KLSH/ Zvarritja e projekteve, rriti me 59 milion $ kostot

254
Sigal

KLSH: Qukës-Qafë Plloçë duhet të ishte mbaruar në 2018, kostot u rritën me 59 milionë dollarë

Zvarriten projektet infrastrukturore

Projektet e rrugëve në vend, qoftë edhe ato me financimeve të huaja zvarriten e keqmenaxhohen duke krijuar kosto të rënda në buxhetin e shtetit. Një prej tyre është ai i “Ndërtimit të Rrugës Qukës -Qafë Plloçë”, i cili duhet të përfundonte në vitin 2018, ndërkohë që deri në fund të muajit tetor 2019, nuk është realizuar më shumë se 57 % e disbursimeve. Rezultatet e auditimit të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi zbatimin e tij, nxjerr në pah, që projekti jo vetëm është vonuar, por kostoja e tij është rritur me afërisht, 59 milionë dollarë. “ Referuar ndryshimeve të miratuara deri në momentin e auditimit dhe ato në proces miratimi, kosto e projektit rritet me vlerë mbi 59 milionë USD,  vlerë e cila pritet të rritet deri në përfundim të projektit, duke i kushtuar shumë buxhetit të shtetit në investimet me financime të huaja”, thekson raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Mbështetur në gjetjet nga auditimi, KLSH-ja arrin në konkluzionin, se nga strukturat drejtuese të projektit, nuk janë marrë hapat e duhur për njoftimin në kohë të pasojave që sjell mosfinancimi i plotë i projektit, veçanërisht i lotit 3. Janë krijuar vonesa, kryesisht në zbatimin e kontratave të punimeve civile, vonesa të cilat kanë  rezultuar me vonesë të projektit në tërësi, ndryshimin herë pas here të planit të disbursimeve, si dhe kosto shtesë kryesisht si pasojë e zgjatjes së afatit të kontratave të shërbimeve konsulentë, konkretisht për mbikëqyrjen e punimeve. Nga ana e ARRSH-së, nuk janë marrë masat e duhura për realizimin e  prokurimeve për shërbimin e projektimit, pasi projekt-zbatimi ka rezultuar me mangësi të theksuara. Nga auditimi kanë rezultuar efekte negative financiare me vlerë 582.5 mijë USD,  vlerë e cila përbën pagesa për mjete transporti të pa nevojshme, punime të dëmtuara nga rrëshqitjet e skarpateve si dhe dëm ekonomik me vlerë 37.4 mijë USD, i cili rezulton nga pagesa për shërbime të pa realizuara për transport personeli.

Projekti “Ndërtimi i rrugës Qukës -Qafë Plloçë”, është projekt i cili është i strukturuar në tre lote me bashkëfinancimin nga Banka Botërore, (IDA), për lotin I dhe II në shumën 125 milionë USD, ndërsa për lotin III, financimi është i Bankës Islamike, në shumën 25 milionë USD. Ky projekt rezulton se ka një vonesë të konsiderueshme në zbatimin e tij, dhe kjo vjen kryesisht për mos përfundimin dhe pezullimin e punimeve për lotin III, si pasojë e mungesës së fondeve nga pala shqiptare. Për këtë lot, në marrëveshjen financiare midis Bankës Islamike dhe palës shqiptare është përcaktuar se shuma e dhënë në formë huaje, është 25 milion USD, dhe pjesa tjetër e financimit do të përballohet nga shteti shqiptar.