“Po ne të shkretët…”/ Nafta shtrenjtohet, rritet me 200 lekë bileta e transportit ndërqytetas Librazhd–Tiranë

Rritja e çmimit të naftës në vend po jep efekt të drejtpërdrejtë në transportin ndërqytetas. Udhëtarët që lëvizin nga Librazhdi drejt Tiranës apo qyteteve të tjera tashmë paguajnë më shumë për biletën.

Nga 500 lekë që ishte më parë, aktualisht tarifa ka shkuar në 700 lekë për çdo udhëtar. Për qytetarët, kjo përkthehet në kosto më të larta, veçanërisht për ata që udhëtojnë rregullisht.

NOA

“E vështirë është, kjo nuk do ndonjë shkencë, ajo duket. Nuk e pranojnë ata që s’dinë nga u vijnë lekët. Po ne të shkretët që punojmë për arat, shiko ku punojmë. I kanë rritur çmimet, mundohemi t’i përballojmë prej hallit, por po mendojmë të marrim çantat e të ikim për kurbet. S’ka qenë kaq e vështirë ndonjëherë, tani vetëm të vdesim fare.

Çfarë masash të merren? Thotë ai në Tiranë që është ulur nafta, po sa është çmimi këtu? Nuk reflektohet, as bëhet fjalë. Sa paguan për të udhëtuar? Për Elbasan tani do iki, s’e di sa e ka, por isha në Korçë pardje dhe nga Korça në Librazhd ishte rritur 2 mijë lekë më tepër. Kush i kontrollon çmimet këtu?!”

Sipas pronarëve të autobusëve, rritja e çmimit të karburantit ka ndikuar ndjeshëm në kostot e operimit. Nëse më parë nevojiteshin rreth 50 mijë lekë për furnizim me naftë, sot kjo shumë ka arritur në rreth 70 mijë lekë, duke rënduar drejtpërdrejt bilancin e tyre financiar.

“Për ne ka ndikuar shumë. Nëse më përpara duheshin 50 mijë lekë për naftë, tani duhen 70 mijë, pra 20 mijë lekë diferencë. I përballon? Nuk e përballoj dot. Edhe një muaj, pastaj hapim krahun e ikim edhe ne te të tjerët në Gjermani, ku janë të gjithë.”

Operatorët e transportit theksojnë se, përveç rritjes së kostove, situata është rënduar edhe nga rënia e ndjeshme e numrit të pasagjerëve. Kjo ka ulur të ardhurat, duke e bërë të vështirë mbulimin e shpenzimeve bazë dhe duke i çuar drejt borxheve.

“Ne s’po e përballojmë dot naftën, s’po çojmë asnjë lekë në shtëpi. Po marrim lekë borxh nëpër karburante, plus gjoba të tjera, letra, taksa… drejt falimentit. Keni qenë ndonjëherë në kaq vështirësi? Jo, është hera e parë.

Sa vite ke që punon shofer? 25 vite. Numri i udhëtarëve? Ka rënë, s’bëhet fjalë. Nuk ka më, ka rënë shumë. Largimi ndikon shumë. Më përpara vinim me 15 veta, tani vijmë me 4–5 vetë, s’bën as naftën.”

Edhe drejtues të tjerë të mjeteve të transportit publik konfirmojnë se rritja e çmimeve dhe ulja e numrit të pasagjerëve po i çon gradualisht drejt falimentimit, duke vënë në pikëpyetje vijimësinë e aktivitetit.

“Rritja e çmimit na ndikon shumë. Tani kanë rënë edhe pasagjerët dhe s’kemi mundësi ta përballojmë. Avash-avash po shkojmë drejt falimentimit, nuk diskutohet kjo punë. Sa vite ke shofer? Kam 22 vite që punoj.”

Rritja e çmimit të karburanteve vijon të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur presionin mbi ekonomitë familjare. Në një kohë kur çmimet janë në rritje, qytetarët kërkojnë ndërhyrje konkrete për të lehtësuar barrën financiare, ndërsa transporti mbetet një nga zërat më të ndjeshëm të shpenzimeve.