Më mirë policë që hanë fara në kapele, sesa kjo farë polici !

658
Sigal

Intervistë me Ylli Dylgjeri, analist dhe ish drejtues I lartë I ministrisë së Brendshme dhe Kryeministris: 800 mijë shqiptarë nuk votuan për “krushqitë’ e titullarëve të policisë me krimin. Përbuzje për drejtuesit e lartë të Policisë Shtetit të implikuar familjarisht në trafikun e klandestiëve arabë.Si I zhdukëm gomonet në 2004 me kryeministrin Nano, hashashizimi I Shqipërisë, babëzia me tenderat, policët gjobvënës dhe qëndrimi I SPAK

Më mirë policë që hanë fara në kapele, sesa kjo farë polici!

NOA

Intervista / Ylli Dylgjeri, ish-drejtues i lartë i Ministrisë së Brendshme dhe  kabinetit socialist: 800 mijë shqiptarë nuk votuan për lidhjen e drejtuesve të policisë me krimin

Biora Vojka

Gazetare e “Telegraf”

Situata e rëndë kriminale në të cilën po kalon vendi ynë,  ringjallja e trafikut të klandestinëve arabë të cilët po e përdorin territorin tonë si vend tranzit drejt vendeve të BE-së në këmbim të pagesave që shkojnë deri në 1500 euro për person, shpartallimi i vijave kufitare tokësore dhe detare nën “monitorimin” e drejtuesve të lartë të Drejtorisë së Kufirit pranë Policisë së Shtetit, vrasjet , aksidentet, tenderat e majmë të uniformave dhe pajisjeve të policisë e  të tjera , janë pjesë e intervistës që gazeta “Telegraf” zhvilloi me analistin, Ylli Dylgjeri, ish- drejtues i lartë i ministrisë së Brendshme dhe kabinetit të kryeministrit socialist, Fatos Nano.

Ju analizuat situatën tronditëse të kalimit të refugjatëve nga lindja, ku ishin të implikuar edhe kupola e kufirit. Si ndjeheni sot, kur ju keni qenë pjesë e operacionit të madh antigomone, çka i parapriu heqjes së vizave  të BE-së  për shqiptarët ?

Së pari, ju falenderoj për vëmendjen që më kushtoni duke më lexuar. Lidhur me pyetjen, ndjehem thellësisht i brengosur. Në një ekip Ministrie, ku kam punuar si drejtues i lartë për 4 vite më trishtojnë lajme të tilla. Për mos e zgjatur, emisioni i “Top Story”, forma, organizimi dhe në fund realizimi tregonin për një krim të organizuar të përmasave shtetërore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Akoma sot unë nuk kam lajm se kush është dënuar nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit për këtë ngjarje kriminale. Në detyrë vijon të jetë i njëjti Drejtor i Përgjithëshëm i Policisë! Në vitet 2000-2004 kur punoja në Rend, nuk mund të them se nuk kishte krime, apo ngjarje kriminale edhe brenda Policisë. Por jo të tillë përmasash. Edhe për ato që kanë ndodhur, janë marrë masa të rrepta deri në ndalime e dënime të nivelit të lartë drejtues. Në ato vite Shqipëria bëri një hap madhor në luftën kundër trafiqeve. Operacionet në tokë e në det ishin të monitoruara në çdo lëvizje nga faktori ndërkombëtar dhe agjencitë ligjzbatuese. Fitimi i tenderit të Pasaportave nga një kompani prestigjoze shtetërore gjermane, ju dha mundësi partnerëve për të kontrolluar databaze e popullsisë e për rrjedhojë edhe lëvizjen e elementit kriminal në Europë e më gjerë. U hap Qendra e Antitrafikut në Vlorë, si dhe për herë të parë u krijua njësia speciale “Delta Forcë”. Në fund, pas shumë përpjekjesh, Shqipëria e kaloi klasën për t’u ngritur një shkallë më lart për luftën ndaj trafiqeve, duke dalë nga harta e trafikut të drogave të forta dhe qenieve njerëzore, duke i hapur rrugën drejt Europës shqiptarëve.

