Sikleti i Rilindjes me portin e Durrësit, si po e mbron njësoj si afera e inceneratorëve dhe kanabisi

16
Sigal

Telegraf.al / Si në çdo rast kur vihet përballë pyetjeve që i kërkojnë llogari dhe jo atyre që i flasin për “përpjekjet titanike që po bën për vendin”, edhe kryeministri Rama e humbi qetësinë.

Ai thotë se ka punuar shumë me veten për ta kontrolluar zemërimin dhe impulsivitetin, por sa herë dikush i plas në fytyrë ndonjë aferë të dyshimtë të qeverisë së tij, kërcen pupthi si t’i kenë rënë këmbët në prush.

Dje u detyrua ta ndërpresë komunikimin me gazetarët dhe të largohet pa dhënë përgjigje teksa po pyetej nga gazetarja Ambrozja Meta për dy projekte të dyshimta: portin e Durrësit dhe atë të Sazanit.

Gazetarja e pyeti nëse edhe Sazanin do t’ia jepje Jared Kushner -it pa taksa, siç i dha portin e Durrësit biznesmenit arab Mohammed Alabbar. E pyeti po ashtu nëse a do t’ia falte Kushnerit tokën e Sazanit për të ndërtuar vila luksoze ashtu siç i fali 800 mijë m2 tokë Alabarit për të ndërtuar pallate.

I kujtoi se Alabari nuk po bën ndonjë investim në Portin e Durrësit, por po shet pallate në gropë, ende pa u hedhur themelet. Për Marinën turistike as që po flitet më.

Këtu e humbi argumentin bashkë me qetësinë dhe tentoi ta kapte nga faqet, si për t’i treguar se sa e vogël është gazetarja përballë punëve të mëdha që ka qeveria dhe ai vetë, punë, të cilat nuk i kupton.

Sikleti i kryeministrit në këtë rast ishte i ngjashëm me kohën kur një tjetër gazetar, Armand Shkullaku, i thoshte në sy se inceneratorët ishin një aferë korruptive, sepse as digjnin plehra e as prodhonin energji siç pretendonte kryeministri. Në atë rast iu çua gazetarit në fytyrë në një studio televizive.

Ishte i ngjashëm edhe me rastin kur gazetari Alban Dudushi i përmendi kanabizimin e vendit dhe ai u çua nga karrigia në studio dhe i doli kameras përpara duke u përbetuar se nuk ishte narkotrafikant.

Kanabisi dhe inceneratorët çuan në burg të paktën dy ministra, ndërsa shqiptarët panë gjatë gjithë kohës investimin e drejpërdrejtë të kryeministrit të vendit të tyre duke u thënë se ato ishin “rrena” e “dokrra”.

Për Portin e Durrësit opozita i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë t’i drejtohet edhe SPAK-ut. Ekspertët e saj ligjorë argumentojnë se në kontratë është favorizuar investitori arab dhe është dëmtuar shteti, janë shkeluar ligjet e kushtetuta për t’i dhënë kompanisë offshorë të Alabar një trajtim të privilegjuar, gjë të cilën qeveria nuk e ka bërë në projektet e dy porteve të tjera, të Vlorës e Sarandës.

Denoncimet e opozitës dhe investigimet që po kryejnë disa media për këtë projekt duket se janë shqetësimi i radhës i kryeministrit. Ai, siç shihet, po tenton ta mbrojë me çdo kusht, njësoj siç mbronte inceneratorët dhe kanabizimin, sepse tani e di se, pavarësisht sesa mund të investohet sot, duke iu rikthyer edhe komunikimeve e sjelljeve joetike me gazetarët, nesër mund t’i dalin miq, shokë e bashkpunëtorë të tjerë që  kanë “ngrënë kumbulla pas shpine” edhe për Durrësin apo Sazanin.