Në RTSH janë vjedhur 15 milionë Euro; SPAK ka provat e Kontrollit të Lartë të Shtetit, emrat e hajdutëve dhe prangat për ta!

110
Sigal

Në RTSH janë zbuluar vjedhje masive prej 15 milionë Eurosh gjatë tre viteve të fundit, përmes tenderëve fiktivë dhe përdorimit të dokumenteve të rreme. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka siguruar prova dhe ka identifikuar personat përgjegjës për këtë abuzim, ndërkohë që SPAK është në posedim të këtij raporti.

 

Drejtoresha në detyrë Aurora Polo (Daja), refuzoi të merrte në dorëzim raportin e KLSH, ndërsa kryetari Leka Bungo, nuk firmosi vendimin e Këshillit Drejtues, për zbatimin e rekomandimeve të auditimit që hajdutët të rikthejnë në llogarinë e RTSH milionat e vjedhura, sepse edhe këta të dy kanë zhvatur miliona…

Sipas Pamfletit, buxheti vjetor i RTSH është 22 milionë Euro, me këto burime financiare: 6 milionë Euro fond nga shteti, 15 milionë Euro nga taksa e aparateve televizivë dhe 1 milionë Euro të ardhuara nga tarifat e antenave, shitjet e të drejtave televizive, reklamat e kontrata të tjera.

Por sipas raportit të KLSH në dhjetor 2024, sipas auditeve të brendshme në RTSH dhe auditeve të Ministrisë së Financave për përdorimin e taksës së televizorit dhe fondin 6 milionë Euro që i jep shteti, rezulton se në 3 vitet e fundit, banda drejtuese e RTSH ka vjedhur 15 milionë Euro.

Ja disa nga provat e batërdisë që ka zbuluar KLSH në financat e RTSH:

– Për blerjen e shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2 nga RTSH, është bërë tender fiktiv e letra false me vlerë 7.3 milionë Euro, për afatin e shërbimit 4 vite.

Por kompania austriake që është shpallur fituese, nuk ka firmosur kontratën, ndërsa urdhër transfertat, fatura elektronike dhe gjoja realizimi i këtij shërbimi, janë bërë çdo muaj me raporte false sikur i ka firmosur kompania, kur nuk ka patur dijeni për veprimet e financiare e teknike.

– Tenderi për blerjen e shërbimit të platformës OTT, me vlerë 851 mijë Euro dhe tenderi tjetër paralelisht e me të njëjtin objekt shërbimi në vlerë 1.1 milionë Euro; për të cilat, sipas raportit të KLSH, nuk kanë asnjë indikator vlerësues të përdorimit e dobishmërisë së investimit dhe janë bërë në shkelje të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”.

– Tenderi fiktiv, për marrje me qira studio televizive lëvizëse transmetuese, me 24 mijë Euro për 4 netët e festivalit në RTSH, kur RTSH ka 2 studio televizive levizëse, të blera 931 mijë Euro.

– Vjedhje 580 mijë Euro, nëpërmjet një tenderi fiktiv me letra false, për gjoja blerje video ëall, televizor e pajisje ndriçimi për studiot e RTSH.

-Vjedhje 450 mijë Euro, me tenderin fiktiv me letra false, për gjoja blerje shërbimi për transmetimet e sinjalit TV e Radio me Fibër Optike; kur paralelisht është një kontratë me të njëjtin objekt blerje, me kompani tjetër në vlerë 400 mijë Euro mbivendosje.

Disa nga skemat e mashtrimeve përfshijnë tenderë të rrejshëm për shërbime dhe pajisje të shumta, duke përfshirë investime për të cilat nuk ka pasur asnjë dobi reale. Pavarësisht provave të mbledhura, Drejtoresha në detyrë, ka refuzuar të marrë në dorëzim raportin e KLSH, ndërsa Kryetari i Këshillit Drejtues, ka penguar zbatimin e rekomandimeve për kthimin e parave të vjedhura.

Pagesë për punë të pa kryera e të kryera përgjysmë: 12 mijë Euro për bashkë-prodhimin filmik “Violinisti”; 30 mijë Euro për filmin “Love”; 24 mijë Euro për “Ujëvara e dritës”; 45 mijë Euro për “Koha dhe Artisti”; 24 mijë Euro për “Luanët drejt Venecias”; 29 mijë Euro për “Edhe një ditë”;  24 mijë Euro për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.

– Për 27 emisione televizie, RTSH ka paguar 91 punonjës të saj me nga 3 milionë lekë honorare mbi pagat mujore, ndërsa në vitet 2021-2024, deklaron se u ka dhënë një grupi gazetarësh, shoferësh e teknikësh, 413 pagesa për dieta e udhëtime fiktive në vlerë totale 826 mijë Euro, shumica dorazi, të pa firmosura nga marrësit e me mandat-pagesa pa emrat e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga Pamfleti,, në RTSH janë vjedhur 15 milionë Euro me tenderë fiktivë e letra false, për të cilat SPAK ka raportin e KLSH-së, ku janë provat dhe emrat e hajdutëve, si dhe prangat për ta. Edhe një fakt: Drejtoresha në detyrë Aurora Polo (Daja), refuzoi të merrte në dorëzim raportin e KLSH, ndërsa kryetari Leka Bungo, nuk firmosi vendimin e Këshillit Drejtues, për zbatimin e rekomandimeve të KLSH, që hajdutët të rikthejnë në llogarinë e RTSH milionat e vjedhura, sepse edhe këta të dy kanë zhvatur miliona.