Ju keni qenë pjesë e strukturave të larta drejtuese të Ministrisë së Brendshme kur u arrit të bllokoheshin skafet e trafikut dhe  klandestinëve drejt Italisë dhe vendeve fqinjë. Si e shikoni riaktivizimin e sotëm të skafeve me klandestinë dhe tonelata hashashi drejt BE-së ?

Lidhur me situatën e lëvizjes së gomoneve sot, me riaktivizimin e trafiqeve mund të them me bindje se është mungesë e theksuar e zbatimit të ligjit, korrupsionit,  mungesës së llogarisë, e përgjegjësisë së drejtuesve deri te Kryetari i Qeverisë. Kujtoj se në vitet 2002-2004 ishte vetë Kryeministri i kohës, Fatos Nano që inicioi, programoi, dhe drejtoi  operacionet antitrafikë në jug të vendit, deri në djegien e skafeve. Në ato ditë u prezantua edhe Ministri i ri zoti Luan Rama. E prezantoi vetë Nano në zyrë. Më kujtohet një detaj: Kur kamarierja solli pijet për urim, në tavolinë mungonte akulli dhe limoni për të shoqeruar xhinin. Por mungonte diçka.Nano ndërhyn dhe i drejtohet Drejtorit të Përgjithshëm të kohës: pse lokalet e skafistëve kanë dhe akull dhe limon drejtor? Ky ishte gongu! Nga ajo ditë nisi puna për organizimin e operacionit më të madh antitrafik që u quajt në publik Puna. Drejtimin e Operacionit e udhëhoqi  vetë Nano. Mbaj mend se në një kioskë operacionale, në bregdet, vinin urdhërat me rradhë për të shkarkuar të gjithë zinxhirin komandues të policisë, SHIK, Policisë Tatimore, Fabrikë gomonesh, arrestime, etj. Edhe në atë kohë tentuan “të prishin” radarët. Por s’mundën. Çdo një orë, Kryeministrit i dilnin në telefon Ministrat e Brendshëm të shteteve fqinje për të kordinuar forcat antitrafik në det, që përballeshin me ikjen në panik të trafikantëve. Në atë operacion u ndaluan mbi 13 skafe me gjithë skafistët, e u lanë shumë kapele, edhe gjeneralësh, ashtu siç u emëruan edhe  drejtues të rinj në det. Por…kapelet ishin shumë më të lira. Nuk kushtonin  350 Euro, siç po dëgjojmë për uniformat e policisë sot.

“Riaktivizimi i trafiqeve është mungesë e theksuar e zbatimit të ligjit,  korrupsionit,  mungesës së llogarisë, e përgjegjësisë së drejtuesve deri te Kryetari i Qeverisë”

Policia e Shtetit është hedhur në “aksion” për të mbushur arkën e saj me gjoba ndaj lokaleve dhe bizneseve. Ndërkohë krimi po vret ditë e natë me kallashnikov, por edhe aksidentet po përgjakin autostradat dhe rrugët e qyteteve… ?

Lidhur me pyetjen e policisë se është hedhur në aksion për gjobat dhe për mbushjen e arkës së shtetit mund të them se është abuzim i rradhës i politikës. Policia ka boll detyra për të bërë sipas ligjit. Sot merren me gjobat kur e i kanë lënë spacatorët e drogës të bredhin rrugicave e pallateve të kryeqytetit. Pihet hashash me tre turne. Ka kohë që pas pallatit tim në bllok, nuk shoh prej vitesh  këmbë polici kriminal. Shoh vetëm uniforma gjobash të bashkisë e policisë për parkimet e Erion Velisë. Edhe pse vendosin gjoba pa fund e njëjta situatë parkingjesh vazhdon. Vetëm në kohën e drejtimit të Bashkisë nga Veliaj po futem në garazhd me turi e pa dal me b…ë…. Është e pamundur të manovrosh nga makinat dhe adoleshentët që thithin e thithin hashash. Kapitullim.

Si ish-drejtues i Ministrisë së Brendshme, shohim të  zhvillohen tendera ku 1 kapele kushton 350 Euro, apo ku policia del në rrugë pa matrikull identifikues. Si  e komentoni ?

