Shpendi Topollaj: Nuk pritet asgjë e mië nga bisedimet me Vuçiçin!

32
Sigal

Bisedimet pa fund dhe spërdredhjet vuçiçjane, e kanë humbur seriozitetin dhe besimin se do të arrihet ndonjë gjë e mirë. Nuk dihet sesa do të zgjasin këto bisedime, por ajo që dihet është se asnjëherë nuk do të ketë qetësi mes këtyre dy shteteve. Këtë e tregoi më së miri sulmi banditesk i 24 shtatorit në Banjskë dhe qëndrimi që Vuçiçi mbajti ndaj banditëve vrasës, të cilët i nderoi dhe i mori në mbrojtje.

Asnjë problem nuk do të kishte, sikur ndërkombëtarët të orjentonin bashkimin faktik të Kosovës me Shqipërinë qysh në vitin 1999, pra, pasi agresorëve serbë iu dha një mësim i mirë, pas tragjedisë që shkaktoi ndaj një populli paqësor. Por e dalë nga një situatë mjaft e vështirë, Kosova natyrisht që mbeti e kënaqur me çlirimin nga skllavëria dhe shpresën se hap pas hapi edhe bashkimi kombëtar do të realizohej. Fillimisht ishte e justifikuar si prania ushtarake e aleatëve, ashtu  dhe vëmendja e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare atje. Mori hov edhe njohja nga 116 shtete e Republikës së Kosovës dhe po shkohej drejt stabilitetit dhe konsolidimit të shtetit të sapo krijuar. Madje, as nga ana e qeveritarëve serbë, nuk pati pretendime, pasi ata vërtetë nuk kërkuan ndonjëherë falje, vërtetë i kishin mbushur mendjen vetes se Kosova ishte djepi i Serbisë, por nuk ishin aq pa mend sa të mos e kuptonin se si rezultat i aventurës apo çmendurisë së politikanëve të tyre me Sllobodan Millosheviçin në krye, ishin rreshtuar historikisht në anën e shteteve kriminele. Por diplomacia që gjithmonë punon me larghedhje, kishte edhe ca plane të tjera: Serbia duhej afruar, për ta larguar nga aleanca dhe miqësia e vjetër me Rusinë, se nuk i dihej. Diplomacia gjithmonë sheh shumë më tutje dhe u paradel të papriturave. Kështu që filluan t`i marrin me të mirë bashkëpunëtorët e Millosheviçit, me qëllim për t`i distancuar nga miqësia tradicionale me Rusinë. Natyrisht, aq sa mund të ishin të sinqertë serbët për këtë. Dhe ata si rrufjanë që janë, e shfrytëzuan këtë mundësi, për t`u gjallëruar dhe për të parashtruar kërkesat e tyre absurde ndaj Kosovës. Kuptohet, se nuk mund të thonin na e ktheni atë, por e gjetën “argumentin” te nevoja e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave e pakicës serbe që banonin në Kosovë. Asnjë shqetësim nuk kishte dhe nuk ka, për pakicën serbe. Kosova e kishte pranuar qënien multietnike, gjersa në Flamurin e saj, në vend të Flamurit të Skënderbeut, numëroheshin gjashtë yje. Kurse në jetën e përditshme, pakicat serbe gëzonin të gjitha liritë që u garantonte Kushtetuta dhe humanizmi i kosovarëve. Me djallëzi e me presione të dukshme e të fshehura, në vitin 2013 në Ohër, nga ana e qeverisë së Kosovës u nënshkrua ajo marrëveshja për asociacionin. Por duke parë hiletë dhe synimet e Aleksandar Vuçiçit, që ndryshe fliste, ndryshe vepronte dhe ndryshe synonte, pasi donte ta përdorte këtë për të shkuar më tej, ky asociacion nuk po gjente zbatim, sikurse vetë serbët nuk zbatonin asnjë nga marrëveshjet që bëheshin. Dhe punët u ngatërruan akoma më keq, kur pas ngjarjeve në Ukrainë, sllavi tjetër kriminel A. A. Putin, nisi një luftë të re që mund të merrte përmasa të paparashikuara, duke u zgjeruar shumë më tej. Për diplomacinë perëndimore, masat ishin marrë me kohë dhe thuajse askush në Evropë, nuk dyshohej se mund të përkrahte Rusinë, përveç Serbisë. Por edhe për këtë, menduan se zgjidhja u gjet: Të sakrifikojmë për të diçka nga Kosova, duke riaktivizuar atë asciacionin e lënë rrugës. E bënin këtë me bindjen se ngaqë sipas tyre, ata e krijuan si shtet duke i dhënë lirinë dhe pavarësinë, qeveria