Vendgrumbullimi i plehrave në Vlorë digjet, e gjithë zona mbulohet nga tymi toksik
Ndërtimi i inceneratorëve është realizuar më anë të një kontrate partneriteti publik privat, i ka kushtuar taksapaguesve mbi 400 mln euro. Megjithatë mbetjet ende nuk digjen në incenerator .
Vendgrumbullimi i mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës është sërish në flakë. Era e fortë që vijon prej më shumë se 24 orë ka rindezur vatrat e zjarrit duke krijuar një situatë të rënduar nga tymi toksik, i cili çlirohet në ajër. Përveç erës së keqe tymi vështirëson dhe qarkullimin e automjeteve në atë zonë. Rruga është e mbuluar nga shtëllungat e tymit dhe është vështirë të shohësh vazhdimin e saj.
Forca të zjarrfikseve ndodhen në zonë për izolimin e flakëve, por era e fortë e rindez zjarrin, i cili është përhapur pothuajse kudo në të gjithë këtë zonë.
Era që fryn nga juglindja, tymin që çlirohet nga zjarri e çon në drejtim të fshatit Nartë.
Kreu i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Vlorë, Edi Leka, është shprehur se “gjatë gjithë natës, të gjithë kemi qenë në përpjekje për të normalizuar situatën. Vështirësia qëndron tek tymi, i cili na ka penguar dhe vijon të na pengojë.
Era e fortë favorizon flakët, ndërsa ne do të ndërhyjmë me shtresa rërë ose inertesh për të izoluar vatrat e zjarrit.”
Leka është ndalur dhe tek çështja e landfillit të Sherishtës. Sipas tij është prishur tashmë marrëveshja e bashkisë së Vlorës me operatorin që operonte në këtë landfill për ta vënë atë në funksion, që do të thotë se shumë shpejt mbetjet do të depozitohen në landfill e kjo fushë nuk do të jetë vendgrumbullim i mbetjeve urbane të qytetit.
Në Fier ka një investim prej 28 milion euro për ndërtimin e një inceneratori, ndërsa në Vlorë landfilli i ri, një projekt i financuar nga banka gjermane KfË, ka vlerën e 9.8 milion eurove. Të dy projektet po zhvillohen nga Integrated Technology Services. Kjo e fundit është aksionere në inceneratorin e Fierit dhe bashkë me Bulfaro S.p.a. po ndërtojnë landfillin e Vlorës.
Skandali edhe 2 muaj më parë
Tymi i zi edhe në kulmin e sezonit turistik pushtoi qytetin bregdetar të Vlorës, pasi vend grumbullimi i mbetjeve urbane u përfshi nga flakët këtë të diel.
Flakët përshkuan pothuajse të gjithë fushën e mbetjeve urbane të qytetit. Tymi ka pushtuar një sipërfaqe të madhe, duke shkaktuar dëm kolosal për qytetin, pasi djegia e mbeturinave çliron kimikatet e dëmshme për organizmin.Vlora u kthye në një furrë gjigante djegie gëlqereje.






















