Mungesa për mjekë dhe infermierë/ Shqipëria nën mesataren europiane për punonjës shëndetësie

82
Sigal

Nevojat e Shqipërisë për punonjës të shëndetësisë mbeten të larta. Një raport i OBSH thekson se Shqipëria është nën mesataren e Evropës për numrin e punonjësve të shëndetësisë për 10 mijë banorë. Kjo e fundit në Evropë është në shifrat 121 punonjës shëndetësie, mjekë, infermierë dhe mami, për 10 mijë banorë. Ndërsa Shqipëria është në nivelin e 70 punonjësve për 10 mijë banorë. Dendësia e mjekëve për 10 mijë banorë, arrin në 18, dy herë më pak se mesatarja e Evropës. Pak më mirë, Shqipëria paraqitet në numrin e infermierë, në 52 të tillë për 10 mijë banorë, nga 80 që është mesatarja e europës. Ndërsa për mami, Shqipëria është pranë nivelit europian. Edhe pse nga viti në vit, kuotat e pranimit në universitetin e Mjekësisë janë rritur, sërish nevojat në vend mbeten të larta. Zonat e thella malore të Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës kanë nevojat më të mëdha për infermierë, logoped, mami dhe fizioterapist, teksa çdo vit, afro 1 mijë persona punësohen përmes portalit ‘Infermierë për Shqipërinë’. Qeveria miratoi edhe disa ndryshime ligjore për të kushtëzuar studentët e Mjekësisë që të punojnë 3 vite në Shqipëri pas diplomimit, me qëllim që të plotësohen nevojat për mjekë, por ligji është në proces rishikimi pas rrëzimit të draftit fillestar nga Gjykata Kushtetuese.