– Ankesat e tiranasve tek policët bashkiak shkojnë në vesh të shurdhër; nuk merremi me kafshët të përgjigjen ata!
– Sorkadhet nuk janë “kafshë” u them policëve, janë simbole paqeje të botës magjike që na rrethon
U bën dy muaj që tre – katër sorkadhe u dalin përpara qytetarëve. Ato lëvizin në udhët e Parkut Kombëtar të Tiranës. Askush nuk e di se në cilat rrethana këto sorkadhe janë bërë “mysafire” në udhët dhe pyllin e ashpër të parkut. Ndofta janë “arratisur” nga ndonjë kopsht biznesmeni a nga ndonjë shtëpi private. E çuditshme është se sorkadhet nuk i kërkojnë pronarët. Po t’i kërkonin do t’i kapnin se sorkadhet janë shumë dashamirëse me qytetarët. Ato pranojnë të fotografohen dhe të hanë ndonjë ushqim të freskët. Qytetarët e Tiranës i shikojnë dhe i vështrojnë me kureshtje. Në mënyrë të veçantë gëzojnë fëmijët kur i shikojnë “kukullat” e gjalla jashtë ekraneve. Çdo ditë vështrojnë në ndonjë cep të pyllit se mos i shikojnë bukuroshet. Prej shtëpisë marrin “çokollata” për to. Gjithsesi jeta e sorkadheve nuk është e qetë. Zagarët e qenve të gjahtarëve të Saukut ju qepen këmba – këmbës. Ankesat e tiranasve tek policët bashkiak shkojnë në vesh të shurdhër. Nuk merremi me kafshët të përgjigjen ata. Sorkadhet nuk janë “kafshë” u them policëve. Janë simbole të botës magjike që na rrethon. Tek po i bëja një sorkadheje një vidjo m’u kujtua një ngjarje në malin e Buretos. Isha i ri. Pogonasit kapën në pyll një klysh sorkadheje dhe ma dhuruan. Unë e rrita dhe ajo nuk më ndahej. Vinte dhe pinte kafe me mua në Gjirokastër. Por kur i erdhi koha e ndërzimit ajo fillojë të blegërijë dhe vështonte nga mali i Buretos, ku kishte tufa me sorkadhe. Pogonasit më thanë që ta mbyllja sorkdhen në kasolle se do të ikte në mal me sorkdhet, të cilat e ndillnin që nga lart. Dhe unë ashtu bëra. Por sorkadhja nga marazi ngordhi. I gjithë reparti ushtarak e varrosi në një qoshe të repartit, aty ku ishin poligonet e qitjes. Njëri nga ish ushtarët, që tani është i moshuar dhe banon në fshatin Qesarat të Tepelenës më dërgoj dhe një foto të cilën e kishte bërë me sorkadhen e vogël dikur në malin e Buretos. Ish ushtari quhet Agron Çumani. Agroni më shkruan në fejzbuk se edhe sot pogonasit kur shkojnë për në Greqi hedhin lule tek “Varri i sorkadhes”.
Parku i Liqenit Artificial
Parku i Tiranës ose Parku i Liqenit Artificial është një park i madh në jug të Tiranës, i ndërtuar në vitet 1950. Parku dikur ishte një pyll i rralluar. Njihej si Stanet e Gogëve, pasi ishin stane bagëtish të mbajtura nga vllehët, apo “gogët” në gjuhën popullore. Një tjetër emërtim ishte Kodrat e Shën Prokopit, meqenëse aty ndodhej edhe kisha ortodokse me të njëjtin emër. Parku u ndërtua mbi një hapësirë gjelbëruar ku kullosnin dikur kafshët e familjeve vllehe të Tiranës. Liqeni është ndërtuar në vitin 1955 me punë vullnetare duke shfrytëzuar disa prurje ujore të zonës. Në 1957 arkitektja Valentina Pistoli dha idetë për të gjithë kompleksin e kodrave të liqenit si dhe veprat e artit në të. Projekti u ndoq nga një grup inxhinierësh bullgarë të kryesuar nga arkitekti Zheko Zhikov në 1961. Në brendësi të parkut ndodhet memoriali i 45 ushtarëve britanikë të rënë gjatë Luftës së dytë botërore, si dhe varret monumentale dhe simbolike të vëllezërve Frashëri (Rilindas të shekullit 19), dhe të Faik Konicës. Në parkun e madh ndodhet dhe kompleksi i pishinave të Tiranës. Trupi i Faik Konicës u soll në Shqipëri nga USA në vitin 1998. Në brendësi të parkut të madh ndodhet edhe një amfiteatër, i quajtur Teatri i Hapur i Tiranës, i ndërtuar brenda parkut në 1974 ku zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, kryesisht gjatë periudhës së verës. Një digë rreth 400 m e pengon ujin që të vërshojë drejt Tiranës. Mbi digë ndodhet një rrugë mbi të cilën ecin vetëm këmbësorë. Në fundin perëndimorë të digës ndodhet i vetmi park zoologjik i Shqipërisë dhe pak kilometra më larg Kopshti Botanik i Tiranës.
Tkurrja e sipërfaqes
Pjesa lindore e Parkut zgjatej deri te spitali “Shefqet Ndroqi”. Midis rruges së Elbasanit dhe spitali, parku është shpyllëzuar me kalimin e kohës dhe janë ndërtuar kryesisht iliegalisht shtëpi private.Skajet e parkut janë prekur vazhdimisht për t’u bërë vend ndërtimeve të reja dhe sidomos disa-katëshe në veri të parkut.