Pension social për ata që kanë humbur vitet e punës, skema si do të funksionojë.
INFO
Të gjithë ata qytetarë që kanë punuar në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrjet apo ish-kooperativat bujqësore deri në vitin 1994 dhe sot nuk gëzojnë pension për shkak të mungesës së dokumentacionit, do të përfitojnë njohje të periudhave kontributive për efekt pensioni dhe një pension në masën e pensionit social prej rreth 9500 lekësh në muaj.
Të gjithë qytetarët që dalin rishtas në pension, por kanë vite të tëra pune në ish-kooperativa apo ndërmarrjet shtetërore, të cilat nuk i vërtetojnë dot, s’kanë përse enden gjyqeve.Instituti i Sigurimeve Shoqërore do t’ua marrë të mirëqena ato, mjafton të dokumentojnë që nuk kanë qenë të dënuar si dhe kanë jetuar pranë ndërmarrjes në periudhën që kërkojnë të provojnë se kanë punuar. Projektligji “Për njohjen e viteve të punës” kaloi dje në Komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Për zv.ministren e Ekonomisë, Olta Manjani, ky projektligj shmang shumë problematika për mijëra qytetarë në vit.“Ky proces zgjat në kohë, ka shpenzime të mëdha për qytetarët dhe administratën publike, ndaj projektligji synon rregullimin e efekteve të mbartura si rezultat i problematikës që është krijuar ndër vite me njohjen e viteve të punës për personat që u lind e drejta për njohjen e viteve të punës, edhe në rastet kur ka mungesë të dhënash, të pjesshme, të korrigjuara, të fshira, fletë të dëmtuara, të dhëna të pasakta etj.”,-u shpreh Manjani. Sipas saj, miratimi i këtij projektligji do të mundësonte njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen nga ana administrative për përfituesit, por do të bënte të mundur dhe përfitimin e një pensioni sa masa e pensionit social. Sipas analizës financiare, kosto e shtuar në vitin e parë të zbatimit të këtij projektligji rezulton rreth 40 milionë lekë. Në vlerësimin e kohës mesatare të gëzimit të pensionit, që është 15 vite kosto për këta përfitues, është rreth 600 milionë lekë për këta përfitues. Ndërsa në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, vit pas viti deri në një periudhë 16 – vjeçare rezulton në pesë miliardë lekë.
Projektligji
Gjatë punimeve të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani u shpreh se ky projektligj ka rëndësi për një numër të madh qytetarësh që kanë punuar para vitit 1994 dhe nuk kanë mundur të dokumentojnë periudhat e tyre të punës për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore”. “Projektligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore nga mosha 18 vjeç apo nga data e mbarimit të shkollës së lartë deri në ditën e hyrjes në fuqi të ligjit 7703 të vitit 1993 në ish-ndërmarrjet bujqësore, në datën e hyrjes në fuqi të VKM-së nr.452, datë 17/10/1992 për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore, i ndryshuar dhe në ish-kooperativat deri në datë 19/07/1991 që është data e hyrjes në fuqi e ligjit 7501 për tokën, i ndryshuar”,-tha Manjani.
Në shkurt ndahet bonusi i dytë
Nga ana tjetër, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar rishikimin e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2024, duke u përqendruar te shpërndarja tjetër e bonusit në shkurt për pensionistët. Ky rishikim synon të mbështesë shtresat më të cënueshme dhe të garantojë financimin e vazhdueshëm të investimeve publike. Pensionistët që marrin më pak se 20,000 lekë në muaj do të përfitojnë një shpërblim prej 100 euro, ndërsa ata që marrin më shumë se 20,000 lekë do të marrin 50 euro.
Pensionet, kush përfiton nga njohja e viteve të punës? Hado: Do ju njihen, atyre që dalin rishtazi, por dhe që kanë ankimuar.
Janë rreth 40 mijë persona, që mbushin çdo vit moshën e daljes në pension. Me zyrtarizimin e ndryshimeve ligjore, këta persona nuk do ta kenë më të nevojshme që t’i drejtohen gjykatës për t’ju njohur vitet e punës përpara ’94-s që ju mungojnë , pasi njohja e tyre do të bëhet automatikisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Gjatë diskutimit të projektligjit në Kuvend, Kreu i ISSH-së Astrit Hado tha se prej kësaj nisme do të përfitojnë edhe ata, të cilët janë në procedura administrative.“Ne e kemi diskutuar këtë gjë dhe kemi vendosur që do u njihen të gjithë atyre qytetarëve, të cilët mbushin moshën për të dalë në pension në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata, të cilat janë në procedura administrative. Që do të thotë, kush është në gjyq, kush është në ankimim administrativ, do t’i pezullojmë automatikisht procedurat e ankimimit dhe do t’ua njohim edhe këtyre njerëzve. Ndërsa, ata të cilët kanë dalë në pension, kanë shkuar në gjykatë, e kanë rrëzuar ose nuk e kanë ndjekur rrugën gjyqësore, nuk do t’u njihen. Sepse nëse do të hapej kjo gjë, dhe do t’u njihej të gjithëve, i bie që teknikisht dhe teorikisht të rillogariten teknikisht 720 mijë pensione”, tha Hado.





















