Normaliteti i vjetër i politikës dhe realiteti i ekonomisë së re të krizës

401
Sigal

Çudia më e madhe tre ditë zgjat, sipas një thënieje popullore. Koronavirusi, në fakt, zgjati për tre muaj. Dëmet që ai shkaktoi, që nuk ishin në dorën e askujt për t’u parandaluar, pasi një mbyllje e vendit u pa si më e përshtatshme për të parandaluar humbjen e jetëve, do të duhet të paktën tre vjet që të rikuperohen, ndonëse nga 1 qershori gjithçka duket se i është kthyer normalitetit.

Çudia që zgjati vetëm 3 ditë ishte ajo e politikës. Sinjalet pozitive se kriza mund të kishte ndihmuar në një ndërgjegjësim dhe rritje të bashkëpunimit mes palëve, në të mirë të vendit, u shuan shumë shpejt. Politika iu rikthye shumë shpejt normalitetit të vjetër, me debatet, akuzat e kundërakuzat e deri te pazaret e fshehta. Reforma në Drejtësi, që po zvarritet prej vitesh dhe që shihet si një parakusht për tërheqjen e investitorëve të huaj, ecën një hap para e dy hapa pas.

Vendi po qeveriset pothuajse në kushtet e monizmit, ku vullneti i sovranit nuk u dëgjua për zgjedhjet lokale dhe institucionet kushtetuese janë pothuajse jofunksionale. E megjithatë, një marrëveshje për një sistem të ri zgjedhor, që do të garantonte vullnetin e sovranit, duket ende larg, ose po bëhet për interesa të ngushta politike. Në oborrin e vjetër të politikës, palët vetëm sa sorollaten nga një cep në tjetrin, por në fund kthehen gjithnjë në pikën e nisjes. Fundja, të gjithë e kanë kuptuar këto 30 -vjet se interesi i pushtetit vjen përpara çdo lloj interesi tjetër mbi palët dhe në të mirë të banorëve të saj.

Ndryshe nga politika, ekonomia po shkon drejt një normaliteti tërësisht të ri. Vendi pritet të shënojë një rënie ekonomike midis 5%, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe 9%, sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Struktura ekonomike pritet të shënojë ndryshime rrënjësore. BERZH-i vlerëson se Shqipëria është veçanërisht e goditur, jo vetëm për shkak të varësisë së lartë nga turizmi, por dhe problemeve të saj të brendshme, si tregu i dobët i punës me një nivel të lartë informaliteti. Kjo e fundit është shqetësimi kryesor dhe i Bankës Botërore, pasi pikërisht këto vende pune janë më pak të sigurta dhe në risk gjatë një periudhe krize.

Kriza po godet sipërmarrësit, veçanërisht të vegjël dhe ata që punojnë në ekonominë informale, duke nxjerrë në pah problemet strukturore me të cilat po përballej ekonomia e vendit prej dekadash. Rekomandimi i institucioneve është të krijohen kushtet për një rritje më gjithëpërfshirëse ekonomike, në të cilin një grup më i larmishëm i industrive, rajoneve dhe grupeve sociale të kontribuojnë dhe përfitojnë nga rritja gjatë periudhës së rimëkëmbjes.

Në fakt, bizneset, kryesisht ato të mëdha, do të arrijnë ta gjejnë vetë rrugën, duke shfrytëzuar ndryshimet që do të ndodhin në zinxhirin global të tregtisë, apo në riorientimin e kërkesës së brendshme. Më e vështirë do të jetë fatkeqësisht për të vegjëlit, shumë prej të cilëve nuk do të mbijetojnë. Por, sido që të jetë, ekonomia dhe sipërmarrja do të arrijnë ta gjejnë vetë rrugën, siç e kanë bërë gjithmonë, ku ka qenë me hapa përpara politikave qeverisëse. Kështu ndodhi me turizmin vitet e fundit, ku hotelet u ngritën me shpejtësi pas rritjes së kërkesës së të huajve, ndërsa qeveria nuk arriti t’i ndjekë as me infrastrukturën minimale.

Kështu do të ndodhë dhe me normalitetin e ri të ekonomisë. Bizneset do të arrijnë të përshtaten e të mbijetojnë. E vetmja gjë që duhet të bëjë qeverisja e vjetër, nëse nuk u kap dot ritmin, të paktën të mos u vërë pengesa në rrugën e tyre, sidomos në këtë situatë aspak normale dhe tepër të vështirë. Sa më shumë që zgjat agonia politike, aq më shumë shtyhen reformat që do të krijonin një mjedis të drejtë e me rregulla të qarta loje për të gjithë, duke penguar investimet e huaja dhe duke dekurajuar bizneset e brendshme. Ndaj, normaliteti i ri i ekonomisë nuk e pret dot më politikën e vjetër…