Njerëzit e vaksinuar, a mund të përhapin koronavirusin?

316
Sigal

 Ja përgjigjet e studiuesve dhe prodhuesve të vaksinave për dilemat dhe pyetjet kundrejt Covid

 

Kërkimet e ndryshme kanë zbuluar se rastet e padokumentuara të COVID-19 tek njerëzit që ishin asimptomatikë,  ose e kaluan me simptoma të lehta, mund të ishin përgjegjës deri në 86% të të gjitha infektimeve.

Kur Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  ndryshuan udhëzimet për mbajtjen e maskave më 13 maj 2021, të shumtë ishin amerikanët që u hutuan nga udhëzime të tilla.

Sot, kushdo që është plotësisht i vaksinuar mund të marrë pjesë në aktivitete në ambiente të mbyllura dhe të hapura, të mëdha apo të vogla, pa mbajtur maskë apo pa qenë i kujdesshëm për ruajtjen e distancimit fizik. Anthony Fauci, Kryekëshilltari mjekësor i Presidentit Biden, tha se udhëzimi i ri është “ i bazuar në evolucionin e shkencës” dhe “shërben si një nxitje” për pothuajse dy të tretat e amerikanëve,  të cilët nuk janë ende plotësisht të vaksinuar që të shkojnë dhe të vaksinohen.

Por disa njerëz nuk mund të vaksinohen për shkak të disa kushteve themelore. Të tjerët me sistem imunitar të dobët, nga kanceri ose trajtimet mjekësore, mund të mos mbrohen plotësisht nga vaksinat. Fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç u vendos që ishin të përshtatshëm për të bërë vaksinën ‘Pfizer-BioNTech’ vetëm në 10 maj 2021. Dhe asnjë vaksinë COVID-19 nuk është ende e autorizuar për gati 50 milionë fëmijë në SHBA nën moshën 12 vjeç.

Ndërsa kufizimet po hiqen dhe njerëzit fillojnë t’i lenë maskat e tyre në shtëpi, disa njerëz shqetësohen nëse mund të infektohen nga dikush që është i vaksinuar?

Studimet: Vetëm vaksinimi nuk ka gjasa të arrijë imunitetin e tufës kundër COVID-19 dhe ta kufizojë plotësisht koronavirusin.

Vaksinat nuk e parandalojnë gjithmonë infektimin

Studiuesit kishin shpresuar të krijonin vaksina të sigurta COVID-19 që do të parandalonin që të paktën gjysma e njerëzve të vaksinuar të kishin simptoma koronavirusit. Për fat të mirë, vaksinat i kanë tejkaluar pritshmëritë. Për shembull, në 6.5 milionë banorë të Izraelit, të moshës 16 vjeç e lart, vaksina ‘Pfizer – BioNTech mRNA COVID-19’ pati një efektivitet prej 95.3 për qind, pas marrjes së të dyja dozave. Brenda dy muajve, midis 4.7 milionë të vaksinuarve plotësisht, infeksionet e zbuluara ranë 30 herë. Në mënyrë të ngjashme në Kaliforni dhe Teksas, vetëm 0,05% e punonjësve të kujdesit shëndetësor, plotësisht të vaksinuar, rezultuan pozitivë me COVID-19. Prodhuesit e vaksinave shpesh shpresojnë që, përveç parandalimit  të sëmundjes, vaksinat e tyre do të arrijnë “imunitetin sterilizues”, ku vaksinimi bllokon mikrobet që të mos mund të futen fare në trup. Vaksina ‘Salk’ e poliomelitit, për shembull, nuk ndalon plotësisht rritjen e virusit të poliomelitit në zorrën njerëzore. Por është jashtëzakonisht efektive në parandalimin e sëmundjes gjymtuese, sepse shkakton antitrupa që bllokojnë virusin nga infektimi i trurit dhe palcës kurrizore. Kur bëhet fjalë për COVID-19, imunologët ende po zbulojnë ato që ata i quajnë “korrelacionet e mbrojtjes”, faktorë që parashikojnë sesa i mbrojtur është dikush kundër  koronavirusit.  Studiuesit besojnë se një sasi optimale  e “antitrupave neutralizues”, janë të mjaftueshme për të shmangur infektimet e përsëritura. Shkencëtarët gjithashtu po vlerësojnë ende qëndrueshmërinë e imunitetit që po japin vaksinat COVID-19 dhe në cilën pjesë të trupit ajo po jep rezultate më të larta dhe po funksionon më së miri.

