformat zyrtare të policisë gjyqësore dhe të prokurorisë së Rrethit Korçë. Nga dy të huaj të përfshirë në aksident, qëllimisht evidentohet njëri, me të vetmen arsye që të dalë me përgjegjësi i aksidentuari. Veprimet e pamotivuara, që nuk i falen as hetuesve diletantë dhe amatorë, qëndron edhe në faktin se pas aksidentit, nuk ndalohen për asnjë çast dy shoferët e huaj, punonjës të kompanisë por nuk sekuestrohen përkohësisht as mjetet e tyre. Por ato lejohen të largohen menjëherë jashtë Shqipërisë. Atëherë mbi ç’bazë do të vazhdonin hetimet, ku njëra palë nuk mund të fliste dot, pasi kishte humbur jetën dhe pala tjetër, jo vetëm që nuk pyetej, por lejohej të largohej jashtë kufijve të Shqipërisë?!

Mos vallë xhepat e rënduara nga korrupsioni dhe shpirtrat e trazuara nga mëkatet, i kanë kaluar në ekstrem dhe në papërgjegjshmëri morale dhe juridike policinë gjyqësore dhe prokurorinë e Rrethit Korçë. Turp! Vettingu këto lloj mostrash, jo vetëm duhet t’i përjashtojë nga drejtësia, por duhet t’i ndëshkojë edhe penalisht, sepse janë të papërgjegjshëm në hetimet që bëjnë dhe në vendimet skandaloze që marrin në kurriz të njerëzve.

Ja çfarë pohon punonjësi holandez, Marcel Feitsma!

“…Pas përplasjes, kam dalë nga mjeti, jam afruar tek mjeti tjetër, i cili ishte mbështetur tek parmaku anësor dhe ndërkohë një kolegu im, i cili ishte me një mjet tjetër përpara meje, e ka parë skenën nga pasqyra dhe është kthyer…..” Kështu ka pohuar njëri prej shoferëve i pranishëm në aksident, francezi Sebastian Jean-Maurice Lecerf.

Moment tjetër i rëndësishëm për t’u përcaktuar, është roli i automjetit të tretë, për të cilin nuk ka të dhëna për targën dhe që i përket të njëjtës kompani, i drejtuar nga shtetasi Markes Feitsma, i cili deklaron se:

-Unë kam qenë duke drejtuar mjetin, targën e së cilës nuk e mbaj mend, në rrugën Korçë-kampi i kompanisë, rreth 30 metra prapa kolegut tim që quhet Sebastian……Në një moment, në afërsi të një kthese të dyfishtë, shikoj para meje një veturë me ngjyrë blu, marka Volkswagen, e cila kishte humbur kontrollin e mjetit dhe po ecte në mënyrë të çrregullt, u përplas me barriren mbrojtëse dhe më pas i ndërpreu drejtimin lëvizjes kolegut tim, i cili ishte rreth 30 metra përpara meje

Ndërsa në akt ekspertizë është hequr ky pohim – veprim ky i paligjshëm dukshëm flagrant! Prokurori i çështjes Kolë Hysenaj, as ka marrë mundimin të verifikojë thëniet e dy shoferëve, të përfshirë në aksident, thënie që janë në kundërshtim njëra me tjetrën, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për zgjidhjen e drejtë të çështjes. Sipas dëshmive të tyre, kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën? Prokurorët s’e kanë zgjidhur akoma sot e kësaj ditë.

Sebastiani pa patentë!

Shkeljet janë të dukshme, sa që detaje të reja dalin pafundësisht. Familja e të ndjerit Besar Bozhanaj, duke insistuar fort në aktet origjinale të fillimit të hetimeve dhe që më pas janë falsifikuar, nxjerrin denoncime logjike mbi fajësinë e francezit në këtë aksident tragjik. Një i tillë është edhe ky. Shoferi i mjetit Ford, tip ATP, me targë AA 774 OK, Sebastian Jean-Maurice Lecerf, ka qenë i pajisur me patentë të klasit B. Ndërsa mjeti që drejtonte i cituar më lart, sipas dokumenteve të ndodhura në dosjen e çështjes, është i kategorisë D. Bazuar në legjislacionin shqiptar, ky shtetas figuron pa patentë për drejtimin e këtij mjeti, fakt që s’është marrë në konsideratë dhe është fshehur nga prokuroria dhe policia e Rrethit Korçë. Mangësi jo e vogël është edhe mungesa e kontrollit autoteknik të mjeteve që udhëtonin dy të huajt. Preteksti është se “nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni i mjeteve, për të përcaktuar gjendjen teknike para ndodhjes së aksidentit”. Dokumentet edhe sot e kësaj dite, ndodhen në dosjen e prokurorisë të shkallës së parë, Korçë.

Bregu dhe Dishnica tërheqin pasaportën fiktive të Lecerf

Makinacionet dhe absurditeti i prokurorëve të çështjes së këtij aksidentit tragjik, shtojnë malin me zullume. Pasi francezi Lecerf ishte larguar që atë ditë nga Shqipëria, ndodh një veprim fiktiv dhe i pakuptimtë. Prokurorët e çështjes dhe, më i ngatërruari ndër ta është Kolë Hysenaj, i jep shtetasit shqiptar Ledion Bregu dhe Mikel Dishnica pasaportën e francezit Lecerf. Dhe në materialin zyrtar ku konfirmohet ky akt, mungon vula e prokurorisë së Rrethit Korçë dhe është vetëm një firmë. Dy janë përfundimet që dalin me këtë rast:

E para, ku mbështetet ky vendim absurd, kur shtetasi francez është larguar që atë ditë nga vendi ynë?!

