Prof.Arben Malaj: Kujtime për miqtë e familjes të internuar në Llakatund, nga Svetlana Marku, Mamaqi, Vaskë Gjini etj

40
Sigal

Mbresa nga kujtimet për miqtë e familjes

/Telegraf.al/ Nuk ka trashëgimi më të madhe familjare, kur ndjen respektin e njerëzve për familjen tënde. Kjo është kartolina më e bukur për vitin 2024, sapo e mora para disa ditësh të fundvitit 2023, foto e ruajtur për  rreth 62 viteve. Një burrë fisnik më ndaloi dhe më dhuroi këtë foto. E kishte porosi të “papërfunduar” të Svetlana Marku, që nga viti 2019. Svetlana është vajza e gjeneralit Gjin Marku, i internuar në Llakatund. Gjin Marku dhe babi im kishin qenë partizan deri në maj të 1945 kur u khyen nga Kosova.

Fatkeqësisht Gjin Markun e arrestuan në Llakatund dhe e pushkatuan (?). Babin tim në 1956 e përjashtuan nga partia. Ky fat politik u përsërit edhe me mua, kur në 2013 Rilindasit më përjashtuan vetëm burokratisht nga PS-ja.

Detyrimi im mirënjohës ndaj socialistëve të thjeshtë mbetet i përhershëm, i thellë, i sinqertë dhe i panegociueshëm, pavarësisht partive të majta apo të djathta, që më bëjnë oferta për t’u riangazhuar nëpërrmjet tyre në politikën shqiptare.

Këtu inspirohem nga Churchill, kur deklaronte se “Për partitë nuk i ndryshoj parimet, për parimet i ndryshoj partitë”.

Svetlana dhe vëllai im Babushi kanë qenë shokë klase, Svetlana e ka ruajtur këtë foto si një kujtim të veçantë, prej vitit 1962, pra për rreth  62 vjet. Ky nuk është një rast i vetëm që tregon rrënjët e vlerave humane në familjen tonë. Vëllai im Selam Malaj, i cili fatkeqësisht vdiq i ri, shërbeu si agronom sektori në Selenicë, ku sektori i bujqësisë ishte pjesë e Ndërmarrjes Bujqësore Llakatund.  Edhe në ato vite të vështira, ai bëri më të mirën e mundshme për t’ua lehtësuar sadopak vuajtjet e rēnda familjeve të internuara, që punonin në bujqësi.

Në Selenicë u internuan edhe familja e Hito Çakos, Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Dashnor Mamaqit dhe të tjerë.

Nuk mund t’i harroj përqafimet e Kozeta Mamaqit, vajza e Dashnor Mamaqit, mamaja e të ndjerit Sokol Olldashi dhe telefonatat e dajos së tij pothuajse çdo vit.  U takova me Kozetën tre ditë para se të ndodhte ngjarja tragjike e Sokolit. M’u drejtua dhe m’u  prezantua. Më falënderoi përzemërsisht për mirësinë dhe bujarinë e Selamit.

Nuk mund të harroj takimin spontan në kishën e Shën Gjergjit në Boston, kur m’u afrua Çlirim Balluku m’u prezantua dhe më shprehu mirënjohje per Selamin.

Por, nuk mund ta harroj as sms-në e Sokolit, pasi mori vesh se unë isha vëllai i Selamit dhe përshtypjet e jashtëzakonshme të nënës së tij për Selamin.

Ditën, që më vdiq vëllai nga një sulm kardiak, Sokoli më dërgoi SMS, ku më shkruante: Beni i dashur, thonë se njerëzit e mirë jetojnë pak”.

Ndoshta parandjente edhe të ardhmen e tij fatkeqe.

Në Llakatund erdhi si i internuar Vaskë Gjini, i cili kishte një familje të mrekullueshme. Ai kishte qenë përfaqësuesi ynë në traktatin e Varshavës. Në internim Vaska  u detyrua të punonte në bujqësi, bënte kavaleta plehu organik.

Me Elsen, gruan e tij, me Almën vajzën që e donte shumë dhe me dy djemtë e tij, takohemi jo shpesh në Boston.

Në Llakatund ishte internuar edhe inxhinieri i talentuar Feri Dishnica, me familjen e tij. Me Bekën dhe Faikun/Kiku, jemi miq të përhershëm.

