Qeveria ndalon peshkimin në liqenjtë e Fierzës, Ohrit dhe Prespës

397
Sigal

Nga 20 prilli deri në korrik në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës do ndalohet peshkimi

 

Me ndryshimet e miratuara vlefshmëria e lejes së peshkimit do të jetë 10 vjeçare dhe do të rinovohet automatikisht me dorëzimin e kërkesës përkatëse të pronarit të anijes së peshkimit.

Nga 20 prill deri më 20 korrik Ministria e Bujqësisë nuk do të lejojë peshkimin në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit. Urdhri i ministrisë përfshin ndalimin e peshkimit me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve.

Urdhri me afatet e ndalimit të peshkimit është botuar në Fletoren Zyrtare.

Konkretisht për gjuhcën (cironka) do të ndalohet peshkimi prej 20 prillit deri më 20 korrik 2021, në liqenin e Ohrit, dhe prej 1 prillit deri më 31 korrik 2021, për liqenin e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.

Për krapin, prej 20 prillit deri më 20 korrik 2021 në liqenin e Ohrit, dhe prej 1 prillit deri më 1 korrik 2021, për liqenin e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit. Për periudhën 20 korrik deri në 20 gusht do të jetë i ndaluar peshkimi me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu për liqenin e Ohrit dhe për periudhën 1.8.2021 deri më 31.8.2021, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 150 ml nga bregu për liqenin e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.

Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë në pikat e caktuara nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit (OMP-të përkatëse). Për zbatimin e këtij urdhri, do të hartohet një plan i përbashkët operativ veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në koordinim me OMP-të përkatëse që ushtrojnë aktivitet peshkimi në këto liqene. “OMP-të të marrin të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në këto liqene”, përcakton urdhri i Ministrisë të Bujqësisë.

Në muajin gusht të vitit të kaluar Ministria e Bujqësisë ndryshoi rregulloren me afatet e periudhës të peshkimit në ujërat e liqeneve të Ohrit, Shkodrës dhe të Adriatikut dhe Jonit. Ndalimi për peshkimin e cironkës në liqenin e Ohrit do të jenë nga 20 prilli deri në 20 korrik, nga 20 prill deri më 15 korrik që ishte më parë. Ndërsa në zonat e tjera ujore periudha në të cilat ndalohet peshkimi i cironkës nuk ka ndryshuar. Në ujërat e liqenit të Ohrit, për 1 muaj për periudhën nga 20 prilli deri më 20 korrik nuk do të lejohet peshkimi i krapit dhe në zonat e tjera ujore, për periudhën 1 prill deri më 1 korrik.

Me rregulloren e re të miratuar nga Ministria e Bujqësisë, zgjatet me 5 vjet afati i vlefshmërisë të lejeve të peshkimit kanë vlefshmëri. Në peshkimin detar, që ushtrohet me mjete lundruese me kuvertë (motobarka ose anije peshkimi),leja kishte afat vlefshmërie 5 vjet. Ndërsa për peshkimin bregdetar, që ushtrohet me mjete lundruese pa kuvertë kishte vlefshmëri deri në 5 vjet.

Me ndryshimet e miratuara vlefshmëria e lejes së peshkimit do të jetë 10 vjeçare dhe do të rinovohet automatikisht me dorëzimin e kërkesës përkatëse të pronarit të anijes së peshkimit.

Sakaq për anijet e peshkimit që jepen me qira leja e peshkimit do të ketë vlefshmëri sipas afatit të kontratës së lidhur, por në çdo rast jo më shumë se 10 vjet.