Mungojnë të dhënat për përfituesit e miliardave të Hemodializës

480
Sigal

Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues mungojnë të dhëna për përfituesit e miliardave të Hemodializës

Ersuin Shehu

Vijon nga numri i kaluar

 

 Infrastruktura, PPP-të të gjitha për shqiptarët

Në tetë vitet e fundit, mekanizmi i PPP-ve është përdorur edhe në projekte të mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale. Përfitues të këtyre projekteve janë në shumicën e rasteve biznesmenë shqiptarë.

Në vitin 2015, shoqëria Porti MBM fitoi koncesionin për ndërtimin e portit të hidrokarbureve në Porto Romano. Aksioneri kryesor i shoqërisë në fjalë është kompania Adriatic Bay Investment Group, me 99% të aksioneve. Kompania është themeluar nga dy prej importuesve më të rëndësishëm të naftës në vend.

Në vitin 2016, kompania Albania Highëay Concession lidhi kontratën me objekt ndërtimin, përmirësimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot – Morinë. Megjithëse fillimisht si pjesë e konsorciumit në garë u paraqitën disa kompani të huaja, përfundimisht aksionet e kompanisë u ndanë në mënyrë të barabartë mes 2 kompanive shqiptare.

Kontrata do të financohet nga shfrytëzimi i rrugës nëpërmjet tarifës së paguar nga përdoruesit e saj, por paralelisht edhe nëpërmjet mbështetjes buxhetore. Në katër vitet e fundit, koncesionari ka marrë nga buxheti i shtetit 2.5 miliardë lekë, ndërsa për tre vitet e ardhshme janë parashikuar mbi 2.2 miliardë lekë të tjera.

Në vitin 2018, qeveria shqiptare lidhi kontratën koncesionare me objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit me kompaninë Gjoka 87, e krijuar enkas për këtë qëllim nga firma e ndërtimit Gjoka Konstruksion. Kontrata ka vlerë rreth 40 miliardë lekë. Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, përfitues final i kontratës është Rrok Gjoka, pronar i vetëm i firmës Gjoka Konstruksion.

Pagesat në favor të koncesionarit nisën në vitin 2019 dhe deri tani, ai ka përfituar nga buxheti 10 miliardë lekë, ose rreth një të katërtën e vlerës së parashikuar të kontratës. Për tre vitet në vijim, parashikohen pagesa të tjera, me vlerë totale prej 9.3 miliardë lekësh.

Në vitin 2018 u miratua kontrata koncesionare për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor “Porti i Jahteve – Bypass Orikum – Dukat”, me Shoqërinë Koncesionare “Rruga Orikum – Llogora”. Kontrata kishte vlerën e 50.5 milionë eurove, ndërsa kompania koncesionare zotërohet nga firma e ndërtimit Gjikuria dhe përfitues të saj janë Florenc Gjikuria me 64% të aksioneve dhe Milo Gjikuria me 36% të aksioneve. Pagesat në favor të kësaj kompanie kanë nisur këtë vit, me një shumë totale prej 353 milionë lekësh, ndërsa për tre vitet e ardhshme parashikohen transferta me vlerë totale gati 2.5 miliardë lekë.

Po në vitin 2018, kompania shqiptare A.N.K. u shpall fituese e koncesionit për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre, për një shumë prej 161.5 milionë eurosh. Kompania është në pronësi të plotë të biznesmenit shqiptar Agim Kola. Pas një rinegocimi pa garë të interesave, vlera e kontratës u rrit në 213 milionë euro pa TVSH, për një rrugë me gjatësi 17 kilometra.

Megjithatë, ndërtimi i kësaj rruge është kthyer në një mister më vete. Ministrja e Infrastrukturës është shprehur se ky projekt është anuluar, por, nga ana tjetër, Ministria e Financave në tabelat e buxhetit vazhdon ta listojë zyrtarisht atë mes projekteve të PPP-ve me financim buxhetor. Në buxhetin e rishikuar 2021 parashikohet një financim prej 65 milionë lekësh, ndërsa në atë të vitit të ardhshëm, një financim prej vetëm 10 milionë lekësh.

Në fillim të vitit 2019, qeveria miratoi kontratën për rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e Aeroportit të Kukësit te konsorciumi i përbërë nga kompanitë Bami dhe Global Technical Mechanics me afat 35-vjeçar. Konsorciumi fitues u angazhua të investonte rreth 8 milionë euro për të bërë operativ aeroportin.

Bami është një kompani me aktivitet në sektorin e ndërtimit, në pronësi të shtetasit Besnik Bami, ndërsa Global Technical Mechanics është një kompani e krijuar në vitin 2018, me qëllim kryesor kontrollin e mjeteve motorike dhe pjesëve të tyre. Pronar i kompanisë është Ridgers Mema, person i lidhur me grupin e biznesit Kastrati dhe aksioner, njëkohësisht, edhe në kompani të tjera ku ky grup është i përfshirë.

Sipas Regjistrit të Pronarëve Përfitues, pronarë indirektë të Kukës International Airport janë Besnik Bami me 70% të aksioneve dhe Ridgers Mema me 30% të aksioneve. Ridgers Mema është njëkohësisht edhe administrator i shoqërisë.

