– Të punojmë për të jetuar si në Evropë dhe jo të jetojmë për të punuar si në Shqipëri.
– Në 1 Maj të përmendim fermerët tanë të Lushnjës, Fierit, Divjakës, Korçës etj. të cilët kanë protestuar për konkurencë të ndershme.
– Puntorët të ngrejnë zërin e tyre fuqishëm në sektorin e bujqësisë, ndërtimit, peshkimit e minierave duke kërkuar kushte më të mira në punë.
Mbërriti dita e 1 Majit. Majit të trendafilave, ditës më të madhe të masave punonjëse. Dita që u shkrua me gjak nëpër faqet e historisë. Ashtu si çdo vit tjetër edhe këtë vit, masat punonjëse shqiptare, realitetin ton do ta kalojnë me urimin më të madh: “Rroftë Demokracia”.
Si pjesa përbërëse më e madhe e forcës së punës së vendit edhe këtë herë zëri i masave punonjëse do të kumbojë fuqishëm nëpër bulevardet ku punëtorët do të grumbullohen për të biseduar për hallet e punës e të jetës, pse jo dhe një pjesë e vogël do të protestojë kundër politikave anti punëtore, anti popullore, edhe këtë herë puntoria do të jetë më e fortë se kurrë dhe kërkesat tona do të jenë për një jetë më të mirë, duke kërkuar:
1- Punë stabël. Të drejta demokratike dhe liri veprimi. Sigurimet shoqërore të paguhen nga punëdhënësi.
2- Paga të kënaqshme, pension dinjitoz për pensionistët, arsim e shëndetësi falas, pa na futur duart në xhepa.
Bisedat tona do të jenë të panumërta, duke i dhënë njeri tjetrit forcë dhe kurajo: “Të punojmë për të jetuar dhe jo të jetojmë për të punuar”. Punëtorët e dinë që asgjë nuk u bie nga qielli, askush nuk iu dhuron gjë. Të gjitha ato të drejta që masat punonjëse i fituan në vende të tjera të botës, i fituan kur u bashkuan. Përvoja është e madhe, ashtu sikurse historia nuk mund të harrohet. Masat punonjëse shqiptare kanë histori, e cila është e shkruar me mund, djersë dhe sakrifica, ndonjëherë edhe me gjak, me gjakun e puntorisë që bëjnë kantjeret e mëdhaja, pse jo dhe minierat tona. Duke kujtuar të gjithë ata që dhanë jetën, për të jetuar nga një punë e ndershme të paharruar qofshin. Gjithashtu duke përmendur të gjithë ata puntorë, që ngritën zërin e tyre fuqishëm në sektorin e bujqësisë, ndërtimit, peshkimit e minierave tona duke kërkuar kushte më të mira në punë. Të përmendim fermerët tanë të Lushnjës, Fierit, Divjakës, Korçës etj. të cilët kanë protestuar për konkurencë të ndershme që produktet e tyre bujqësore të mos u ngelen stoqe pa u shitur. Do të përmendja të gjithë ata përfaqësues të ndershëm të shoqatave, sindikatave tona, që jetën e tyre e kaluan në rrugë në shërbim të masave punonjëse, në shërbim të demokracisë. Për të gjithë ju që nuk u hapen portat dhe u shërbehet keq, ka vetëm një rrugë: të kërkojmë të drejtat e mohuara. Të kemi mendim të lirë dhe besim tek e vërteta, e cila është ligj për masat punonjëse. Të udhëhiqemi nga koka dhe jo nga këmbët.
Punëtorët duhet ta dinë që të gjithë ata që i shfrytëzojnë sot, kur të mos kenë nevojë për punën tonë do të mund të na respektojnë dhe vlerësojnë vetëm po të jemi të bashkuar. Duke fituar kështu një të ardhme dhe të nesërme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë të cilët sot ndoshta janë të vegjël, por kur të rriten do të kenë dëshirë të mësojnë historikun e baballarëve të tyre dhe të mos shkëputen kurrë nga rruga e punës dhe e dijes. Le të na bashkojë kjo ditë e Një Majit, le të bëhet një urë vllazërimi për ne puntorët dhe popujt e mbarë botës. Le të shpërngulemi nga stadiumi i vuajtjeve dhe t’i premtojmë vetes që nuk do të lejojmë kërkënd të luajë futboll në një fushë që e kanë emëruar të tyren dhe në vend të topit të shkelmojnë të ardhmen tonë. Me zemrën dhe me mendjen tek e ardhmja dhe me besim tek e vërteta ngrejmë zërin tonë të fuqishëm: RROFTË DITA E 1 MAJIT.
Si lindi Dita e Punëtorëve
Në shumë vende të botës përkujtohet më 1 maji, dita e punëtorëve. Dita e Punës, ose Festa e Punëtorëve, është një festë që festohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve. Dita e Punëtorëve është e njohur në shumë vende të botës, por jo në të gjitha. Më saktësisht, ajo i referohet kujtimit të protestave të punëtorëve, që synonin një të drejtë të madhe dhe që konsistonte në orarin e punës, në 8 orë. Këto protesta çuan në nxjerrjen e një ligji që u miratua në 1866 në Illinois (SHBA). Të shtatët që u dënuan me vdekje.I teti që nuk është shfaqur u dënua me 15 vjet burgim. Ndërkohë, kongresi i Internacionales së parë kërkoi që ligje të ngjashme të miratohen dhe në Evropë. Origjina e kësaj feste daton nga manifestimi i organizuar në Shtetet e Bashkuara nga Kalorësit e Punës (Knights of Labor), një shoqatë e themeluar në 1869) në Nju Jork, 5 shtator 1882. Dy vjet më vonë, më 1884, një manifestim i ngjashëm i Kavalierëve të Punës miratoi një rezolutë që ngjarja të kishte bazë vjetore. Gjithashtu organizatorët sindikalistë, afër lëvizjeve socialiste dhe anarkiste, sugjeruan si datë feste: 1 majin. Ndërkohë, incidente të rënda ndodhën në ditët e para të majit 1886 në Çikago (SHBA) dhe që njihet si kryengritja e Haymarket. Këto ngjarje arritën kulmin e tyre më 4 maj, kur policia qëlloi mbi demonstruesit duke shkaktuar shumë viktima. Data e 1 maj është miratuar në Kanada në 1894 edhe pse koncepti i festës së punëtorëve i referohej këtu Marshimeve të mëparshme të punëtorëve të mbajtur në Toronto dhe Otava në 1872. Në Evropë 1 maji festa e punëtorëve është bërë zyrtare nga ana e delegatëve socialistë të kongresit të Internacionales së dytë në Paris në vitin 1889 dhe ratifikuar në Itali dy vjet më vonë.
Demostrimet i bëjnë trimat: “Besnikët e idealeve të lirisë”.
Udhëheqin të mençurit
Fitojnë horrat.