Bebekën e kam takuar shpesh në Boston. Më ka bërë përshtypje fisnikëria dhe përkushtimi i saj për të ndihmuar çdo shqiptar dhe Llakatundas.

Bebeka ishte një studente e shkëlqyer, por fati nuk ishte me familjen e saj.

Ajo nuk shprehte asnjë ndjenjë hakmarrje, por dashamirësi maksimale.

Punonte tre turne për të mirëarsimuar djalin e saj, si një shkencëtar në gjurmën e të dy gjyshërve të tij, por pak më afër gjyshit Xhelo Murra nga Vlora, një shkencëtar novator dhe i respektuar edhe sot.

E ndjeva këtë fisnikëri familjare edhe në 1982, kur fitova të drejtën për të studiuar në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, Dega e Financës.

Unë isha fëmija i tretë nga një familje e thjeshtë, që para viteve 80 do të merrte një arsim universitar. Ne ishim një familje me shumë fëmijë.  Pasi  prindërit e mi kishin financuar shkollimin e dy vëllezërve të parë, Selami, shkollën e mesme bujqësore në Delvine dhe Universitetin Bujqësor në Tiranë dhe Muhametin/Babushi, shkollën e mesme bujqësore në fermë Çlirim në Fier dhe Universitetin Bujqësor në Korçë, prindërit e mi e patën të pamundur financiarisht për të mbështetur arsimin tim universitar.

I mirë kuptoja plotësisht dhe po shikoja opsionin e dytë për të shkuar në ushtri dhe për të ndjekur fakultetin e ekonomisë (pas pune) pranë shkollës së mesme Ali Demi, Vlorë.

Më dukej se ishte shkruar diku, se do të shkollohesha vetëm duke punuar në bujqësi dhe duke ndjekur shkollën e mesme dhe të lartë  pas punës.

Kisha mbaruar shkollën e mesme ekonomike, pas pune pranë gjimnazit Halim Xhelo.

Duke punuar në bujqësi  6 vite dhe duke ecur për të shkuar në shkollën e mesme natën, në këmbë gjatë viteve 1982-1986 në linjën Llakatund-Vlorë-Llakatund isha vettestuar për ta përsëritur këtë sakrificë edhe për shkollën e Lartë pa shkëputje nga puna.

Atë rrugë, që më priste përpara e kisha bërë tre herë në javë, rreth 42 javë në vit, dhe 168 javë gjatë katër viteve.

Në këtë diskutim familjar nuk ndjeva asnjë pakënaqësi, sepse i dija sakrificat që bënte familja ime për arsimimin tonë më të mirë. Fatmirësisht, isha i ri dhe i aftë për të përballuar universitetin pa lënë punën dhe duke punuar në bujqësi.

Para se babai të mbaronte fjalën, Selami dhe Babushi, edhe pse të martuar dhe kishin familjet e tyre, i garantuan babait se do të financonin ata bashkërisht  dhe propocionalisht studimet e mia universitare në Tiranë.

Tarifa mujore në fakultet ishte 300 lekë/3000. Çdo pagesë erdhi në kohë. Dy vëllezërit e mi dhe familjet e tyre kanë paguar afërsisht 25% të pagës së tyre për katër vjet rresht. Them 25%, sepse rroga më e lartë për një agronom ishte rreth 600 lekë në muaj dhe më paguanin 150 lekë  secili çdo muaj.

Kjo është trashëgimia më humane e të parëve tanë, të cilat kërkoj t’i ruajnë si pasurinë më të shtrenjtë brezat e ardhshëm të familjes Malaj.

Ju lutem të mos bien viktimë e instinktit për t’u pasuruar shpejt dhe të mos bëhen viktimë e sëmundjeve sociale të përhapura dhe të rrezikshme.

“Paraja e lirë” nuk të pasuron, por të vret sidomos psikologjikisht.

Paraja e lirë nga burime jo ligjore nuk është bekim, por mallkim.

Sa më shumë mirësi dhe fisnikëri për çdo shqiptar!

Pa këto dy vlera humane jetike dhe nëse ju/ne bëhemi të pasur materialisht, ju/ne do të jemi shumë të varfër shpirtërisht.

Dilema: “Sokrati i vuajtur apo derr i kënaqur” është dilema që ndjek ata që kanë mundësi të (keq)përdorin mandatet politike, të babëziturit dhe të pangopurit.Qofshin të bekuar shqiptarët kudo në botë, ku jetojnë, punojnë e marrin arsim të mirë!!