Jo të gjithë kanë raportuar

Ligji kërkonte që deri në fund të vitit 2020, të gjitha shoqëritë tregtare të identifikonin pronarët përfitues dhe t’i raportonin në Regjistrin e Pronarëve Përfitues jo më vonë se dy muaj nga data e krijimit të këtij regjistri. Duke qenë se regjistri kishte si afat të fundit krijimi, datën 31.1.2021, atëherë afati për regjistrimin e pronarëve përfitues në të ka qenë data 31 mars e këtij viti.

Sipas ligjit, mosregjistrimi i të dhënave të pronarëve përfitues ndëshkohet me gjobë 500 mijë lekë, ndërsa mospërditësimi i të dhënave të ndryshuara brenda afateve ndëshkohet me gjobë në vlerën 250 mijë lekë. Në rast se detyrimi për përditësimin e të dhënave shkelet më shumë se një herë, gjoba për subjektin dyfishohet. Gjobat vendosen nga titullari i Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Megjithatë, nga kërkimi në regjistër duket se jo të gjitha bizneset e kanë kryer raportimin përkatës. Për shembull, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues nuk rezultojnë të dhëna për kompaninë DiaVita, me objekt aktiviteti zbatimin e Kontratës së Koncesionit/Partneritetit Publik-Privat për shërbimin e Hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, që prej vitit 2015.

Në vitin 2019, DiaVita u ble nga Diaverium International AB, e prezantuar si shoqëri holding, e regjistruar në Suedi dhe pjesë e grupit Diaverum, shoqëri e specializuar në trajtimin e problemeve të veshkave. Zyrtarisht, Diaverum zotërohet nga grupi britanik Bridgepoint Group, një fond investimi në kapitalin e kompanive private (Private Equity).

Kompania është e listuar në bursë dhe nga informacioni në faqen e saj nuk rezultojnë individë apo subjekte që të kontrollojnë më shumë se 25% të aksioneve, megjithatë sërish kjo nuk e përjashton nga detyrimi për të raportuar. Në këto raste, sërish kompania duhet të deklarojë përfaqësuesin ligjor ose individin që ushtron kontrollin e fundit efektiv mbi administrimin. Kjo vlen edhe për entitetet jofitimprurëse, si për shembull shoqata, fondacione.

Vlera e parashikuar e kontratës së koncesionit të dializës ishte rreth 8.6 miliardë lekë, ndërsa deri tani, kompania ka përfituar rreth 4.5 miliardë lekë transferta buxhetore. Për tre vitet e ardhshme, Ministria e Financave parashikon rreth 2.7 miliardë lekë pagesa për këtë kompani.

Megjithatë, koncesioni i dializës, ashtu si edhe ai i sterilizimit apo i analizave laboratorike, bartin rreziqe për buxhetin, sepse pagesat janë parashikuar bazuar në projeksione për numrin e shërbimeve të ofruara. Nëse, për shembull, numri i seancave të dializës apo i operacioneve rezulton më i lartë, (siç edhe ka ndodhur deri tani), kompanitë koncesionare do të përfitojnë më shumë para.

Një tjetër kompani rreth së cilës ka pasur paqartësi lidhur me pronarët përfitues, ose kontrollin fundor, është Allum Enterprises. Megjithëse nuk ka vepruar si koncesionare, për afërsisht tre vite ajo kishte në pronësi Rafinerinë e Naftës në Ballsh, një objekt me rëndësi strategjike për industrinë e përpunimit të naftës dhe për ekonominë e vendit. Pasi Allum dështoi të shlyente detyrimet e kredisë nëpërmjet së cilës e bleu Rafinerinë, Credins Bank procedoi me ekzekutimin e detyrueshëm të kolateralit, duke e marrë sërish në pronësi Rafinerinë e Ballshit.

Allum Enteprises nuk rezulton të ketë raportuar deri më sot në Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Nga viti 2017 deri në 2019, ajo zotërohej nga një kompani e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Allum Enterprises Limited. Në vitin 2019, sipas Regjistrit Tregtar, ajo u ble nga kompania Mercado Exterior, shoqëri e regjistruar në kantonin e Luganos në Zvicër, tjetër destinacion i njohur për regjistrimin e kompanive guaskë. Mercado Exterior administrohet nga një shtetase italiane, e quajtur Milena Conforti, ndërsa aksionerët janë të panjohur.

Megjithatë, vitin e kaluar, kryeministri, Edi Rama, njoftoi se, në një takim të zhvilluar me presidentin azer, Ilham Aliyev, kishte diskutuar edhe problemin e Rafinerisë së Ballshit. Rama tha se në këtë çështje tashmë ishte përfshirë një kompani azere dhe se ai mori angazhimin e presidentit azer për zgjidhjen afatgjatë të problemit. Në fakt, problemi i Rafinerisë së Ballshit me azerët nuk u zgjidh asnjëherë dhe pronësia e vërtetë mbi kompaninë nuk është bërë transparente as sot e kësaj dite.