e Kosovës, do të bindej. Natyrisht, ata nuk kish sesi të mos e dinin heroizmin e UÇK – së dhe gjakun e mijra e mijra Adem Jasharëve, por interesat e tyre ishin më të mëdha. Dhe nisi marrja me të mirë e Serbisë, gjë që të gjithë e kishin të qartë si drita e diellit, se përveç se një lojë e përkohshme, asgjë nuk do të ndryshonte në marrëdhëniet Serbi – Rusi. Vijuan bisedimet me ndërmjetësit e njohur, të ardhur nga vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Bisedimet pa fund dhe spërdredhjet vuçiçjane, e kanë humbur seriozitetin dhe besimin se do të arrihet ndonjë gjë e mirë. Nuk dihet se sa do të zgjasin këto bisedime, por ajo që dihet është se asnjëherë nuk do të ketë qetësi mes këtyre dy shteteve. Këtë e tregoi më së miri sulmi banditesk i 24 shtatorit në Banjskë dhe qëndrimi që Vuçiçi mbajti ndaj banditëve vrasës, të cilët i nderoi dhe i mori në mbrojtje. Natyrisht që ai e priste atë akt pabesie, pasi e konsideronte si një testim për fillimin e veprimeve luftarake ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, shpresonte se vetë komunat që tani mund të kenë mëvetësinë e përcaktuar, nesër do të kërkojnë shkëputjen përfundimtare. Dhe mendoni pastaj se në çfarë telashesh do të hyjë e ardhmja e Kosovës po qe se ky asociacion pranohet nga qeveria e zotit Kurti. Askush nuk mund të garantojë se nuk do të preken interesat jetike të saj. Deklaratat mikluese se gjithçka do të jetë në pajtim me Kushtetutën Kosovës, nuk japin asnjë lloj garancie. Nëpunësit ndërmjetës, apo edhe vetë qeveritarët e shteteve garante, nuk do të jenë nesër. Të tjerë do të jenë ata që do drejtojnë ato vende dhe të tjera situata krijon jeta me dinamikën e saj plot të papritura. Në gjithë këto zhvillime, ai që ndodhet në pozitën më të vëshirë, pa tjetër që është kryeministri Albin Kurti. Ndërkombëtarët, duke parë “kokëfortësinë” e tij për të mos e pranuar asociacionin, kanë vendosur sanksione ndaj Kosovës, pra po ndëshkojnë popullin e atij vendi, sikur të mos mjaftonin vuajtjet që ka hequr. Gjithashtu, është për të ardhur keq kur sheh se me Albinin nuk pajtohen edhe qarqe të caktuara si në Kosovë edhe në Shqipëri. Qeveria jonë është në akord të plotë me ndërkombëtarët dhe kjo jo vetëm që të çudit, por dhe nuk di sesi ta quash. Këta mund ta kenë inatin me Albinin dhe të duan largimin e tij, por ç`faj ka Kosova? Për hir të kësaj, ata me mendjehtësi e gjejnë normale që t`i plotësohen dëshirat Serbisë. Po se ç`pasoja do të vinë prej kësaj, duket se nuk e mendojnë. Sikur Albini dhe qeveria që ai drejton të qëndrojnë mençurisht e burrërrisht deri në fund para shantazheve e kërcënimeve,do të ishte një shërbim i madh ndaj Kombit tonë dhe do kujtoheshin përjetësisht me nderim e mirënjohje nga shqiptarët, kudo që të ndodhen. Tjetërsoj duhej të ishte qëndrimi zyrtar nga ana e politikës tonë: të huajve u do bërë e qartë, se për këtë histori ka vetëm një zgjidhje: bashkimi i Kosovës me tokën amë. Vetëm kështu dhe sidomos pa i bërë asnjë lëshim Serbisë, do të mbarojnë si ato përpjekjet pa bereqet të burokratëve ndërkombëtarë, ashtu edhe sherret dashakeqe, që inskenon ai vend. Bisedimet me Vuçiçët janë humbje kohe dhe asgjë më shumë. Sa për ekuilibrat e Ballkanit Perëndimor, as janë prishur dhe as mund të prishen ndonjëherë nga Kosova. Por kjo nuk do të thotë që shqiptarët të mos mbrojnë pa ekuivoke, tërësinë e trojeve të tyre shekullore, sovranitetin dhe dinjitetin e vet. Dhe e gjithë kjo realizohet kur të vëmë mbi gjithçka dashurinë për Kombin tonë, sipas porosisë së shqiptarit të madh Sami Frashëri i cili e quante këtë dashuri “topin që shkatërron kalatë më të forta dhe kalanë që mund t`u qëndrojë topave më të fortë”.