E dyta, si mund t’ia japësh fiktivisht këtë pasaportë një shtetasi shqiptar, në mënyrë të paargumentuar, kjo vjen erë mashtrim?!

 

Kolë Hysenaj, Edmond Shytko dhe Olgert Eminaj, në të njëjtin çanak

 

Të tre prokurorët e kësaj çështjeje, Kolë Hysenaj, Edmond Shytko dhe Olgert Meminaj, janë “kuzhinierë” që konsumojnë të njëjtën meny. Kolë Hysenaj, është shkelësi kryesor i kësaj katrahure juridike dhe morale, e trajton problemin në mënyrë ordinere dhe fyese për inteligjencën, qoftë edhe të ndonjë qytetari të thjeshtë. Pasi e bën dosjen hetimore çorap, sipas interesave të kompanisë në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe, duke shkelur mbi gjakun e të aksidentuarit, me insistimin e familjarëve të Besar Bozhanajt, humbet të drejtën për të vazhduar hetimin. Por jo më pak në vazhdim të shkeljes së ligjit kanë ecur edhe dy prokurorët e tjerë, Edmond Shytko dhe Olger Eminaj, të cilët në hetimet që kanë bërë, jo vetëm janë treguar krejtësisht të njëanshëm në favor të kompanisë, por hetimet i kanë kryer me synimin që çështja të shkojë drejt pushimit me arsyetimin absurd se gjoja fajtor është viktima.

Kompania “Spiecapag” dhe Studio Ligjore “Tashko Pustina”, mbrojtëse e kompanisë

Po i drejtohemi kompanisë”Spiecapag”, si do të vepronte ajo në qoftë se në atë aksident do të kishte ndodhur e kundërta? Të kishte humbur jetën njëri nga punonjësit e huaj të përfshirë në këtë aksident.
A do të mundte kompania “Spiecapag” ta çonte trupin e punonjësit të saj pranë familjes së tij në Francë pa i dhënë të gjitha të drejtat ligjore që i burojnë këtij punonjësi nga kontrata e punës të lidhur me këtë kompani, apo do të vepronte siç veproi me punonjësin shqiptar që, jo vetëm nuk i njeh asnjë të drejtë që buron nga kontrata e punës, por e trajtuan e vazhdojnë ta trajtojnë në vendin e tij si një kavie e botës së tretë. Duke mos kryer dhe ritin më të shenjtë për të ardhur për të pirë qoftë dhe një kafe të zezë për fatkeqësinë e ndodhur.

Studio Ligjore “Tashko Pustina” po t’i kishte ndodhur ky aksident me humbje jete një punonjësi francez do të kërkonte gjilpërën në kashtë për t’i dhënë sa më shumë benefite dhe për t’i krijuar lehtësira për të marrë ato që i takojnë.

Për punonjësin shqiptar, jo vetëm që nuk jep asnjë ndihmë për të nxjerrë të vërtetën, por vihet krejtësisht në shërbim të kompanisë për ta mbuluar atë. Një përfaqësuese e kësaj studioje deklaron, se familja duhet të jetë shumë e kënaqur, sepse kompania i siguronte fjetje dhe ushqim falas punonjësit. Por kjo juriste harron ligjin shqiptar të punës që kompania është përgjegjëse ligjore për punonjësin e saj dhe duhet t’i paguajë dietën për sa kilometra është distanca e largësisë nga vendbanimi i tij, gjë të cilën kompania nuk e ka kryer, por i ka mbajtur dhe i mban punonjësit shqiptarë në regjim kampi.

 

Gjykata vendos, por prokuroria përdhos

Pushimi i çështjes nga ana e prokurorisë së Rrethit Korçë, ka hasur në reagimin e fuqishëm të familjarëve të Besar Bozhanajt. Duke u sfilitur për drejtësi dhe me të drejtën e Zotit, për të mos bërë pazar me gjakun e të birit, Gjykata e Korçës urdhëron rifillimin e hetimeve. Falsifikimi e dokumenteve nga ana e prokurorëve dhe oficereve të Policisë gjyqësore është bërë qëllimisht për të trajtuar ngjarjen sipas orekseve të kompanisë, Por Gjykatat në Korçë për të qenë korrekt dhe serioz me realitetin e ndodhur, detyron prokurorinë të mbajë përgjegjësinë e rihetimit, sepse e rikthen çështjen për vazhdimin e hetimeve të plota pavarësisht se nga ana e kompanisë vazhdohet të jetë aktive të pengojë të vërtetën. Sërish Prokuroria e Rrethit Korçë është e vendosur, ta pushojë çështjen përsëri, pasi janë 20 veprime hetimore që duhej të përfundonin, brenda një afati 3 mujor, që i bie deri më 12 korrik 2019, afat ky i lënë nga Gjykata por që Prokuroria nuk e ka zbatuar, pra vazhdon të shkelë ligjin.

Gjykata para një sfide të re

 

Prokuroria vazhdon përdhosjen. Familja, më e shumëvuajtura, që i ka ikur dhe drita e syrit, ndeshet me këtë Organ Prokurorie që kryen hetime tepër skandaloze. A ka shpresa? Besimi është i madh. Tek Gjykata shpreson babai i viktimës. Aksel Bozhanaj