A mundet një person i vaksinuar të përhapë koronavirusin?

Imunologët presin që vaksinat që krijojnë mbrojtje nga sëmundjet virale të zvogëlojnë edhe transmetimin e virusit pas vaksinimit. Por në fakt është e ndërlikuar të kuptohet me siguri nëse njerëzit e vaksinuar nuk po përhapin mikrobe.

COVID-19 përbën një sfidë të veçantë, sepse njerëzit me infektime asimptomatike dhe para-simptomatike mund të përhapin sëmundjen dhe gjurmimi dhe testimi i pamjaftueshëm i kontaktit do të thotë që ata pa simptoma zbulohen rrallë. Disa shkencëtarë vlerësojnë se numri i infektimeve  asimptomatike COVID-19 në popullatën e përgjithshme, mund të jetë 3 deri në 20 herë më i lartë se numri i rasteve të konfirmuara.

Kërkimet e ndryshme kanë zbuluar se rastet e padokumentuara  të COVID-19 tek njerëzit që ishin asimptomatikë,  ose e kaluan me simptoma të lehta, mund të ishin përgjegjës deri në 86% të të gjitha infektimeve.

Ajo që dimë me siguri është se nëse dikush sëmuret me COVID-19 pas vaksinimit, simptomat do të jenë më të lehta. Një studim paraprak i cili ende nuk është rishikuar nga kolegët sugjeron që vaksina ‘Moderna’ e zhvilluar me ‘mRNA’ mund të prodhojë antitrupa që luftojnë koronavirusin në lëngun oral dhe atë të hundës.

Kjo do të thoshte gjithashtu se njerëzit e vaksinuar ndoshta nuk do ta përhapnin virusin përmes pikave të frymëmarrjes. Këto prova janë premtuese. Por pa më shumë studime, shkencëtarët nuk mund të arrijnë në përfundimin se vaksinat COVID-19 me të vërtetë mbrojnë nga të gjitha transmetimet.

Mbrojtja dhe parandalimi ecin paralelisht

Vaksinat ndihmojnë në ngadalësimin e përhapjes së një sëmundje infektive duke thyer zinxhirin e infektimit. Rrjedhimisht, ata që janë të infektuar kanë gjithnjë e më pak njerëz të pambrojtur për ta transmetuar virusin. Kjo është mënyra se si një vaksinë rrit imunitetin e tufës.

Por studimet sugjerojnë që, për një kombinim të arsyeve biologjike dhe shoqërore, vetëm vaksinimi nuk ka gjasa të arrijë imunitetin e tufës kundër COVID-19 dhe ta kufizojë plotësisht koronavirusin.

Edhe sëmundjet që janë pothuajse “të eliminuara” të tilla si lia e dhenve, fruthi apo kollë e mirë – mund të rishfaqen me imunitet në rënie dhe normat e vaksinave në rënie. Udhëzimet e lehtësuara të CDC-së në drejtim të maskave kanë për qëllim të krijojnë siguri tek njerëzit e vaksinuar se janë të sigurtë. Dhe ata janë në fakt, por situata është më pak e paqartë për të pavaksinuarit që bashkëveprojnë me ta.

Derisa të arrihet imuniteti afër tufës kundër COVID-19 dhe të grumbullohen prova të qarta që njerëzit e vaksinuar nuk e përhapin virusin, shumë epidemiologë besojnë se është më mirë të shmangen situatat ku mundësia për t’u infektuar është e lartë. Vaksinimi i shoqëruar me mbajtjen vazhdimisht të maskës dhe distancimin social është ende një mënyrë efektive për të qëndruar më të sigurt./ “The Conversation”