Reagojnë shoqatat studentore

277
Sigal

22 mijë tifozëve në stadium nuk iu kërkua as vaksina dhe as tamponi. Studentët në rrethe bojkotojnë vaksinimin, nga 100 mijë studentë, në 2 ditë janë vaksinuar vetëm 30.

 

 

Studentët në universitetet e vendit po bojkotojnë masivisht javën e hapur të vaksinës. SYRI TV bëri një vëzhgim në disa nga universitetet e rretheve, ku rezultoi se në stendat e vaksinimit paraqiten shumë pak student. Këta të fundit u shprehën kundër vaksinimit të detyruar, pavarësisht kriterit se nëse nuk vaksinohen s`do të lejohen në auditore.

Studentët në pothuajse të gjithë universitetet e vendit duket se kanë bojkotuar javën e hapur të vaksinimit masiv kundër Covid-19. Nga një vëzhgim në disa universitete të vendit, rezultoi se gjatë gjithë ditës shkojnë për t`u vaksinuar një numër i papërfillshëm studentësh.

Në universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ në Elbasan, në dy ditë janë vaksinuar vetëm 18 studentë, numër i papërfillshëm në krahasim me numrin total të studentëve që ka ky universitet. Studentët shprehen kundër vaksinës me detyrim, ndonëse thonë se do ta bëjnë pasi s`mund të rrezikojnë studimet.

Ndërkohë, ka dhe student, të cilët thonë se e kanë kaluar Covid-in dhe mjekët u kanë rekomanduar të mos e bëjnë vaksinën për shkak të imunitetit natyror. Megjithatë, këta student shprehen se janë konfuz për vendimin që do të merret ndaj tyre.

Studentët e universitetit ‘Aleksandër Moisiu’, në Durrës tregojnë gjithashtu për syri Televizion, se nuk do ta bëjnë vaksinën me detyrim, pavarësisht kushteve të vendosura. Madje, studentët jashtë kamerave, thonë se mund t`u rikthehen protestave nëse do të penalizohen për mësimin.

Në universitetin ‘Fan Noli’ të Korçës, në dy ditët e fundit janë vaksinuar vetëm 10 studentë, ndërkohë që ky universitet numëron mbi 3500 studentë në total. E njëjta situatë është dhe në universitetet e Shkodrës dhe Gjirokastrës, ku duket se studentët nuk e kanë mirëpritur detyrimin për të bërë vaksinën, si kusht për t`u futur në auditor.

Studenti: 22 mijë tifozë në stadium, pse nuk e zhvillojmë mësimin pa tampon e pa vaksinë

Në faqen “Studentët denoncojnë” është publikuar një mesazh ku një prej studentëve thotë duke ironizuar se ka një kërkesë për Ministrinë e cila dha leje që 22 mijë tifozë të ishin të pranishëm mbrëmë në stadium, pa u shqetësuar për virusin, ndërkohë që në universitete nuk do të lejohet në auditor asnjë student i pavaksinuar.Një ditë më parë u zhvillua ndeshja Poloni-Shqipëri dhe Ministria e Shëndetësisë dha lejen për mbledhjen e tifozëve pa marrë asnjë masë anti-Covid.Kujtojmë se një pjesë e mirë e studentëve janë kundër vaksinimit megjithëse në ambjentet e çdo universiteti qendrat janë të hapura deri me 18 tetor që shënon dhe nisjen e këtij viti akademik.

Studenti shkruan:Duke parë që në stadium nuk kërkuan as tampon as vaksinë për shkak të Covid, madje as distancim, për të mos thënë që ishte i mbushur i tëri dhe se asnjë institucion nuk reagoi, atehërë jam e mendimit që t’i bëjmë kërkesë Ministres tonë të dashur që të kujdeset për shëndetin tonë që të na lejojë të bëjmë mësim te stadiumi meqë atje nuk paska VIRUS!