1 kapele 350 Euro? Haaaaaaa! Ky është rekord për gines! E padëgjuar! Edhe Hitleri që i prodhonte Uniformat e Ushtrisë Naziste te firma “Hugo Boss” nuk kishte këto çmime. E kam thënë edhe diku tjetër, në kohën time kostoja e prodhimit të një uniforme polici në Republikën e Kinës ishte 3-4 dollarë. Këtu tenderohej nga marifetçinjtë 20-25 dollarë. U kapën. Nuk u bën hyrje uniformat. U kallëzuan abuzuesit në Prokurori. Sot një kapele 350 euro, nëse është e vërtetë duhet deklaruar se Shqipëria ka rekrutuar UFO-t në polici. Turp!

“1 kapele 350 Euro? Haaaaaaa! Ky është rekord për gines. E pa dëgjuar. Edhe Hitleri që i prodhonte Uniformat e Ushtrisë Naziste te firma “Hugo Boss” nuk kishte këto çmime. Kostoja e prodhimit të një uniforme polici në Republikën e Kinës ishte 3-4 dollarë”.

A mendoni se SPAK, prokuroria dhe organet e shërbimit informativ duhet të shkëmbejnë informacionet dhe të nisin hetimet për efektivët dhe drejtuesit implikuar në lidhje me trafikantët dhe kriminelët ?

Më pyet për SPAK-un? Për shkëmbim informacioni etj etj. Kjo është A-ja e çdo shërbimi inteligjent e investigues. Më mirë këtë pyetje mund t’ja bëni Av. Spartak Ngjelës. Ai i di të gjitha. Zoti i dhëntë jetë e mos e zëntë Covidi!

Përbuzje…

Nga Ylli Dylgjeri

Ora 24.00. Jam i tronditur…Sapo ka mbaruar emisioni për emigracionin klandestin në “Top Story”. E ndoqa këtë emision me vëmëndje. Sinqerisht nuk u besova veshëve e syve: Drejtoria e Emigracionit në Policinë e Shtetit me në krye Drejtoren… që s’dua t’ja dëgjoj më emrin… ishin pjestarët e rrjetit më të madh të emigracionit arab, klandestinë, në Shqipëri. Pra, nga drejtorja, i shoqi, familja e saj, e deri te specialistët e drejtorisë ishin në shërbim të klandestinëve arab që hynin në këtë han pa porta! Korrupsion i pa parë! Një rrjet i tërë i organizuar punonte,  arkëtonte, regjistronte e fallcifikonte dokumentacion të zi në sy të policëve e drejuesve syleshë. Pamje të trishta. Drejtues, policë e arabë që thithnin nargjile, takoheshin klubeve me agjente të inkriminuar e thurrnin plane për kontigjentet e reja të klandestinëve arabë. Në fund: Regjistrime kompanish arabe fallco në QKL. Ky ishte skandali ! Paçka se rrjeti ishte zbuluar e neutralizuar një ditë, e sipas policisë edhe autorët ishin ndaluar sipas konferencës për shtyp të krereve më të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, shija që më la ky emision ishte mjaft e rëndë për mua, ish punonjësin e lartë të Ministrisë së Brendshme. Një mori pyetjesh më erdhën në mend: Pse për këtë polici votuan shqiptarët? Kjo është policia që duam? Për këto kontigjente paguajmë taksa? Kjo ishte e majta që ju dhanë 800 mijë vota shqiptarët? Duhen besuar sërisht këta? Më mirë policë që hanë fara në kapele sesa kjo farë polici! Me këtë mosbesim mbyllej dhe emisioni në  “Top Story”. Pas trasmetimit të materialeve, redaksisë i kërkohej emisioni si dokumentacion nga Policia! Për këtë drejtuesit e emisionit sqaronin: “Akoma nuk kemi vendosur. A mund t’i besojmë kësaj policie materialet tona investigative?” Kaq mjafton per të kuptuar se çfarë shteti bëri Rilindja që do të hyjë edhe në Europë! Përbuzje për ty Saimir Tahiri, Fatmir Xhafa, e në fund, edhe për ty, o Sandër Lleshaj!